Kultura âsht aktiviteti njerzor qi perfshîn artet, literaturen, besimin fetar, zakonet, menyren e jetesës, e institucionet e perbashkta qi ekzistojnë te njì popullsi e caktueme dhe t’cilat ruhen e transmetohen prej brêzit n’brêz mrênda ksaj popullsie. Sá mâ i lásht qi t’jenë njì populli aq mâ e formueme, e veçantë e komplekse âsht kultura e tij. Âsht lehtësisht e kuptueshme pse kultúra popujve t’stërlásht si ai i Shkoders ká thêdhësín e permâsat t’cilat nuk mund të perfshîhen as në 1000 volume. Ksisoj, ky seksion merr persiper vetem me e drejtue lexuesin me ftýr kah drita e dijes, e urtësís, e qytetnimit. Drita me njì million rreflekse qi qorrojnë injorancen. Drita e Shkoders. Mbas ksaj lexuesat e interesuem munden mee ndjekë at dritë deri te burimi i saj.
Te analiza qi i bâhet ktû muzikës shkodane, flitet per krijimin e bandës së parë frymore në vitin 1878, shfaqjen e operas “Mrika” (1958), dhanjen koncertit të parë simfonik (1960), organizimin e festivalit të parë per fëmíj (1962), krijimin e shqatës Rrok Jakaj në vitet e fundit, e organizimin në çdo vjésht festivalit të jazzit. Natyrisht nuk janë lânë pá u permênde edhè kompozitort shkodânë tuj fillue prej Palok Kutit e deri te i madhi Prenk Jakova.
E njêjta vëmêndje i âsht kushtue edhe formave të tjera t’artit si piktura, skulptura, teatri e estrada. Si në t’tâna fushat tjera, edhè kto forma artit i kan fillimet e veta në Shkoder. Êmnat e veprimtaria e krijuesve dhè e interpretuesve mâ t’famshem shkodrán jânë permêndë në mënyrë kronologjike.
Njì vend t’veçantë n’seksionin e kultúrs i’â dhânë letersís. Ky artikull fillon me vepren e parë në letersín shkodrane e shqyptare “Pangjeriku” të Marin Beçikemit (1503), vazhdon me “Rrethimi i Shkoders” të Marin Barleit“ (1504), tuj mrrîjt kshtû te “Meshari” i Gjon Buzukut (1505). Sikurse edhè lexuesi vetë e parapret, ky artikull permênd êmnat e vepren e shkrimtarve mâ njoftun të gjysës së dytë të shekullit XIX dhè ata të gjysës së pare të shekullit XX. Në ket artikull flitet edhè rreth pádrejtësís qi j’u bâ dialectit gég në peridhen e mbas luftës së dyte botnore. Pádrejtësí e cila mrrîjti kulmin në vitit 1972 në t’ashtûqujtunin Kongresi i Dretshkrimit.
Sporti, sikurse arti e letersia, ká kênë gjithmonë njì pjesë e rândsishme e kultúrs shkodrane. Ktû na jemi perpjék me kalxue shkutimisht se si e kur u krijue ekipi i parë shqyptár i futbollit, si ka mrrîjt ky ekip me e fút êmnin e vet në listen e shkurtë t’ekipeve mâ t’mira t’vêndit, e kush jânë futbollistat mâ shquem në hitorín 103 vjeçare t’futbollit shkodrânë. Ket rradhë na me vetëdije jemi perqendrue te futbolli si sporti mâ popullór n’Shqypní, por tuj kênë se kjo faqe internetit ká me vashdue me u permirsue e z’gjanue, sporteve tjera do t’i nèpet pádyshim vemêndja e nderimi qi n’fakt ata plotësisht e meritojë, në njì t’ârdme krejt t’âfert.
Çka unë vetë shkruesi i ktyne rrêshtave vûna oroe kur j’u ktheva edhè njì hér pêsë paragrafëve t’mâsiperm e mandej krejt seksionit t’kutúrs, âsht perdorimi i shpeshtë, per ndokend ndoshta i tepruem i frazave “per hér t’parë” , “mâ i vjetri”, “qyteti mâ i zhvidhuem n’at periudhë” etj,etj. Por ky perdorim i shpeshtë i ktyne frazave âsht krejtësisht i páshmângshem kur flet per kulturen e Shkoders. Natyrisht qi lexuesit munden me pasë opinjone t’ndryshme rreth ksaj çashtje, disa prej t’cilave bile t’vlefshme per ne. Por pergjigja jonë per kedo qi mendon se na e kena çue Shkodren nder naltësina jorreale âsht kjo: Ju, njerëz qi s’keni pasë fatin me u zhgrrye neper dhé t’Shkoders, ju qi kurr s’mujt me u bâ pjesë e mirazhit t’ndjesinave qi vallzojnë me epsh neper at qytet, ndalnju pak e mendoni, sá shumë kohë do t’ju duhet vetem me i numrue 2400 shtyllat permbî t’cilat kultura e atij qytet qindron. Ata shtylla jânë aty, kerkush s’mundet me thane jo. Çdo argument tjeter âsht mâ pak i vertetë.