Interviste me Markelian Kapidanin

Time posted: Monday, March 9th, 2015 3:37 am

Share on Facebook127Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Markelian Kapidani

Markelian Kapidani

Të falenderojmë Markelian që pranove me u ba pjesë e ksaj inteviste!

Si vjen ndër kujtimet tueja fëminija?

Kur kthej shikimin mbrapa në të kaluaren teme, kujtoj me deshirë kohen e fminisë! At’herë isha në qëndren e vemendjes së prinderve t’mij. Kujtoj Baben, i cili më mësonte me vue duart mbi pianoforte. Kujtoj Nanen e cila më këndonte kanconeta italiane për me m’vu në gjumë. Kujtoj Gjyshin (baben e nanës) dhe Gjyshen, të cilët jetonin te Arra e Madhe, n’Shkoder. Shtëpija e tyre ishte si “Eden”, plot me lule e me pemë frutore. Nji vend ku unë u futsha si ndër përralla, nji vend i cili më izolonte prej rrealitetit të idhët …  e sa herë që dielli prendonte mbas Taraboshit, mendojshe me vedi: kushedì se si do t’jetë me i ra mbas … deri n’prendim!
Kjo ide ma dehte mendjen dhe ma shpejtonte rrahjen e zemres. Më bante me andrrue naivisht, “si gjynah i vogel”. Si thotë Migjeni jem i dashtun tek poezija “Shpirtënt shtegtarë”:

<< Enden shpirtent tonë nëper vise t’prendimit t’mrekullueshem/ bajnë të fala dhe me thanë vendeve t’shuguruem/ e me nji “credo” gëzojnë qiellen me çaxhë e të tymuem/ Në t’cilen, diku n’skaj marimanga fatin trillon … >>

N’ato kohë, qyteti i Shkodres ishte i zymtë dhe grì … jo vetem per arsye të shiut me shumicë por edhe per famen e qytetit rreaksjonar, mbasi shkodranët konsideroheshin si anti-sistemikë kundrejt Partisë së Punës, e cila drejtonte me dajak sistemin komunist/ateist t’vendosun n’Shqipëri, “diktaturen e proletariatit”!!!

Shumë nga ne kishim dashtë me ditë ma shumë detaje për rranjët tueja, që në shumë forma depërtuen tek ti.

Kam lindë me 5 maj të vitit 1970 n’qytetin e Shkodres. Për traditë të familjes Gjomarkaj në të cilen bajmë pjesë, Baba jem e kishte mendjen me më thirrë o Gjon si vetja ose Mark si gjyshi jem: Gjyshi (baba i Gjonit) Kapidan Mark(a)Gjoni Doda. Shkurt: Mark Kapidani Doda

Dy fjalë mbi Gjomarkajt:
Gjomarkajt janë nji ndër familjet ma t’vjetra Shqiptare historija e së cilës asht e tregueme që prej vitit 1100. Dera e Gjomarkut asht trashiguese e drejtperdrejtë e Fisit Dukagjini në gjirin e së ciles Prins apo Preng: Lek Dukagjini shkrojti Kanunin e ligjeve të Shqipërisë mesjetare.

Gjomarkajt janë thirrë Kapidana pra Princa. Ky asht nji titull fisnikrije i cili i jepej kryetarëve të fiseve t’shqiptare t’veriut.

Per t’mos e zgjatë fort me histori t’vjetra: Doda, asht mbiemni i Preng Bib Dodës, nji prej Kapidanave t’Oroshit t’Mirditës. Prenga nuk pat pasë fëmi, e mbasi kishte debulesë Mark Kapidanin (djalin e Gjonit), vendosi me e ba si djalin e vet duke i dhanë edhe mbiemnin. Kjo praktikë asht ndjekë brenda fisit n’ato kohe kur nji pjestar i randsishem i tij, per arsye të ndryshme nuk kishte mundësi direkte me pasë fëmijë. (ndersa puna e emrave Gjon e Mark asht teper e vjeter në këtë fis …)

Si rezultat, Mark Gjon Kapidanit i shtohet edhe mbiemri i Preng Bib Dodës.

Mark Kapidani Deputet, bjen pre e nji atentatit (të kurdisun nga Zogu), ndersa po zbriste shkallët e parlamentit në Tiranë, tue lanë vetem gruen shtatzanë: Rozen, si dhe nji vajzë t’vogel: Justinen.

Gjoni (im’Atë) lind disa muaj mbas vdekjes së të jatit. Me vdekjen e Markut, Roza gjendet totalisht vetem, dhe Gjomarkajt nuk dojnë me ja ditë fort per te! Kush e ka lexue Kanunin e Lek Dukagjinit, e din mirë se sa peshë kishte gruaja në shoqninë shqiptare të asaj kohe.

Kështu, Roza, pa asnji mbështetje ekonomike direkte, rropatet me tana forcat e veta për me rritë dy fëmijt e vet… Në ndihmë i vijnë disa kushërinj.

Me ardhjen e komunizmit, familja e Gjomarkajve del haptazi kundra sistemit komunist/Enverist. Gjon Markagjoni e Kapidana tjerë i kundervehen me forcë rregjimit, por qëndresa e tyne shtypet prej forcave komuniste. Konkluzjoni: Gjomarkajt shkatrrohen si klan. Një pjesë emigrojnë, te tjerë internohen, ndersa pasunitë e tyre i konfiskon shteti.

Por le të kthehemi tek unë. Mua m’takonte emni Mark, por Baba Gjon kishte frigë se mos ndokush prej komunistave mund t’kujtohej për t’kaluemen e familjes tonë. Në këtë mënyrë mund të më klasifikonin si “armik” i shoqërisë komuniste shqiptare. Pra, me biografi të keqe ose si i kan pas thanë ndryshej, “i prekun politikisht”! Kështu, mbledhen mes kushrijsh dhe vendosin me ma vue emnin Bardh! Por prep, Baba nuk ishte kundend! Ma n’fund e gjen nji emen që e kishte “Markun” mbrenda: “Markelian” – (Mark + Elyon).

Le ta thërrasin Markeljan vendos Gjoni, dhe kështu u ba.

Fminija jeme asht e mbushun me perkujdesje të teprueme nga ana e tim’eti, i cili mbart me vedi traumen e perjetueme të nji femijës jetim, pa Babë, i rritun me perkujdesjen e Nanës së vet dhe hallave, të cilat janë të vetmet që e mbrojnë prej egersisë së botës. Nana Rozë, halla Marije, motra Gjystina janë këto grat që përkujdesen për Gjonin e vogël, ndersa Gjoni nga ana e tij, don që Markelianit t’mos i mungojë baba, (si i ka ndodh atij), që kur i flitshin për baben e vet, e vetmja gja që ai kujtonte, ishte era e teshave t’Markut që Roza i kishte ruejt që prej vdekjes s’Markut e nuk i kishte la ma!!!

“Era babë! Thoshte Gjoni i vogël, i futun te arka me teshat e Markut, n’sa i merrte erë kapeles s’babës vet …”

Çuditrisht, kur isha i vogel, më pelqente me e nuhatë jastekun e Gjonit! E pra, kët historinë e teshave t’Markut, em’atë ma pat thanë kur u rrita! Mund të them pa frigë se Gjoni e Markeljani janë Nji gja e vetme, nji mendje, nji sensibilitet i ndamë m’dysh mes dy shpirtnave, njeni paqsor e tjetri rebel. Nji histori e vetme mes dy njerzve: Mes Gjonit dhe Markut.

1 shtatori 1976. Data ma e tmerrshme e fminisë dhe që bashkë me operacionin e dollmave janë ditët ma të zymta t’fminis teme.

Shkolla nuk më ka pelqye ndonjiherë! Merreni me mend se sa keq e perjetova diten e parë të shkollës! Më kujtohet mirë kjo ditë mbasi teorikisht duhej t’fillosha te Shkolla e Muzikës, por për probleme teknike/burrokratike që momentalisht nuk i kujtoj, më detyruan me shkue te shkolla Ndoc Mazi, të cilen e kishim afer shtëpisë! Për fat t’mirë kjo gja u rregullue dhe mbas dy-tre javëve, munda me ndjekë studimet në Shkollën e Muzikës.

Normalisht që pianoforten e njihja që perpara, por nuk isha mësue që të kisha nji mësues tjeter perveç Gjonit! Sidoqoftë, dalngadalë e me durim fillova me u marrë si me mësimet e shkollës gjithashtu dhe me pianoforte. Fillimisht me pedagogen Irena Mëhilli, e cila më thërriste: Eliani…:-)

Më pas me zejush Nexhin, me Sander Gashin dhe në fund me Marita Vuksanin, e cila në nji periudhë kohe pat kenë edhe nendrejtoresha e shkollës. Pergjithsisht kam kenë dembel, mbasi i kapsha shpejt mësimet ndersa në shtëpi pritojsha me studjue. Duke e ditë kët gja, prindrit e mi ishin të vemendshem rreth studimeve të mija. Baba më kontrollonte në lidhje me pianoforten dhe me muziken në pergjithsi ndersa Nana kontrollonte progresin tim në landët e tjera. …

A mund të na thoni ndonji moment të randësishem të jetës suej, që ka lidhje me formimin tand muzikor?

Po! Do te flas për dy momente të randësishme në jeten teme: Momenti i parë asht ai kur “zbulova” ekzistencen e muzikës xhaz dhe momenti i dytë asht ai i njohjes me muziken seriale dhe harmoninë e muzikës bashkohore evropjane.

Momenti i parë: (Si e “zbulova” muziken jazz)

Nji ditë t’bukur, kalue vitit 1984, tue zhbirilue mes partiturave të tim eti, gjej do partitura t’çuditshme mënyren e shkrimit të së cilave nuk e kisha hasë ma perpara! Ishin do parte t’shkrueme disi ndryshe! Me do sigla numerike poshtë e nelt. Me do indikime ritmike që nuk i njihja.

“Hejde more dreq” (tham me vedi): Po njikta njiktu çka janë?! I drejtohem Gjonit:

         Babë, çka janë njikto partitura?

         Janë nji kapitull i mbyllun i jetës teme, – m’pergjigjet Gjoni.

         Po pse? – e pyes prep unë.

         Sepse kjo asht muzikë e ndalueme, – më thotë …

Dhe menjiherë mbas kësaj, fillon me m’diftue do histori me muzikanta të racës së zezë. Histori të mbushuna me andrra t’thyeme, me shpresa t’zjarrta, me nota blù, me fraza Be-bop, me akorde “t’çuditshme”. N’ato kohë, unë sapo e kisha zbulue harmoninë politonale nepermes Impresionizmit n’muziken franceze dhe dy eksponentave ma n’za të kësaj rryme: Debussy e Ravel. Në mënyrë t’veçantë muzika e Ravelit ishte nji mrekulli për veshin tem muzikor. Akordet e tija politonale e knaqshin guston teme. Ritmet që Raveli perdorte ishin nji “shperthim vullkanik” brenda meje! Ma vonë e zbulova se Raveli e kishte burimin e Muzikës së tij tek Flamenkoja spanjole mbasi Nana e tij ishte Spanjole. … Por prep, partiturat me simbole numerike “të çuditshme” të tim eti, vazhdojshin me kenë mister per mue! Këto parte ishin “Standard Jazz”. Pjesë muzikore, kangë, arranxhime etj., që bajshin pjesë të kulturës muzikore negroide. Por jo vetem kaq, xhazi ishte muzika e intelektualëve racës së zezë, të Rilindjes së Harlemit në vitet 20 në USA.

         Mark,më thot Gjoni, ndersa unë shihja partet me sigla numerike e me “nota blu”,

ka thanë Bernsteini: “Mësoje xhazin, duaje ate dhe mos e përdor!”

         Pse?pyes unë.

… Por Gjoni nuk pergjigjet, por vazhdon me më spjegue se si lexohen “siglat e çuditshme”! Shumë kohë ma vonë e mësova përsenë e shprehjes së Bernsteinit, e cila kishte të bante me faktin se xhazi nuk asht muzikë për masat. Xhazi asht muzikë për persona me sensibilitet t’veçantë kundrejt harmonisë dhe ritmit. Si rezultat i moskuptimit të kësaj muzike prej shumicës, xhaziztat ngeleshin të papunë! Ahaa… Bernstein!!!

Momenti i dytë: (Muzika kontemporane dhe Matematika në muzikë)

Në vitin 1988 dhashë saxhon e fundit ku mes pjesëve të detyrueme për konkursin pianistik për pranim në Akademinë e Arteve, si Bah, Rahmaninov etj., luajta edhe nji pjesë për piano të kompozueme prej meje e që Irena Mëhilli e pat pagëzue: “Gëzimi i një dite me shi”!

Edhe pse pjesen e parë (nji melodi prej 8 masash) e kam pas shkrue në moshen 7- vjeçare, me kompozicjon fillova të merrem serjozisht vetem në moshen 15- vjeçare. Në ato kohëra isha i dashuruem mbas impresjonistave francezë. Si rezultat edhe krijimet e mija të para ishin të influencueme prej Ravelit. … : Tre tabllo muzikore per balet; Romanza per Trombë dhe Pianoforte; disa prelude per Pianoforte; Poema per Violinë dhe Pianoforte, janë disa nga krijimet e mia muzikore në të cilat ndjehet influenca e impresionizmit.

Në atë kohë, jo vetem xhazi, por edhe Impresjonizmi francez ishte i censuruem prej shtetit komunist shqiptar. Si rrjedhojë dukej teper e vështirë me gjetë partitura kompozitorësh impresjonista. Gjithashtu, kjo tip muzike kishte nji gjuhë harmonike teper të sofistikuar dhe harmonia që ne mësonim në shkollë nuk ishte aspak e aftë me spjegue idiomen muzikore të kësaj rryme. Por jo gjithçka ishte sketerrë n’atë kohë. Edhe pse nen diktaturë, kishte njerëz që gjanat i dinin mirë. Nji nder këta persona ishte edhe Gjon Saraçi apo zotni Ninoja, si e thirrshim na studentat. Shok i vjeter me Gjonin tem, Zotni Ninoja ishte nji muzikant dhe intelektual i rrallë. Ai nuk fliste shumë! Ma vonë kur e njoha ma mirë e kuptova se pse fliste aq pak! Fliste pak , sepse nuk kishte se me ke me folë per gjithë ato gjana që dinte, dhe normalisht, tue e njohtë personalisht nivelin e pergjithshem të shkollës së muzikës rreth muzikës moderne n’atë kohë, arrita të kuptoj edhe heshtjen e tij. Njikohësisht, zotni Ninoja bante pjesë tek ata persona që per shtetin komunist ishin me bjografi t’keqe. Si rrezultat, Ai luante shpesh rrolin e atij që ban sikur s’din!

Prej Zotni Ninos mësova ligjet themelore të harmonisë modale kontemporane si dhe ato të muzikës seriale dhe dodekafonisë. Profesor Ninoja ma hapi trunin si konservë sardelesh duke më folë per sistemet e simetrisë në strukturat e kompozicjonit apo mbi prerjen e artë në muzike! Kjo lidhje e Muzikës me matematiken e ndezi flakë fantazinë teme! Në atë kohë Andi, djali i Ninos, studjonte matematikë. Bashkë me te, kemi shkue disa herë tek “nji person” (të cilin Zotni Ninoja e njihte), i cili kishte krijue nji teori unifikimi shkencore në bazë të sejciles qëndronte “PRERJA E ARTË”!

Duket si pak gja më folë sot mbi të tilla argumenta … Por n’ato kohëra të erruesimit të mendjes këto gjana ishin tabu’.

Sidoqoftë, Z. Ninoja më dha mjetet e duhura per me shkrue muziken teme. Kështu, vendosa të vazhdojsha studimet e larta per kompozicjon.

Si vazhduen hapat e matejshem në formimin tand profesional?

Në Tiranë gjendja shoqërore ishte disi ma mirë.

Fillova Akademinë (n’atë kohë: Istitutin e Lartë t’Arteve) n’degen e Kompozicjonit, nen mësimet e Çesk Zadejës. Çesku n’atë kohë ishte nji person trumulluk e babaxhan i cili i jepte mësim vetem atyne nxansave që i pelqejshin! Me mentalitet të hapun dhe me profesjonalizem, i pershtaste leksjonet simbas studentit që kishte perpara. Unë isha pothuajse krejt i lirë “me i perdhunue” ligjet e harmonisë klasike mbasi e njihja këtë të fundit si teorikisht si praktikisht n’maje t’gishtave.

Në Akademi në atë kohë perveq Çeskut, punonin muzikanta të ndryshem si: Albert Paparisto, Tonin Harapi. Ky i fundit  m’thonte: çka thue mor Mark … Harmonia, harmonia!  (mbasi unë isha i fiksuem mbas harmonisë). Ta dish (thoshte), se shpirti i muzikës asht Melodia. Kurr mos e harro këtë!

Në ato vite, nëper Shqipëri filluan të qarkullonin ma me forcë mendime sovversive kundrejt qeverisë kriminele të P.PSh-së. Asht viti 1990. Fillojnë bojkotimet e leksjoneve nga ana e studentave …

Me mikun tim, të ndjerin Adrian Klosi, filluam të punonim për të realizue nji mbrëmje të madhe defrimi per Studentat e Institutit të Lartë të Arteve, në nder të katershes së Liverpulit. “The Beatles”. Në ato kohë, kisha sensacjonin sikur nji dorë e padukshme na drejtonte …  !!!

Festa perfundoj me efekt BOMBE, në rrugët e Tiranës me studentat që zbrisnin nga Qyteti i Studentit duke thirrë: Liri – Demokraci!

… Por të pakët ishin ata që me t’vertetë e dinin se çka don me thanë fjala “demokraci”.

Koha e rrëmujave dhe e tendencës për ndryshim:
Në vitin 1992 u diplomova duke marrë titullin “Kompozitor”. Po në këtë vit dhashë koncertin e parë Jazz në Shqiperi, në Shkoder, në Teatrin Migjeni. Dy vitet e fundit në Akademi, kanë kenë shumë t’rromujshme. Kujtoj n’ato kohë festat me shoqni neper Tiranë. …

… ma mbrapa, puna në RTSH:

Që në vitin 1999 kisha fillue me bashkpunue si i jashtem me RTSH-n, ku bajsha ndonji punë t’vogel si pianist per sfondet muzikore të programeve …  Si përfundim, nuk e pata aspak të vështirë me u futë në punë në Radio. Kështu fillova të punoj per redaksinë e muzikës bashkë me shokë tjerë muzikanta si: Ferdinand Deda, Shpetim Saraçi, Genc Dashi … etj.

Kjo periudhë zgjati deri në vitin 1997. Gjatë kësaj kohe u mundova me shkrue kangë Pop duke dasht me prue diçka t’re tek kanga tradicjonale e festivalit të R.T.Sh-së, por kangët e mija ishtin të vështira per veshin e dëgjuesit! Problemi im ishte xhazi dhe Impresionizmi të cilët i komplikonin krijimet e mia!!! Në atë kohë, mendoja të kthehesha n’qytetin tem, por nuk isha krejtësisht i bindur per këtë! Sikur t’isha kthye n’Shkoder, me siguri do t’kisha perfundue me dhanë mësim në Shkollë t’Muzikës në nji periudhë krejt kote e t’pa bukur, dhe do ti kisha thanë  “HAJT SHENDET” kangëve të mia! Ndersa unë n’ato momente, kisha nevojë per stimuj të ri, për me shkrue muziken teme e jo me i dhanë kujt mësim e aq ma teper mend. Për të njajten arsye, rrefuzova edhe propozimin që më bani Sokol Shupo per me ndejt n’Akademi të Arteve dhe me krijue nen drejtimin e tij, nji Klasë Kompozicjoni me Stile! Nji Klasë, e cila kishte si qëllim mësimin e kompozicjonit në stilin e Mozartit apo Beethovenit etj., etj. Siç e thashë, idea me punue  n’Radjo më joshte pa masë!

<<Në RTSH, kam punue si arranzhator, por edhe si pianist, në ato raste kur orkestracjoni e lypte. Gjithashtu, kam kenë pjestarë stabel i Orkestrës së Radjos në grupin e Muzikës së Lehtë. >>

Gjatë kësaj perjudhe jam mundue të shkruaj kangë me influenca xhaz! Të pakten ky ishte qellimi im. Një shkrim i tillë muzikor zen vend tek muzika “Fusion”… por si thashë pak ma lart: kangët e mija, me perjashtim të dy apo tre kompozimeve, dukeshin si teper t’ngatrrueme per veshin e publikut albanez! Kështu që nuk arrita as edhe njiherë me marrë çmimin e parë! Hahaha … Pak randësi ka: T’dytin dhe t’tretin i mora! 😉

Sidoqoftë, puna në RTSH më dha mundësinë me mësue zanatin e muzikantit në studjo dhe më dha famen si artist, në një perjudhë historike absurde dhe krejtësisht unike persa i perket gjendjes socjale të vendit! Kohëra që s’kan per tu përsërit ma tek ne. …

Në ate kohë, unë isha i pastrehë, si shumë shqiptarë tjerë që spostoheshin nga qytetet periferike drejt kryeqytetit! I vetmi vend për tu strehue ngelej Qyteti i Studentit i cili në atë kohë ishte duke plasë prej mbi popullimit, në nji mjerim t’vertetë! Ishte koha kur qeveriste PD-ja e cila n’atë kohë kishte në vemendje interesat e veta e nuk kishte kohë me u marrë me artista të pastrehë si puna ime! Gjithashtu, unë politikisht isha neutral e nuk pranojshe me ja lpi kujt … Shpesh herë më takonte të flija tek studjoja e Radjos, (aty ku punojsha) ose të isha mysafir tek shoqnija e Tiranës: tek Van Çami i rrugës Bardhyl, tek Arian Çuliqi, tek Leonard Bulku, Alban Emiri, Ardit Gjebrea … apo te Osman Mula. Mund të them se jam BOHEMI I PARË (në konceptin francez të shprehjes) në Shqipëri. Në ato kohë frekuentosha nji numer mjaft të madh personash me profesjone nga ma të ndryshmet. … Ishte koha kur i isha afrue jashtzakonisht rrezikshem gotës së alkolit! Duke e pa këtë gja, familja ime (kryesisht nana Patricia) vendosen me u transferue n’Tiranë.

A mund te na flasesh per tentativat tuaja per tu largue nga Shqiperia?

N’atë kohë njerëzit ishin si të dehun prej idesë per me ikë jashtë … diku n’Prendim! 

Episodi nr. 1: Greqia

Gjate vitit 1991, i lodhun prej jetës pa lidhje t’asaj kohe, vendosa me kalue kufinin pa dokumenta! (Kisha ba provë edhe ma perpara me ikë, por pa rezultat). Kështu, bashkë me dy shokë vendosa me ja mbathë ka Greqija.

Mbasi u sollme maleve per rreth tre dit e tre net, rrugë pa rrugë, ma n’fund arritme n’Greqi. me t’futë mbrendë kamen na kapi policija e cila na shoqnoj në kufi e me nji shtjelm bëthve na kthej mbrapa. Kurrë s’kam për ta harrue këtë aventurë: ishte natë … dhe asnjeni prej nesh nuk ja kishte idenë se ku ishim! Binte nji shi i tmerrshem… e ne tre ecnim rrugë pa rrugë … mas nesh nji lukuni qenësh të egjer na ndiqnin per me na shky! Në nji farë momenti, mes shiut si litarë, shohim nji ksollë t’vetmueme! Mbrenda saj jetonte nji grua Ashkali me nji foshnje. Ajo na strehoj dhe na dha me hanger … Me t’zbardhë drita, u nisem n’drejtim të Tiranës me andrra t’thyeme por me bëthen shëndosh.

Episodi nr. 2: Maqedonia

Me shembjen e shoqërive financjare (si i thoshin n’atë kohë: shoqëritë piramidale), gjithshka u shthur! Njerëzit lajthiten. U armatosen dhe filluan me i gjujtë njeni-tjetrit! Kalonte viti 1997.

Në ato momente rromuje, Gjoni merr dhe m’thot: Mark, merre motren dhe Nanen dhe ik n’Maqedoni te tezja e Nanës, Filomena. I habitun prej rreagimit t’papritun t’Babës, vendosi me u bindë. Kështu marr Nanen, Motren dhe vajzen e tezes që rrinte n’Tiranë dhe nisem drejt kufinit me Malin e Zi!

Kjo, sepse Maqedonija i kishte mbyllë kufijt me ne ndersa Mali i Zi i kishte akoma t’hapuna doganat. Në mal t’zi mbërritme mirë. Na strehuan do shqiptarë. Diten tjeter u nisme per Kosovë. At natë fjetme tek shtëpia e prindërve të Alma Bektashit n’Prishtinë. Diten e dytë u nisme me kalue kufinin nga Maqedonija, por policija Maqedonase na ndaloj dhe poshtersisht na i vulosi pasaportat si persona t’pa dëshiruem. Kështu, ngelem si jetima tek zona neutrale … nderkohë që nata sa vinte e bahej ma e zezë. Në njifarë momenti, shohim të mbyllen kufijt si nga Serbi gjithashtu nga Maqenonasi. I alarmuem i afrohem kufitarit serb i cili më veshtron me dhemshuni dhe më thot: Hajde idi, berzo-berzo. Me tu kthye n’Kosovë, gjetem strehim te nji familje kosovare me shtëpi afer kufirit. Diten e tretë, disa djem kosovarë na ndihmuan me kalue ilegalisht kufinin nepermes pyjeve.

N’Maqedoni na priste Buli, nji mik i burrit të tezes.

Mbas këtyne dy tentativave që lanë nji stampë të hidhun në zemren e artstit, si vendosët me marrë rrugen drejt emigrimit pa kthim? Si e përjetuet këtë rifillim dhe drejtim të ri të jetes tuej?

Kur u ktheva, mbas dy muajsh, e gjeta Shqipninë krejt zhele!

I rrevoltuem prej kësaj gjendjeje dhe në kulm t’merzisë, vendosa të impenjohem për me ikë dhe mos me ja pa ma bojen atij “mut vendi”. Akoma sot m’dhemb zemra kur kujtoj mendimet e mija të zymta t’asaj kohe.

Nji shok i jemi, i cili kishte lidhje me do persona që rrotulloheshin në ambjentet politike të kohës, më ndihmoj për me dalë nga Shqiperia me nji vizë misjonare.

Bashkë me Grupin “RitFolk”, me poetin Ervin Hatibi dhe të tjerë, u nisem per Itali me ftesë nga “Biennale e Torinos” nji organizem “no profit” per promovimin e artistave të rinj të Evropës.

Në Itali dhamë disa koncerte. Gjithshka OK. Por viza ishte vetem per një muaj. Bashkë me mikun tim dhe me grupin e RitFolkut, vendosem me provue fatin në Jug të Italisë mbasi në Jug, miku im kishte disa të njohtun të cilët mendonim se mund të na ndihmonin. Në jug kemi jetue të gjithë së bashku per gadi nji muaj në Martano, nji fshat në Puglia. Por nuk patem mundësi pune mbasi ishim me dokumenta t’skadueme! Atëher Mondi (shoku im) më thotë: Mark, unë jam pergjegjës per çunat e RitFolkut dhe nuk mund ti lë rrugash, prandaj mendoj të kthehemi. Ti si e ke mendjen?

Aty, vendosa të provoj Veriun e Italisë në të cilin kisha qenë tre vite ma parë si mysafir i Jezuitve në Gallarate. Qytet i vogel n’mes të Milanos dhe Varezes. …

ITALIA:

Në Itali isha një askush 27- vjeçar. Fatmirsisht, në vitin 1994 kisha njohtë disa persona italianë dashamirës të muzikës, të cilët u angazhuan për me më ndihmue me qellim që t’mos kthehesha ma mbrapa.

Isha i papunë, i pacak, por gjendesha në prendim! Per mue kjo ishte nji fitore e madhe. Jetosha i ngujuem në studjon e nji Politikani i cili më ndihmonte…

Mbas rregullimit me dokumenta, fillova të kerkoj punë. Por nuk qe e lehtë, mbasi nuk m’shkonte aspak n’mend që mbas gjashtëmbëdhjet vitesh studim muzike dhe pesë vitesh pune profesjonale në Radjo me ndërrue zanat. Kështu, ja fillova nga e para si muzikëtarë mbramjesh defrimi. Punojshe me nji orkester balloje e cila punonte neper sallat dancante të veriut.

Puna fillonte rreth orës 4 apo 5 e mazdites:

Rreth kësaj hapsine kohore, kishim takimin tek pika kryesore ku të gjithë i hypshim furgonit t’orkestres. Nga ora pesë e masdites niseshim n’drejtim të sallës e cila mund t’ishte nji deri në tre orë rrugë larg. Nga ora shtatë/tetë e darkës mbërritshim tek salla. Shkarkonim dhe montonim veglat: rreth nji orë hamall veglash muzikore, podesh, dritash etj.

Mbramja fillonte në 22.00

N’oren 24.00 kishim njizet minuta pushim.

N’oren 00.20 rifillonte ahengu. … deri n’oren 02 e firifiu!

Mbas ores dy t’mjesit zmontojshim veglat, i ngarkonim në furgon dhe i hypshim furgonit per me u kthye mbrapsht. Mbas dy/tre orësh rrugë, furgoni arrinte tek pika fillestare e takimit. Prej aty, sejcili shkonte n’drejtim t’shpis s’vet. … dhe nderkohë ora shkonte tetë e mjesit.

Kjo punë ishte vetem tre ditët e fundit të javës.

Këtë punë e kam ba per rreth pesë vjet, prej vitit 1997 deri në vitin 2001.

Mbas kësaj date, nuk kisha ma deshirë me punue mbasi kjo punë e tmerrshme ma kishte hjekë totalisht deshiren e muzikës. Kështu, vendosa me provue nji rrugë tjeter. Rrugen e Muzikës së lehtë. Fillova të shkoj në ambjente të frekuentuara nga muzikantat e Popit. Aty u njoha me muzikanta të ndryshem. Nga këto njohje linden edhe projekte muzikore interesante per të cilët kam krijue dhe ekzekutue muzikë. Nderkohë, për t’jetue punoja si pianist në një Hotel për dy ditë në javë.

Gjithe këtë perjudhë, xhazi im rrinte trishtueshem i varun n’gozhdë duke pritë dit ma t’mira …

Mbas vitit 2002 fillova të baj pjesë në grupe të ndryshme muzikore. Pikërisht në këtë kohë pata fatin të njoh ambjentet e komunitetit Latin (në sensein e Amerikës Latine). Nga muzikantat kubanë dhe peruvjanë mësova sistemet ritmike që ata perdorin në muziken e tyre. Ky moment perkon me rikthimin e mendjes time tek xhazi i dashtun.

Fillova të luaj me muzikantë të ndryshem, të cilët e vlerësonin mënyren time të lojës në pianoforte: Një perzierje e teknikës klasike me xhaz. Po në këtë kohë u njohta me këngëtarin Pop Fausto Leali per të cilin kam punuar si arranzhator dhe pianist. Më vonë u njoha me Iva Zanicchi (nji tjeter emer i Popit Italian). Por Popi nuk më ka pelqye ndonjiherë, masi per guston teme ai është muzikë teper e thjeshtë, banale. Por n’ate moment kisha nevojë të jashtëzakonshme per me punue dhe punë tjeter ma t’mirë se Popi nuk kisha.

VENEZIA:

Në vitin 2007 nji shok i vjeter Shkodranë, Sokol Prekalori, më merr n’telefon dhe më thot: Mark, a kishte ardhë me i ra karadyzenit n’Venecja? N’atë moment isha pa impenjim, kështu që pranova me dëshitë.

Venecja asht qytet teper interesant aq ma teper kur jeton në te! Të duket vedja sikur je siper në nji anije gjigande. Pjaca e shën Markut asht diçka mahnitëse! Bazilika asht diçka fantastike … thonë se asht ndertue me arin që Venecjanët ja kan grabitë perandoris Osmane nder betejat e kohëve t’kalueme … N’Venecja punova rreth nji vit. Krahas punës per me mbajt veten gjallë dhe me pague taksat, vazhdojshe me u impenjue nga ana e xhazit duke marrë pjesë në festivale Jazz kryesisht në zonen e veriut t’Italis.

A na kishe rrëfye diçka për rrugtimin tand filozofik përgjatë periudhës që përfshin vjetët mbas ikjes nga Shqipnia?

Jeta për ne shqiptarët nuk mund të ishte normale …

Kështu, rruga më çoj drejt “Prendimit t’mrekullueshem” ku me t’vertetë nën qiellin e tij (si thot MiGjeNi) …  diku n’skaj marimanga fatin trillon …!

Në Perendim, pata mundësi me i zgjanue dijet e mija nepermjet literatyrës dhe filozofisë, nepermjet gjithë atyre librave dhe autorëve si Nietzsche, Spengler … Hawking e.tj që në atë kohë kur unë studjova, ishte e pamundun ti lexojshe mbasi ishin literatyrë pothuajse e pa gjindshme në Shqipëri dhe e ndalueme.

Sot në Perendim idetë janë të lira. N’prendim nuk perndiqesh politikisht! N’prendim mësova se sa konfuz isha me idetë e mija mbi realitetin!

Mësova p.sh që “Proletarjati” e ka këtë emer mbasi ka lidhje me termin “Prole” sepse perveq pjellës së vet (pra: Prole), nuk ka tjeter pronë! Kjo gja më bani ma n’fund me ndreqë konceptin e shtrembër që na kishin ngulë me zor n’krye! Pra: diktaturen e pamujtun të nji proletarjati pa brekë m’ëth’! Diktatura asht koncentrimi i forcës drejtuese n’doren e nji fuqije politike apo edhe ma keq, n’doren e nji diktatori. Si rezultat, nji diktat proletar asht totalisht pa asnji lidhje filozofike dhe politike.

Msova që “Partia” si organizim politik, ka lidhje me termin latin: Partítus, që rrjedh prej “Parte” = pjesë apo anë. Pra: me marrë pjesë n’nji parti, d.m.th. me kenë i njianshem. Me perkrahë mendimet e s’majtës, të qendres apo të djthtës! Kjo e vertetë më dha me kuptue që nji shtet nuk mund të drejtohet gjithmonë prej vetem nji force politike, pa degjenerue në tirani dhe shtypje.

Në Perendim mësova që e djathta asht konservatore ndersa e majta asht progresiste! Kjo gja binte n’kundershtim me idetë e mija të formueme si konseguencë reale e të jetuarit në Shipëri si Antikonformist, ku nji pjesë e madhe e intelektualëve të shoqnis Shqiptare ishin kunder rregjimit majtist të E. Hoxhës! Pra ishin të djathtë! Kjo gja më shqetësoj pa masë! Por njikohësisht më mundësoj me korrigjue konceptet e mija rreth spektrit politik.

Në Perendim pashë që shumica e intelektualëve janë progresista gjithashtu kuptova që progresistat e prendimit nuk kanë lidhje me atë t’majten e tmerrshme dhe injorante që kena provue na n’Shqipëri. Kjo e fundit më tronditi jashtzakonisht, mbasi pjesa ma e madhe e ideve të mija si: Lirija e mendimit, barazija e të drejtave dhe detyrave kundrejt shoqëris, të drejtat për sigurimin e punës, asistenca sociale e shumë gjana të tjera, (fut këtu edhe dashnoren teme t’perjetshme: muziken e xhazit), ishin dhe janë ide të perkrahuna nga progresistat dhe jo nga konservatorët!!!

E gjithë kjo, më detyroi me e pa shoqninë me nji sy tjeter. Per t’ja arrit kësaj më duhej të shkelja mbi konceptet e mija. Kjo gja ishte dhunë karrshi vetes! I dëshpëruar nga gjithë ky lamsh i madh, u drejtova tek shkrimet e shejta. … por as këto të fundit nuk i jepnin spjegim pyetjeve t’mija mbasi Feja asht “Dogma” dhe kjo e fundit i jep spjegimet totalisht në mënyrë arbitrare, simbas Legjislatorit të Qiellit i cili presupozohet se i ka shkrue ligjet e veta në koh antidiluviane, (d.m.th. qysh n’kohen e Nuhit), mija vjet ma parë. Spjegimet fetare në kohen moderne që jetojmë vazhdojn t’më duken si muzika “World Music” … e cila pretendon medemek me ba muzikë moderne me akorde t’thjeshta e me fyell, me kavall, me sitar e me loder e tyj ngatrrue tesh e masandej kot noj tingull me sintetizator! Këto tendenca sot jane në modë.

Sidoqoftë, Bibla më hapi nji rrugë të re. Më bani me njoft aspektin politeist që mshehet mbernda saj, si rrjedhojë e influencës së shkrimeve Sumere dhe politeizmit të perendive të Mezopotamisë “Anunnakëve”, e që Bibla i thërret me termet në shumës: “Elohim” dhe “Nefilim”, tyj i ra anash e anash këtij aspekti politeist!

… Pikërisht në këtë perjudhë “leximesh t’shejta” (viti 2009), u nda nga jeta im atë, Gjon Mark Kapidani.

Kjo humbje e tronditi tmerrësisht ekzistencen teme, duke më projektue drejt një mendimi realist anti fetarë ku bota shkon në nji farë mënyre simbas ligjeve të Kazualitetit e jo sepse ndonji Zot i ka shkrue dikund fatin botës, por sepse thjesht ajo ndjek ligjet e gjithësisë dhe entropinë e universit.
Brenda këtij kuadri futet edhe bota me qenjet e veta që jetojnë siper saj. Kështu, më asht krijue idea që per sa i perket historisë së vet, sot njerzimi (falë zbulimeve shkencore) e ka fatin e vet n’dorë, por asht teper injorant e i pa kurrajo per me e kuptue pozitivisht këtë gja!!!

Mbas këtij udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm emocional dhe jo vetëm, duket se ja dolet dhe me sa jemi të informuem keni krijue edhe 2 Disqe profesjonal të Muzikes Xhaz. A mund të na flitni pak për këto 2 disqe?

[Viti 2007 shenon nji kthesë të randësishme në jeten time.]

DISKU “BALKAN PIANO”:

Nga mesi i vitit 2007 më merr në telefon një person që prezentohet si titullari i etiketës diskografike “RED RECORDS” i cili i shtymë prej kureshtjes rreth gjith atyre kulturave që qendrojnë jashta modelit Evropjan, pa nji – pa dy më propozon me regjistrue nji disk me muziken teme!!! Nji vit mbrapa del disku im Balkan Piano. Ky disk asht cilsue nga kritika e xhazit si disk i cili sjell risi në panoramen e xhazit italian dhe asht vlerësue me çmimin “Multiculti” në manifestimin e etiketave muzikore të pavaruna. Nga ky moment e mrapa, aktiviteti im koncertor zmadhohet ndjeshëm. Filloj të luaj gjithandej, si mbrendë si jashta Italisë.

Mbas këtij disku, vendosa mos me lujt ma as edhe nji notë për të tjerët. Tesh e mbrapa do t’luasha vetem muziken teme… dhe nganjiherë edhe Ravel!

Ky i fundit vazhdon të jetë i pranishem në jeten teme muzikore.

Viti 2009 ngelet momenti ma i trishtë i jetes teme, ai i ndarjes pergjithmonë me Baben, dhe shpresoj të mos trishtohem ma kaq randë. Normalisht që njerëzit trishtohen kur ndahen nga të dashtunit, kjajnë të dëshpëruar dhe nganjiherë sëmuren edhe nga mendja. Sidoqoftë, shpresoj t’mos idhnohem ma në mënyrë tmerrësisht kaq ekstreme … Jeta vazhdon. …

DISKU “BALKAN BOP”

Ky disk perfshin në njifarë mënyre tendencat e mija aktuale rreth muzikës: këtë jazz do ta krahasojsha me nji anije e cila lundron shkathët nëper ujna internacjonale, dhe tek-tuk i afrohet dheut dhe ndalet tek ndonji port. Nji anije mes antikes dhe modernes. Nji anije me vela në skafin e së cilës gjendet i mshehun edhe nji motorr modern me turbinë. Po mundohem ta spjegoj ma n’detaj këtë aspekt në lidhje me vetë xhazin. Xhazi lind si kombinim kulturash. Ky fenomen i perzimjes së kulturave e merr emrin: MELTING POT”, shqip, d.m.th (PIKA E SHKRIMJES). N’këtë kandveshtrim xhazi jem asht nji kombinim i bebop-it dhe atmosferës së Swing-ut nord/amerikan bashkue me pulsin e Klaves Kubane dhe me groov-in e basit i cili luan në mënyrën “Tumbao”, stil latino/amerikan. Mbi këtë shtresë muzikorë imagjinare, unë kombinoj ritmet dhe motivet ballkanike per të krijue xhazin tim. Gjatë gjithë kësaj pune, gjuha harmonike ngelet thellësisht ajo e xhazit. Tek ky disk gjendet edhe nji pjesë “Ballad” kushtue Babës tem me titull: “I Remember My Dad”. Ky disk asht pritë shumë mirë nga kritika dhe asht recensue në shumë revista të specjalizueme të xhazit.

Aktualisht, ku dhe si lundron e përditshmja e Makelianit? Po e ardhmja?

Sikur këto vitet e fundit t’mos kisha pasë qetësinë e duhur familjare, me siguri që nuk do kisha mujtë me arritë me realizue muziken teme!

Aktualisht jetoj mes Italisë dhe Zvicres. Jeta jeme “normale” (po qe se kështu mund ta quajmë), asht teper e thjeshtë dhe e qetë. Studjoj pianoforte dhe shkruaj muzikë. Gjatë periudhës së Verës merrem me koncerte dhe me festivale Jazz. Bashkëshortja ime mes punës së saj, merret edhe me rregullimin burokratik/fiskal të koncerteve të mia. Me xhaz nuk fitohet ekonomikisht kushedi se çfarë! Me Pop ose me Rok do t’kisha fitue jashtzakonisht ma shumë!

Kur bjen fjala per anen ekonomike të xhezistit, thonë që: ndryshimi mes muzikantit xhaz dhe atij pop/rok qëndron në faktin se: ndërsa xhazisti rropatet me qindra akorde e me pasazhe t’vështira e “t’ngatërrueme” per të fitue n’fund t’fundit “dy pare spec”, një Pop/Rokist me dy akorde e me dy pasazhe muzikore banale fiton paren e dyrnjasë!!! Kjo asht Ironia e jetës së muzikantit jazz! Kjo gja asht konseguenca e shijeve të masave sot … e cila nuk ka t’bajm fort me muziken jazz apo rock e me stile tjera se sa me ç’edukimin masiv nepermjet programeve “TRASH” (apo plehëra) të televizjonit të sotem. Dikur, publiku i koncerteve Klasike apo Xhaz ishte i mbushun me persona të cliët shkonin të informuar muzikalisht neper koncerte per me ngelë të mahnitun prej muzikantit dhe muzikës së tij si dhe prej teknikës që ai dispononte n’zë apo n’instrument … ndersa sot shkohet neper koncertet masive Pop/Rok mbasi publiku njehsohet menjiherë me muzikantin që luan mbi skenë sepse muzika e tij asht kaq banale saqë gjithkush e kupton pa pasë nevoje per një parapregatitje kulturore. Kjo aktualisht asht gjendja e pergjithshme e tendencave të biznesit muzikor n’botë.

Sidoqoftë, unë jam i lumtur sepse baj muziken teme dhe nuk lejoj ma kërkend me i futë hundët në punët e mija. Tek-tuk sa për zanat merrem me ndonji arranzhim apo orkestrim per orkester, Big Band apo formacjon tjeter muzikorë. Jap edhe mësim improvizimi privatisht në shtëpi.
Vazhdoj të shkruaj edhe muzikë bashkohore por akoma nuk e kam perhapë per tu luajt nga instrumentistat e muzikës klasike.

Njëherë në vit andej nga fundi jap zakonisht nji koncert me muzikë klasike … sa per me kujtue t’kaluemen teme muzikore. Kjo gja po ngjet këto vitet e fundit. …

Aktualisht po përgatitem me ba regjistrime të reja. Kam edhe nji anderr t’mshehun në syzë kundrejt nji kompozitorit Rus të shekullit XX, i cili ka shkrue do faqe t’mrekullueshme për piano …  . .   .

Ndersa per t’ardhmen:

E ardhmja e jeme, në nji kandveshtrimin universal asht n’dorë të kazualitetit. Jam si pika e ujit n’nji lum. Në nji kandveshtrim shum ma t’ngushtë, (per aq pak sa nji muzikant i thjeshtë si puna e jeme mund ta influencojn jeten), me siguri që kam për të vazhdue me shkrue muzikë e me luejt xhaz e me u knaqë me shoqnin teme e me muziken teme kudo që të ndodhem. Kjo gja varet prej meje dhe publikut tem.

Për të ardhmen në nji kandveshtrim global, kam mendimin se:

“Të ardhmen në Planetin Tokë (hiq kataklizmat) e ka n’dorë njerzimi!” Shpresoj që nderkohë shtresat elitare që drejtojnë njerzimin, të kenë mësue me hjekë dorë prej gabimeve të cilat Historija na i sjell në kujtesë nepermjet kronikave … Sa ma shumë që njerëzit t’arrijn me e kuptue pozitivisht rolin qendrorë të shkencës, të vënë në sherbim të shoqërisë moderne në lidhje me zgjidhjen e problemeve energjitike globale dhe mbrojtjen e ambjentit ku ne jetojmë, aq ma shumë do jemi t’projektuem drejt nji t’ardhmes ku perfundimisht t’sundojnë paqja dhe mirkuptimi mes njerezve. … ndoshta Utopi …

… sidoqoftë, ky asht mendimi im personal.

___

Markelian Kapidani