Albri Brahusha
Pushon dialogun e mbrendshëm dhe nuk mendohet ma asgja. Kështu kanë kalojnë vite të pazashme nën hundë tue pa me habi se si koha i nënshtrohet ajrit. Mandej frymëmarrja bahet e qetë dhe e thellë, derisa nuk merret frymë ma. E gjithë flaka njitet në trup si në nji shkallë derisa mbërrin në krye. Takimi me miq të panjoftun që tundin flamuj të portogaltë mbi kodrën që dielli rreh pritueshëm. Takimi vjen por ata nuk flasin, ata janë aty edhe ju jeni aty. Nalt në maje të kodrës bjen nji kumonë, fryn pak erë, nji fllad i mbushun me kohën që asht mbledhë mbi bar. Kurrkush nuk flet, as merr frymë, thjesht njiten kadalë si të kurdisun në drejtim të tingullit të ambël. Kumbulla të kuqe të shkurta krijojnë shtegun ku shkelin kambët. Qielli asht plot me yje të çuditshëm edhepse asht ditë, ky diell i vaktë gati i shuem përkëdhel butësisht kokat e qethuna ashtu si rrumbullaksinë e kësaj kodre. Derisa njiten në maje. Kumona nuk asht aty ndërsa tingulli po. Yjet nisin me ra si borë mbi tokë, tue u derdhë si qese dritet, kodra mbulohet nga nji bardhësi mjegullet kambët shkelin tash mbi te. Të gjithë ulen rreth diellit por askush nuk e sheh tjetrin. Nuk flet askush, askush nuk merr frymë. Atëherë dielli shlpan mjegullën dhe njerëzit. Tingulli lëshohej prej diellit, por mbasi ndihet rënkimi i tij i fundit mjedisin e pllakos heshtja. Mbas pak rrethi i njerzve çohet peshë e hyp sërish në qiell. Yjet zhduken, koha rrjedh prej drites së tij, kodra asht zbrazë. Mbas shumë kohësh kur të bahen po aq njerëz sa dielli prapë me u shue mbi ta, ka me ndodhë i njajti ritual, deri kur të mos mbesin ma asnji njeri që ndigjon tingullin e diellit që shuhet. Ateherë dielli nuk do të kishte ma kuptim me zbritë mbi kodër, por do të fikej siç fiket nji dritë e mugët mbasdite vonë, para se me ra mbramja.
29 dhjetor 2010