Andrra jeme – nga Amelia Topçija

Time posted: Monday, February 16th, 2015 4:01 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

“Andrra jeme”
 
Liza, vajza e vogel e nji familjeje t’madhe t’Shkodres, po mbyllte shkollen, tuj prit me zemër të ngroht virgjiljen e Kshndellave. Ishte vetem 15 vjeçe, e n’zemren e saj vlonin andrrat e dishirat e panumrushme. At vit, ishte nji dimen i ftoft e plot lagshtin, pemët ishin harkue nga të ftoftit, e  gjethet gersitnin prej brymës  të egër të atij dimni.
 
Deri vonë, Lizën e përcjellnin për shkollë, e mrapa e pritnin te dera, fill masi marote msimi. Ama tesh, që i kishte kalu të 15 vjetët, kishin fillu me e lan pak ma lirshem. Rruga për n’shkoll e ma vonë për n’shpi ishin xhiroja e saj e përditshme, e mundohej me i shiju n’kulm kta çaste vetmie të amël që kishte para se me shku n’shpi, ku kishte me u taku e me u msu me atmosferen fanatike, që shpesh ia merrte frymen.
 
Nji ndër andrrat ma të mdhaja të Lizës, ishte me u marr me fmit. Donte me u ba msuese, edukatore, ose mjeke. T’shpis e shifnin me mosbesim e me tallje, sepse andrronte shumë. Ndoshta edhe pse ata e shifnin boten e saj si boten e nji fmije, e nuk i epnin kurrë vemendje.
 
Mbas shumë  e shumë lutjesh, Liza ma n’fund kishte marr lejen me u kujdes për fmi që kan nevojë, për kto dit pushimesh. Bashk me gjyshin, nji burr në moshë që kur kalonte nëpër Shkodër tan i heknin kapelen, kishin dal me ofru ndihmen e saj nepër institucionë që u përkujdesshin për fmi. Gjyshi, nji mjek n’pension, i kishte msu t’msheftat e mjeksis. Gjyshja, ala msuse edhe pse në moshë mjaft të thyme, e kishte msu si me u marr me fmit. Për fatin e keq e t’mir në t’njejten kohë, vetëm spitali i fmive kishte nevojë për te.
 
At ditë mbasdreke Liza kishte me fillu punen vullnetare n’at spital. Liza ju ngjit shkallve e shkoj në garderobë, veshi gryksen e bardhë bilur, dhe u ul me ba detyrat e saj. Tre ditët e para e caktune në guzhin, ku ndihmoi me gatu, e me la enët. Aty i bani shumë përshtypje e mbeti e shtangun prej varfnis që kishin ato pjata.
 
Mbas ktyne ditve, shumica e puntorve po merrnin pushimet, e Liza merrte detyra gjithnji e ma të randsishme. Natën e Kshndellave spitali ishte shum i bukur. Tan familjet e fmive t’smur shkonin e vinin, e gjithkund u ndishin fmi tu qesh me gjith zemer, me zanin e tyne t’amel. Nji mbasdite, tuj u ba gati me shku nshpi, ndigjoi bisedën e dy infermiereve me pastrueses, qi po tregonin për nji fmi 5 vjeç, prej Thethi, qi kishte pas nji aksident tmerrshëm tu shku me marr dru për zjermin.
 
Liza nuk u lejote me hy n’pavijonin ku ishte aj fmi, por dishira e kureshtja e shtyshin me e taku. T’nesermen, msheftas ju afru odës ku ishte ai fmi, por nuk mujti me hy mrend. Prep u mundu disa dit tjera por gjithmon oda e fmis ishte me mjeke e infermier t’shumt. Kalune shum ditë, e naten e Vitit t’Ri, mbasi kishin ikë tan infermieret, kur Liza po hekte gryksen e po u bate gati me shku n’shpi me ndihmu me darken e punt e shpis, iu afru mjekja e i tha me shku me i lexu do tregime t’bukra atij fmisë prej Thethi.
 
Kur hini n’oden e fmis i hodhi nji shikim pothujse t’ambel. Gjoni ishte sjellë gjys i vdekun nga Thethi. Ishte tepër i dobt, koc e lkur, e Lizës iu dhimb shumë ai fmi. Aj nuk bertiste, nuk fliste, kishte vetëm dy sy të mdhej që ta kputnin shpirtin. Gjoni kishte diça t’amel n’ shikim, e të egër njikohsisht. Liza ia puthi lehtë faqen, qi kishte vetëm koca e lkurë. N’xhep kishte do biskota që i kishte ba e ama. Mori  nji e ia dha. Fmia fill qeshi. U ul Liza mandej afër tij e filloi me trillu do histori aq r’amla, sa Gjoni vetëm qeshte e donte prep. Koha ecte, por Liza e Gjoni i vogël nuk po e kuptojshin.

 
N’shpi, tan pritshin Lizen që nuk po u dukte kerkund. I ati e gjyshi i dolne para nepër rrugë, tuj pyt a e kishte pa kush. Tan u bane marak, e shpejt po u errte. Gjyshi me baben u nisne drejt spitalit, tan rrugen pytshin për te. N’spital i thoshin qi nuk e kishin pa. Kur mjekja i ndin, ma nfund i kujtohet se para tri orësh, i kishte than me shku me ndej me fmin e shkret, e i thrret baben me gjyshin e te tre shkojn te oda e djalit. Tuj iu afru odës, nuk u ndite asigja, ishte teper qetsi. Doktoresha hapi deren shpejt, tan frike. Te shtrati i fmis ishte e ulun ndejun Liza, e Gjoni i vogël kryt e kishte mbshtet n’prehnin e saj. Njashtu e kishte xan gjumi, e kishte fjet si nji ejll i vogel. Liza e lodhun, ja dushte kryt me kaçurrela, e i kndote leht.
 
Kur pau t’atin e gjyshin qeshi, u qu leht pa e qu fmin prej gjumi, e doli jashtë odës. At nat festune shum, hangne gjanat ma tmira, e lujten tombola deri kur kndoi gjeli. Tu e përcjell i ati n’shtrat, Liza gadi e fjetun i tha atij: “Bab, e kam vendos. Andrra jeme asht me ken e lumtun. Bab, kjo lumtuni për mu asht te njata ftyra t’lumtuna, t’qeta. Un du me ken shkaku i njasaj mrekullie, babë!”