Hyjni e dashnueme nga Merita Berdica

Time posted: Monday, December 1st, 2014 3:19 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
FullSizeRender

Merita Berdica

Hyjni e dashnueme !

Me u rrëfye para alterit të Shkodres ashtë me mbrujtë krahanorin me àjrinë mes shume dashnive. Ashtë, sikur je në zhegun e thatë t’gushtit, ku gjinkallat rreken në percellim të shtangun nga kanga e tyne, kitarrë e pambarueme. Anda-anda të verbohen sytë para një parajse kopshtije . Tinzash ke hap deriçken e derës t’madhe, je ngjit zbathët , duke lëshue sandalet diku tek, aty poshtë , përmes shkallëve të gurta . Je shumbullue nga dehja e llojshmërisë të krrelueme t’luleve, që aktrojnë format e shtatit dirigjues , në pritje me puthë pragun e shenjtërisë , muza e muzgut… peshqesh i uljes dhe i lutjes t’mbram’t drejt afrimit kah synit të hanes violine.

Ecja avash-avash , me andjen me ngà vrap në maje të gishtave të ndronjtun, të deshiruem mos me prish qetësinë e këtyne orëve nga gërsitja e drasave të çardakut, të cilat jane là nga durt e nanes me tel, ku ngjyra e tyne verdhë si fiska, të ban me ul ndejshëm me lezetin e tepruem , e me u shtri sa gjanë- gjatë në shiltet e minderit, të gufuem në marakun e rrethimit nga publini, qendisi e zambakut të bardhë . Je afrue oxhakut, ku nana ashtë duke vlu tamlin dhe maza ka kcye jashtë buzëve të kusisë, ndërsa filxhani i kafes ka mbështjellë rrudhat rreth monologut . Ja mbyll sytë me durt e mallit duke i hatrue në vesh puhizën e kunores të prarueme; Je etja jeme ! Në altar, zani i pulbardhave, gurgullon hershëm mes gurëve, bri shelgjeve pendë-rrëfyes dhe e perkund kete hyjni qiellore në kanavacen e hyjeve, që janë melhem për shtatoren Rozafë….e në gjinjët e saj dëfrejnë bujshëm valset e lumejve .

Shkodra ashtë një vajzë e rritun në gjergjefin e saj, e cila rrin’ tanë diten duke qendisë gojëdhana me ojma shumëngjyrëshe.
Shkodra ashtë unaza e mbushun plot me diamanta, të cilat pushojnë ndejshëm në pragun e çdo shtëpije.
Shkodra ashtë rituali i çdo guri qelibar, që ndez peshë kalldremin e cdo rrugice.
Shkodra ashtë ai cepi i ballkonit ku piktorohen puthjet papendueme, që i bien kryq e terthorë pjaces, duke ulë kryt në turpet e shikueme.
Shkodra ashtë avulli e naltë sa maja e Taraboshit, e cila cik qiejt me kryenaltësinë e kurmit të Rozafës.
Shkodra ashtë hajat fije’punuem në tezgjahun e saxhadeve, të cilat bubrrojnë mes gishtave të grave, hiladheqet e strukuna në fund të baulave-hajri.
Shkodra ashtë rruzë, te cilat në shkallat e gurta numërojnë në përshkim gjylpanes, avashllekun e defryem, të mermert në gjoksin e akshamit.
Shkodra ashtë peshtafti, i cili n’àjri të kadifes qukit virgjërinë e buz’kuqit, të fshehun në xherdek.
Shkodra ashtë kotull basme me gema lulesh, e cila pertej mureve të gurta nuk pràn’ duke pré dashurinë veref, me sythet e freskisë.
Shkodra ashtë çardak i rrethuem me puplin, i cili merr’ zamet me ta qerase nadjen me shurupin e drandofilit.
Shkodra ashtë tyl, aromë e ujit brisk i dalun rrjedhshëm nga goja me dhambët rruzë nga pusi, i cili ruan në nizhde bukuritë e petkut të krajlicave.
Shkodra ashtë pelhurë, bilur e diellit , e cila në anën e azhures terhek molinenat e ixhive shllunga-shllunga.
Shkodra ashtë xhamadan, i cili me sumllat e àrit presin ne pasi odën e vajzave.
Shkodra ashtë fllad pranvere ,e cila shkund thakët e shemshirëve të anuem në puthjet e xixëllonjave e fluturave bajrake.
Shkodra ashtë bylyzyk, i cili rrotullon sofren e miqve në dashni të përjetueme.
Shkodra ashtë faculeta, e cila gdhendë në kindin e palosun fasligenin, lulellakumin, e sendevesilin.
Shkodra ashtë gru shtatëzane, e cila në hojet e bletëve lind Artin Ateist.
Shkodra ashtë ornament bahçesh, i cili ja shton ymnin mes zymbylave lulesh.
Shkodra ashtë kafaz, në të cilin bylbyli nuk rresht’ duke kendue kangën; “Per ty paska kene kismet”.
Shkodra ashtë zhegu i harrakatun në buzëqeshjet e fëmijëve, i cili hatron shulin e deres me kitarren e gjinkalles.
Shkodra ashte fat i zanafillave te zanatçive, ku telat e violines rimojnë kompozimin e ashikut.
Shkodra ashtë jare dyersh.
Shkodra ashtë dekolte i liqenit.
Shkodra ashtë dekor i pulbardhave.
Shkodra ashtë kornizë e qiellit.
Shkodra ashtë dashnore e tokes.
Shkodra ashtë bukuroshe e bishtalecit të valëve të liqenit.
Shkodra ashtë luleborë.
Shkodra ashtë puthje dashnishë.
Shkodra ashtë përrallë e njëmijë netëve të gjata.
Shkodër, të qofsha falë!