VETMIA E ÇINARIT TË TOPHANËS (Grave disperato)

Nga Albri Brahusha
 
Në lagjen ma të vjetër në Shkodër jashtë kalasë, të quejtun Tophanë, ndodhet Çinari me po të njejtin emën (ende nuk dihet a ka marrë Çinari emnin e lagjes a lagja emnin e tij), të cilin e ka pasë përcëllue nji vetimë fill mbas “ç’lirimit”(fjalë që desht me thanë në fakt, marrje e lirisë). Mbas shpinës së Çinarit asht nji park i vjetër autobuzash me nji oborr të gjanë e gati të pacak, ku tashma prehen ma shumë makina të vdekuna se sa të gjalla (aq të gjalla sa mund të jenë makinat). Te dera e vjetër e prej hekurit, lexohet me do shkronja llamarinet të latueme për hall të Zotit, “Vepra më e rëndësishme është njeriu ynë i ri”. Anash janë do shpi të vjetra, disa edhe të rindërtueme. Të zotët e tyne gjithmonë janë krenue me adresën, Çinari i Tophanës, Shkodër, Shqipni.
Në trupin e Çinarit dallon dukshëm zgafella e shkatueme prej vetimës së mbas çlirimit e ma vonë e zmadhueme prej shiut që e ka kalbë përfundimisht trungun e tij të bashëm. Ka vite që njerëzit presin me pa ndoj filiz, për me marrë këtë si shejë të njalljes së tij, por Çinari ka mbetë në kambë si nji fosil që mrrin me thanë se bahet hije edhe i “vdekun”. Në oborrin e parkut pothuej nuk bubrron kurrkush, qysh me nadje asht kokrra e zhegut, dhe gjinkallat kanë fillue ahengun e vet të mërzishëm. Kur si me i luejtë kush me dorë njerëzit nisin jetën e tyne të përdishme në rrugicë. Ma poshtë asht nji tavapjekës, dhe njerëzit me tava në duer, rendin të pasigurtë drejt përgatitjes së mesditës, të kësaj të dille veret. E dillja asht nji ditë e trishtueme në Tophanë, ka të bajnë me emnin e lagjes, ku hana gjithonë asht ajo që ka randësi ma të madhe.
Cuf Dryni asht i pari që i afrohet Cinarit për çdo ditë në nadje. Mbasiqë lëmon me dorë Cinarin dhe i thotë do fjalë që askush nuk i din, nxjerr tufën me çilca e zgjedh prej tyne atë ma ndryshkunin, që asht çilci i drynit të derës së oborrit. Futet mbrendë dhe kadakadalë nxjerr tavolinën e dominove bashkë me katër stola. Mbasiqë sigurohet mirë se stoli ku asht ulë nuk luen sa andejkndej, dredhë nji cingare dhe pret, nën hijen që ban streha e njenës prej ofiçinave të parkut, lojtarët e tjerë. Mbas rreth nji çerek oret në rrugicë duket Zef Kaliboba, me hap të shpejtë mbasi ka krye pazarin, drejtohet edhe ky kah Çinari flet me të e prek dhe hyn mbrendë në oborr të parkut. Përshndetet me Cufin dhe ulet në njenin prej tre stolave dhe ven kalibobat mbi tavolinë. Nuk kanë kalue as pesë minuta e me rradhë afrohen edhe dy lojtarët e tjerë Peroja që rruen të dekunit, mandej mbas tij lojtari ma i madh i dominove në Tophanë, Cen Dopjogjashta. Mbasi janë përfolë edhe këta përpara me Çinarin, futen në oborr dhe ulen në dy stolat e mbetun bosh. Në fillim Cufi iu afron me rradhë duhanin e Sheldisë, në nji qese të murrme ku lexohet keqas “Tarabosh”. Lojtarët e tjerë, e marrin shtrue dhe presin rradhën. Ndërkohë bahet ndoj bisedë për ndryshimin e motit, zhegun që përcllon, dhe se si kjo verë don me kenë vera ma e nxehtë në këto njizet vitet e fundit. Mbasiqë të tanë kanë dredhë cingaret, i ndezin dhe biseda për motin vazhdon me kujtime të moteve të shkueme, kajherë shkon fjala edhe në fëmijninë e hershme, mandej ma vonë në rini e si pa dashtë biseda bien te Çinari i kalbun. Vetima (ndoshta edhe vetmia) e mbas ç’lirimit, zgafella e hapun në trupin e tij. Dominotë rrinë në tavolinë a thue se kurrkush nuk ka në mend me i luejtë vendit. Kajherë kur dikush vdes në rrugicë, asht në qendër të bisedës, por kurrkush nuk ka vdekë kët javë dhe asht nji javë e qetë për të katërt. Ka pak arsye tashma me e zgjatë bisedën. Presin tuj pi cingaret kadalë derisa hija asht zgja mbi krenat e tyne, plotësisht. Presin.
Më presin mue. Kurrë nuk e fillojnë lojën pa shkue unë e me iu sjellë rrotul si mini. Sot jam ba vonë. Nana më ka nisë me ble buk qethit te Martini në Pjacë. E blej bukën dhe meshpejt e fus në strajcë. A thue e kanë fillue lojën mendoj kah kthem prej Piacet? Dhe vrapem me turr si fëmijë i marrë, derisa i vehem mbrapa nji karrocet katundarësh që kthehet prej Zdraljet, poshtë për në katunde. Ba mos me më pa katundari mundem hypë mbrapa në karrocë e me shkue deri te Çinari shumë ma shpejt e ma rahat se në kambë. Katundari e ka mendjen te fëmija që e presin në shpi të vet, kështu pesha jeme e letë në fundin e karrocës nuk i bien në sy. Dyert e vjetra të shpive të rrugicës kalojnë para meje me vrap nësa karroca shkon teposhtë dhe troku i kadalëshëm i kalit shumëzohet prej mureve të vjetra me gurë që i ka xanë lmashku.
Unë e di mirë se po më presin mue. Do të jenë tuj e zgjatë bisedën në mënyrë që me më dhanë mundësi me shkue sa ma shpejt e mos me i gjetë me lojë të fillueme. Diku kah Garuci, për dreq karroca ndalet prej nji dasmet. Njerëz të trishtgëzuem kanë dalë te dera e po përcjellin nusen që gërbulet tuj qa, se e din se sa punët e shpisë e presin te burri! Nuk ndalem si e kam zakon nëpër dasma, me pa njerëzit e dhandrrit që këndojnë e ata të nuses që qajnë. E kjo se ata, katër lojtarët e mi të dominove, më presin mue për me fillue lojën. Karroca mundet me iu shmangë njerëzve dhe me ecë përpara, nësa unë e ndjeki dasmën derisa zhduket diku bashkë me nusen në makina që iu bien burive si të marrë.
Cen Dopigjashta e ka ende cingaren e ndezun. Kjo don me thanë se kam kohë derisa ai ta mbarojnë atë cingare. Dhe jam aty. Hidhem prej karrocet në tokë dhe katundari e ven re ma në fund prej lëkundjes, se kishte pasë ma shumë peshë, e turfullon tuj më sha me do fjalë që nuk i marr vesht se tashma jam mbrendë në oborr. Të lehtësuem më shohin dhe fillojnë përzimjen e dominove. La strajcen e bukës bri Çnarit. Ju afrohem e rrokena fort si me e ditë se sot ka me ndodhë ndoj gja e pazakonshme. Ceni asht ortak me Peron nësa Cufi me Zefin. Marrin gurët dhe i vendosin në dorë nji nga nji. Cenit si gjithmonë i bien dopiogjashta, kjo nuk diskutohet qysh mbas çlirimit. Vazhdojnë me rradhë lojën. Tash unë mund tu sillem rrotull tuj pa të tanë gurët që kanë në dorë. Janë të kënaqun që unë jam aty. Qetë-qetë losin pa fjalë kurse unë shkoj te Çinari të cilin e ka mbulue zhegu. Dallohet qartë shenja që ka lanë vetima. Ba mos me kenë për njata burra që për çdo të dille vijnë e i bajnë shoqni, ndoshta kishte me u pasë rrëxue ka herë. Ma shumë se vetima e mbas çlirimit e ka mbytë vetmia. Prejngaqë nuk ban as nji përçik hije, kurrkush nuk i afrohet, deri as gjinkallat, as zogjtë nuk bajnë fole në të, vetëm këta pleq të mirë dhe unë, vijmë këtu pa e ditë pse. Zgafella asht aq e madhe sa mue më xen lirshëm. Strukem mbrendë dhe hetoj rrugicën, njerëzit e rallë që kalojnë në te, biçkletat, katundarët që kthehen prej Zdrales me karrocat bosh, e tek tuk ndoj makinë që Zoti e din pse e ka çue andej. Më pëlqen lagshtina e trupit të tij të butë, që ba me e prekë me gisht grimcohet si me kenë sfungjer.
Cufi më thotë me shkue me i mbshë ujë të ftoftë pusit që ndodhet në fundin e oborrit të parkut. Turrem me shishe në dorë, dhe shkoj te pusi. Lëshoj vlagun që bien bolldum në ujë dhe kadalë e njes përsipër. Uji asht i ftoftë akull. Mbushi shishen dhe nisem për te pleqtë e mi. Pijnë ujë me rradhë e çka mbetet unë e marr dhe e zbrazi në rrajët e Çinarit, me kujdes se mos lagi bukën.
Tuj u marrë me Çinarin e kam hupë mendjen prej lojës së pleqve të mij. Tash po ngatërrohen. Dikush ka ba ndoj hile të vogël, dhe fillojnë e bërtasin si fëmijë. Por sherri nuk zgjat edhpërshumë. Rifillojnë lojën të qetë dhe vazhdojnë e nëpërdhambin fjalë njeni me tjetrin. Por unë i mshehun në zgafellën e Çinarit i ndigjoj. Biseda nuk ka të bajnë ma me dominotë. As me motin. As me rininë e tyne. Nuk e kanë zakon me e ulë zanin kaq shumë. Por nuk e dinë se zani i ulun e ban njeriun ma kurioz, aq ma tepër fëminë…nuk duen veshët e mi me ndigjue. Asht dora e fundit e lojës. Çojnë kryet nalt me hetue. Pra ajo çka ndiva nuk paska kenë lojë! E ndigjoj Cufin tuj thanë: “Poqese deri sa të mbarojmë lojën Çinari nuk çilë të pakten nji gjeth kena me vdekë”. Të tjerët tundin krenat. Mue, që jam i strukun mbrendë në zgafellën e Çinarit gati sa nuk bien pika. Dal me vrap dhe i lutem pleqve të mij mos me majtë kët be të marrë. Por ata pothuej nuk më shohin ma, i kapi për xhaketash, ia lidhi lidhcat e kpucëve me njena tjetren, qaj, shkrrahem në pluhun si me më pasë kapë shtatëqind dreqën. Por ata nuk dojnë me ia ditë. Vazhdojnë të qetë dorën e fundit të lojës.
Çinari nuk e ka në mend me tregue shejza jetet dhe atyne i ka ardhë në maje të hundës. Sa kohë kanë që nuk mbajnë këtë betim, e shtyjnë e e shtyjnë për çdo të dille, por tashma nuk ka ma kuptim, mendojnë se janë ba muqeshë tuj pritë kështu pa fund. Tuj më pa mue kah los me te, buzëqeshin e njallen, të paktën unë do ta shoh tuj lulzue, mendojnë. E tash mbasi të mbarojnë lojën janë gati me dekë. Ai që fiton ka me dekë i pari. Peroja duhet me dekë i fundit se ai ka me i rru shokët e vet para se të desin. Ka me kenë hera e parë dhe fundit që Peroja del prej profesionit të vet, tuj rrue njerëz të gallë.
Loja mbaron. Fitues del Cufi. Asnji shejëz prej Çinarit. Asnji gjethe. Asnji syth. Janë të vednosun. Asht rradha e Cuf Drynit. Më dorëzon çilcat bashkë me drynin, mbasiqë flet për herë të fundit me Çinarin i thotë Peros me e rrue dhe…çka me pa…asgja…phluuuuu… zhduket (Ai e din se si). Mbas Cufit fituesi tjetër asht Zef Kaliboba, më përqafon me lotë ndër sy, më jep do kokrra kalibobet në dorë, e rruen Perja edhe atë, hypë në Çinar, ndërron do fjalë me të dhe… çka me pa… flutron porsi zog, fap-paf-fap (E din ai se si). Asht rradha e Cen Dopjogjashtës. Më dorëzon dopiogjashtën, i lutet Peros mos me e rrue…dhe Peroja ia plotëson dëshirën dhe çka me pa… shkon e hidhet në pus, bolldummmm. Peroja më shef dhe buzëqeshet lehtë si perendi, rruhet kadalë, pa u pa kërkund në pasqyrë. Mrekullisht e shpejt. Më jep në dorë briskun dhe çka me pa… në rrugicë kalon kadalë nji karrocë katundarësh pa katundar në të, tlok-trok-tlok, hypë në vend të katundarit, e shkon me vdekë te ura e Bunës. Unë i habitun rri tuj pa se si me magji ikin pleqtë e mi.
I pafuqishëm për me i ndalë mbes vetëm tuj qa për ta, më kanë lanë si jetim. Dal prej Çinarit dhe lëshoj mbi tavolinë të dominove drynin e Cufit, kalibobat e Zefit, dopiogjashtën e Cenit dhe briskun e rrojes të Peros. Çinari rrin stoik si gjithmonë e duket sikur po don me u rrëxue. Ka me kenë e vështirë me ndejë ma në kambë mbas tanë kësaj që ndodhi. Vaji nuk më lëshon për nja nji orë, e harroj se ka shkue vonë. E nana në shpi pret bukën. Mbledhi vedin kadalë dhe baj me u çue, kur mbi tavolinë shof se bashkë me sendet e pleqve, asht edhe nji gjethe e vogël çinarësh. Sikur të kishte ra pak ma parë në mënyrë që pleqtë të vazhdojshin nji lojë tjetër. Por ndoshta kjo nuk kishte me pasë kuptim. Loja e tyne mbaroi. Mandej ndoshta era a fati e ka prue këtu këtë gjethe të vogël çinarësh kushedi prej ku. Pleqtë nuk do ta kapërdijshin ironinë që shpesh erës a fatit i pëlqen me ba me njerëzit.
Mandej e përqafoj me krahët e mi të vocërr dhe ndigjoj mbrapa zanat e pleqve që flasin zaulët për mue dhe për Çinarin. Nuk e kthej kryet se nuk due me zbulue se ata nuk janë aty. Çinari rrin stoik. Por mbrendë unë e di se ai kënaqet. E di se e ndien ngrohtësinë e dashnisë teme prej fëmijet. E di që nuk mjaftojnë duert e mia me pushtue të tanin, por kaq mundem me ba tash për tash. Çka munden me ba dhjetë gishtat e mi ende të parritun ma tepër? Çka mundet me ba ma tepër nji fëmijë kundër vetimës së kohës, kundër vetmisë së kohës, kundër kohës?
Tuj u gërbulë si ajo nusja e maparshme e Garucit, për fundin e pleqve të mij, që u shkoi jeta pa e pa Çinarin të çilun si para çlirimit, marr stajcen e bukës që bleva te Martini, mbylli derën e parkut, fus në xhep çilcat, kalibobat, dopiogjashtën, briskun e rrojes dhe gjethin e vogël që ka prue era a fati, e me lotë ndër sy, kthehem kadalë për në shpi bashkë me erën a fatin e Shkodërs që ma vizatë ftyrën.

Komplimentet e mia Albri

Komplimentet e mia Albri.
Kur kam kohe, dhe frenetizmi qe karakterizon jeten e sotme me len nganjihere rehat, hapi kyt faqe dhe filloj me lexu shkrimet e Albrit. Menyra e te shkrumit dhe sidomos skenaret qe zgjedh, me çojn ne Shkoder. Forza e ketyne shkrimeve qindron te zotsia e Albrit me e ba ate qe asht tuj e lexu, me perjetu ndjesite e autorit, dmth. njisoj si te ishte aty, mrenda ne histori. Per Shkodren, asht nji nder "kandet" e mia te preferume.
Me respekt Alban Karroca.

Per 'Çinarin...'

Pershndetje,
Nuk po mundem me ndejt pa thane/shkru se sa me emocionoi ky shkrim! Po e quj 'shkrim' se nuk po du me i hy filozofinave mbi perkufizimet e shkrimit te Gegnishtes, perpunimin apo jo te saj ne vite, rregullat e saj apo devijimin prej tyne, sepse me duket kohe e humbun ne krahasim me vlerat qe ka kjo pjese - te pakten simas mendimit tem.
Ne aspekt te permbajtjes, shof analogji te shumta me Shkodren, shkodranet, historine dhe ngjarjet sa te dhimshme aq edhe shpresedhanese qe ka perjetu qyteti jone. Mu me duket se edhe vete titulli e thot me fjale ate qe tane shkodranet e ndjejne tash sa vjet: vetmine shumedimensionale te Shkodres karshi pjeses tjeter te Shqiptarise ne vazhden e ndryshimeve te dekadave te fundit.
Ne aspekt te stilit dhe gjuhes, ndjej se teksti pershkohet prej fijeve naziqe te perrallave qe ta ambelsojne shpirtin; me flet aq amel ne gjuhen e nanes saqe nuk mund te mos habitem kur lexoj komente qe tentojne me zbehe emocionet qe percjell...
Ndoshta i vetmi shpjegim asht shija e ndryshme letrare e njerezve.
Tana te mirat,
Bora

Çinari

Komenty yt asht i bukur e hyjnor si edhe ti vete, por mbi gjithshka, ose ne fakt per kete arsye, ai asht Shkodran. Qytety yne e na, te cileve dashnia n'a krijohet, vlon e shterr ne at qytet, jena "te vetmuem shumedimensional" per arsyena shumedimensionale. Dheu Shkoders ushqen Çinar qe zakonisht jane kalxojne lashtesi. Na Shkodranet jena plot me Çinar psikologjik qe nder dhena te tjera zakonisht nuk kuptohen.

Ardi

V.O

Deshta me thane se "te vetmuem shumedimencional" asht nji fraze rreth te ciles mundet me u shkrue nji rroman i tane.

Foto e Jetmir Troshani

Falenderime Bores

Bora, bashkohem krejtsisht me ju e ju falenderoj per komentin e masiperm, te cilit i vlersoj shume konstruktivitetin kualitativ. Shpresoj perzemersisht qe prania juj do t'jete e t'njejtit hov dhe njikohsisht e shpeshte, duke besu se ky nivel i bjen ksaj faqeje vetem pozitivitet. Nji koment si ky ja shton vlerat dhe randsine nje shkrimi.

Foto e Bujana

Ashtu si fillova me e lexu

Ashtu si fillova me e lexu kyt shkrim ,ashtu edhe e marova :me andje!
E kuptoj pse-n e kritikave t'masiperme por nuk pajtohem me ta .
N'rast se ndonjeni prej zotnijve kishte qef me shkru per Rozafen dhe rrugen buz saj, le t'urdhnojn. Jam shum e bindun qi ashtu sikur un’, edhe lexus t’tjer presin me padurim nji kritik sociale t’goditun ,e aq ma teper kur bahet fjal per nji pjes t'tyne, vendlindjen. Nuk mendoj se fakti qe s'jena "shkrimtar" na justifikon ndejtjen duarkryq, gjithkush mund nxjerrin diçka interesante, n'rast se shtysa dhe shqetsimi per nji kauz jan aq t'mdhaja sa shprehet ma siper.
S'mu duk e rastit e as e kohs me u marr me gegnishten e shkrume. Tuj marr parasysh qi edhe letrart ma t shqum t'Shkoders dallojn shum prej njeni tjetrit, jo vetem prej stilit por edhe prej mnyrs tyne t'shprehunit n'dialektin e shumperfolun.
Sa per kohen s'do t'isha çudit edhe n'qoft se do tu bate fjal per vitet 2000 (edhe pse s'bahet) sepse faktet tregojn qi deri von “katundar” me "karroca" t'sajume n' mnyra nga ma t'pabukrat kan kalu krah makinave neper shum rrug t’Shkodres.
Kshtu pra zotnij t dashtun shkodran, qi neper gjak ju rjedh shum kultur ,them se n'kyt koh ku bijt tuj paten fatin e keq me u rrit n'Shkodren e nji periudhe qi askush nuk besoj se ka me fol me krenari,asht ma mir qi perpjektje t’kti tipi t’perkrahen e jo t'sulmohen...

Pergzimet e mija per Albri Brahushen!Pres me padurim t'lexoj diçka tjeter prej jush.

Kujtimurovi@hotmail.co.uk

Do ja ta perpija shkrimin sepse nga titulli me dukej shume intrigues.Si cdo shkodran qe e don Shkodren e tij,une pritshe shume nga shkrimi i Albrit e fillimish mendova se si zakonisht shkrimi do te trajtonte nje shqetesim social te ndertuem artistikisht,ashtu sic dine mjeshtrit e pendave qe Shkodres nuk i kane mungue kurre (po e perziej pak me gegnishten qe per fat te mire mosha ime ka arrite me e ba edhe ne shkolle).Pritshe p.sh. te trajtohej si nje nga ikonat e qytetit e tue fole per cinarin te reflektonte ikonen kryesore dhe te pakrahasueshme te qytetit tone,kalane e magjishme te Rozafes.E kjo do te ishte nje teme shume e vlefshme per tu diskutue nga te gjithe qe kur futen ne Shkoder rraze kalase duke ba harkun sapo kalon kishen e Zojes nuk ka mundesi te shkoje ma ndej rraze kalase sepse ajo rruge qe nuk e mbylli as turku u mbyll ne kohe paqeje,ne kohe lirije.Sa per faqet e ditarit te Albrit ato mund te jene te vlefshme per ate si person por te sillen per ti lexue te tjeret nuk mendoj se ja vlen aq ma teper qe une per vedi u ngaterrova shume per cilen kohe po shkruan zoterija,per kohen e karrocave apo te veturave.

nardi.55@hotmail.com

E lexova me nje fryme "shkrimin",duke menduar se ç'mrekulli do lexoja per çinarin e Tophanes,sepse ai bashke me çinarin e Hoxhdheut jane si dy gure kilometrazhi per historine e Shkodres,te djeshmen e larget por edhe per ditet tone.Por u befasova nga autori Albri Brahimi,per gjuhen e varfer dhe pa sens(gjoja nje shkodranishte,siç pelqejne sot disa te mburren).
Vetem te rinjte e pa shkolluar dhe pijanecet mund te shkruajn e te flasin kshtu.Nje shkrimtar si autori ne fjale,i cili per hir te vertetes ka ba edhe pune te mira,nuk e nderon çfare shkuan ma siper.Ai duhet te baj letersi,jo me dy standarte,nje te mire ne kryeqytet,e nje paçavure ne nje faqe interneti.Ky shkrim nuk asht as fikshen,as letersi, as edukim.
Prandaj e keshilloj Albrin ta fshije menjehere,e te shkuaj si ma pare.
Po te kete sy e goje çinari i Tophanes do ta ndeshkoj.
Te shkruash ne gegnisht sot,asht ma e veshtire se kurre,por edhe e kote.Na kena nje gjuhe letrare qe duhet ta pasurojme
sa ma shume me visaret e gegnishtes,e kjo mendoj se asht nje pune e dobishme edhe per Albri Brahushen.

I nderuem zotni! E lexova

I nderuem zotni!
E lexova me vemendje komentin tuej si edhe shkrimin. Me duket e dhimshme menyra se si ju mendoni.Kam shume vite neper bote e jam perpjeke gjate me perkthy prej cdo gjuhet tjeter qi di, ne shqip, foljen e thjeshte - me kene. E nuk kam mujte me e perkthjy kete folje pa perdore gegnishten.I falem nderes per kete injorances e paatdhetarise komuniste. Tuj lexu sugjerimin tuj me erdhi nder mend historia e gjuhes shqipe. GJon Buzuku 1555 ka fole gegnisht kur asht kthy ne atdhe(masi kishte perkthy Meshariin e pare) e ka ndertu kishen e tij e ka thane se kjo asht arbnija jeme. Ai nuk tha se kjo eshte arberia ime. E mas tij Fran Bardhi 1643, Pjerter Bogdani1650.Keto pasqyruen Rilindjen Shqipatere ne Europe. Keto jane elementet e rilindjes Europiane qi kane studiu ne Universitetin franceskan Ilir ne Bullgari. Keto jane njerez qe vune shqipnine ne harte per Europern e ato flitshin gegnisht. Bahet fjale per nji kontribut te gjane gegnishtes qe i afrohet ne kohe sundimit otoman. 1555- 2010- jane 460 vjet te nderueme sepse u pasuem prej mjeshtrave te medhenj si Fishta e Kolici e Mjeda e Migjeni e per arsye te padituna une mendoj se ato kane fole shqip kenaqshem.... Bukuria asht se vetem 150 vjet para sodit, qi don me thane 300 vjet vonese ne kohe, erdhen vellezerit Frasheri. Kjo ndodhi 150 vjet perpara nesh e 300 vjet me vonese ne lidhje me kontributin e gegnishtes Kjo don me thane se gegnishtja asht identiteti i gjuhes shqipe.Po ju sugjeroj nji kandshmeni shkodrane - Funerali i gegnishtes ne "you tube" Ishte e rrenqetheshme.
u\Une po e perfundoj 'polemiken' me pak vargje prej pasunise gege.
At GJergj Fishta
Porsi vala e bregut t' detit
porsi gjama e rrfese shgjetare
porsi ushtima e nji termetit
njashtu asht gjuha jone shqipatare(asht gegnisht)

Ndre Mjeda

Kjoft mallkue kush qet ngatrrim
nder keto vellazen shoq me shoq
kush e dan me fjale e shkrime
c'ka natyra vete peropoq

Paq fat me gjuhen letrare!
Tringa

E dashtun Tringe, une nuk e

E dashtun Tringe,
une nuk e kam zakon me ba komente ne dritaren teme modeste, preferoj me i lane komentuesit me fole, se mendoj se une kam fole nji here me tekstin e tash me duhet me heshte. Por tue lexue komentin tuej diku me nxune syte nji sugjerim per me pa ne youtube (funerali i gegnishtes) nji rrefim qe me ka ba me ndie edhejhere femije, e me u kujtue per Çinarin. E tash po tham dy fjale.
Ju falemnders fort. Pra nuk duhet me pase grada as tituj per me thane te verteten qe Gjoni i biri Arbnit na e thote krejt kjarte e thjeshte me zemer ne dore, ashtu si edhe Gjoni i biri i Bdekut na e pat thane me 1555.
Per nji gja jam krejt i sigurte, sa ma shume thelle te done me shtie ne dhe gluhen tone, njaq edhe kjo gluhe ka me pushtue dheun e vet, si qysh gjithmone. E tash gluha e perzieme me dheun e vet ka me bi si kurre ma pare. Ata qe e futen me e varrose, harruen se gluha asht fare qe bin ne dhe, njashtu si Kadmi i mbolli dhambet e dragoit ne toke.
Sa te je dheu, qiella e te percillet moti, gluha e gegve ka me shndrite se njashtu e ka dashte Zoti.

Ju rroki fort
Albri Brahusha

Ky koment me "kapë" per fytit

Ky koment me "kapë" per fytit !! Nuk mundem me imagjinue se si nji shkodran, aq ma teper nji person qe pretendon se po mbron disa gjana qe as nuk ia ka idene ma te vogel se si bahen, pra nuk i merr hunda ere per letersi, vjen e kritikon nji gjuhe aq te natyrshme si ajo e Albri Brahushes dhe shton me paturpsi se genishtja asht e kote... Zot ! O Tempora o Mores !

Une jam dakort me komentuesin

Une jam dakort me komentuesin e meparshem.nardi.55
Me te vertete ne si shkodrane kemi shume gjera te bukura dhe dokumenta qe e ngjisin shkodren tone ne majen me te larte te qyteterimit shqiptare.Me kete une perfshij kulturen ,artin ,gjuhen,traditen e qytetit tone,por ne duhet te pasqyrojme shkodren tone si krenarine e kombit me nje kulture bashkohore nder te cilen futet dhe leximi,shkrimi dhe shqiptimi i gjuhes tone. Me te vertete nuk doja te nen vleresoja gjuhen gegenishte por gjuha jone shqipe eshte me e pasur dhe e paster.Ne kete faqe te internetit do te kemi dhe mysafire nga rrethinat e tjera te shqiperise ,e per keto vizitor kurioz do te jete shume e veshtire te marrin informacione .Une jam dakort qe gjuha e te shkruarit ne kete faqe te internetit duhet te jete me e pasur dhe e paster.

Duke rrespektu mendimin dhe

Duke rrespektu mendimin dhe komentet e masirperme, duhet theksu se letersia ka forma e nuanca te ndryshme te shprehunit te cilat vetem ja shtojne ngjyren nje literature. Dhe kjo mendoj se eshte tema kryesore qe duhet shiku ne blogun e masiperm te Albrit. Per asnje sekond nuk mendoj se ky blog e ven Shkodren ne nje hije te gabume po perkundazi i jep driten e duhun.
 
Ne lidhje me Gegnishten: Gegnishtja tashma nuk asht e studiume shkencerisht si dikur dhe si rrezultat nuk ka nje form korrekte te shkrumunit. Kisha me ken kurjoze me dit qa do te kishte than Martin Camaj (Shkencatari i fundit i gjuhes Gege) per ket teme?
 
C'ka po du me than o miq me fjale te tjera eshte se me te vertet e ndjej si nje kenaqsi te madhe qe Gegnishtja vazhdon dhe ekziston, pamvaresisht se ne forma te ndryshme te shkrujtunit.
 
Faqja pershkodren.com eshte ne te vetmet faqe shkodrane e cila mundohet ti aforohet ne nivelin e duhun asaj qi ne shume forma asht duke tret. Me kan ba shume pershtypje rreshtat e maposhtem te gjetun ne ket faqe ne seksionin Mirsevini, qi vetem ne Gegnisht kan kuptimin e duhun.
 
"Vazhdoni me lexue ju njerz t’mêdnshem qi i kuptuet fjalët e mâsiperme se éra karjfilave qi ká Shkodra tash po j'u vjen shpejt nder hûndë. Kputni do lulebora, bâni kunora e hajdeni me né t’i síllena rrumullak pjedestalit t’árt prej kû historia shkodrane mbretnòn."
 
Me Respekt Manjola