Interviste me Freskida Miloti

Time posted: Friday, September 4th, 2015 5:51 pm

Share on Facebook177Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

11892206_10154146484052926_1411056045387768907_nInterviste me Freskida Miloti

Shkolla juej fillore?

Shkolla ime fillore besoj ka qënë themeli i dijeve dhe nga këtu lindi pasioni për skenën, muzikën, poezinë, për artikulimin e bukur të fjalës. Pasi që në fillore merrja pjesë në të gjitha aktivitetet artistike.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

Mbaj mend që mblidhja fëmijët e lagjes dhe organizoja festivalin e Rtsh-së dhe imitonim këngētarët. Hahaha

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?            

Kam shoqe dhe shokë që nga fëmijëria dhe të tjerë që i kam njohur në etapat e shkollimit apo edhe në punë. Janë ma të mirët sepse i kam patur besnik/e gjatë gjithë njohjes me ta dhe nuk jam ndier e zhgënjyer prej tyre, ndaj i kam pjesë të rëndësishme të jetës sime. Mund të them kam qenë me fat për këtë gjë.

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

Kur nisa të mbaja disa përgjegjësi mbi vete dhe nëse nuk do arrija t’i trajtoja si të tilla do kritikohesha nga prindërit dhe nuk do më kthenin një buzeqeshje përcjellëse dhe falëse.

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Kam patur adoleshencë shumë të bukur, mbushur me aktivitete artistike. Dinamizmi, euforia e moshës më delikate më përballi edhe me pavarësinë time financiare, gjë që më bëri edhe të njihja vlerën e punës dhe shpërblimin nëpërmjet saj. Në kētë periudhë mori jetë edhe ëndrra ime radiofonike.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Sekreti i miqësisë së vërtetë është të mbetësh i njëjti njeri pavarësisht çdo arritjeje në jetë. Sukseset shijohen mes miqsh. Të mos i tradhtosh dhe t’i gjendesh në çdo çast.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Respektimi i parimeve bazë vijojnë një marrëdhënie normale, por shpesh herë janë të domosdoshme sakrificat dhe tolerimet. Një familje e shëndosh duhet të ketë çelës harmoninë dhe qetësinë. Dashuria është thelbi i gjithçkaje, dy prind që duhen e reflektojnë te fëmijët dhe atë ndjejnë do të dinë të japin pjestarët pasardhës të familjes. Të ushqyerit me ndjenjë qytetarie do ketë gjithnjë edhe më respekt mes tyre dhe vetvetiu anëtarët e familjes do jenë solid.

Frika juej e të kenunit prind?    

Nuk dua që dobësinë që kam unë për fëmijën tim, ai ta “shfrytëzoj” për të arritur teka dhe mundi, sakrifica, dashuria sublime e një nëne të duket si një detyrim dhe jo si një ndjenjë që vjen rishtaz prej shpirti. Dua të ma vlerësoj fëmija im çdo gjë që i dedikoj pa kushte, duke e kthyer në investim për veten e tij. Uroj që me instiktin e një nëne dhe formimin që kam ta kaloj suksesshëm këtë sfidë.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Familje ime është thelbi i formimit tim dhe dashurinë që më ushqeu për shkollimin. Punësimi në një moshë të re më përballi me përgjegjësi dhe më rriti më shpejt. Statusi i të qenurit nënë m’i dha kuptim jetës dhe motivin për të jetuar për të dhënë gjithçka timen për këtë qënie.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?            

Nuk do të përballoja jetën larg njerëzve të shtrenjtë që kam. Nuk rri dot pa bërë shumë punë, dinamizmi në punë më jep shumë energji. Nuk kam provuar ndonjëherë të mos bëj emisione në radio. Kam punuar në administratë shumë vite, aktualisht farmaciste, por radion nuk e kam lënë kurrë.

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?            

Nuk duhet humbur vetëvlerësimi. Nuk duhet hequr dorë nga synimet e të bërit mirë. Nuk duhet ndalemi së lexuari.

Lufta e jetës tuej?          

Luftoj me kohën që të realizoj shumë gjëra, si bashkëshorte, nënë, mike dhe femër në karrierë.

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Hoqa dorë nga specializimi jashtë Shqipërisë që të rrija pranë djalit tim dhe të ndiqja me përkushtim dhe emocion çdo etap të rritjes së tij. Këtë specializim mund ta bëj në një moment tjetër, por nuk humba gjërat që nuk më ktheheshin më.

Arritja juej ma e madhe?

Nuk e di nëse duhet t’i peshoj si arritje të mëdha. Mendoj se puna në media dhe administratë kanë ardhur si rrjedhojë e një pasion dhe përkushtimi e formimi gjatë viteve, duke më konsoliduar dhe duke më bërë një person me vetëbesim për të arritur gjërat me ndershmëri. Dhe kjo besoj është arritje shpirtërore, pa bërë ndoshta gjëra të bujshme, por me forcën tënde.     

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?

Botës i duhet ulur niveli krimit.    

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?        

Jemi në një botë me njerëz diversë, që edhe dëshirat janë të tilla, por diçka është e sigurtë tê gjithê duam paqe.

Çka ju ban krenar ma së shumti?             

Që nuk kam përfituar nga askush dhe çdo gjë që bëj për të tjerët më jep kënaqësi, kundrejtë asnjë interesi. Krenarinë s’ma përbëjnë gjërat e dukshme, por vetem shpirtëroret.

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Nuk jam e penduar për ndonjë gjë, gjithçka që i kam vënë synim vetes i kam realizuar, njëkohësisht duke shijuar çdo etap të jetës pa i lënë vetes pengje.

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Mirënjohja ma e thellë është e dy prindërve të mi dhe bashkêshortit tim që më ka mbështet gjithmonë për me arrit gjithçka më do zemra.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?                

Faleminderit që më keni bërë pjesë e kësaj interviste. Ju dini gjithmonë që kjo dritare e vogël e Shkodres me ken po aq e bukur sa pamja e qytetit dhe vlerat që mbart ajo. Ky staf ka dit me i mbledh pranë vetes shkodranët e po kështu me i dhuru prej vetes atë që dijnë me e shiju siç e meritojnë të mirët e rritun aty. Mos hiqni dorë nga të bërit gjana të bukura dhe nga përcjellja e vlerave siç keni ba deri më tash.