“Andrra ime” – nga Mikela Mali

Time posted: Monday, February 2nd, 2015 8:10 pm

Share on Facebook1Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

“Andrra ime”

Është gjë e bukur të ëndrrosh, por është edhe më bukur kur vëren se të gjithë ëndrrojnë, si i vogli ashtu edhe i madhi. Sigurisht që për njerëz të ndryshëm ka ëndrra të ndryshme. Të gjithë i duan ëndrrat, sepse i ndiejnë si diçka të tyren që askush nuk mundet t’ua cënojë dhe ashtu është… Ëndrrat janë vetëm të tuat dhe askush nuk mund të t’i prekë apo ti shkatërrojë, nese ti i do më gjithë zemër. Por duhet te bësh kujdes, duhet të ëndrrosh ëndërra të arritshme dhe jo thjeshtë të fantazosh me zana, magjistare e shkopinj magjikë.

Unë dua t’ju tregoj ju ëndrren e një vajze adoleshente, e cila ishte 16 vjeç që deri në këtë moshë u shoqërua nga dashuria e pafundme e njerëzve që e rrethonin. Edhe pse u rrit me aq shume dashuri, ishte një vajzë e ndrojtur dhe që nuk dëshironte të fliste shumë për vetveten, apo për gjërat që i pëlqenin, ose që nuk i pëlqenin.Gjithësesi, ajo e kishte një njeri shumë të dashur dhe gjithmonë ishte ai personi që e dëgjonte, e këshillonte, por edhe e kritikonte. Ky person ishte nëna e saj.Ehh….Sigurisht që nëna është e kush mund të ishte tjetër?

Një ditë pranvere, nëna e vajzës nuk kishte punë, ishte një ditë pushimi për të. Edhe për vajzen ishte një ditë pushimi, sepse nuk kishte shkollë. Dhe kështu të dyja së bashku dolën në kopesht nën hijen e një qershije dhe filluan të bisedonin. Nëna që si gjithmonë është në merak për fëmijën e saj, e pyet vajzën, nëse ajo kishte ndonjë problem në shkollë, në rrugë apo kudo tjetër. Vajza iu përgjigj se nuk kishte probleme dhe se ishte e kënaqur me shokët e shoqet e shkollës dhe se ia kalonte mirë, paprobleme.

Pas pak, nëna e pyet vajzën se cila ishte ëndrra e saj më e madhe. Edhe vajza menjëherë pa u menduar aspak, filloi t’i përgjigjej nënës së saj:

– ëndrrat e mija nënë, janë shumë, po ato më të mëdhat janë të lidhura me familjen, të afërmit, me shkollën, me jetën time… Por, ëndrra ime më e madhe është të ketë dashuri nëpër botë!!

– ëndërr të madhe paske bijë,- i thotë nëna.

– E di nënë, është shumë e madhe dhe mendoj shpesh për këtë gjë:” të ketë dashuri në tërë botën”, është diçka tepër e madhe e për shumë njerëz e pamundur. Mbase une po guxoj më tepër se ata, prandaj edhe po them se, jo, nuk është e pamundur!! Pse?? Pse qenka kaq e pamundur nënë?! Sepse nuk është diçka me vlerë?? Apo, sepse, bota nuk ka nevojë për të?!- e pyet vajza me ngulm nënën e saj.

– Jo, moj bijë! Nuk është e vërtetë! Bota ia ka nevojën shumë kësaj dashurie…- i përgjigjet nëna me ëmbëlsi duke ia përkëdhelur kokën që vajza kishte mbështetur në prëhërin e saj.

– Çdo gjë që nuk ka dashuri brenda është dhe duket si qielli kur do të bjerë shi nënë, që është i vrazhdë, i errët dhe të jep përshtypjen sikur është shumë i nervozuar me ty e kërkon që me anë të shiut të shfryjë inatin mbi ty.- i thotë vajza nënës.

– E di moj bijë, edhe njerëzit fatkeqësisht shpeshherë kështu janë kur nuk marrin dhe nuk japin dashuri. Shumë njerëz dashurinë dhe respektin e mendojnë dhe e duan si një ndjenjë reciproke.- i thotë nëna.

– Pse duhet që të jetë dicka reciproke??! Pse të mos jesh ti ai që jep dhe që nuk pret të të kthehet?! Të gjithë e dinë se të japësh diçka është shumë më bukur se sa kur merr. Dhe nuk e kam fjalën për të mira materiale. Jo, jo nënë, po flas për gjëra më me vlerë. Po flas për dashurinë, respektin, dhembshurinë, mirësinë, mëshirën, fjalën…- thotë vajza.

– Po, ke shumë të drejtë bijë edhe mua më gëzon që ti i mendon këto gjëra!- i thotë nëna.

– Ehh… moj nëna ime, i mendoj edhe shpesh, sepse shumë fatkeqësi ndodhin se nuk u mor parasysh dashuria dhe mbi të gjitha falja. Në gjakmarrje kjo gjë nënë, ti e di edhe vetë. Të vjetrit së bashku me Kanunin e mendojnë si një akt heroik, të marrin gjakun e një të afërmi. Ata nuk ndalojnë për të menduar se i fortë dhe trim është ai që fal, ndërsa i dobët është ai që hakmerret, kurse inteligjent është ai që injoron. Po e përmend injorimin nënë sepse ti e di që këto gjakderdhje ndodhin edhe si pasojë e fjalëve të njerëzve.- i flet vajza nënës.

– Të kuptoj bijë shumë mirë dhe e di se kjo është një plagë shumë e madhe për shoqërinë sot dhe se pavarësisht se ka ikur koha e Kanunit, gjakmarrja ende vazhdon, njerëzit e kanë të vështirë të falin bijë, prandaj.- i thotë nëna.

– E di, nënë e di dhe për kete më vjen shumë keq, por as dhuna e formave të ndryshme nuk mbetet prapa nënë. Dita-ditës e më shumë po shtohet. Dëgjojmë çdo ditë lajme e histori të ndryshme për këtë fenomen. Nuk e kuptoj nënë se si një shoqëri që sot njihet si shoqëri e civilizuar, ende vazhdon të lejojë dhunën?!- vazhdon vajza.

– Po, moj bijë nuk mund të flasim për një shoqeri të civilizuar kur ende e lejon dhunën, madje mund të flasim për një shoqëri të prapambetur. Këta persona të dhunshëm e kanë me të vërtetë gabim!- i përgjigjet nëna vajzës.

– Nuk është dhuna apo të bërtiturat që e bëjnë një njeri më të mirë, apo jo nënë? Duhet të kuptojnë se është shiu ai që rrit lulet e jo bubullima!- i thotë vajza së ëmës.

– Ehh… sa shumë probleme që janë, apo jo nënë?

– Po moj bijë janë kaq shumë, sa ëndërra jote më duket e pamundur!- ia ktheu nëna me ëmbëlsi vajzës.

– Jo moj nënë, sepse un besoj se një ditë bota do të gëzohet. Do të jetë e lumtur…-flet vajza me një dëshirë të madhe.

Dhe kështu djelli filloi të perëndonte, nderkohë që vajza po bisedonte me nënën e saj për ëndrrën e saj të madhe. Kishte kaluar një kohë e gjatë, ndërkohë që as vajza, as nëna nuk e kishin vënë re. Kur po bëheshin gati të hynin brënda, vajza i thotë nënës së saj:

– Nënë, unë besoj se Zoti do e sjellë paqen në botë dhe atëherë ëndrra ime do të jetë realizuar.

– Beso bijë, sepse nëse ti beson asgjë nuk është e pamundur, prandaj mos hiq dorë nga kjo ëndrr kaq e madhe dhe humane që ti ke!!!- thotë nëna duke e puthur të bijën në ballë.

Dhe kështu, të dyja shkëmbejnë me njëra-tjetrën nga një buzëqeshje të ëmbël dhe të pafajshme për ligësinë që mban bota dhe hynë brenda…