Ethos, Pathos dhe Logos për Shkodrën – nga Jetmir Troshani

Time posted: Monday, March 28th, 2016 8:27 am

Share on Facebook114Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Jetmir Troshani

Jetmir Troshani

Reagim!

Ky asht nji reagim qytetar në lidhje me dy video-kolazhet e postueme para pak ditësh në grupin PerShkodren, ku prezantohen figura të nderueme të muzikës Shkodrane, titullue “Përshpirtje Tingujve Shkodran” ideue dhe realizue nga Pjaver Kroni.

S’pari, njehsohem me të gjithë ata që nderojnë kontributin e jashtëzakonshëm të ktyne figurave Shkodrane, që na krenojnë e na përfaqësojnë të gjithëve dejsisht.

S’dyti, ndalem me respekt tek videoja (part-2), tue evidentue dy figura sa të dashtuna aq edhe të ndrituna për mue, tue kenë se edhe i kam njoftë personalisht, Lec Balcën dhe Luan Borovën. Cilësive artistike të tyne i bashkangjitet edhe naltësia njerëzore prej nga edhe ka reflektue dashnia e repeskti i madh që kam për to në veçanti, pa zbehë aspak, asnji prej figurave të përmenduna në këto dy video-prezantime si dhe në përgjithësi.

    

S’treti, kësaj here, ajo çka Pjaveri komunikon me ktë realizim, edhe pse për mendimin tem, i nji-anshëm, ka hapsina të bollshme me u identifikue pozitivisht. Ideatori i këtyne videove na afron me mjeshtrat e tingujve, që mbajnë pishtarin e majave të muzikës qytetare Shkodrane, por edhe asaj Shqiptare.


Në të njajtën kohë ky realizim ka gjithashtu hapsina për kritikë. Më bani me pikpyetë në brendi të tij, tre shtyllat e filozofisë së komunikimit, të cilat i kanë rranjët në urtësinë e civilizimit të lashtë grek; Ethos, Pathos dhe Logos. Janë pikërisht këto, tre ndërlidhjet bazë që utilizohen për tërheqjen e vemendjes së audiencës dhe duhen ndjekë respektivisht nga e para te e treta, për të pasë nji komunikim të dobishëm dhe fryt-dhanës mes prezantuesit dhe audiencës.

  1.       Ethos – kredibiliteti që krijohet mes audiencës dhe prezantuesit.
  2.       Pathos – ndjeshmëria që ka prezantuesi ndaj audiencës.
  3.       Logos – logjika komunikative për të fitue audiencën.


Vërej që këto tre shtylla të randësishme komunikimi, nuk janë cekë apo domosdoshmërisht përfillë, në konsideratë të plotë të audiencës qytetare shkodrane, tue lanë mjaft për me dishrue. Mangësitë në përfshimje ma të plotë të artistëve të tjerë shkodranë të t’njajtave vlera kontribuese qytetare, rezultojnë në nji produkt jo të mirë-menduem drejt harmonizimit dhe gjithpërfshimjes së bashkësive të qytetit, dhe si i tillë, cungon paraprakisht audiencen por edhe në vazhdimësi.

Nga ky kandvështrim, e gjithnji, tue ngritë në majat e meritume figurat e përmenduna në kto dy video prezantime, due me theksue se ky realizim vjen disi i turbulluem, siç turbullohen shumë sipërmarrje në mëmëdhembje, kur nuk bahen me përkushtimin e merituem, e as nuk marrin kohën e duhun me u pjekë e ndërtue saktë. Pjaveri, si ideator dhe përzgjedhës me sa duket i njiskajshëm, asht dashtë me punue ma shumë mendoj, e me gërmue ma tepër, për me gjetë e krijue kështu nji portret sa ma të plotë e balancues, për nji qytet kaq të pasun muzikor si Shkodra.

Në ktë rast, prezantuesi tenton me na përshpirt me tinguj Shkodran, por unë fillimisht e kisha inkurajue me u thellue në punën e tij dhe ma s’parit me na përshpirt të gjithëve me kredibilitetin, ndjeshmërinë dhe logjikën kontekstuale të këtyne 2 videove, para se me fitue vëmendjen dhe respektin e të gjithë audiencës së ktij qyteti të madh që nuk asht, thjesht nji rajon.

Nëse dëshiron me të kuptue e pse jo vlersue, ti si realizues e sipërmarrës, e ke për detyrë me kuptue dhe vlersue i pari. Kështu ndërton ura, e në të kundërt vazhdon dhe i ban zhari ato. Mos-kuptimi dhe vlerësimi i audiencës ma të gjanë, të vendosë në skaje të kundërta me të gjithë ata që mospërfillja (kësaj rradhe e jotja) i ka groposë në harresë.

Me ktë mendim, si dhe dëshirën me përfshi e pasunue, unë me aq sa di e kam informacion, pa u futë në kërkime, i kisha bashkangjitë këtyne figurave relike shkodrane tashma të prezantueme me respektin e merituem ne këto 2 video, disa të tjerë kolegë e bashkë-qytetarë të tyne, artistë e muzikantë me shumë vlera qytetare e njikohësisht kombëtare të cilët po i përmend shkurtimisht ma poshtë, tue i rreshtue në bazë të datëlindjes.

anonimAbdulla Grimci – Lindi në vitin 1919. Njifet si themeluesi i klarinetës Shqipëtare. Asht autor i shumë kangëve të lehta dhe fituesi i festivalit të parë të Radio Televisionit me kangën “Fëmija i parë”. Ka shkrue Operan e dytë Shqipëtare “Bijtë e Skederbeut” në vitin 1968. Gjithashtu si kompozitor, ka luejt nji rol shumë të madh në orkestrat frymore tue krijue edhe metoda didaktike.

Ramadan_SokoliRamadan Sokoli – Lindi në vitin 1920. Profesori i parë në akademin e artëve si dhe nji ndër themeluesit e saj. Asht ndër muzikologët ma të mëdhenj që ka nxjerr vendi jonë. Asht studius i mbarë-njoftun dhe i evidentuem i etno-kulturës shqiptare edhe përtej kufijve të vendit tonë. Asht quejt kolosi i hulumtuesve të folklorit Shqiptar. Kompozitor i kangëve shumë të dashtuna Shkodrane si: “Turtulleshe”, “Zanushe”, “Me Gjergjef Lala tuj Qendisë”, etj. Si kompozitor ka shkrue shumë pjesë për orkestrën simfonike kombëtare. Për kontributin e tij të vyem asht nderue me titullin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

hqdefaultShefqet Kruja – Lindi në vitin 1922. Kompozitor autodidakt i dhjetra kangëve shumë të dashtuna popullore qytetare Shkodrane, i cili asht vlersue edhe në rrang kombëtar për kontributin e tij. Si kompozitor kangësh, ka marrë pjesë në festivale dhe ka fitue vazhdimisht çmime. Asht spikatë si kant-autor i kangëve heroiko-patriotike si psh: “Kangë për Bajram Currin”, “Kanga e Avni Rustemit”, “Kanga e Dasho Shkrelit” e shume të tjera.

UnknownZyhdi Barbullushi – Lindi në vitin 1926. Baba i dirigjentit dhe instrumentistit të mirë-njoftun, Jetmir Barbullullushi, (prej ka marr emnin edhe unë). Jo vetëm nji sportist me famë në Shkodër por edhe nji instrumentist i shkëlqyem që ka lëvrue muzikën popullore dhe atë klasike. Njihet si kompozitor i shumë kangëve. Ka dhanë nji kontribut të çmueshëm në shtëpinë e pionierit dhe atë të kulturës, në Shkodër. Mban titullin “Mjeshtër Sportit”, dhe dekoratën “Naimi Frashëri” për kontributin e tij të madh në fushën e arsimit. Ka shkrue shumë marrshe për bandë e orkestër. Ka shkrue kangë për Liqenin e Shkodrës, për Kalanë e Rozafës të cilat i ka interpretue dejsisht Bik Ndoja.

zef-gruda1-c1200x600Zef Gruda – lindi në vitin 1927. “Artisti i Popullit” Zef Gruda asht oboisti i parë i orkestrës në filarmoninë Shqiptarë, si dhe zotërues virtuoz i shumë veglave të tjera frymore. Ka drejtue orkestrën e estradës së shtetit. Ka marrë pjesë në bandën frymore të ushtrisë si instrumentist dhe si asistent dirigjet i saj. Asht hulumtues shumë i vlefshëm i folklorit muzikor të Kukësit, Hasit, Tropojës si dhe Kosovës. Ka nji kontribut të madh në pasunimin e naltësimin muzikor në rrethin e Kukësit. Ka orkestrue shumë kangë shkodrane për bandën frymore si dhe njihet për ngritjen e nji formacioni popullor për kangën qytetare shkodrane.

nazmi lishiNazmi Lishi – Lindi në vitin 1950. Mjeshtër i fizarmonikës. Drejtues i orkestrës së teatrit “Migjeni” për shumë kohë. Cilësue për vlerat e tija si kompozitor. Për kontributin e madh që ka dhanë në fushën e muzikës, Bashkia e qytetit e ka akordue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

smaja-300x276Fatbardh Smaja – Lindi në vitin 1956. Njihet përveç të tjerave, edhe si një instrumentist i shkëlqyer i klarinetës dhe ka qenë pjesë e disa formacioneve muzikore si brenda ashtu dhe jashtë Shqipnis. Në moshë të hershme ka studiue dhe zotnue violinçelin. Shpirti i tij i artistit ka qëndrue edhe në kambet e nji drejtuesi shumë të mirë artistik, ai ka punue si drejtor në “TV1 channel”, drejtor i “Radio Shkodrës” e ma vonë si drejtor i teatrit “Migjeni”, poste në të cilat ai ka krijue hapsina tejet të konsiderueshme për kultivimin e muzikës shkodrane. Pa u fut ne kontributin që ka si aktor dhe regjizor, Fatbardh Smaja ishte artist vlerash që ka me kenë vështirë me u zevendësue, i cili gjithmonë asht spikatë për njerzillekun e qytetarinë e tij.

luanLuan Borova – Lindi në vitin 1957. Vlersohet jo vetëm si orkestrues i mirë dhe instrumentist virtuoz por edhe drejtues i përkushtuem në zhvillimin dhe reformimin e muzikës qytetare Shkodrane. Ka drejtue orkestren e teatrit të Shkodrës për vite me rradhë. Ai i solli muzikës në Shkodër elemente të reja, zbuloi e përgatiti shumë talente në fushën e kangës, si në atë qytetare shkodrane ashtu edhe të muzikës së lehtë. “Artist i Popullit” Tish Daija, e ka pas vlersue Luanin si nji njeri me vullnet gjigand, talent i shkëlqyem dhe fizarmoniçist virtuoz. Gjithashtu e ka cilësue si nji Prenkë Jakovë të dytë.

Nuk mund të la gjithashtu pa përmend me të njajtin respekt ata që janë mes nesh:

200px-Avni_MulaAvni Mula – Lindi në vitin 1928. “Artisi i Popullit” Avni Mula asht kompozitor dhe bariton me famë Europiane. Ka kompuzue me dhjetra kantata dhe kangë që kanë mbet hymn për gjithë Shqipërinë si psh “Agimet Shqiptare”,  “Bijët e Galigatit”,  “Valci i Lumturisë” etj. Ka kompuzue opereten “Karnavalet e Korçës” dhe operan “Borana”, perfshi ktu kompozime të kolonave zanore të disa filmave Shqiptarë.

agim velajAgim Velaj – Lindi në vitin 1933. Kompozitor i shumë kangëve si dhe hulumtues i kangës popullore që ka dhanë jo vetëm në Shkodër por edhe në Lezhë nji kontribut shumë të madh. I ka kushtue kangën “Lauresha e Shkodrës” Luçie Milotit. Ka shkrue përmbledhjen “Kanga popullore shkodrane” me textet e kangëve dhe notat muzikore shoqëruese, nji vepër e vyeme që mbetet pasuni për folklorin Shqiptar

robertRobert Prenushi – Lindi në vitin 1936. Ka dhanë nji kontribut shumë të madh gjatë viteve për festivalin e fëmijëve dhe klubin e rinisë të asaj kohe. Nji studiues profesionist dhe muzikolog me shume vlera i cili përveç shumë tjerave, ka ndihmue në njoftjen dhe ngritjen e nji figure shumë të madhe të historisë së muzikës Shqiptare siç asht; Atë Martin Gjoka.

anonimMustafa Bylo – Lindi në 1937. Asht kompozitor i evidentuem, profesor i mirënjoftun si dhe autor i shumë librave didaktik për disa instrumenta. Ka kontribut të randësishëm në themelimin e festivalit për fëmijë në Shkodër, nji pasuni kulturore për qytetin në fillim dhe më vonë për të gjithë vendin.

RadojaRobertProfileRobert Radoja – Lindi në vitin 1938. Si Kompozitor asht prezent për rreth 40 festivale si ato të zhvillueme në Radio Televizion ashtu dhe ato të Kangës për Fëmijë. Ka punue si redaktor i Muzikës në kinostudion “Shqipëria e re”. Ka punue gjithashtu si pedagog në Akademinë e Arteve, Dega Piano, si dhe për Muzikën e Dhomës. Kompozimi i tij i parë në muzikën filmike asht në vitin 1970 me muzikën e filmit “Guximtarët”. Puna e tij e palodhun në vite asht vlersue me “Çmimin e Mirënjohjes”.

46694Xhavit Ujkani – Lindi në vitin 1947. Kompozitor i mirënjoftun, pjesmarrës aktiv si dhe fitues i disa çmimeve në festivalin e kangës së lehtë, po ashtu dhe në festivalin e fëmijëve. Ka marrë pjesë si instrumentist në festivalin e parë për fëmijë në Shkodër, detaj shtesë mendoj ky që e lidhë fuqishëm emocionalisht me ktë evenimet i cili zhvillohet për çdo vit në qytetin e Shkodrës. Ka shkrue shumë pjesë instrumentale dhe simfonike.

220px-Zef_ÇobaZef Çoba – Lindi në vitin 1951. Njihet për hulumtimin e tij folklorik tue pasunue kështu zonën e Peshkopisë ku edhe punoi si përgjegjës muzike pranë shtëpisë së kulturës. Ka kompozue në gjini të ndryshme muzikore ku dallohen kompozimet vokale si dhe ato për filma e teatër. Ka shkrue ciklin me romanca vokale “Kënga e njeriut” si dhe ciklin për fëmijë “E drejta dhe e shtrembërta”. Së bashku me kompozitorin e madh Pjetër Gaci, kanë bashkëpunue në krijimin e kangëve të reja shkodrane. Ka marrë tre çmime për muzikën e filmave “Skëterrë 1943”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Muri i gjallë”. Ka marrë çmime në festivalet e kangëve të zhvillueme në qytetin e Shkodrës si dhe në festivalin e fëmijëve. Asht drejtues artistik i korit “Schola Cantorum Dom Mikel Koliqi” të Shkodrës.

Pa fol pastaj për kontribuesit e brezave ma të rij si: Gjon Shllaku, Kujtim Alija, Anton Kaftalli,  Shpëtim Saraçi, Markelian Kapidani, Ilir Zoga etj… ka prep dhe shumë të tjerë të tingujve të vjetër shkodranë që nuk janë ma mes nesh si Jonuz Gushta, Sadetin Haxhin, Xhemal Uruçi, Rexhep Zaganjori, Adil Ujkashi, Faik Quku etj… që për kohën, kanë dhanë kontribute të shumta e të vlefshme në kultivimin e kangës popullore qytetare Shkodrane.

Ftoj lexuesit e këtij shkrimi me ndihmue me saktësimin, plotësimin dhe pasunimin e matejshëm mbi informacionin e dhanun në lidhje me figurat e masipërme apo edhe të tjera figura që kontribuen kaq shumë tue ba ndryshimin gjatë viteve. Kishte me ken vetëm nji detyrë qytetare për të cilën asnjeni nuk duhet kursye, se Shkodra na ka bekue me emnin Shkodran, e kjo asht nji përgjegjësi në vetvete. Drejtësia dhe naltësimi i t’tana figurave prej katër anëve të Shkodrës, aty ku merita përmbushet natyrisht, asht nji mision dhe përndritje qytetare e t’tanve ne. Ai që e ban ktë, mund ti thotë vedit Shkodran, e unë i pari ja heku kapelen kushdo qoft ai.