Tuj folë me njerëz gjuha amtare e të cileve âsht Anglishtja, mudesh me ndésh, natyrisht sa herë qì konteksti i bisedës e lejon, njì thanje t’famshme rreth njerëzve qì kan ose kan pasë peshë t’mâdhe në historín e vendit t’vet: Krena t’mdhaj mendójn në menyrë të pergjáshme.
Në vitin 1599 Elizabeata I, e âshtuqujtuna « Mbretnesha e Virgjer e Anglisë », e pyetun pse ajo rrefuzon me u martue, u pergjegj kshtû: Unë jam martue me Anglinë.
U desht me kalue mâ shumë se trè shekuj prej asaj ditë kur i madhi Luigj Gurakuqi në pergjegje të t’njêjtes pyetje do të deklaronte : Unë jam martue me Shqypnín.
Luigj Gurakuqi u lind në Shkoder me 19 Shkurt të vitin 1879. Mbasi mbarioj njì pjesë të shkollës së mesme në kolegjin Saverian në qytetin e lindjes, ai vazhdoj studimet në kolegjin Arbresh të Sh’Adrianit në Kalabri e studimet e nalta në shkencat biologjike në universitetin e Napolit. Nuk duhet harrue me u permênd se njì nder mesuesat e mentort e tij ka kênë Jeronim Derada. Në vitin 1908 Luigj Gurakuqi u kthye në Shqypní dhe u bâ njì nder drejtuesit kryesor të levizjes kombëtare. Lëvizje kjo qì do t’parapregatitte kushtet e favorshme per shpalljen e pamvarsisë në Prill të vitit 1911 në Bratile të Deçiçit e mâ vonë në Nanduer të vitit 1912 në Vlonë. Luigj Gurakuqi ishte njì nder njerezit mâ t’kulturuem qì kishte Shqypnia e asaj kohë. Ai njihte shumë mire disa gjuhë të hueja si latinisht, italisht, turkisht e frângisht. Fan Noli, njì tjeter div i kultures shqytare, e pat quejt Gurakuqin pionier t’qytetnimit prendimór në Shqypní. Me 14 Nanduer të vitit 1908, Luigj Gurakuqi mori pjese në Kongresin e Manastirit ku u percaktue perfundimisht që gjuha shqype t’mos shkruhej me shkronja arabe apo greke por me shkronjat qì ju po lexoni ne ket moment. Rreth njì vit mâ vonë, dhe pikërisht me 1 Dhetuer të vitit 1909, Gurakuqi u êmnue drejtori i shkollës normale të Elbasanit. Në vitin 1912 ai u bâ minister i arsimit në qeverinë e perkohëshme të Vlonës dhe per herë të pár ne historí e vendit t’onë e bâni arsimin filluer të detyrueshem per djem e varza. Në vitin 1916 merr pjese në themelimin e Komisë Letrare në Shkoder. Ndersa në vitin 1918 âsht pjesmârrës në Kongresin e Durrësit dhe êmnohet edhe njì here minister i Arsimit në qeverín e perkohëshme te dalun prej atij kongres. Në ket kohë Luigj Gurakuqi zgjidhet anëtar i delegacionit perfaqësues te qeverís në Konferencen e Paqes në Paris. Falë kulturës, eksperiencës e pjesmârrjes active te tij në rrevolucionin demokratiko-borgjez të Qershorit të vitit 1924, Gurakuqi u êmnue minister i finances në qeverín e Fan Nolit. Gurakuqi e Noli ishin dy figurat mâ antizogiste të asaj periudhe. Kur rrevoluci i Qershorit u shtyp, Luigj Gurakuqi u largue per në Itali. Me 2 Mars të vitit 1925 ai u vra në Bari të Italisë prej djalit te tezes së tij, Baltjon Stamolla. Kjo vrasje ishte e organizueme dhe e financueme krejtesisht prej Ahmet Zogut. Në diten e vrasjes Luigj Gurakuqi kishte veshë njì këmísh t’arrnueme e në xhep kishte 360 lireta. Me kta pare në at kohë mujshe vetem me hanger njì darkë shumë t’vorfen. Po e perêndim edhe njì herë që mâ pak se njì vit perpara kësáj ngjarje ai kishte kênë minister i financave.
Edhe i pajetë trupi i tij vazhdoj me kênë provë e ndershmenís.