Interviste me Olta Doklen

Time posted: Saturday, October 10th, 2015 6:28 am

Share on Facebook277Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
12092157_10207871825893876_891661603_n

Fotografia – © Armand Habazaj per “Living”

Interviste me Olta Doklen

Shkolla juej fillore?

Shkolla Ushtrimore “7 Nëntori”…Ruej kujtime të gjalla e aq të kandshme për godinën vetë, dhe gjithë cka ka përmbajtë mbrenda e rreth sajë.

Shkollën e kam dashtë gjithmonë shumë, mëngjezin mezi e pritsha. Hala i kam në hundë, aromat e cantës, librave, mbështjellseve të librave, fletoreve, lapsit, stilolapsit me sustë, bankave të zeza, shkumësit në drrasë të zezë, bukës në çantë… Hala e due!

Prindërit e mi e kishin të vështirë me më nxjerrë prej dhomet, për me hangër përshembull, sinqerisht që nuk i ndigjosha kur më thirrshin, zhytë në mësime, detyra, libra e vizatime.

Kur patën fillue me ikë dritat, mue rregullisht më merrshin flakë balluket prej qirit (me lot qeshi kur e kujtoj).

Më tregojnë shpesh, se mësuesja jeme e parë, Atlete Dizdari, hala më përmendë.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?

-Prapaskenat, aty jam rritë, jam ushqy me pluhun dekoresh e garderobash të randa, sa në dhomë të ndërrimit, sa te grimiori, sa mbas perdes së trashë bojë-vishnje, gjithmonë rrethu me njerëz, në sytë e mi e sidomos atëherë, të mëdhenj e fort të bukur… Kur për ndonji arsye që hiç nuk më ka interesu me mbajtë mend, u donte me ndejtë në shpi me gjyshen a ku po di unë me kë, e qasha dritaren me lot, atë dritaren prej ka u dukshin prindt e mi tu u largue…gjithmonë shkojshin e vishin bashkë.

-Skenat e festivaleve dhe aktiviteteve për femijë, ku nuk kam mungu, se pluhni me shijonte njisoj edhe aty…

Vargu i udhëtimeve e turneve të shumta me familjen, larmija e “të ndryshmeve” që thithsha pa u kursye, derisa asgja nuk ishte ma aq “e ndryshme”. Një pasuni qe kurr s’mund t’ja shlyj prindve të mi, e që  ja ka vlejtë edhe torturat e erës së barutit të shkrepses, që ma binte stomakun në fyt, ndërsa unë bashkë me motrën e vogël rrishim zakonisht të uluna, mbi motorr të autobuzit. Po, atëherë duhani pihesh mbrenda në autobuz e ndizesh me shkrepëse, dhe motorri ishte mbrendë. Gjithmonë kam preferu trenin edhe pse ktij të fundit, m’ashtë dashtë përherë me i hypë ka dritarja.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?

Ma të mirët në çfarë kategorie, të randë apo të lehtë? 🙂
Gjithsesi, ma të mirët janë ata që “ma dijnë zotin”, ma dojnë fort shpirtin, e ma tolerojnë (sepse ma lexojnë drejt) “ashpërsinë” e ndonjihershme të mendjes teme të bardhë.

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?

Për t’bardhë a t’zezë teme, m’ashtë dashtë me e kuptue para se me kuptue se teknikisht, jam në fakt fëmi. Përballje fort e padëshirueme fizike, nga ato për të cilat thojnë, “hapju derën” ose “ta ka çu zoti”… Luftë me tokën nën kambë, shenjat e të cilës janë pjesë e pandame e jemja deri të jem, ngase nuk e di si e cka asht, me mu mungue dhimba e tyne.

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?

Adoleshenca shqiptare e brezit tem ka të vecanta historike si fillim. Asht nji adoleshencë e trazueme, herë-herë e mëdyshtë, në gjendje tranzite, me ndryshimin e sistemit dhe përshtatjet e rrufeshme, me shpërthime të tipit “me presh” aty ku nuk e ka vendin, në eksplorim kaotik të kuptimit të demokracisë e lirisë dhe  ktë vetëm parimisht, se përgjegjësitë respektive zakonisht eksplorohen nji etapë ma andej në jetë…

Mbrenda kësaj rrëmuje, vitet e mija adoleshente, në vecanti, janë sa rrebele aq edhe te paqta. Në qendër të tyne asht shoqnia jeme, ajo që mbetet e fildishtë e s’ka perendi qe ja oksidon shkëlqimin…se bashkë jena mbajtë për vlera, shije e filozofi, që nuk na kanë lshue kurrë ma, dita ishte vit.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?

Me u pëlqye në brumë, pikë së pari… e nëse kjo asht mbrritë:
Me kuptue para se me kërkue me u kuptue.
Me konsiderue, para se me kërkue me u konsiderue.
Me vlerësue, para se me kërkue me u vlerësue.
Me kenë mirënjohës para se me kërkue me t’u tregue mirënjohës.
Me tolerue, para se me kërku me u tolerue.
Me dhanë e me mik-pritë sinqeritet dashamirës.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?

Baba jem gjithmonë na ka mësue, se familja asht si një lule e brishtë, që kërkon me e ujitë me ujë të pastër e të freskët rregullisht, me ja prashitë plehun, me ja zhgulë barnat e kqija, me ja ndrrue kajherë edhe dheun e ndoshta edhe saksinë, me e vu aty ku i bjen dielli, me e ledhatue e me i folë, mos me u dorzue kurrë, e mos me e lanë me ju varë kryet, mos me e lanë me u tha a vyshkë, por me e pa tu u rritë, tu çelë gonxhe të reja…asht lulja jote, në duert e tuja, në fillim në 4 duer, pastaj ne 6, e me rradhë n’sa dhaftë zoti.

Frika juej e të kenunit prind?

Frikat zakonisht përmbajnë elementin “po sikur?”, e në ktë kuadër unë pikpyetem kajherë si përshembull: Po sikur diçka që une sot e mendoj me bindje si ma të mirën per fëminë tem, të rezultojë nesër si  e pa-dobishme ose edhe ma keq, si e damshme?!

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?

Kur u largova nga çerdhja e parë.
Kur zgjodha e vendosa me kë me kalu jetën deri në mbarim.
Kur u bana nanë.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?

Ah, ku me e marre me kenë tri, sa ma rehat kisha kenë… 😀
Po unë s’mund të baj: pa familjen teme, pa shokun tem të ngushtë…dashninë e parë, pa vajzën, pa njerëz, pa diell, pa det, pa art, pa estetikë, pa ngjyra, pa cokollatë, pa punue me duer, pa shkrue, pa lexue, pa folë, pa thanë të vërtetën, pa dhanë mendimin tem, pa jastek të rehatshëm, pa parfum, pa fshesë me korrent e pa pecë pluhnash…ka punë puna. 😉

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?

…me tradhtue.
…me lëndue.
…me privue.

Lufta e jetës tuej?

Me Oltën, për ma të mirën e të mirës së mirës së mundshme.

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë?

Me mbjelle e rrite lulen teme te familjes, me shokun tem të ngushë të fëminisë.

Arritja juej ma e madhe?

…do të jetë kur të mbijetoj largësinë dhe mallin, për nanë, babë, motër e vlla, e kur të mësoj me jetu me to.

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?

Sens dhe emnues të përbashkët etike, morali dhe integriteti!

…mendoj se nëse nji person beson se ai ka vetëm dy zgjedhje; me fitue duke ba të pamujtunën edhe nëse kjo asht jo-etike, ose me iu përmbajtë etikës dhe me humbë, atëherë ai asht përballë me nji dilemë të vërtetë etike, morali dhe integriteti. Shumica e njerëzve nuk kanë dëshirë me kenë të pandershëm, por askush në të njajtën kohë nuk dëshiron me humbë, ndërkohë shumë njerëz besojnë se duke rrokë etikën, do ta limitonin vedin dhe aftësite e tyne drejt suksesit, në çdo aspekt. Si rrjedhoje shumë njerëz zgjedhin me u marrë me të tilla situata thjeshtë duke ba atë çka asht e drejtë në nji moment të caktuem, sipas rrethanave të tyne të atij momenti, por rezultati s’mund të jetë veçse nji kaos etik.

Gjithkush ka standartet e veta, të cilat ndryshojnë nga situata në situatë, e në qoftë se me mendjelehtësi, konkludojmë se etika asht thjeshtë një çështje personale, dhe se sistemi vlerësues i çdo individi civil apo juridik, meriton me gëzue të njajtat të drejta, vleresime dhe respekt, pamvarësisht nga përmbajtja e besimeve apo bindjeve të tyne, atëherë nuk kena asnjë bazë legjitime për me ba dallim midis Sadam Husein dhe Nanë Terezes pasi të dy kanë jetue e veprue tue mbrritë standartet e tyne vetiake.

Kur njëriu asht i pajisun me një sens të shëndoshë e të mirë mbi atë se si ai dëshiron me u trajtue, me dinjitet, respekt, mirëkuptim dhe besim, atëherë ai mundet me kuptue se si me trajtue tjetrin.

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?

Atë çka nuk kanë, si dhe ma shumë prej asajë çka kanë.

Çka ju ban krenar ma së shumti?

ADN-ja

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?

Ajo qe ma ka ba kryet,  më thotë: “Ehuuuuuu dhe ti moj Olta, ja bën si ajo që tha,-Të bëhesha nuse edhe njëherë, pa dija unë se si nusëroja”.

Kam tendenca perfeksioniste e pendimi asht nji ndër nyjet me të cilat kjo tendence manifestohet, e pra pendimin ndaj çka mund të përsëritet e shof si kumbonë për përmirësim dhe e aktivizoj si të tillë se progresin e kam të nevojshëm, kurse pendimin ndaj çka herë te dytë nuk mund të ketë e bluj disi, e mundohem me e ç’vendosë e me ushtru “pësimin në mësim” në situata të ngjashme.
Ndërsa pendimin e pranoj si shkallë ngjitjeje, ndryshue s’kisha asgja!
Besoj ne reaksionin zinxhir, shkak-pasojë, e në kët varg janë shumë e shumë hallkat prej të cilave, për asgja në botë, nuk kisha hekë dorë.

Mirnjohja juej ma e thellë?

Ndaj prindve të mi, që me ngritën në kambë e nuk u dorzunë, që më gatuen me merak e durim të pa-shoq, që nuk u ndalën para asnji dhimbjeje e asnji vështirësie e as para drynave të kohës së tyne, për me na kursye mue dhe motrës e vllaut tem, brenga e ngushtësi shpirti. Kurrë nuk do t’mundem me ja shpërblye sakrificat që te dy kan ba, për me mbajtë familjen të fortë e të lidhun ndërsa kanë shkëlqye në profesionet e tyne aq kërkuese. Më kanë mësu drejtësinë, ndershmërinë, pastërtinë e komunikimin e frutshëm. Më kanë tregu ça asht dashnia dhe vlera e familjes. MIrënjohja jeme për ta, ka me gjallnue në trashëgimin e gjithçkasë që ata më kanë dhanë e vazhdojnë me dhanë.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?

Unë do t’i drejtohem anëtarëve të PerShkodren e jo stafit: – Mos e leni kandilin pa voj, e mos e harroni në ballkon, se në Shkodër bjen shi shpesh. 😉