LUTJA E PESHKUT

Albri Brahusha

Zot mos na len pa shpi. Edhe pse shpinë e kena braktisë, aty jetojmë në shpinë që na ke dhanë qysh se jena le. Zot ti je shpia jonë në qiell por Shkodra asht shpija jonë në tokë. Tash në kjoftë se don me na marrë me vedi, na e merr shpinë e ne na njit në qiell, se në tokë pa shpinë tonë nuk mund të jetojmë ma kurrkund. Ka do ditë që kam heshtë me mujtë me gjetë fjalët. Ka nji jetë që lutem për tanë botën, por tash do ditë pa lot lutem për shpinë ku na ke le.
Uji që kena pi njaty për herë të parë, asht po njiky ky ujë që po na mbyt. A thue kaq pis jena ba sa me na u dashtë nji banjë kaq përmbytëse? Zot qëllimet tueja nuk mund t’i vemë në dyshim, as tash që po mbytena prej lotësh që nuk qesim mos me randue shpinë, ma shumë prej ujit që bjen prej qiellit. A mbruhet ma buka me këtë ujë që na mbyti shpinë? A lahen ma faqet me këtë ujë? Teshat a thue thahen ma? Peshku a thue hahet? Shpirti ia del se asht dritë e lahet veç me dritë por trupi Zoti jonë vuen si fëmijë që shef nanën tue iu mbytë.
Mot ma parë erdhën do njerëz e të nxorën jashtë prej shpisë tonë, por na të mbajtëm në zemra, e zemra u ba shpia jonë, jetuem bashklë me Ty ndër zemra, mos me vdekë zemërgur. Ti na ke mësue gjithnji si me jetue edhe pa shpinë edhe pa botën edhe pa asgja, tash na mëso me jetue edhe nën ujë. Na ban peshq, velza na ven se sa të jena gjallë shpinë tonë në tokë nuk e lamë. Na e kena fajin e jo shpia Zoti jonë, por si duket ti na don ma fort ne se shpinë, kurse na kajherë duem shpinë ma fort se ty!!!! Zot ti je shpia jonë, ty të duem ma fort se asgja tjetër në botë, se ti je i vetmi që nuk përmbytesh, por na e len nji shpi edhe në tokë, na i laj mkatet tona me ket ujë, që për ty me vazhdue mbi këndue e me qeshë mbi botë.
Njerëzit dinë veç me u ankue, e shpesh harrojnë me u lutë kur uji ende nuk ka ardhë. Na lag atëherë, e na kujto pra se shpinë nuk duhet me e lanë, se shpirtin nuk duhet me e shitë, e na mëso me Shkodrën mos me ba tregti, na mëso mos me prostituue me shpinë që na ke dhanë. Na mëso me u dashtë e në kjoftë se dikush po mbytet në bregun matanë na jep mend mos me kërkue pare me e pshtue, na mëso me pyetë të tjerët a kanë bukë me hangër edhe kur na vetë nuk kena ujë me pi, na mëso me dhanë çka kena atij që s’ka, na mëso që Shkodrën mos me e trajtue si dashnoren e shekujve, por si dhuratën që ti na ke dhanë. Na mëso pra me pshtue të afërmin, e jo me fitue pare e zgërdhimje me hallin e tij.
Kaq ujë kam mbrendë në shpirt o Zoti jonë sa tash jam ba peshk që jeton ndër lotët e vet. Kur njaty në atë ujë dikur kam xanë peshk, gjithnji i kam puthë ata, do i kam hangër do i kam lëshue, si ma ka ndie zemra, pa e ditë se dikur tash vinte dita me u ba vetë peshk e prapë afër Shkodrës me jetue e mbi ujë me u hjedhë për me pa dritoren e shpisë e dritën e diellit tand. Paret që kam në trup tash nuk vyejnë me shitë e me ble, por me ruejtë lkuren prej të ftoftit të ujit, sytë bishti, e krahët bashkë me halat e kurrizit më duhen me shëtitë në brigjet e tokës. Në mullzën e ajrit kam ruejtë dashninë, për ty e për shpinë e vjetër. Tash që jam peshk jam bindë, se tjetër kujt nuk i bindem përveç se ty.
Zot, kam provue me folë me njerëz për më pshtue vedin, të tjerët e botën. Por asht e kotë, veç ti mundesh me na pshtue ne, Shkodrën e tanë botën. Dielli ka me dalë unë e kam pa pse ti ma ke lejue, e shpia jonë në tokë ka me shndritë ashtu siç ti e don, lutja tash që të baj asht: Më len me i diftue njerëzve të shpisë çka më ke lanë me pa. Me i diftue njerëzve të mij se peshku nuk mendon, sepse ai din gjithçka që ti i ke diftue, tash mbas njiqind vjetsh.
Ma tepër asht kot me folë, tash due prapë me heshtë e peshk me u ba, si shën Kolli për çdo va, me gjetë fjalët e tueja, se fjalët e botës shkojnë e vijnë, tuejat mbesin se nuk ka ujë, erë as fortunë që i luen, Zot falemnders që më lejove me t’u lutë, që ma hape zemrën e më bane peshk, se tue kenë njeri mujta veç me pa atë që kisha parasysh, tash tue kenë peshk mundem me jetue ndër lotë e me i diftue botës se shpia jeme në tokë asht ndërtue në zemren tande në qiell.

Shkodër 5 dhjetor 2110

*Shen Kolli asht shejti mbrojtës prej ujnave, dhe 6 dhjetori asht dita që njihet si dita e shen Kollit.