ME DASHTE

Nga Albri Brahusha
 
Me dashtë, tha Zoti e atëherë, kupa e qiellit u trand, engjëjt çuen krenat të habitun, yjet nisen me pulsue prej drojes si zemrat e zogjve që ende nuk janë krijue, ngjyrat humbën shkëlqimin, drita u mpak, errsina u drodh, gjithçkasë iu hoq tanësia, shkretinë në hapësinën e fjetun, përkulje. E kur Zoti thotë fjalë të reja ajo çka Ai ka krijue i përshtatet fjalëve, vullnetit të tij. Por fjala me dashtë nuk asht thjesht nji fjalë e re, asht nji fjalë që të merr shkëlqimin, asht nji fjalë pa përmasa, e hapësina e njeh mirë përmasën, ndaj ajo asht përkulshme tashma, prej fjalës me dashtë.
 
E kur Zoti flet, Ai nuk e ka tuj qeshë, me dashtë me qeshë Zoti qesh, por kur thotë diçka tjetër, ajo ndodh. E kur tha, me dashtë, kjo ndodhi si tana herët e tjra kur ai hidhte fjalë të reja në eter veçse këtë herë, fjala me dashtë krijoi atë që u quejt ma vonë droje. Droja asht filli i dashnisë, sepse që me ndodhë dashnia duhet me u zbehë gjithçka tjetër, pikërisht se asht nji fjalë pa përmasë, nji fjalë që e përkul hapsinën por që i jep asaj pafundsinë.
 
Me dashtë dhe kështu pafundsia erdhi në hapësinë, Zoti e hodhi vullnetin e tij jashtë, e kështu gjitçkaja e krijueme deri atëherë u ba njish me Zotin e Zoti u ba njish me te. Zoti e din se shtrimja e tij në pafundsi ka shkatu drojen, me dashtë asht me zgjanue pafund, me thellue pa fund, me kenë pa fund, me u dashtë shkakton drojë që ushtron pushteti i atij që të don, me dashtë asht tepri, asht mangësi kufijsh, me dashtë asht pafundësia e drojes ndër damarët e kohës, e gjithë kohës, ngjethje asht me u dashtë, me dashtë asht me mbledhë, me dhanë, me përqendrue në nji gja të vetme shkëlqimin e të gjitha gjanave. Me dashtë, asht vullneti i Zotit që i dhurohet gjithsisë, vullneti i shpallun në veprim, asht përmbytja që pafundësia i ban kufinjve, asht zhbamja e kufinjve dhe krijimi i pakufishmërisë.
 
Tashti gjithçkaja po pret qëllimin e kësaj fjale, pasojën e ka pësue, drojen prej madhështisë së Atij që e krijoi, mpakjen prej shtrimjes në pafundësi, e përkuljen për shkak të fuqisë që e ban këtë të fundit me kenë. Por qëllimi i Zotit cili asht? Gjithçka ecte për bukuri edhe ma parë, si nji perpetum mobile atje mbrenda krijuesit, pse u desht që këtë perptum Zoti me e nxjerrë jashtë, me dashtë e me drashtë? Askush, as gjithsia, nuk e njeh synimin e Zotit, pikërisht e sidomos tashti, çdo gja asht përqendrue në vetvedi e zbaton përpikshmërisht atë pjesë të vogël vullneti në pafundësinë e vullnetit të Zotit.
 
Gjithkush mujti me pa sa i vogël asht, para dhe në pafundsinë, tashma krenaria për peshën e gjithsecilit mundet me u shprehë vetëm ndër të afërmit. Konfuzioni u kthye në fusion, me dashtë krijoi rregull, distancë të duhun dhe marrdhanie të drejta, pikërisht sepse me dashtë vendos natyrshëm harmoninë, e askujt nuk i duhet me ba përpjekje të kota me meritu ma shumë se i takon. Pafundësia që krijon fjala me dashtë kufizon mbrenda rregullit nje liri të kotë që në kaos nuk kishte kuptim, duke i dhanë asaj kuptimin dhe motivin e qenies. Me dashtë asht me realizue vullnetin e mbrendshëm tuj e projektue ndër e bashkë me faktorë të jashtëm, me dashtë asht me rrethue diçka me dashni për ti dhuru kësaj diçkaje përjetësinë edhe kur kjo nuk e ka peshën me e mbajtë këtë përjetësi, me dashtë asht me drashtë tuj dhanë ndjesinë e lumtunisë.
 
Po askujt nuk i shkon mendja pse. As engjëjve, as yjeve, trupave, as dritës, as eterit. Lumtunia që ndjejnë tashti ia ka heqë të drejtën me mendue, sepse lumtunia shkakton harresë, me u shtri në shtratin pafundësisë don me thanë me kenë i lirë prej të kenunit i veçuem, e me u ushqye prej nji energjie që kushtëzohet vetëm prej qëllimit fillestar me të cilën çdo gja asht krjue.
 
Mandej diku larg në nji cep të humbun të hapësinës, gjithësia ndjeu nji peshë, ma saktë një cilësi peshe, një gja të re që po lindte prej dashnisë së Zotit. Nji planet blu, nji botë e re, e papame kurrë ma parë, nji botë ndryshe prej botëve që Zoti ka krijue, një botë në hapësinë, nji botë e shpallun jashtë Tij, por mbrenda vullnetit tashma të shtrimë në pafundësi. Sepse me dashtë, paska kenë diçka e re krejt e re si në shpalljen eterike të vullnetit ashtu edhe e materializueme në nji planet, një pafundësi e përqendrueme në një hapësinë të kufizueme fizikisht, asht diçka e krjueme me, në dhe për dashjen e Tij. Nji zemrek, i kurdisun për mrekulli, një ngjarje që të mahnit mbrenda mahnitjes së shpërndame deri atje ku fundi nuk vjen kurrë.
 
....