Leni gjurmët tueja me nji prozë në librin me titull “FRYMA”

Time posted: Wednesday, January 20th, 2016 12:02 am

Share on Facebook156Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

final4

FRYMA

Prej nji fryme lind nji jetë! Në teatrin e projktuem nga brendësia jonë, shumica e mendimeve dhe emocioneve përgjojnë nëndheshëm n’heshtje, tue pasunue ose vorfnue n’skalitje realitetin tonë.

Frymëmarrja asht ajo që i ban kto erna mendimesh e emocionesh jehona. E gjatë udhës së jetës, shumë pemë gjejnë përkujdesjen e rriten t’nalta, e shumë të tjera dhimshëm rreshken n’cung.

Para 9 vjetësh, nji frymim i thellë, i veshun magjishëm me synime e përgjegjësi, aspiroi për majat, u rrok rrugës me krahët e shpirtnave… nji drandofile me erë shpreset u përtri, dhe PerShkodren frymoi.

Jetmir Troshani

Me elementin e nostalgjisë, kuptimin e hershëm, apo nji letër dashniet që ban rrugë të gjatë, shprehet Jetmir Troshani për nji nga andrrat ma t’gjalla e ma emocionuese të tij, rreth krijimit e rritjes papra’ t’nji faqes virtuale që as e mendonte se kishte me ardhë nji ditë, që shumë dëshira kishin me u ba realitet.

Mbas shumë tubimesh virtuale të faqes për me prezantue në naltsinë e meritueme atë çka Shkodra përmban, dy vjetët e fundit këto angazhime kanë marrë edhe formë reale, siç mund të përmendim: sponsorizimin e librit me poezi, të Pjerin Ndrekës; ekspozitën fotografike të Rozafa Shpuzës; çmime të ndryshme gjatë konkurseve poetike organizue po në ktë faqe, si dhe ndihma për “Shtëpia e fëmijve parashkollorë” për nji udhtim t’voglushëve në Razëm.

Dhe sot andrra ecë ma tej, me nji shteg të ri:

Dëshirojmë t’baheni pjesë e ktij udhtimi, t’leni gjurmët tueja me nji prozë në librin me titull “FRYMA”, që ka me u botue së shpejti, sponsorizue po ashtu nga PerShkodren. Titulli “FRYMA” ka për qëllim me i dhanë ma shumë frymëmarrje gegnishtes, nëpërmjet krijimeve që ju keni me postue n’grupin PerShkodren në Facebook prej datës 20 janar deri në datën 20 shkurt 2016. Punët ma të mira të publikueme kanë me u përzgjedhë në fund t’postimeve. Tematika e krijimeve asht e lirë. Çdo prozë duhet me kenë në gegnisht, rreth 500 fjalë, ku duhet me u përdorë shenja përkatse piksimit, si dhe shkronja “ë” kur asht e nevojshme. Krijimet që nuk përmbushin kto kritere nuk kanë me bá pjesë në përzgjedhje.

Paraprakisht, Stafi PerShkodren vlerson dhe falenderon pjesmarrjen tuej në ktë frymëmarrje të re, tue besue se nëse secili prej nesh ban pjesë n’kultivimin e të bukrës, atëherë ajo ka me mbizotnue…

Falënderime t’përzemërta shkojnë edhe për Rozafa Shpuza, me ndihmën e të cilës do të bahet i mujtun botimi i librit, Desantila Qerimaj për bashkëpunimin në formdhanjen e plotë të këtij prezantimi dhe kontributin e saj t’vazhdueshëm mbi punime t’ndryshme sjellë në faqe, ideatorët e kësaj nisme Jetmir Troshani dhe Gjergj Kolgjokaj, e po ashtu falemnders Gjergj Kolgjokaj për punën e spikatun mbi formatin dhe kopertinën e librit. Çdo autorit t’përzgjedhun në ktë libër ka me iu rezervue nji kopje, ndërsa pjesa tjetër shkon në Bibliotekën Kombëtare, si dhe në biblioteken “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës.

Ju mirëpresim, tue ju urue suksese dhe krijimtari të mbarë!
Stafi PerShkodren.

(Perditesim: 28 Djetor, 2016)

Mbas nji pune voluminoze pothuajse 1 vjeçare, PerShkodren ju informon se libri “FRYMA” së shpejti do të botohet. Falenderime t’përzemërta shkojnë për Rozafa Shpuzen e Desantila Qerimaj me ndihmën e të cilave u ba përzgjedhja dhe redaktimi i materialit, të gjithë autorët që zellshëm paraqitën krijimet e tyne, si dhe ideatorët dhe organizatoret e kësaj nisme Jetmir Troshani dhe specifikisht Gjergj Kolgjokaj, i cili punoi formatin dhe kopertinën e librit. Çdo autori t’përzgjedhun si pjesëmarrës në ktë libër ka me iu rezervue nji kopje falas të cilën do ta gjejnë tek “Art Kafe” në Tiranë, ndërsa pjesa e mbetun do të shkoj në Bibliotekën Kombëtare, si dhe në biblioteken “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës, ku do të mund të lexohet nga të gjithë.

(Perditesim: 11 Maj, 2016)
Përshëndetje miq të PerShkodren.

Andrra e përmbledhjes në prozë titullue “Fryma”, po merr kohën e saj e po ashtu edhe rrugën e saj. Krijimet kanë kenë të konsiderueshme në numër, e përzgjedhja e tyne ka kenë nji punë jo e lehtë, tue dashtë kshtu me zgjedhë prumjet ma cilësore. Procesi i aprovimit të autorëve që kanë me u ba pjesë e këtij libri, asht në fazat përfundimtare tashma, e jena të gëzuem e të emocionuem që ma në fund po ju njohim me emnat e tyne. Kërkesat për nji lajmërim të tillë kanë kenë të shumta, por çdo detaj i këtij libër, ka me u punue imtësisht, dhe koha që na duhet me e përfundue plotësisht ketë andërr ka me kenë në dispozicion të cilësisë, dhe të punës ma të mirë të mundshme që mundena me ofrue.

Suksese dhe urime pjesmarrësve.

Abigele Shporaj, Albana Fani, Albert Vataj, Aleksander Pali, Aleksander Shallvari, Alma Bazhdari Saraci, Amazona Hajdaraj, Andreas Dushi, Arian Shpori, Arjanit Balca, Arjola Zadrima, Artur Baku, Astrit Fani, Blendi Ismaili, Desantila Qerimaj C, Elisa Cesaj, Ermira Omari, Fatbardha Behri Kaci, Gjergj Kolgjokaj, Irena Balca, Marjo Marku, Megi Bashi, Melita Vjerdha, Merita Berdica, Mira Rranxa, Nikolin Lukaj, Ridvana Lacej, Rozafa Shpuza, Sajmira Halili, Senada Shpati, Shpetim Kelmendi, Stela Franja, Suada Halilaj, Zef Nacaj.

(Perditesim: 20 Shkurt, 2016)
Ju bajmë me dije, se afati pranimeve të prozave ka përfundue.

Hapat e matejshëm do të jenë:
– Përzgjedhja e prozave për botim.
– Informimi i pjesmarrësve në këtë libër.
– Redaktimi prozave.
– Nisja e librit për botim.

Tue kenë se pjesmarrja ka kenë mjaft e konsiderueshme, dhe për këtë ju falenderojme, koha e nevojshme për përzgjedhjen e prozave asht e papërcaktueshme momentalisht. Do t’ju bajmë me dije së shpejti për çdo hap në vijim po në këtë faqe, deri në botimin e librit ‪#‎FRYMA‬.

Çdo autorit të perzgjedhun në këtë libër ka me iu rezervue nji kopje, ndërsa pjesa tjetër shkon në Bibliotekën Kombëtare, si dhe në bibliotekën “Marin Barleti” të qytetit të Shkodrës.

Ju falenderojmë edhe nji herë e suksese.
Stafi PerShkodren