Grishje t’përmallshme që na ledhin me “Trokitje Kujtimesh” – nga Albert Vataj

Time posted: Monday, October 5th, 2015 2:21 pm

Share on Facebook27Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Rozafa Shpuza

Rozafa Shpuza

Grishje t’përmallshme që na ledhin me “Trokitje Kujtimesh”

Nga Albert Vataj

Tak-tak, ndigjohet tue ardh mbytaz deri te kureshtia, krisja e derës. Tak-tak, tak-tak, bahet ma e fort e ma e ngulmët.

– Nan dera, thrret kumbueshëm nji za prej brenda shtëpisë.
– Njitash po e çil, puhizshëm ndigjohet ai za qi largohet tue marrë me vedi pëshpëritjet e hapave qi e ndjekin me ngut.
– Kush asht?

A ka nji përgjigje, a jo, nana hap derën e nuk asht kurrkush, veç nji taft fryme i’a trazon flokët e thinjun e i’a nguc paqtimin, tue hy mren, e tue u tret n’do fjalë.

Qysh kur kjo ninull kujtimi m’përkund, kjo gajle mirësimi m’kandet me e ndigju tek m’lëndon kur vjen, qysh njasohere, nji dëshirim m’kaplon e s’brendshmi meje diçka m’çukit si zog, tue m’përla n’angështi.

Nevoja për grishje t’përmallshme cek në ëndjen e vetëdijes së tashmes së përfshime prej rrapëllimës së kohës si një domosdo e një gjendje të pezullt, që e gërryen. Ikjet nëpër kohë, ma shumë se rendje pas gjurmëve, janë një lloj shkëputjeje prej pragut, prej placentës, dhe lëshimin në të rrokshmet dëshirime të sfidës. Me torbat e mbushuna përplot, udha na tërheq në një ngasje përjetimesh të andshme si në një grackë. Ikëm, dhe gjithçka e jona mbeti pas. Mbeti në këtë braktisje gjithçka që na mban të lidhun në shpërgënjtë e ndërmendjeve, njiktyne kolovitjeve marroke qi na fusin n’trazim.

Gjithçka mbeti te pragu, gjithçka që dot nuk mundi të na vihej nga pas. Tek ajo derë që u mbyll duke na mbetun në ne një kërcitje e thatë, si një hap që nguron të ndjek të dytin. Në atë qytet, në ato shtëpi, nën ato çati, buzë atyne avllive, në prehrin e atij myshku, në eshkën e atyre portave, gjithçka që lamë pa marrë me vete, na dhëmb me huj idhnimi.

132Për me ledhun këtë ëndje të tendosun mallimesh, për me palue balsam mbi këto plagë, vjen me “Trokitje Kujtimesh”, përmes nji ekspozite fotografike, poetja dhe fotografja Rozafa Shpuza. Me barrë e mitit të qytetit në emën, më mallin e përflakun në zemër, ajo prehet në ëndjen e kapluar të mallit, të secilit, qi bashkë me hijen i është vënë nga pas edhe e shkuemja.

Më 17 tetor, Grupi “PerShkodren” nën mbikëqyrjen organizative të Drejtorit të Kulturës Shkodër, Eugjen Gargjola, organizojnë hapjen në qendrën rinore “Arka” të ekspozitës fotografike, “Trokitje Kujtimesh”.

Në këtë ekspozitë, në formë sensibilizimi, specifikisht do të përfshihen vetëm fotografi të dyerve të vjetra të qytetit. Nji simbolike unike e Shkodrës disi e lanun në harrese, por jo e kaplueme mbytaz prej mohit. Me një peshë të randë në supet e përvojës, Rozafa, tue mëku me dëshirë dhe pasion si ëma kërthinë, ka fokusu tançka Shkodra ka mujt me ngucat shpirtin dhe synin e saj.

E ashtu, asht kredhun e hijshme Shkodër Locja, në prehnin e kësaj dëshire, tue iu dhan ditë përditë, copë e nga një copë. Rozafa ka jetu me gjithçmos i asht ofru dorzan fografisë së saj, tue dasht jo dhe aq me mëku ndonji dëshirë narcizi, se sa me kumtu jetësimin në një dimension artistik, si një krijesë estetike.

Shkodra fokusohet në aparatin e Rozafa Shpuzës si një e mundshme bujare vlerash dhe traditash t’kahershme. Ata visare rreken të rivijnë kësisoj për me zanë nji vend në memuarin e gjeneratës, por njiherash për me e qas prej vedi vëmendjen dhe përkujdesin e nji të tashme t’çapërlueme keqas ndër nevoja hutimi dhe çoroditje.

Ajo sjell portat e shtëpive me “Trokitje Kujtimesh” në çdo zemër shkodrane, në çdo dëshirim vlerash t’njimendta, të cilat duke e gjet shtegun për me riardhë, guxojnë me e shtri dorën qi lyp ndihmë. Asnjiherë nuk asht vonë për me e shpëtu prej rrënimit, traditën, këtë kështjellë n’muret e të cilët sa ikën një hordhi, një tjetër ka xan vend e gatitet me mësy, me i’u turr me mohim e shkatërrim, si barbarët tançkasë që mrun në kujtesën e vet historinë e t’shkumes, e bashkë me te vlerat e papërsëritshme.

Rozafa Shpuza ka cekun shtëpi më shtëpi me trokthin e aparatit të saj fotografik si me zemrën e frigume të një zogu, e ka marrë bashkë me fokusin shkëndijat e kujtmeve që puhizshëm rreken me ndrit ndër andjet që trazohen, nëpër kujtimet e këtyne dyerve.

Nëpër ato dërrasa të gdhendur prej duarsh që i bluan harresa, vijnë deri sot trokitje të drojshme e gërrvima tinzare dashurishë e trazimesh t’bashme, qi koha nuk ua kursej këtyne banorëve. Nëpër këto fotografi vjen nervi i kohës, duke mos e lënë pas në hapin e shterruem, gërvimën dhe ngrënien e pragut. Nëpër ato pragje ku u varaving kjo bina e drunjtë, secili vjen të bubrrojë nëpër gjurmë si nëpër kujtime, çastet që i fiku ikja nëpër netët acarta e ditët e rreshkuna të vapës, kohëve qi i’u lshum flatrimit të ikjeve.

Një sprovë, si një hap fëmije i hedhur ashtu drojshëm nëpër nji udhë, ndoshta jo për t’iu vënë nga pas hapa të tjerë dhe ikjeve, por për të provu të ecë.

Vjen Shkodra me mallin që kërcet nëpër njikto dyer, nëpër njikto kumtime t’heshtuna e kushtrime t’nanzashme, vjen me dëshmu se nuk ka asht shu hala, se ka diçka me kallxu, se ka dikush me i dal zot. Vjen kjo fotografi ngarkue nga barra e viteve, e na bef nëpër andrrime e dëshirime, qi kanë valu e flatru skjejt këtynë andjeve, për me t’bashku me botën përjashtë, ma shumë se me të nda me te.

Sa e sa breza kanë gdhen në shpinën e këtyne drrasave yjësinë e kujtimeve, tue dogonis lëmimin qi përtrihej kur boja zatetej mbi bojë. Kanë ardh deri sod, e i vihen përmas edhe tash, ata t’hovshmit, lojcakët, t’hareshmit, fëmijët. Janë zhagitun në gjoksin e këtyne drrasave për me provu kolovitjen e trazimeve t’tynë, me andjen e thekshme t’zotnimit të botës. Sa e sa jetë janë endun e shterrun tue ndigju kërcitjet e këtyne dyerve, tue nga me vrap me i’u përgjigj tik-takut, tue ikun për me lanë përmas pragun. Sa e sa zemra dashnoresh i ka dridh pëshpërima përtej këtyne dyarve, përmbas këtij kurmi peme amanetçare me e majt t’mshefun vlimin e gjaknave e hovin e zemrave, me e majt t’ndame prej botës dhe trazimit, t’hyjshmen and t’kaplimit të trupave.

Rozafa ka ardhur për me trokit nëpër këto dyer, si tue dasht me ken hazër një pritje të mbetun përtej këtyne pragjeve t’lvorume prej shiut e akullit, prej ikjes dhe harrimit. Ka kërcitë lehtë nëpër këto dyer me fokus dhe me shikim, përmallshëm, e tue ua kthy shpinën mbasi u ka lanë një diell shprese t’përtërimjes, si shenj bekimi te çdonjana derë, të çdonjani prag, n’çdo njanin amanet. Ashtu përgjysash në gaz ka bubrru nëpër kujtime, tue davarit mohin dhe pluhnin, harrimin e ndryshkun që kuqëlon nëpër rezë e gozhë t’nguluna kaherë e mot.  E pa mujt me ja shue unin e mallit ka ik, tue ardh në këtë ekspozitë si në një rrëfimtore, me dëshmu, por edhe me e ngrit zanin,e me hov pupth çdo pasion, e me zgju çdo vullnes prej kllapitjes për me ju gjet Shkodrës, sot o kurrë.

Ky shkrim u botue fillimisht ne Gazeten ‘Koha jone’ me 4 Tetor 2015 nga Albert Vataj.

Koha Jone