Festivali i Muzikës Moderne në Shkodër 2014

Time posted: Saturday, May 24th, 2014 1:29 am

Share on Facebook77Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Edicioni i Tretë 13-14-15 Qershor 2014fmm3

Tashmë, mbas suksesit të dy edicioneve të para, Festivali i Muzikës Moderne është kthyer në traditë me vlera të larta artistiko-muzikore e interpretuese në qytetin e Shkodrës.

Artdashësit, opinioni qytetar mediatik dhe të gjithë specialistët e fushës së muzikës i kanë  konsideruar këto dy Edicione të para të “Festivalit të Muzikës Moderne në Shkodër” si një arritje shumë të suksesshme e cilësore si në drejtimin organizativ ashtu edhe artistik.

Këto vlerësime pozitive, kanë shërbyer si orientim dhe nxitje për të ruajtur frymën e arritjeve të deritanishme. Gjithashtu duke analizuar me shumë seriozitet sugjerimet e specialistëve të fushës së muzikës, Komisioni i përzgjedhur Organizativ i Festivalit, Shoqata Kulturore Artistike “Prenkë Jakova”, mbas konsultimeve të shumta me grupe e artistë të mirënjohur brënda e jashtë vendit, ka konceptuar  hollësitë e reja të organizimit  të Edicionit të Tretë të “Festivalit të Muzikës Moderne në Shkodër”,  i cili do të zhvillohet këtë vit më 13-14 dhe 15 të muajit Qershor.

Festivali do të ruajë strukturën  tre-ditore dhe do të zhvillohet në Teatrin “Migjeni” (nata e parë),  në ambjentin e Pedonales “G’juhadol” (nata e dytë) dhe në Sheshin para Bashkisë Shkodër  (nata finale). Si risi për Edicionin e Tretë sherben, zgjerimi i mëtejshëm i rrethit të ambjenteve artdashëse, në zona të ndryshme të qytetit, ku do të zhvillohen netët e Jam-sesion.

(Spoti Publicitar)

Sipas traditës, gjatë këtyre tre netëve do të paraqiten para publikut shkodran muzikantë të zgjedhur të qytetit tonë,  këngëtarë e instrumentistë të grupeve rinore kombëtare, Formacioni Modern i Shoqatës Kulturore Artistike “Prenkë Jakova”, Big – Band Frymore e Festivalit, Orkestra e Dhomës së  Qytetit, në bashkëpunim me Orkestrën Italiane “Colli Morenici” e cila do të përformojë në natën finale.

Gjithashtu në këtë edicion, Festivali do të ofrojë përformancën e grupeve muzikore të ftuara me instrumentistë e këngëtarë solistë  nga Tirana, Kosova, Mali i Zi, si dhe nga qytete të tjera që kultivojnë me sukses këto gjini të muzikës moderne.

Si çdo vit, do të jenë të ftuar grupe dhe artistë nga disa vende të Europës,  nga Italia Trio  “Intransito”, Matteo Del Miglio (Trombon), Emiliano Patrerlini (Pianoforte), nga Brazili  Eclesio Ramos, nga Kosova kengetarja  Eldita Tarani, nga Bullgaria ‘Bora D and friends’ si dhe balerinët profesionistë të vallëzimit latin. Forma e bashkëpunimit  mes artistëve, përpunimet dhe orkestracionet për formacionet e ndryshme, do të orientohen e realizohen nga  specialistët e Komisionit Organizativ të Festivalit, mbi kritere profesionale bashkëkohore.

Llojet e muzikës qe festivali ofron janë të larmishme, e veçanërisht në këtë edicion do të pasurohen edhe me këngën e muzikën tonë tradicionale të luajtur e interpretuar nga muzikantët e huaj, fuqizuar me tigëllimin e Big – Band  Frymore të Festivalit, apo  falë bashkëpunimit të Orkestrës së Dhomës së Qytetit, me Orkestrën “Colli Morenici” në versionin simfo – jazz.