Andrra ime – nga Antonion Pjetraj

Time posted: Saturday, February 7th, 2015 3:50 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Andrra ime

Është si një letër për babagjyshin, të cilën pa dyshim që e lexojnë prindërit, kjo është si një letër për ty, të cilën padyshim që do ta realizoj unë. Prandaj jam kaq i kthjellët në ide, i ftohtë në ndjenja, siç është e ftohtë një pasqyrë. Jam larg, mbi retë më të çuditshme të qiellit, re në forma surreale, një ndër ta ngjan me babin, i pari që më ngriti hopa lart, aq lart por aq i sigurtë.

Nejse të kthehem tek ti, ti që jeton në një vend të akullt, ku lekura me lëkurë nuk preket, syri me syrin nuk takohet, shpirti me shpirtin nuk flasin të njejtën gjuhë. E di çfarë, sot mora një dhuratë, ndër  më të bukurat, një libër në faqen e parë të një libri, një libër me vëtëm tre rreshta, një libër që të ndryshon tejqyrën me të cilën shikon larg. Më thanë se në një farë mënyre ngjaj me Mërsonë, të famshin e Kamysë. Në fakt nuk është e vërtetë, ti i ngjan atij, madje shumë.

Ti e di sa herë të kam kërkuar të mos tregohesh arrogant, ndonjëherë je aq i shëmtuar kur nuk pranon të vërtetën, i kthen shpinën dikujt që kërkon ndjesë  për gabimin që ti ke bërë. Pastaj dorën pse dreqin e mban grusht, ndaj kujt e drejton, bëje pëllëmbë, shtrije, përkëdhel me të një fëmijë ose një kafshë, ndaj kujt ke frikë? Unë pyes, ti nuk përgjigjesh, ndoshta sepse ti je episodik, ke rol dytësor por je në skenë, ndonjëherë je protagonist, unë e urrej aq shumë sensin tënd të protagonizmit e në të njejtën kohë indiferencën më të cilën servir një pjatë të ftohtë me dashuri të rremë.

Ti je ëndrra ime, ti i shndërruar, i ndryshuar, ti i dashuruar sikurse jam unë, i magjepsur nga bukuria sikurse unë, ti që puth njerëzit që të duan, buzeqesh edhe kur ke dhimbje, ti që fal e kërkon falje, ti që këndon e kërcen pa e vrarë mendjen për asgjë, sikurse bëj unë. E di se çuditesh por gjithmonë ti do jesh ajo që ëndërroj, ti që nuk ke frikë, ti që më lë të lirë, ti që nuk rritesh, ti që ikën, ti që resht së ekzsistuari.

E di që po e lexon këtë që po shkruaj ndaj të kërkoj të mos më mbizotërosh, je aq i vogël e i parëndësishëm tani, por je, unë nuk dua që ti të jesh sikurse nuk do një kalimtar nëpër shkretëtirë që trupi ti bëje hije mbi rërë.

Je ëndërr e realizueshme ndaj edhe të mbaj, gjithmonë do pres nga poli yt i akullt dhuratën, ti do vish vetë me siguri e do më thuash: Djalë i mbarë, burrë i mirë, unë do kthehem në këndin tim, në më të fshehtën ekzistencë, ti më mbizotëron!

Kjo është ëndrra ime: Që UNË të përpiqem e të  punoj çdo ditë për ta bërë  veten më të mirë, e atë pjesë të vetes që bën hije nëpër shkretëtirë ta lë në botën e saj, e asnjëherë të mos lejoj të bëhet re. Nuk më pëlqen reja kur është  mbi mua, dua të jem unë mbi re, aq lart dhe aq i sigurtë, si një burrë i mirë!