PSE MËRZITEN KËTO MALE

PSE MËRZITEN KËTO MALE (Marsh sureal) Kushtue Maleve të Shqipnisë
 
Nga Albri Brahusha
 
Fëmijë gjithnjë kam kujtue, se kanga e bulkthit përgjatë netëve të nxehta të verës, asht kanga e yjeve; se zhurma e gjinkallës asht zhurma e zhegut dhe se malet janë fytyra pleqsh të mërzitun. Ma vonë më asht dashtë kohë me u mësue se fatkeqësisht këto nuk janë të vërteta, se yjet dhe zhegu as nuk këndojnë e as nuk zhurmojnë, e malet nuk mërziten si pleqtë e azilit. Trishtohem shumë kur e mendoj se si përshtypjet e mia të dikurshme janë pothuej harrue, prej mësimit të rreptë të ditunive. Fëmijë bota asht kaq e bukur sa gjithçka që të rrethon asht gjallë e zhurmon prej një muzike qiellore. Mandej përdhunshëm nisim e mësojmë gjana krejt të tjera. Se yjet janë larg e të pambërritshëm, zhegu djeg dhe malet mendohen. Përshtypjet e mia të vjetra kanë vdekë kadalë dhe mendja fillon e mbushet plot me arsye të kota, të pëbashkëta, që nuk i duhen kurrkujt. E yjet nuk këndojnë ma, e zhegu vjen i qetë e të fton për gjumë e malet nisin arsyetimin e tyne historik.
E shof se bota asht e trishtë për ndryshimin tem të kadalshëm por të sigurtë. Kajherë vjedhtas me bisht të synit tuj iu ruejtë prej s’di se kujt, më shkon mendja me iu rikthye përshtypjeve të mija të vjetra. Ve re se si malet qeshin si pleqtë dhe yjet e zhegu njallen e më ftojnë me i pa në kokërr të synit. Por asht vonë. Tashma dija ma ka zaptue mendjen dhe ky sy i hedhun nuk zgjat edhepërshumë.
Hajt se yjet, janë me të vërtetë larg dhe zhegu asht vetëm verës, por malet, oh malet kam nisë me i pa me synin e dikurshëm, nami i baftë. Nuk mund ti shof kah vuejnë mosyhedhjen teme krenare. Sa ftyra të buta e të ambla kanë pashë njatë Zot, që asht përmbi ta. Kënaqem tuj i pa me orë të tana, këto ftyra të dashtuna, që nuk kanë pse mendohen. Si mundet me mendue një plak i përjetshëm, që din gjithë ç’ka rreth e rrotull, shef se si përpjekjet tona përcillen brez mbas brezi, ndër luftna e ndër, prroje, e zagna dhe nuk mundet me thanë asgja? E atëherë mërzia prej përjetsisë në këtë azil të përjetshëm, nis me i grrye ma shumë se erozioni.
Malet mërziten prej keqkuptimit, patetizmit dhe prej padurimit të nierit, që rrotullon gurin e mudnimit të vet, mbi ftyrën e plakut që din gjithëçkasht, që shef gjithëkah dhe që hesht gjithëmotet. Veç mërzia iu ka mbetë këtyne ftyrave stoike, se mërzia asht një gjendje e përhershme e ftyrën që e mbart nuk mundesh me e akuzue për kurrëgja. Mundesh thjesht me e pa kah i dhem për ty që rropatesh pafundësisht tuj u matë me çka të del përpara, tuj njitë a tuj përcjellë me sy kah bien teposhtë gurin e fatit tand.
Malet janë fytyra pleqsh të mërzitun në këtë azil të përjetshëm. Por malet nuk diftojnë asgja, nuk diftojnë se asht marre, nuk diftojnë se janë të mërzitun prej ndejes së gjatë. Prej nierit që nuk diti kurrë me e lexue mërzinë në ftyrën e tyne. Oh pasha njatë diell malet dinë për ne prandaj mërziten pafundësisht tuj pa nierin, të menduem, gëzuem, të dashtunuem, të kënaqun, të lumtun, të mërzitun, dështuem, të mbrrimë, tuj pa nierin që lind dhe vdes, që vret e që pret, që han e që pin, që rrin e q…, që flen e që zgjohet, që nxehet e që ftofet.
Të mërzitun deri në atë farë fejet malet, guxojnë me ia ba një pyetje Zotit të tyne. “Pse nuk na bane edhe ne nierz, por ftyra pleqsh të mërzitun që dinë pothuej gjithçka, pothuej gjithmonë? Kështu nuk durohet ma tuj pa kështu nierin kah vuen, vetëm se hangri një kashatë mollë të prishun?” Dhe këtu mbaron guximi i tyne. Futen prapë në zhgunet e ftyrave të mërzituna të pleqve dhe marrin pamjen e butë e të ambël dhe nuk presin përgjigje. Kaq iu duhet me ditë.
Të tjerat i din Zoti. Lavdi Zotit.