ROMAN
Nga
Albri brahusha
2001
KREU I PARË
Shiu
Në gjithë historinë e tij Qyteti i Shiut kishte qenë gjithmonë një vatër e mirë, ku mund të strehoheshin shkrimtarë aventurierë, që ishin gati të linin letërsinë për t’iu kushtuar kurvave, kumarit, fesë apo politikës. Por gjithashtu, mund të ndodhte edhe e kundërta: kush dështonte me kurvat, kumarin, fenë dhe politikën, mund të kthehej tek letërsia, si tek një dashnore e vjetër, për të shkruar kryevepra, që do të rëndonin shëndetin mendor të autorit, do e shtynin atë drejt tentativave vetëvrasëse, apo do e mundnin me sëmundje vdekjeprurëse.
Këto po mendonte në një ditë të pazakontë shtatori Isak Kelmendi, një shkrimtar i padëgjuar (gjithashtu i pamartuar) rreth të tridhjetave, duhanpirës i çrregullt, që vuante nga një dhimbje e rregullt koke çdo mbasdite në ora 5, i gozhduar para ankthit që të shkakton letra e bardhë, e paprekur, si një vajzë e virgjër, e pastër si uji i burimit; kryefortë si një armik i vjetër.
Gjithçka fillon si lojë fëmijësh. Mësohen shkronjat, abetarja, bëhet festa e abetares: është diçka që bëhet si shumë gjëra të tjera me ndihmën e duarve dhe të një mjeti ndihmës që quhet pendë (marrë hua nga zogjtë jo thjesht për të shkruar, por edhe si i vetmi mjet që mundëson fluturimin). Kështu letra e bardhë kthehet në letërzi. Për këtë duhen vetëm letër dhe pendë, një mësuese e përkushtuar e klasës së parë, ashtu si të gjitha mësueset e klasës së parë.
Pastaj letërzia duhet të kthehet me durim në letërnxi. Duhet durim, frymëzim, shtytje nga jashtë; femra të bukura, një sens i zhvilluar humori, pak kulturë, dy thelbinj me talent, fëmijëri e trazuar, nënë e dashur, një gotë verë e kuqe (bën mirë për shtimin e rruazave të kuqe të domosdoshme gjatë këtij procesi), duhan (eleminon numrin e rruzave të kuqe që shtohen nga vera e kuqe), disa muaj pagjumësi, një bibliotekë e pasur; vetmi, shtatë metër (kjo varet nga çdo rast i veçantë) llastik brekësh për të mbajtur koqet (në rastin femëror kjo nuk është e nevojshme, pra një nevojë më pak) të lidhura me trupin, gjëra të harruara me kohë, një mësues qesharak historie, ballkon, shi dhe kurrë nuk duhet harruar, (pavarësisht se në dukje nuk është e rëndësishme) një peshqir të lagur në verë dhe një të thatë në dimër. Deri këtu mbërrihej, pra ishte njerëzore.
Tani vjen pjesa më e vështirë, ajo që bëhet rrallë. Për ta bërë këtë duhet të harrosh gjithçka, dhe pastaj duhet të kujtosh atë që sapo harrove; duhet ta kthesh pluhurin e rrugës në vesë mëngjesi, shirokun në veri, erën e bajgave në parfum ose e kundërta, baltën në ajër ose një zog të zakonshëm në një zog të jashtëzakonshëm. Këtu fillon pështjellimi i madh, gjatë të cilit rëndesa bëhet e papërfillshme, magjia bëhet e zakonshme dhe e pamundura e mundur. Këtu fillon ajo çka në gjuhën tonë të përditshme quhet thjesht, letërsi, gjë për të cilën duhet të shtrydhen e ndrydhen breza të tërë; nevojitet punë mbinjerëzore, mariuanë (disave u duhen edhe droga të forta), revolucione, miqësi me perënditë, nëse autori është pagan; me perëndinë, në rast se është çifut dhe me perëndimin, nëse është ateist.
Nuk quhet mundim, por stërmundim; nuk quhet mullar, por strumullar, nuk quhet e madhe, por madhështore: aty fillon përplasja me vetveten, nis rruga mbi veten; aty pushka e ndryshkur bëhet shtyllë kurrizore, gruaja e përdalë një vajzë engjëlore dhe Zoti ulet në tavolinë e sheh gjithçka dhe nuk thotë asnjë fjalë; nën tavolinë këmbët e tua përpëliten prej një ritmi të pakuptueshëm, dhe kur ngrihesh ndihesh sikur gjysma e shpirtit ka dalë jashtë prej teje për t`u murosur nëpër rreshta si një fli para betejash.
Nuk është vetëm kaq, ka edhe të tjera. Është një arkë e madhe ku nuk mungon asgjë, një arkë ku ka gjithçka nga bota dhe një njeri që mendon se bota po zhduket, dhe kështu ai duhet të ruajë çdo gjë që ta shpëtojë nga shpërbërja. Deri kur një ditë bota do të qetësohet dhe ai ngadalë do të ngrejë kryet për të zbuluar një pamje të sigurtë për t’ ia rikthyer gjërat e arkës edhe një herë botës së zbrazët.
Është një proces nxirjeje, durimi, kujtese, harrese dhe magjije. Në është endje në pëlhurë apo nëpër ujë, kjo nuk ishte e rëndësishme. Shkrimtari është diçka e tillë mes Penelopës dhe Uliksit. Në e kryen endjen në pritje apo në kërkim, kjo është thjeshtë një çështje fati.
Praninë e saj në dhomë Isaku e ndjeu atëherë kur kjo prani u mishërua në një puthje të lehtë në qafë. Ai ndaloi për një çast mendimet dhe mbylli sytë. Nuk foli asnjë fjalë e as nuk u kthye. Filloi të shkruante, pa e ditur se çfarë ndikimi do të kishte puthja e Marselës në rreshtat që do të pasonin dhe duke dëgjuar frymarrjen e saj të shpeshtë hyri pa zhurmë në botën e butë të iluzioneve të bardha që t`i krijon vetëm letërsia.
“Çfarë mund të bënin banorët e një qyteti kur bie një shi i jashtëzakonshëm për njëqin e pesëdhjetë vjet rrjesht pa pushim, pa asnjë ditë pushim, biles as të dielave? Çfarë mund të bënin ata, sidomos kur është tepër vonë për ta ndaluar këtë katrahurë? Dikush mund të thotë se duhet të ndërtojnë një barkë të madhe, meqë bota e tyre po përmbytet, dhe të lundrojnë nëpër ujë derisa shiu të pushojë! Dikush tjetër nuk do të mbesë pa fjalë!
Kurse unë do ju tregoj pa frikë se banorët e qytetit nuk rezistuan dot më gjatë se tridhjetë e shtatë vjet, megjithë përpjekjet e panumërta për të krijuar strehë mbrojtëse, çadra, ujëmbledhës, rezervuarë, kanale kulluese, kanalizime; edhe pse e konsumuan ujin pa kursim, nuk lanë gjë pa lagur, enë pa mbushur, derisa një poçar i njohur, me emrin Spar, shpiku safat gjigande që do mblidhnin ujë me shumicë nëpër të gjithë qytetin, dhe për këtë arsye njihet edhe si sundimtari i parë i qytetit.
Të gjitha monumentet, bustet apo ndërtesat ndërtoheshin në formë enësh me hinka të mëdha ujëmbledhëse përsipër, duke arritur kështu të mblidhnin nëntëdhjetë mijë mëtër kub ujë, duke përllogaritur se njëzet e shtatë mijë metër kub në ditë i thithte toka dhe njëzet e tre mijë metër kub rridhnin për në detë. E kështu filluan të mendojnë se ia hodhën.
Por ishte thjesht një iluzion që krijonte mbledhja e shifrave me shumë zero. Ishte e kotë. Të gjitha enët u mbushën, toka dhe deti filluan të ngopeshin, e tashmë jo vetëm nuk e thithnin, por villnin ujë. Gjithsesi, kaluan tridhjetë e shtatë vjet duke u përpëlitur dhe kacavarur pas përpjekjeve për të mundur shiun. Ishin kohë plot emocione dhe shpresa se do ta kapërcenin këtë fatkeqësi natyrore. Niveli i ujit sa vinte dhe ngrihej. Rrjeshti i fëmijëve që peshkonin çdo mëngjes nga dritaret dhe atyre që mbyteshin duke ushtruar këtë sport të detyrueshëm sa vinte e shtohej. Nuk mund të rezistohej më. Kështu i gjithë qyteti vinte era peshk (për shkak të menusë së përditshme) dhe nganjëherë vetë qytetatët kishin përshtypjen se jetonin brenda një peshku, që priste baticën për t`u zhdukur në thellësitë e ujit të kripur të detit.
Siç ishte zakoni, më pleqtë u mblodhën për ta pleqëruar gjërë e gjatë këtë gjendje të jashtëzakonshme. U ndanë në dy kampe: ata që kërkonin vazhdimin e përpjekjeve kundër shiut dhe të tjerët që propozonin largimin e përkohshëm nga qyteti. Këshilli i pleqve, i përbërë nga njëzet e shtatë pleq, votoi dhe, si në shumicën e rasteve, rezultatet ishin të barabarta: trembëdhjetë me trembëdhjetë. Kjo do të thoshte se vota e Sparit, poçarit, ose siç kishte filluar të quhej kohët e fundit, Sundimtari, ishte vendimtare. Ishte moment kritik. Edhe vetë Spari e dinte këtë dhe u tha pleqve se duhej të këshillohej me Zotin për marrjen e këtij vendimi të vështirë. Për këtë arsye Spari vendosi të mbyllej për njëzet e një ditë rrjesht në një poç, bërë enkas për këtë qëllim.
Ishin njëzet e një ditë të vështira për të gjithë. Aty nga dita e shtatë Maku, një burrë i gjatë dhe fuqishën nga fisi i Gurthyesve, kishte guxuar t`i afrohej poçit ku Spari po merrte vendimin e pjekur. Por kjo u mor si një ndërhyrje e pastër në këtë vendim të rëndësishëm, dhe për të ndaluar që të tjerët t’i afroheshin poçit, i varën në qafë një gur të thyer nga ai vetë dhe e hodhën në ujë. Ishte gjatësia e Makut ajo që e shpëtoi nga mbytja, pasi e kishin hedhur në një vend jo më të thellë se katër metër. Gjithsesi, niveli sa vinte e shtohej dhe pleqtë menduan ta linin fatin e tij në dorë të shiut.
Ndërkohë Spari kishte refuzuar çdo ushqim e të mirë të kësaj bote gjatë qëndrimit të tij në poçin e vendimit. Çdo ditë që kalonte dukej se ishte më e vështirë për qytetatrët se sa për agjëruesin. Durimi ishte i pamundur, sidomos në ditët kur mendohej se Spari do dilte me një mendim të pjekur. Dita e fundit ishte e tmerrshme. Të gjithë ishin mbledhur afër poçit, duke zvogëluar kështu rrezen e ruajtur rreptësisht nga garda e sundimtarit. Binte shi si do Zoti, një shi si për inat të të gjithëve. Megjithatë, asnjë nuk shkulej nga vendi. Të gjithë prisnin daljen e Sparit nga poçi. Në mesnatën e ditës së njëzetenjëtë, siç ishte lënë më parë, një nga pleqtë trokiti me çekiç prej druri në poç për të lajmëruar sundimtarin që koha mbaroi. Asnjë shenjë gjallese nuk vinte nga brendësia e poçit. Dëgjohej vetëm jehona e trokitjes. Plaku mori guximin të trokiste përsëri. Por prapë asgjë. Nga turma dëgjohëshin thirrje, sharje dhe zëra të çakorduar. Turma pati një tendencë të vogël t`i afrohej poçit, por rezistenca e gardës qe akoma e qëndrueshme. U vu re një shenjë nervozizmi edhe nga vetë pleqtë, të cilët diskutonin të shqetësuar mes tyre. Shiu vazhdonte të binte. Pleqtë, pasi e pleqëruan edhe një herë mirë e mirë situatën, dolën në përfundimin se ajo ishte tejet kritike.
Duhej marrë një vendim i shpejtë dhe që kënaqte kërkesat e turmës. Këtë herë nuk ishte e nevojshme të votonin. Unanimisht u bashkuan me idenë e plakut Kryes se duhej thyer poçit me një mjet të fortë. Kjo gjë ishte logjike, pasi do të qetësonte turmën dhe do t`i vinte në ndihmë sundimtarit të lodhur nga biseda e gjatë me Zotin. Dikush nga zëdhënësit e pleqësisë ia bëri të ditur këtë lajm turmës, e cila u qëtësua paksa, por vazhdonte të zhurmonte. Më pas dikush thirri për qetësi. Turma pushoi si me urdhër. Dëgjohej vëtëm zhurma monotone e shiut. Goditja e parë ndaj poçit nuk solli ndonjë rezultat, përveç një zhurme që u mbyt shpejt. Poçi u godit gjithsej pesëdhjetë e katër herë dhe herën e fundit u ça në të njëjtën kohë me qiellin, i cili u nda më dysh nga një rrufe e padëgjuar ndonjëherë më parë nga të gjithë ata që ishin gjallë. Kjo i hutoi dhe detyroi të gjithë të shtriheshin përdhe (përujë në fakt) duke mbuluar kokën me duar. Pas disa çastesh që turma e mori veten, nuk mjaftoi kjo, kur ata panë si të shushatur se nga poçi i thyer kishin mbetur vetëm copat e stërmëdha të qeramikës.
Pleqtë me qetësi kontrolluan mirë e mirë vendin ku duhej të ndodhej sundimtari dhe të habitur hapën krahët dhe ngritën kryet nga qielli. Spari ishte zhdukur. E vetmja shpesë për të marrë një vendim historik, të pjekur ishte rrëmbyer nga Zoti kushedi për çfarë arsyeje. Qytetarët u tërbuan krejtësisht. Duke mos u besuar syve ata thyen rezistencën e gardës, tashmë thuajse e përzierë me turmën, dhe u sulën drejt vendit ku pak më parë kishte qenë poçi dhe brenda tij Spar Poçari, Sundimtari.
Krejtësisht të pakënaqur dhe pa asnjë farë rregulli a rradhe e gjithë turma rrëshqiti si një masë e madhe uji që rrjedh sipas qejfit. E çoroditur nga grabitja e sundimtarit dhe pa një përgjigje përfundimatare, turma filloi të transformohej në individë që rendnin nëpër shi pa ndonjë ide të saktë në kokë. Edhe pleqtë e urtë, me gjithë atë përvojë dhe trashëgimi pjekurie, tashmë nuk dinin se si ta justifikonin këtë ngjarje sa fatkeqe, aq edhe të çuditshme. Shiu ndihmonte që amullia e krijuar të merrte përmasat e një vorbulle pa drejtim. Gjithsesi, ajo natë kaloi ashtu nëpër terr e nëpër shi, si një ankth gjigand i ndalun mbi sipërfaqen e ujit. Aty nga mëngjesi pleqtë e urtë arritën të ribashkoheshin me këmbënguljen e Plakut Kryes.
Fillimisht vendosën lirimin e Makut, për të cilin nuk i kishte rënë ndër mend pothuaj askujt. Nuk kishte kuptim që ai të vuante një dënim pse kishte dashur t`i afrohej një poçi që tashmë e kishte humbur kuptimin. Pleqtë së pari diskutuan se çfarë emri do t`i jepnin asaj që ndodhi. Njëri nga pleqtë më të rinj tha se e gjithë ajo që ndodhi thjesht duhej harruar, për të vazhduar më tej me zgjedhjen e një sundimtari të ri. Por kjo ide u kundërshtua pothuaj nga të gjithë. Nuk mund të rifillonin diçka të re, nëse nuk reflektonin mbi atë çka kishte ndodhur. Dhe ajo çka kishte ndodhur nuk ishte fare e zakonshme, kështu që i duhej dhënë rëndësia që i takonte, biles, ndoshta edhe më shumë rëndësi se sa thjesht kishte. Ishte e domosdoshme përgjigja që do t`i jepej qytetarëve, të cilët nuk do të gjenin prehje derisa t`i jepnin një kuptim asaj ngjarje dhe, meqë nuk i dihej se kur do të mbaronte hutimi dhe kur do të fillonte prehja, do të ishte mirë që pleqësia të jepte variantin e vet zyrtar.
U vendos. Spari ishte thirrur nga Zoti për një arsye shumë të rëndësishme (mision sekret në një qytet tjetër) dhe se kishte lënë në poç disa shenja ku shpjegonte se Zoti u kërkonte të falur të gjithëve për mungesën e vëmëndjes ndaj qytetit dhe problemeve të tij, pasi ishte e zënë me një qytet tjetër. Shkurt, bukur, saktë. A do ta përtypnin njerëzit këtë variant? Dhe nëse po, si do të reagonin? Ndoshta duhej shtuar diçka për shembull, se pas gjithë kësaj, pleqtë e urtë, pasi e kishin pleqëruar mirë e mirë çështjen si gjithmonë, kishin vendosur të mos zgjidhnin asnjë sundimtar tjetër, pasi kjo mund të fyente Zotin dhe vetë të zgjedhurin e tij Sparin, (por në të vërtetë kishin frikë se Zoti ia grabiste përsëri sundimtarin) dhe bënë një shishe të rëndë balte, si monument që do të kujtonte forcën e Zotit, Spar Sundimtarin dhe këtë ngjarje të shenjtë. Në shishe hodhën ujë te kripur deti për të dëshmuar se uji tashmë ishte zot i gjiththëçkaje. Pasi bënë disa prova, duke ia treguar disa qytetarëve të rastësishëm variantin, rezultatet ishin shumë të mira. Një optimizëm i ri po lindte.
Por prej ngutit askujt nuk i shkoi ndër mendje se i gjithë ky variant çalonte në faktin se të gjithë e dinin se Spar Sundimtari (si shumica e Sundimtarve) na kishte qenë një kokërr injoranti dhe që nuk kishte mundësi të linte ato shënime të komplikuara, të cilat në fakt nuk i merrte vesh askush. Po, prapë prej ngutjes, pleqtë e shpallën planin e tyre haptas në mënyrë që qytetarët të mblidhnin veten. Në fillim pati një lloj prehje dhe të gjithë shfrynë të lehtësuar. Vrapi u ndal dhe njerëzit filluan të frymëmarrin ajrin e lagur nga shiu. Ishte Maku, i burgosuri i sapoliruar, ai që vuri re i pari dobësinë e historisë së treguar. Pasi bëri pyetjen se si ka mundësi që Spari të përvetësonte ato shenja, që në fakt nuk i merrte vesh askush, askujt nga pleqve nuk u shkoi mendja të shfajësoheshin me faktin se ato ishin shenja të Zotit. Pleqtë, si duket, nuk patën kohë të mendonin tjetër gjë, veçse tani ishte rradha e tyre të vraponin me sa mundnin në drejtim të paditur. Turma e egërsuar nga mashtrimi mori shishen dhe në mënyrë demonstrative e hodhi në ujë, pikërisht në vendin ku Maku ishte dënuar me vdekje. Megjithëse njerëzit akoma nuk e kishin kuptuar pyetjen e Makut, të çuditur nga mungesa e përgjigjes, nën udhëheqjen e Makut, pa humbur kohë iu vu mbrapa pleqve që vraponin si të marrë.
Ndejkja vazhdoi për muaj të tërë, derisa të gjithë qytetarët u gjendën pas dyqind e katërdhjetë e tre ditësh, nën një ditë të bukur me diell, në mes të bjeshkëve, të mahnitur nga mungesa e shiut, duke harruar gjithë ç’ kishte ndodhur, pa ditur se shumë kohë më vonë në të njëjtën formë do të ndodhte edhe revolucioni Anglez…”
Ndarja
Isaku dhe Marsela u larguan nga parku me blinj. Ai park ishte një strehë e mirë për shumë dashnorë që u përvidheshin syve të “botës”, e cila kurrë nuk pushonte së foluri keq për ta. Blinjtë ishin të ëmbël dhe madhështorë për të gjithë qytetarët e Qytetit të Shiut. Në pranverë, kur çelnin, i jepnin qytetit aromën e një çaji të ngrohtë bliri.
Nga zhurma e zakonshme e Qytetit të Shiut tashmë kishte mbetur veçse një heshtje që shuhej nga hedhja pa kujdes e hapave. U kishte mbetur vetëm një cigare, për të cilën të dy ishin të mendimit se duhej ta ruanin kur të shtriheshin në shtrat. Asnjë fjalë. Edhe ajo, edhe ai e dinin përafërsisht se çfarë mendonte tjetri. Kjo ishte arsyeja që u dukej e kotë të flisnin, sepse është e vështirë të shkëmbesh atë që tashmë e di dhe je i sigurtë se nuk është asgjë e re. Ndodh shpesh që njeriu e ndjen brenda vetes këtë boshësi, ku të rejat mund të jenë thjesht sajesa për të dalë nga situata.
Moti dhe ndryshimi i tij mund të ishte një temë interesante. Në qytetin e Shiut ndryshimi i motit edhe brenda stinës është një gjë thuajse e zakonshme, kështu që shumica e njërëzve gjejnë kohën të diskutojnë, biles edhe të zihen për motin. Askush, deri edhe parashikuesit e motit, nuk është i zoti të parashikojnë deri në disa ditë. Të diskutosh për këtë në qytetin e Shiut është vërtetë një gjë e rëndomtë, pasi ndryshimi i shpeshtë i motit u jep pak a shumë të gjithëvë të drejtën të diskutojnë pa fund, sikur të ishte një ndeshje futbolli.
Në fakt edhe kjo temë ishte e konsumuar shumë për të dy. Të diskutosh për kohën, është gjithnjë humbje kohe,- mendoi Isak Kelmendi gjatë diskutimeve mbi fenomenin e diskutimeve njerëzore pa shkak. Për këtë arsye kishin frikë se një bisedë e tillë jo vetëm nuk do t’i nxirrte nga situata, por mund të krijonte dyshime të kota, si për shembull, çfarë fshihej pas gjithë atij shqetësimi për motin, sikur të ishin nja tetëdhjetë vjeç. Heshtja ishte shpesh mënyra me vështirë, por e sigurtë për të mos u futur thellë në tunelin e budallallëqëve pa fund.
Në rrugë kishte pak njerëz, endeshin akoma ata që kishin pirë ndonjë gotë më tepër, që dalloheshin nga hapat e çrregullt, si dhe këngët që këndonin. Rruga ishte po ajo: ai shesh i madh ku lulishtja zinte pjesën më të madhe, godina e prefekturës në krah të majtë dhe universiteti i ri në krahun tjetër, ndërsa mbrapa po ai gjimnaz, para të cilit në qoshe, diku majtas, ngrihej anonim një lapidar që shërbente vetëm për t` u ulur të rinjtë paraditeve.
Asnjëri nga të dy nuk po e kuptonte pse rruga, që e kishin bërë me qindra herë, po u dukej më e gjatë. Po e njëjta rrugë, po i njëjti hap, po e njëjta kohë. Gjithmonë heshtja e zgjat rrugën, ose ndoshta i jep asaj gjatësinë dhe kohën e saktë. Ishte tamam ashtu si në ditën e shtatë. Rruga nuk mbaron kurrë. Të dy ishin të bindur tashmë se rruga dhe koha nuk ishte e gjatë njëlloj kur flisnin dhe kur heshtnin. Por kësaj here as që i interesonte ta shkurtonin. Arritën para derës së apartamentit. Secili priste tjetrin të nxirrte çelësat, derisa i nxorën të dy. Ai futi çelësin dhe e rrotulloi brenda në bravë. Luajti dorezën e derës dhe dera u hap. Ndërkohë që ai hiqte çelësin nga brava, ajo u fut brenda.
-Unë po bëj një dush, – tha ajo dhe u fut menjëherë ne banjë, e cila ishte thuajse ngjitur me derën e hyrjes.
Ai nuk iu përgjigj. Dukej sheshit që ai pohim nuk kishte nevojë për ndonjë shtesë nga ana e tij. Me një pamje të zakonshme në fytyrë u nis për nga kuzhina. Bubërroi dicka në frigorifer, pastaj shkoi të zhvishej. Befas ndjeu se si një gëzim i ngrohtë ia përshkoi trupin. Do të vazhdonte të shkruante mbi variantet e ditës së shtatë, atje do të futej në tunelet pa fund të ngjarjeve që askush nuk dinte, atje do të fotogrfonte të gjitha imazhet, dhe do t` i hidhte mbi letrat e bardha.
-Mi sill ndërresat, – thirri ajo nga banja. Ai nuk e zgjati.
Gjeti një palë ndërresa të sajat, ato që preferonte më shumë ai vetë. Ishin të purpurtat, tepër elegante. I nuhati, por binin erë thjesht ilaçi rrobash dhe një arome e lehtë e parfumit të saj. Këtë e bënin shpesh të dy. Hynin në banjë dhe i kërkonin njëri-tjetrit ndërresat, ndoshta të dy edhe i nuhasnin, ishte pothuaj i sigurtë që edhe ajo bënte të njëjtën gjë me ndërresat e tij.
Ndërkohë trokiti në derën e banjës, si për të lajmëruar se shërbimi u krye. Ajo nxori dorën e lagur, në njëjtën kohë nga dera doli një rryme e ngohtë avulli. Uji i ngrohtë binte lehtë mbi trupin e saj të lëmuar. Si të gjitha vajzat, ia kishte ënda të mbështillej nga ajo masë e ngrohtë shiu, duke fërkuar gjokset e ngritura përpjetë. Më shumë përkëdhelte lëkurën se sa kujdesej për të kryer një rit pastrimi. Në fakt këto dy procese ishin aq shumë të përziera, sa nuk dihej se ku mbaronte njëri dhe ku fillonte tjetri. Ndoshta nuk do të kishin kuptim pa njëri -tjetrin. Ja pse njeriu i kishte dhënë një rëndësi kaq të madhe pastrimit të tij, nuk qënka puna thjesht tek nevoja për t`u pastruar, por edhe tek kënaqësia që krijohet si rezultat i kontaktit mes duarve, ujit dhe lëkurës. Kjo ishte arsyeja që shpesh, pas një banje të mirë me ujë të ngrohtë, ajo ishte më pak e lodhur dhe e stresuar. Ai kishte dalë në ballkon, ishte pak fresk, gjethet kishin nisur të binin.
Ajo doli nga banja më e qetë, siç edhe ai e kishte parashikuar. Kishte vetë në kokë një ide për të bërë të njëjtën gjë, por kërkonte një nxitje, të cilën ajo nuk vonoi t’ia jepte.
-Uji është i ngrohtë, bëj edhe ti një dush, – iu drejtua ajo duke krehur flokët.
Sigurisht që uji duhej te ishte i ngrohtë, kjo ishtë më se e tepërt. Ishte një ftesë për një gjëndje të re. Megjithëse kjo i ngjante një fjalie për ndryshimin e motit, ai nuk e zgjati shumë dhe la të kuptonte se po nisej nga banja. Sigurisht ia lejoi vetes të mos i merrte me vete ndërresat, do të preferonte t’ia sillte ajo. Dhe ashtu bëri. Sapo mbylli derën e banjës dhe u zhvesh, ai i tha:
-M` i sill ndërresat.
Ajo nuk buzeqëshi, pasi e kishte pritur diçka të tillë. Në fakt, po të mos e dinte, kjo ishte për të buzëqeshur. Me kënaqësi ajo shkoi tek dollapi dhe zgjodhi ndërresat. Nuk rezistoi dot pa i nuhatur, tashmë ky ishte një zakon siç bëhet kryqi kur hyn në kishë. Ndoshta kjo ishte arsyeja që ata nuk i merrnin me vete ndërresat. Kënaqësia se partneri do ta kryente këtë gjest, si dhe përzierja e këtij gjesti me shërbimin, linin një shije të papërsëritshme në një formë tjetër. Uji ishte vërtetë i ngrohtë, ajo kishte pasur të drejtë. Nuk ishte fjala për temperaturën e ujit, ishte fjala për ngrohtësinë që të jep përzierja e prekjes së trupit, ujit dhe avujve që hyjnë deri thellë në mushkëri.
Ishte një natë e gjatë dhe e pasigurtë. Mes tyre ishte krijuar një boshllëk që po i shkatërronte. Kush ishte përgjegjës për këtë? E gjithë kjo po merrte përmasat e një situate të frikshme prej së cilës dukej e pamundur të shmangesh.
Ai filloi t` i ledhatonte trupin e saj të njomur nga avulli i ujit dhe me një lëvizje tipike mashkullore u mundua ta kthente trupin e saj përballë vetes. Ajo rezistoi. Ai u përpoq edhe dy herë të tjera, por ajo prapë i la të kuptonte se nuk ishte në qejf.
- Çfarë ke? - e pyeti ai.
- Asgjë, – iu përgjigj ajo.
- Ti fsheh diçka,– ngulmoi Isaku.
- Po, diçka po ndodh. Po bëhem gati të largohem, - tha ajo.
- Për ku? - e pyeti pa ndonjë interes të madh.
- Në Londër, – tha ajo.
- Në Londër?
- Po në Londër.
- Çfarë do bësh atje?, – e pyeti Isaku.
- Do mbaroj të gjiha punët e lëna përgjysëm,- u përgjigj ajo.
- Si të erdhi kështu papritur? – filloi të habitej Isaku.
- Nuk kam asnjë rast tjetër për të ikur, ti e di sa e vështirë është të marrësh një vizë, duhet ta shfrytëzoj rastin, – u justifikua Marsela.
- Kur do të nisesh?, – pyeti ai përsëri sikur gjithçka kishte marrë fund.
- Të shtunën ,– tha ajo shkurt.
- Të shtunën…! Kaq shpejt…! Nuk është e mundur,– u çudit ai.
- Kam prerë biletat, nisem herët në mëngjes, – iu përgjigj ajo duke mbetur e palëvizur.
- Me të vërtetë, apo tallesh?,- nënqeshi ai.
- Jo nuk tallem?
- Po lekët e biletës ku i gjete?
- Ai. Disa herë jam matur të ta them, po nuk kam mundur, – shtoi ajo duke u sjellë përballë tij.
- Ah paska edhe një Ai. Sa do rrish?,- pyeti ai duke ndezur abazhurin e krahut të vet.
- Biletat i kam prerë vetëm vajtje, – tha ajo duke fshehur lotët.
- Domethënë po shfrytëzon rastin për t`u larguar përgjithmonë?!, - pyeti ai i alarmuar.
- Po, do të iki përgjithmonë, – tha Marsela e pavendosur.
- E dija që një ditë do të ikje prej këtu, gjithmonë e ke dëshiruar këtë, – tha Isaku me kokën mes duarve.
- Nuk mund të duroj më, pasi të mbaroj studimet nuk kam se ku shkoj, përveç se në fshatin tim të qelbur. Por unë e di që nuk e meritoj këtë. Nuk mund të kthehem atje, – tha ajo e vendosur.
- Ke të drejtë ti nuk e meriton të kthehesh atje, por edhe unë nuk mund të jap më tepër se kaq, të kam dashur më se çdo gjë në jetën time, të kam dhuruar dashurinë, ke qenë diçka e jashtëzakonshme, - u ngrit ndenjur ai, – nuk do të mund të iki kurrë prej këtu, edhe nëse ti ikën.
- Unë nuk mund të të pres më, nuk kam asnjë zgjidhje tjetër, kam nevojë për më tepër kohë, mjaft më me utopitë e tua, me misionin tënd për të shkruar librin, është e tepërt, më kupton?! – tha Marsela me nerva.
- Sigurisht që është e tepërt. Arti vjen tek njeriu si rezultat i një teprice në gjithçka, kjo nuk ka lidhje me ikjen tënde, – tha Isaku jo pa ironi.
- Unë do të largohem dhe pikë, nuk mund të jetoj më këtu ,– tha duke iu larguar trupit të tij.
- Nuk të vë faj, biles të ftoj të ikësh. Është një vendim i drejtë. Për ty është e lehtë, ky nuk është qyteti yt, mund të largohesh pa problem. Për mua është ndryshe, unë nuk kam kuptim diku tjetër, – filloi ai të fliste me duar, - e vetmja gjë që di të bëj është të shkuaj në këtë gjuhë. Atje jeta jote do të jetë më e sigurtë, – tha duke fshehur mekjen e zërit.
- E kujt po i plas këtu se ti di të bësh vetëm këtë. Ky qytet është i mbushur me njerëz që shesin e blejnë krejt gjëra të tjera. Këtu nuk ka vend për ty, pse duhet të vdesësh bashkë me këtë qytet? – i tha Marsela sikur po e ftonte edhe një herë të largohej.
- Jeta merr kuptim gjithandej, unë këtu ndihem mirë, - tha Isaku me mendjemadhësi, – Kjo gjuhë meriton të merret seriozisht. Ti ndoshta s’arrin ta kuptosh, por është vërtetë.
- Këto janë përralla Isak, këtu edhe gurët janë gati të largohen, unë kam nevojë për një lidhje më serioze, jam e lodhur nga kjo lloj jete, dua të krijoj familje, ndoshta kjo është arsyeja e vërtetë që unë po iki, – përfundoi ajo e bindur se ky ishte një largim pa kthim.
- Aaa, familje. Pse je kaq e sigurtë që në Londër mund të krijohet familje! Apo ka diçka më tepër…
- Sepse ti nuk ma jep këtë familje, – i tha ajo duke afruar buzët e saj tek të tijat, – dhe sepse ai atje ka premuar se do të ma japë.
- Nuk të pyeta, kush është ky ?– pyeti Isaku jo pa xhelozi.
- Martin Satëlls. E kam njohur në fund të vitit që shkoi, pas historisë sonë. Është inxhinier kompjuterash, – tha ajo pa e parë në sy.
- E do apo thjesht po e përdor si parashutë për të zbritur në Londër? - pyeti tashmë vetëm për të kuptuar në kishte ndopak vend për të tek Marsela.
- Më pëlqen. Ai kujdeset aq shumë për mua, – tha me përulësi Marsela.
- Ai të do, – pyeti përsëri Isaku.
- Ai çmendet pas meje, – tha ajo pa entuziazëm.
- E pse nuk ma ke treguar me kohë, ti e di që unë nuk jam xheloz, – tha ai me një ton qortues.
- Sepse akoma shpresoja se nuk do të më lije të ikja, ose ndoshta mendoja se do iknin bashkë diku, larg prej këtu, – pohoi ajo me lot në sy – por tani … gjithçka ka marrë fund.
- Të paktën të shijojmë çastet e fundit, - i tha Isaku i dorëzuar – Ajo që ka ndodhur mes nesh është diçka e zakontë, bota nuk njeh shumë dashuri të tilla, të pashmangshme, martohu edhe ti si gjithë bota, atëherë kur dashuria e madhe të mbyt.
- Ti je i çmendur, nuk e kuptoj se si arrin të mos jesh xheloz,– tha Marsela duke provokuar.
- Të mos humbim kohë shpirt. Nuk e di pse tani kam një dëshirë të marrë të kem një fëmijë me ty, – tha ai me një seriozitet prej manjaku.
- Jo, kjo është e tepërt. Po pastaj ku të mbytem unë? Nuk do të bëjmë më dashuri bashkë, Isak, kështu më bën të ndihem në faj edhe para atij.
- Aha, para atij, hëm, sigurisht ai është një anglez, ai nuk e meriton këtë, – tha ai duke u ngritur në këmbë, – Po çfarë merioj unë?!
- Ty të kam dhënë gjithçka që ai nuk do ta ketë kurrë, – u justifikua ajo.
- Çfarë? Ti atij po i jepesh për gjithë jetën, kurse mua po më refuzon për një natë, çdo me thënë kjo,?– e pyeti pa nerva ai.
- Ju meshkujt kurrë nuk arrini t`i kuptoni femrat, po të mos ishte për ne dashuria nuk do të zgjaste më shumë se tridhjetë sekonda, – tha ajo duke e puthur në qafë, pastaj në buzë, por jo gjatë dhe thellë. Ai e shtërngoi fort duke marrë frymë në formën e një ofshame. Flokët e saj akoma të lagura binin një erë të këndshme.
- Shtyje udhëtimin, të rrimë edhe disa ditë bashkë, – iu lut ai.
- Është e pamundur, ai më pret dhe nuk dua të prish gjithçka ,– tha ajo pa hequr shikimin drejt e në sytë e tij. Ishte një shikim që kërkonte leje për një jetë më të mirë, një shikim i dashur dhe i pafundëm që nuk mund të harrohej kurrë.
Ashtu të shtrirë, duke u përkëdhelur si dy kotele të vogla, ndenjtën zgjuar pothuaj gjithë natën. Isaku çoi nëpërmend gjithë historinë e tij me këtë grua. Gjithçka kishte qenë si një rrufe, tani ajo po ikte prej tij, për t`u martuar në Londër. Dashuria e tij e vetme po merrte arratinë, dhe ai nuk mund ta pengonte. Iu duk sikur dhoma nuk po ia nxinte trishtimin dhe kujtimet. Doli në ballkon. Nuk kishte as lotë. Nuk kishte lotë, për një rast të tillë, ndoshta njeriu nuk ishte i përgatitur të përballonte një dhimbje të tillë nëpërmjet lotëve.
Ajo kishte të drejtë, dukej sikur ata ishin takuar sa për të kuptuar se nuk mund të jetonin me njëri- tjetrin. Mirë që po ndodhte kështu krejt ftohtë, pa fjalë të shumta. Megjithëse ajo nuk donte, ai arriti ta bindte të bënin dashuri atë natë, ashtu siç kishte bërë gjithmonë kur ajo i sillej ftohtë, lehtë me një mjeshtri të hollë mashkullore mundi të depërtonte brenda trupit të saj të butë. Ajo nuk bëri ndonjë rezistencë të madhe, e bindur se nuk ishte një nga netët e urisë seksuale të asnjërit. Ishte një natë me dashuri dhe lotë, fundi një dashurie të madhe dhe fillimi i një ndarje të pashmangshme.
Nuk folën asnjë fjalë. Edhe miqtë do ta pyesnin pas një farë periudhë kohe, çfarë ndodhi, si u ndanë, kush e kishte fajin për këtë? E kujt i plasi për të tjerët. Nuk ishte punë faji. Ishte punë tjetër. Ata nuk mund ta përballonin dot dashurinë e tyre. Ajo ishte aq e madhe, sa as nuk i linte të jetonin bashkë, as të vdisnin, por veçse të ndaheshin pa e kuptuar aspak se çfarë po bënin. Të gjithë këtë ngjarje nuk donin ta pranonin ashtu si në një lojë kumbari, ku fati nuk të buzëqesh gjithmonë, e megjithatë ti vazhdon e luan, duke kërkuar veçse sfida të kota, shpresa të humbura, ashtu përdridhesh nga duart e fatit pa mundur t`i shmangesh idiotësisë së qëndresës deri në frymën e fundit, në pikën e fundit të shpirtit, në vuajtje dhe gëzime, duke shqiptuar premtime absurde deri në vdekje. Iu kujtua pjesa që kishte shkruar për dy të dashurit të kthyer në blinjë, larg njëri- tjetrit në pamundësi për t`u takuar. Vetëm era ishte ajo që dërgonte si një pëllumb i tejdukshëm mesazhe nga një cep i botës në tjetrin.
Ndërkohë ai vetë nuk dinte ç’të mendonte. Kishte pak që jetonte me Marselën. E kishte njohur atë gjatë një promovimi libri të një mikut të tij në shtëpinë e kulturës. Atje ajo punonte si përgjegjëse bibliotekës. Kishte ndodhur si një rrufe. Me shikimin e parë ishin marrë vesh me sy dhe po atë ditë pasdite kishin dalë për një shëtitje të gjatë, gati të pafundme nën blinj. Në fakt Marsela, si të thuash, ndikoi që ai të lexonte deri natën vonë vetëm e vetëm që të shkonte sa më shpesh në bibliotekën jo fort të pasur të shtëpisë së kulturës, edhe pse librat që merrte shpesh nuk kishin të bënin shumë me letërsinë. Aty Isaku zbuloi jo vetëm dashurinë e tij për këtë vajzë delikate, por edhe talentin e vet në arën e madhe dhe të pafund të lëtërsisë. Ndoshta ishte koha që interesi për letërsinë të bëhej një qëllim i vërtetë dhe jo thjesht një pretekst për të takuar vajza të bukura.
vijon