Interviste me Markelian Kapidanin

Time posted: Tuesday, September 8th, 2015 8:10 pm

Share on Facebook43Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Markelian KapidaniInterviste me Markelian Kapidanin

Shkolla juej fillore?

Prenkë Jakova … jo vetëm fillorja por 12 vjet, prej fillores deri para se me vazhdue  në Akademin e Arteve. …

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

Kacavjerrjet nëpër pemë (i lumtun) te bahçja e Gjyshit …

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?

Vendin e parë e xen Muzika e cila i mbush ditët e mia plot me nota …
Vendet e tjera janë lirshem per t’tjera gjana …
Nga ku rrjedhë që edhe shoqnija i nënshtrohet këtij rregulli.           

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

E kush tha që e kam kuptue?!
😉

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Dëshira per me ba muzikë Jazz … si dhe andrra t’shfrenueme erotike me shumicë. … 🙂

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Bashkë-ndarja e sekreteve dhe aftësija me e majt gojen e mbyllun karrshi t’tjerëve, që tentojnë me futë hundët pa ndonji arsye të dukshme. Pra: BESA

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Dashunija.

Frika juej e të kenunit prind?    

Nuk jam prind pikërisht sepse “kam frikë” kur shof peripecitë e shoqnis teme n’lidhje me edukimin e fëmijëve të tyne e për këtë argument nuk jam aspak pishman … të pakten deri njitesh.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Ndër kujtime:
– Nana, e cila më këndon te veshi per me m’vue me fjetë kur isha i vogel.
– Baba, i cili më mëson se si vendosen duart mbi pianoforte.
– Shkolla autodidakte rreth muzikës së Jazz-it si dhe eksperjenca muzikore në prendim.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?            

Biologjikisht:

Me marrë frymë
Me u ushqye
Me ba sex!!!

Psiqikisht:

Muzika
Muzika
Muzika

Ndoshta:

Muzika që baj
Qetësija e jetës
Kurreshtja që m’gërget mendjen e i ngatrron gjanat

P.S:
“Pyetje rreduktive” karrshi të cilës çdo përgjigje duket cung!

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?            

Me pre n’besë
Me shti n’ngatrresë
Mosmirënjohje karrshi tjetrit

Lufta e jetës tuej?          

Me mbërritë me shkrue muzikë me karakter t’veçantë e me i ra pianofortes në mënyrë sa ma personale e sa ma mirë që t’mundem …

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Ikja prej Shqipërijet … (me keqardhje)

Arritja juej ma e madhe?

Gjetja e një gjuhe muzikore personale e cila bashkon studimet e mija klasike me idiomën e Jazz-it Afro/Amerikan si dhe me intonacionet ballkanike …     

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?         

Ristrukturim të politikave globale në lidhje me shfrytëzimin e burimeve energjitike dhe ridiskutim i traktateve botnore që rregullojnë mardhanjet ekonomike mes popujve të ndryshem që jetojnë mbi tokë për të arritë me minimizue sa ma shumë që të jetë e mundun, mizerjen e vendeve të varfna siç janë p.sh shtetet e kontinentit të Afrikës, India e.tj … Si pasojë, ulja e nivelit të luftrave në botë …

Çka besoni se njerëzit duen ma së shumti në jetë?        

“Veç me hanger e me pi
e me shkue n’q*nef me u **i.”

Pergjigja provokuese me siguri që asht banale, por brenda saj ekziston e verteta e cila i takon nji pjese t’mirë të popullsisë së globit e cila lufton ditë-përditë per t’sigurue bukën e gojës duke punue në kushte të papërshkrueshme: kujtoj këtu minatorët e Koltanit në Afrikë apo gra e vajza të cilat janë të detyrueme me shitë trupin e tyre për të mbajt veten me bukë në vende si Tailanda e.tj … Pra, nga njëra anë kemi njerëzit që jetojnë në mizerje, skamje dhe përbuzje e nderkohë nga ana tjeter kemi njerëzit që jetojnë në një konsumizëm që bën SKIFO!

Aktualisht, e gjithë bota rend mbas Parasë mbasi kjo e fundit i është servirur njerëzimit (nga vendet e pasura) si i vetmi mjet për tu realizue në jetë. Kjo gjë i ka shkaktuar njerëzimit një inflacion të tmerrshëm si nga ana morale gjithashtu edhe nga ana intelektuale, duke vënë në qëndër të vemendjes idenë që: “PO PATE PARE I KE TE TANA”! Si rrezultat shumica e njerëzve kanë iluzionin që: parja, përvecse me t’dhanë mundësi me ble atë që dëshiron, të ban edhe të mençur, me moral të fortë etj … etj. Normalisht që kjo gjë nuk asht aspak e vërtetë, por anasjelltas, shanset e tjera për tu realizue në jetë në lidhje me kapacitetin intelektual të individit apo me stadin moral të tij, janë aspekte që per arsyet e masiperme, bien në plan të dytë!!! E pra, kur flasim për ndojkënd, na pëlqen në radhë të parë të vemë në pah aftësitë intelektuale të tijat … ndërkohë që shoqëria (ajo e jetës së perditshme) si kusht kryesor lypë Paren!
Nga ku del që njerëzit aktualisht duan veçse PARE, sa ma shumë që t’jetë e mundun.

Por edhe parja e shkretë arrin deri n’njifar piket ku nuk mundet ma me ba gja mbasi vetem me t’shitun e me t’bleme nuk bahen të gjitha gjanat. Prandaj:

Në të tilla kushtë, do thosha se: ajo që njerëzit duhet të gjejnë aktualisht është në radhë të parë Pasioni për jetën. Menjëherë mbas saj, KOSHIENCA (ndërgjegja) rreth temës me titull:

Çfarë bote duam ti lëmë ne pasardhësve:
Një botë në paqe dhe vllaznim apo një botë të gjakosun prej etjes për pare?

Kjo temë asht teper e gjanë, prandaj nuk po e zgjas ma shumë …

Çka ju ban krenar ma së shumti?             

Muzika ime si dhe teknika e improvizimit në pianoforte për të cilën harxhoj ditë-përditë dy-tre orë për rrafinimin e saj.

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Humbja e kohës me njerëz që nuk hanë arsye për shkak të idjotsisë së tyne …

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Karrshi babës tem Gjon Mark Kapidani: prind i ndërgjegjshëm, kompozitor me vlerë, pedagog i aftë i cili diti me më drejtue drejt muzikës dhe më bani ta kuptoj jeten nëpërmjet saj.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?                

Kjoshi mirë me shndet … e ju lumtë mendja dhe dora për kontributin e çmuar që po jepni karrshi qytetit tonë nëpërmes punës tuaj …

Me t’mira

M.K