Projekti më i ri “Shkodra” pritet të jetë ngjarje për arkeologjinë, me zbulimin e arkitekturës së qytetit, ku bëhet fjalë për një program menaxhimi si Park Arkeologjik
Dje në Ministrinë e Kulturës është mbajtur mbledhja e 18-të e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, ku janë miratuar projektet shkencore të gërmimit për t’u realizuar nga Instituti Arkeologjik për vitin 2011. Sipas njoftimit për shtyp të dërguar nga zyra e shtypit të MTKRS-së thuhet se një pjesë e mirë e projekteve do të zbatohen në një bashkëpunim dypalësh ndërmjet Institutit Arkeologjik, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe instituteve, shkollave dhe universiteteve të huaja, franceze, italiane, gjermane, polake, greke, amerikane dhe italiane. Lajmi i parë që bëhet i ditur ka të bëjë me projektin e ri “Shkodra”, që do të realizohet nga bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Arkeologjisë (i përfaqësuar nga Dr. Saimir Shpuza) dhe Qendra e Studimeve Antike për Evropën Juglindore - Universiteti i Varshavës (i përfaqësuar nga Prof. Piotr Dyczek).
Si një nga sitet me trashëgiminë kulturore dhe historike më të rëndësishme në Shqipëri dhe në Ballkan, Shkodra, sipas specialistëve ka pasur praktikisht shumë pak kujdes nga studimet bashkëkohore. Është në mendimin e autorëve të këtij projekti që një rimarrje e gërmimeve arkeologjike në Shkodër do të japë një kontribut të rëndësishëm për një njohje sa më të mirë të saj dhe gjithashtu do të përbëjë një bazë të domosdoshme për themelimin e një programi menaxhimi për Parkun Arkeologjik të qytetit.
Për Shkodrën do të ndërmerren pesë fushata arkeologjike, me qëllimin e një informacioni të rëndësishëm sa i takon shtrirjes dhe arkitekturës së qytetit.
“Përveç rëndësisë që ka në përcaktimin ndërmjet të tjerave për herë të parë të topografisë antike të një prej qyteteve tona më të rëndësishme, ai shënon edhe një bashkëpunim shumë të gjerë ndërinstitucional, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Republikës së Shqipërisë, Ministria Polake e Shkencës, Bashkia Shkodër, Instituti i Monumenteve të Kulturës -MTKRS, Universiteti Luigj Gurakuqi - Shkodër dhe Parku Arkeologjik”, janë shprehur specialistët.
Nga Instituti Arkeologjik, ekspeditat që përcillen nga viti 2010 në 2011 janë në: Kallamas (Korçë) duke bashkëpunuar me Universitetin Paris 1 – Francë (Prof. Gille Touchet), 1-30 gusht. Mësojmë se gërmimet në Kallamas kanë si qëllim klasifikimin, studimin dhe regjistrimin e materialeve arkeologjike të përfituara kryesisht nga gërmimet dhe ato sipërfaqësore nga vendbanimi i Kallamasit si dhe në organizimin e një survejimi në pjesën veri-perëndimore të fushës së Korçës; gërmimet në Maligrad që do të kryhen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Instituti i Marrëdhënieve Kulturore Ndërballkanike i Athinës – Greqi, (Dr. Stavro Ekonomidhi) 1- 30 korrik, të cilat thuhet se kanë qëllim të sqarojnë karakterin e rrënojave që ruhen në kuotën më të lartë të tij, “për përftimin e të dhënave lidhur me situatën krono-stratigrafike, për përcaktimin e kohës së varrezës që ndodhet në anën perëndimore të suprinës”;
ekspedita në Vashtëmi, Instituti Arkeologjik dhe Universiteti i Cincinatit (Prof Ass. S. Allen, Departamenti i Antropologjisë), 1-30 korrik. Me këtë mbyllet prehistoria në këto zona, duke i hapur rrugë gërmimeve në periudhën e antikitetit duke filluar me Lezhën, në një bashkëpim të Instituti i Arkeologjisë (Prof. Dr. Gëzim Hoxha) dhe Institutit Arkeologjik Gjerman të Berlinit (Prof. Andreas Oettel) 10 Gusht – 30 shtator; Apolonia, ku Instituti i Arkeologjisë (Prof. Dr. Faik Drini) dhe Universiteti Lyon II – Lumière – Francë (Prof. Jean-Luc Lamboley), 1gusht- 10 shtator, do të kryejnë gërmime në banesat romake dhe në agoranë e qytetit antik të Apolonisë. Këto gërmime kanë si qëllim studimin e këtij mjedisi të madh dhe të rëndësishëm për qytetin në drejtim të unitetit urbanistik që agoraja krijon me lagjet që ndodhen përreth. Kësaj do t’i shtohet dhe Teatri i Apolonisë, ku punimet do të udhëhiqen nga arkeologu Bashkim Lahi dhe Shkolla gjermane e Romës (Prof. Hesberg), 15 shtator- 30 tetor. Me këto gërmime në teatër pritet hapja e plotë e orkestrës “në mënyrë që ajo mund të behet e vizitueshme edhe për turistët”; Hadrianopol është destinacioni tjetër i gërmimeve të Institutit Arkeologjik me Universitetin Macerata në Itali (Prof. Roberto Perna), 1-30 gusht, ku do të vazhdojnë gërmimet në teatrin e Sofratikës të zbuluar shumë vite më pare si dhe do të ndiqet zbulimi i nekropolit romak që shtrihet në fshatin Sofratike, 600 m larg Hadrianopolit. “Gërmimi kryesor pa dyshim do të jetë vazhdimi në thellësi i gërmimeve në sipërfaqen e hapur shumë vite më parë para teatrit. Gjatë këtij viti gërmimet do të realizojnë zbulimin e plotë të elementeve të një banje romake e tipit sauna e shek. II mbas Kr.”, premtojnë arkeologët; Foinike, Instituti i Arkeologjisë (Prof. Dr. Shpresa Gjongecaj) dhe Departamenti i Antikitetit i Universitetit të Bolonjës – Itali (Prof. Sandro De Maria), 1-30 shtator, ku gërmimet e vitit 2011 në qytetin antik të Foinikes janë vazhdim i kërkimeve të përbashkëta dhjetëvjeçare shqiptaro-italiane të ndërmarra në këtë qendër. “Ato do të kryen në zonën e agorasë helenistike, ku gjatë vitit të shkuar kishin qenë identifikuan shtresa të rëndësishme arkeologjike, që japin një sekuencë më të mirë kronologjike për njohjen e kësaj hapësirë publike të rëndësishme”, kanë sqaruar specialistët; Në Antigone, ndoshta i vetmi vend, ku do të jenë vetëm arkeologë shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë gërmimet në portikun e qytetit për të krijuar lidhjen e tij me qendrën e qytetit antik duke e kthyer atë në një monument të vizitueshëm. Dhe me Dimalin mbyllen gërmimet nga antikiteti, ku Instititi i Arkeologjisë (Dr. Belisa Muka) dhe Universiteti i Këlnit – Gjermani (Prof. M. Heinzelmann ), 10 korik-10 gusht, do të kenë gjurmime intensive në dy site të qytetit antik të cilët do çojnë në gjurmë të jetës në këtë qytet. Ndërsa për periudhën e Antikitetit të vonë dhe mesjetë prezantohet ky aktivitet ekespeditash; Butrint,(vazhdimi i gërmimeve në Forum etj), monumenti i 40 shenjtorëve Sarandë, Bylis (ndihmuar dhe nga shkolla franceze e Athinës, planifikuar në maj, ku do të kryhen punime gërmimi dhe konsolidimi në Kompleksin Peshkopal, Monumentin e Terencianit dhe në Sektorin B të banesave si dhe do të përgatiten për botim rezultatet e mëparshme), Grazhdan, ku ekspedita do jetë në shtator në kalanë e Grazhdanit; Lezhë, ku Instituti i Arkeologjisë dhe Shkolla franceze e Romës (Dr. Etleva Nallbani), Qershor, do të përqëndrohen në materialin e varrezës mesjetare të qytetit të sipërm dhe të mesëm të Lezhës, në gjysmën e dytë të muajit prill 2011: studim i materialit të germuar dhe përfundimi i gërmimit të strukturës baptismale të kishës extra-muros; Koman, edhe këtu Instituti i Arkeologjisë dhe Shkolla Franceze e Romës (Dr. Etleva Nallbani) Korrik – Gusht, do të përcaktojnë funksionin dhe natyrën e ndërtesave; Elbasan, Instituti i Arkeologjisë (Dr. Elio Hobdari) dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (Agron Islami), do të vazhdoj gërmimi në Lagjen romako-bizantine jashtë mureve të Castrumit, që do të përqendrohet tek bazilika paleokristiane. Në projektet e prezantuar dje, për vitin 2011 u përfshinë dhe ekspeditat nënujore, harta Arkeologjike Nënujore e Bregdetit Shqiptar të drejtuar nga Dr. Adrian Anastasi ku “do të kryhet jo vetëm studimi i detajuar i materialit arkeologjik i marrë si kampion, por do krahasohet edhe në kontestin rajonal dhe me gjerë në atë mesdhetar”.
Referenca
http://www.standard.al/index.php/kulture/17702.html