Nga Albri Brahusha
Unë: Zemra jeme, sa rrugë ende me ba kësaj botet, duhet pra qe ti me pa afër e larg e mos me u disprue, zemra jeme bashkë kena provue zjermin, ujin, token, driten, kena mujtë me durue gjithcka njerzore. Çka ke tash që dridhesh? Jena ende si zogu në kafaz zemra jeme, asgja e re, si gjithnji. Kur ka ra shi, bore e mjegull kena kenë gjithnji bashkë kena pa mrekullitë e fshehuna prej dritës, kena pa edhe dritën zemra jeme, deri tash atë dritë që kena lëshue bashkë mbi drita të tjera. Po çka ke pra zemra jeme pse nuk të kënaq drita e mbrendshme po don me lëshue ndër kafaze të tjera, ku pulsojnë zogj të friksuem, që ndrisin veç kur u bjen drita e madhe ase kur ndriçohen prej të tjerave, që drita e madhe i ndriçon sipërfaqsisht?
Zemra jeme rrugë të gjatë kena, mos e u lodh, derisa të vijnë dita me u la me ujë zemzenit, e arshin e Zotit me synue si nji zog jashtë kafazit, kafazi nuk asht thjesht burgu, por edhe mburoja që na mbron prej territ, e ma së shumti prej vedit. Me dalë jashtë kështu edhe pse je boll e fortë copash ke me u ba. Duro zemra jeme koha tash vjen nji ditë, kafazi ka me u çilë e ti ke me fluturue lirisht. Duhet me vdekë para se me vdekë zemra jeme, ti e din mire këtë, sa herë kena vdekë bashkë para se me vdekë, e ujin e zemzenit me e kërkue para se me ardhe dita, me njitë qiellin kadalë e me u kthye sërish në kafaz me këndue gëzimin e ditës që ka me ardhë.
Zemra jeme kush nuk të njofti, nuk ka e ka ditë, kush të deshti nuk ka meritë, kush t’urreu nuk ka faj. Këtë e kanë ba pa dashje, tue kërkue me dashtë me dalë prej kafazit, me vdekë pa vdekë. Ehe pse ti vetë asnji meritë nuk ke zemra jeme, asnji faj nuk ke. Pse trembesh atëherë zemra jeme? Ti e din shum mirë se zogu këndon mbrenda kafazit sepse asht trishtë, sepse asht gëzuem, e njejta gja asht zemra jeme. I këndohet ditës se madhe të lirimit e jo ndokujt në veçanti. Ka kangë të heshtuna, të forta, me ngjyra a me fytyra, me prekje, a me mendje, nuhatje apo shije, të tana jane kangë të zogut që kërkon me dalë, kërkon me vdekë para se me vdekë. Kështu zemra jeme banu gati me vdekë para se me vdekë, mos harro kurr se kjo asht detyra e zemres. Ani pse kthehena edhenjihere në kafaz e këndojmë sërish me vaj apo me gëzim, dihet se pse këndojmë.
Zemra jeme udhëtimi që ti kërkon qysh tash asht i parakohshëm, ende nuk ke vdekë aq herë sa duhet, ende nuk ke këndue aq bukur, uji i zemzenit edhe pse afër ti nuk duhet me vjedhë, por me e meritue. Zemra jeme, dueji zogjt nëpër kafaza edhe pse nuk e dinë atë çka ti din, dikush tjetër din për ta. Zemra jeme ban durim, edhe pak, nata ka me sjellë mes nesh driten, të madhen dritë e të vetmen, e në mos mundshim me ia diftue kujt a mundesh me u kënaqë në vetmi? Asgja e re pra zemra jeme, asgja e re nen këtë diell. Kafazet e zogjve e zogjt, njisoj si përherë të friksuem, sepse kanë vdekë pa e ditë, ose kurrë s’kane vdekë se janë zogj të ri. Por na zemra jeme kena shum rrugë me ba, me ndriçue zogjt ndër kafaze a kafazin tonë. As unë as ti nuk e dimë zemra jeme, sepse asgja nuk dihet, asgja nuk mësohet, thjesht ndodh, ndërkohë kur s’mundesh me jetue vdis para se me vdekë, e mandej ndriço jo përjashtë, por përmbrendë, kështu zemra jeme, drita ka me u ba e madhe, aq sa kafazi nuk ka me mbajtë ma, atëhere zemra jeme, kena me kenë gati me u la ujin e zemzenit e me marre udhëtimin e fundit, tue e lane natën mbrapa.
Zemër tash me thuej si je? Unë nuk jam edhe fort i dijshëm, di çka ti më ke mësue, di c’ka ti më ke folë për lulet e kopshtet ku nuk pran jeta, unë ç’ka di zemra jeme e di prej tejet, tash më thuej nji fjalë, më thuej çka me mendue se unë vetë kaq di, ma shumë din veç ti. Unë veç kafaz jam, zemra jeme edhe pse duket se të kam burgosë, në fakt jam tue të ruejtë prej acarit që sundon errësinën. Më fol zemra jeme ashtu siç din ti tue këndue, këndoje nji kangë ashtu siç din ti.
Zemra: Hesht, zemra jeme, hesht.
Fillon tuej e lavdrue e mandej don e bind se po don ......
Na knaqe fort i nderuem Albri Brahusha.
Fillon tuej e lavdrue, si me dasht per me e i dhan mshtetje e mirbesim n'vedvedi themelit t'egzistenc tane (ZEMNES), e mandej don me e bind (ate) qi me te dhane shume ma shume se ke nevoje ti, por tuej i kerkue spjegime vete asaj per me tu pergjigj......
Shum shum e bukur.
Me rrespekt
Lec Neli