Rrnoftë Ernest Koliqi !

Nga Albri Brahusha
 
Në botën shqiptare të kulturës, ndodhin përditë gjana të habitshme, ku nuk dihet kur duhet me fillue me pasë turp e kur me të ardhë marre. Hajt se kur shumica e atyne që i bajnë gafat janë njerëz që nuk marrin vesht prej kësaj pune, por kur sheh se edhe njerëz me shkollë, me kulturë, nxitun prej sdiseçahit, me ia këputë katundit tanë ditën e lume, unë këtë nuk mundem me e marrë vesht.
Javët e fundit njena prej shtojcave të kulturës, hap nji konkurs, me emnin e të shquemit “Ernest Koliqi”, për disa gjini njiherësh. Me thanë të drejtën konkursi e kishte pak ambicjen ma të madhe se shpërblimin, po hajt nejse. Mu ba qejfi. Kur mbas do kohe, ndrron emni i konkursit; a keni mujtë me pa! Me arsyetimin se pjesmarrësit në konkurs na paskan pasë pretendimin se punët e tyne ishin ma të arrime se ato të Ernest Koliqit. Shumë mirë, nëse ndodh kështu atëherë të mos bahet konkursi, ose ata që e ndijnë vedin ma mjeshtra se Koliqi (unë vetë nuk njof ndonji) të mos marrin pjesë. Por jo ti hiqet emni konkursit. Marre Agron Tufa, marre për ne të tanë. Unë e di fort mirë se ti e vlerëson Koliqin, porse tash e ke fye aq sa kurrkush. E meqi ai nuk mundet me tu gjegjë, po të gjegjem unë, e mos kujto se të lejohet me ba çka të duesh me emnat e shquem, ashtu si ai që ta ka frymëzue një veprim të tillë. Ose hija e tij, të cilin tash e mbrapa do ta thërras me emnin zoti Ik.
Asht hija e zotit Ik e cila vazhdon me vjellë vnerë kundër Koliqit, (e të tjerëve që ai i konsideron reaksionarë, fjalë e cila nuk e di pse nuk më duket ma fyemje, se më kujton të kundërten e aksionit), e në përgjithësi kundër letërsisë shqipe që i frymëzon këto gafa. Sepse zoti Ik siç e ka shprehë disa herë na asht i vetmi shkrimtar i madh shqiptar, dhe nuk mundet me ia kalue askush. Tanë të tjerët para tij gjatë e mbas tij nuk kanë me mujtë as me iu afrue madhështisë dhe paprekshmërisë së veprës së tij. Zoti Ik së fundi në një nga takimet e tija në Europë i pyetun a ka letërsi shqipe, thotë se nuk ka. Zoti Ik, po shkon... . Qe si shprehet ai për Koliqin dhe Fishtën mes të tjerash.
 
Zoti Ik për Koliqin, Ardhja e Migjenit në letërsinë Shqipe.
 
…Ndër shkrimtarët reaksionarë veriorë, Ernest Koliqi, i drejtimit proevropian (d.m.th. proitalian), ishte shembulli tipIk se si një talent mund të vritej nga përqafimi i ideve fashiste. Zgjedhja e gabuar e kampit politIk, që e çoi dalëngadalë nga simpatia e parë për fashizmin në postin e ministrit qeverisë kolaboracioniste, ishte fatale për të.
Ndërsa Koliqi botonte novelat e tij plot personazhe moderne, të rinj që ktheheshin nga studimet jashtë shtetit, që filozofonin nëpër kafenetë e Shkodrës se si mund të modernizohej ky vend pa fyer sentimentet e të vjetërve (Migjeni do të nervozohej e do të shfrynte veçanërisht kundër këtij predIkimi)…
… ndryshe nga Fishta, Ernest Koliqi arriti ta shihte me sy dramën e vet si ndjekës i fashistëve. Pas kapitullimit të tyre ai Iku bashkë me ta në Itali ku vazhdoi të shkruajë duke i shtuar veprës së tij një epilog të trishtueshëm, në një nga veprat e tij, dramën “Rrënjët lëvizin”, botuar në Romë më 1967, veprimi i së cilës ndodhtë në të ardhmen dIku në mes të viteve ’70, ai parashIkonte përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri, rihapjen e kishave dhe rIkthimin atje të vajzës së tij si turiste, fill pas vdekjes së të atit dhe pIkërisht ditën kur kambanat e kishve, pas heshtjes tepër të gjatë, po gjëmonin përsëri në Shkodër. Nga dy parashIkimet u krye vetëm njëri, vdekja e tij, që ndodhi vërtetë në vitet shtatëdhjetë.
 
(Shkruar mes viteve 1988-1989, botuar nga“8 Nëntori” më 1991).
 
Zoti Ik për Fishtën, Ardhja e Migjenit në Letërsinë shqipe.
 
Në të vërtetë, me gjithë mosqasjen e ftohtësinë që treguan për shkrimtarët e shquar shqiptarë, veprës së Fishtës, sidomos “Lahutës së malësisë”iu ngrit një kult e iu bë një reklamë e tillë, sa që rezIkonte ta kthente atë në një gur varri që mund ti merrte frymën gjithë letërsisë shqipe. Dukuri jo fort të shpeshta, vepra të tilla qëllon që shfaqen në letërsi të ndryshme, tamam si sëmundje që duhen kapërcyer. Për fat të mirë, letërsia shqipe për shkaqe e rrathana jashtëletrare (çlirimi i vendit nga fashizmi, përmbysja shoqërore etj.) u çlirua më shpejt se ç’pritej nga ky kequptim.
Gjergj Fishta vdiq në vitin 1940, kur vendi ishte në kulmin e zisë dhe robërisë, kurse ai vetë në majën e një lavdie, përndritja e së cilës ngjante ogurzezë në sfondin mortor fashist. Varrimi i tij i organizuar me madhështi, nga kleri katolIk vendas dhe nga VatIkani i Romës, ishte njëkohësisht varrimi i një epoke në letërsisnë shqipe….
 
(Shkruar mes viteve 1988-1989, botuar nga“8 Nëntori” më 1991).

 
Në të dy rastet zoti Ik merret me vdekjen e këtyne burrave të shquem të Shqipnisë, ai gjithnji kënaqet kur hapen varre, gëzohet kur dIkush i randësishëm vdes, a thue se për vedi asht i përjetshëm; do të ketë ndonji lidhje, zoti Ik duket sIkur ka marrë rolin e varrmihësit të letërsisë shqipe. Pa pIkën e marres ai rren ditën për diell, duke e quejtë Koliqin kolaboracionist, kur Koliqi sakrifIkoi të bahej Ministër Arsimi, që edukata të mos binte në duert e ndonji injoranti. Nuk besoj te kete pasë ndonji ministër arsimi ma të mirë se Koliqi këto gjashtëdhjetë vjetët e fundit zoti Ik, apo harrova ke kenë ti, në detyrën e Nënkryetarit të Frontit DemokratIk, organizata ku populli spiunonte popullin. Ti zoti Ik ke guxim me akuzue Koliqin për bashkpuntor të fashizmit, kur ti ke bashkpunue me dIktaturën “për hatër të fëmijëve”, ke ba vepra të dobëta, ke dashtë me ra në burg por s’ta kanë lejue këtë luks, ke dashtë me vra vedin por edhe këtë nuk e ke ba se nuk ke kurajë, thjesht ke gjallue e pse, për fëmijët, atëherë nuk e kuptoj pse nuk vazhdon e jeton për fëmijët tuej, po për me ia marrë frymën letërsisë shqipe, asaj të vjeter e të re. Pse i akuzove për së vdekuni të gjithë ata që të rrezIkojnë, se kanë vepër po aq sa ti, dhe çove në piedestal shkrimtarë që kishin pak vepër, ishin jashtë Shqipnie apo që ishin të veçuem nga dIktatura, ndryshe nga ti që flije përnatë me të.
Dhe nuk të mjafton kjo por vazhdon e frymëzon me frymë të keqe, e për qëllime të këqija, se ti kur ke mashën s’ke pse me djegë duert, zoti Ik. Ti ke hallin tjetër, e di. Zoti Ik, ti mendon si faraon por ke nji problem, nuk ke aq skllevër sa me ta ndërtue Piramidën, arkitekt jo e jo, dhe kjo asht tragjIke. Sepse ti nuk do ta kishe dashtë varrin si të gjithë nën dhe, por si faraon, si personazhi i veprës tande, mbi dhe. Sepse ti je i vetëm. I kërkon shokët por trishtohesh se ata nuk kanë ardhë, ata nuk të gjenden, kështu je detyruar të jesh vetëm. Është e lehtë të ndihesh gjigand para karkalecave zoti Ik. Koha e karkalecave Iku. Po siç thotë Ervin Hatibi, ti je kallare. Kallare e grisur. Letërsia jote është atje dhe do kemi kohë të merremi me të ma vonë. Ti mbart me vete zoti Ik te gjitha komplekset e personazheve të tua, nga autor i veprës, dalëngadalë po kthehesh në një personazh të randomtë të saj.
Kur ti zoti Ik, Ike, (atëherë mbasi kishe akuzue ata që Ikën para teje, si jashtëqitjen e kombit sepse vetëm kështu do mundeshe me Ikë rehat) na kujtuem se ti Ike, se kishe ndërmend nji Shqipni t’re, por ti Ike për arsye tjetër, me mshehë gjurmët në Paris, a ndoshta me mujtë me rrejtë ndonji komision në Suedi. Por dështove zoti Ik, jo për gja po ti maspari ke Ikë nga vetja, ky asht problemi jot, e je kthye ketu ndër ne, si hija për të marrë atë çka të mbetet. Ta qaj hallin, duhet të jetë shumë e vështirë me jetue në këtë farë feje. Gjynah se ti ke pasë talent.
Ernest Koliqin apo burra (a gra) të tjerë të shquem që kanë vdekë, ti zoti Ik, apo ndokush tjetër, bani mirë mos me i marrë nëpër kambë, se tash ju merren kambët. Unë kam me kenë gjithmonë në roje. Kaq sot për sot. Ka edhe ma. Dosje, dokumenta, sekrete, që po deshtët mund t’ju kujtojmë se kanë firmën tuej.
Rrnoftë, Ernest Koliqi!
 
Milosao Tirane 2004.
Ky shkrim erdhi si reagim ndaj nji veprimi te shemtuet qe Ik (Ismail Kadare) dhe servilat e tij u munduen me i ba emnit te Ernest Koliqit.

woaw! ky asht tekst!

woaw! ky asht tekst!