AFER

Albri Brahusha
 
Afër krejt afër, me ty, shtri në ty, me ty njitë në ajrin që rrethon lëkuren tande, në aroma oborresh të harrueme, ma përshkojnë zemren mijëra ngjyra, fryma jote deh avujt e mbramjes që bjen mbi natën e zezë. Vec une e ti ndër netë qe i qeshin qiejve. Pyjet përjashta përkulen prej erës, bota e madhe ka fjetë ndërsa na bashkë krijojmë botën e vogël me dihatje kafshësh. A janë këto duert tona apo universi përkdhel pa pritue terrin e dhomës?
 
Nuk më mjafton me ba dashni me ty. Kënaqem si kush nuk din me të diftue, por prapë due ma tepër due atë që ndij, atë që kam me e futë në trupin tand a ti atë që ke me e futë në trupin tem, e prej aty me fluturue bashkë aty ku kurrkush nuk ka guxue.
 
Due me gjetë nji mënyrë me hi në ty, me vdekë e me jetue në ty, me hi nën lëkurën tande, e do ta gjej nji rrugë, tue shkrue, tue shëtitë honeve tueja, me ndi dhimbjet, gjoksin kur ta ther frymën, zanin kur ta qesh shpirtin, britmen që ta krypë fytyren, lotin që ngroh faqen kurr rrshet teposhtë e pikon prej gushës mbi gju. E tuj shkrue në ty, atë që jam e kam për ne, kështu i plotë nëpër gjakun tand me lundrue me rruzat e kuqe epshet tueja me qeshë e me qa, në nji shtrat tjetër jashtë kësaj bote, aty ku jam afër, krejt afër.
 
E di se kështu male sekretesh kanë me u zbulue, lumenj të zi e hone ku fund nuk ka, figura dreqnish e engjëjsh lakuriq kanë me dalë para syve të mbyllun, e tanë toka me gjurmët e kohënave ka me u pa si prej nji dritoreje të vogël, tue të shkrue, veç nji kand ka me mbetë në terr, kandi ku flen asgjaja kandi i gjanave që nuk janë, jo se nuk duken. Aty kam mësue mos me kërkue, sepse tue kërkue në asgjanë mundena me mjellë farat e gjasë, e kështu me e popullue atë kand me shëmbëllime të përsosuna dritash verbuese, mkot se kandi ku flen asgjaja asht pjellor, por mbështetet në rrajët e asgjasë. Oh sa kam kërkue dikur në te, por nuk kam mujtë me gjetë as nji copë gur, që mundet me kenë gur edhe jashtë, në dritë.
 
Afër, krejt afër, Dritës së madhe gjendet drita e vogël, ndaj nuk shihet e duhet kërkue, duket sikur asht shue, sidomos kur sytë i hejdh në terr, tue shkrue thërras driten e zanin afroj, në mijra dritare kthehen sytë e mi, aty mbrendë tuejve, trupat sakatohen deri në ekstaza të gjakosuna, ngopen prej udhëve me qindra herë të përshkueme, të njejtat udhë por që gjithnji çojnë në adresa të ndryshme, sepse rruga asht ai në të cilin kena vendosë me ecë. Tuj shkrue ti je udha jeme, gjithmonë nji rrugë tjetër që më çon diku tjetër.
 
Tuj të shkrue, pushoj së qenuni i mbledhun diku kruspull në trupin tem a i shkapërdamë në mendjen tande, tuj shkrue jam jashtë, e kështu mundem me hi aty ku dita dhe nata jetojnë bashkë, afër krejt larg, sa afër. Fjalët nuk duhen as mendja, tuj shkrue unë bahem fjollë e fjollën tande të marr prej aty ku je e burgosun e shkojmë atje ku Dashnia nuk ka nevojë për lëkuren, ku dhimbja dhe lumtunia janë nji gja e vetme, aty ku jetojnë shpritna të plotë që nuk kanë nevojë për kërkend e veç i përulen Shpirtit të Madh butësisht e krejt afër.