Intervistë me Paolo Muner

Time posted: Wednesday, October 14th, 2015 1:16 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Pa Mu

Paolo Muner

Intervistë me Paolo Muner – perktheu Fioralba Duma

Parathënie: Kërkoj falje që tani në qoftë se disa nga përgjigjet e mia, për të qenë të vërteta, do të përmbajnë ndonjë referim jo gjithmonë të kuptueshëm nga një lexues shkodran, apo shqiptar, por do mundohem të jem sa më i qartë.

Shkolla juej fillore?

Në Trieste, në qytetin tim të lindjes, kam ndjekur shkollën fillore “Ruggero Manna”. Sot e kujtoj atë shkollë për një veçori: pranë saj u ngrit një “kamp i madh refugjatësh” për italianët e detyruar t’i largohen spastrimit etnik të jugosllavëve, që sapo kishin pushtuar Istrian (në vitin 1950), kështu që, në çdo klasë ishin strehuar disa fëmijë “të mërguar”, me të cilët kam pasur qasjen e parë me dramën e Eksodit. Pikërisht për këtë arsye ka lindur dhe është rritur tek unë interesi për çështjet kufitare, i njëjti interes i cili, shumë vite më vonë, më ka shtyrë të interesohem për historinë e Shkodrës.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?

Është shumë i rrallë fakti që më duhet të mendohem; mund të jetë dhe vetë kjo një përgjigje. Megjithatë, kujtoj se, në shtëpinë ku kam lindur, kishte një pemë palme (mjaft e rrallë në Trieste për shkak të motit të ftohtë); unë vija në kokë një kapele koloniale që kishte qenë e gjyshit dhe, nën pemën e palmës, bëja sikur isha në Afrikë; një rrjetë e ndante kopshtin tonë nga ai i vilës përbri, ku ishte një vajzë e vogël – kroate – me emrin Klareta, ndoshta dashuriçka ime e parë, edhe ajo bënte pjesë e “Afrikës time”.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?

Gustavo A., një vit më i madh se unë, jetonte në një vilë me kopsht, përballë shtëpisë sime. Edhe kjo ishte një familje refugjatësh nga Istria, të pasur, por që kishin humbur gjithçka përveç vilës së Triestes, që – si të vetmin mjet jetese – e kishin lëshuar me qera gati të gjithën, duke lënë për nevojat e tyre një pjesë krejt të vogël. Por kopshti ishte i tëri për ne, dhe na dukej një park i mrekullueshëm. Me të kam ndarë së pari argëtime prej fëmijësh dhe pastaj prej adoleshentësh: lojërat kukafshehti në kopsht me të dhe motrat e tij, gështenjat e egra me të cilat gjuanim zonjat e moshuara që kalonin rrugës, shahu dhe pokeri, biçikleta dhe motori (i tij), kredhjet në det, të dashurat e para, muzika rok, që ai e përvetësonte me zor nga unë, që isha një ekspert i vërtetë, dhe prapë, kujtimet e tij të Eksodit, por të përftuara në një nivel më të pjekur. Si një vit më i madh se unë, u nis për shërbimin ushtarak një vit para, kështu që kur u kthye në shtëpi me uniformën e Marinës Ushtarake, ja hëngra me sy, pa përfytyruar që, pastaj, për 40 vjet, do të bëhej “lëkura ime e dytë”. Ishte e thënë që kur do të martohesha, disa vite më pas, në cepin tjetër të Italisë (Sardenja), ai të punonte atje, e prandaj ka qenë dëshmitar në dasëm. Gjithmonë si një vit më i madh, Gustavo ka ikur tashmë, dhe tani pres të vijë çasti im.

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?

Njësoj si nr. 2; por tani e kuptoj pse, gruaja ime, në ëmbëlsinë e saj, ka zakon të thotë “ti ke lindur i vjetër!” Edhe pse ka edhe ndonjë që më thotë se jam fëmijë!

E veçanta e viteve tueja të adoleshencës?

T’i rikujtoj sot, vitet e tetëvjeçares (11-14 vjeç), sepse krejtësisht mendjelehtë. Jo gëzime të mëdha, por as dhimbje.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?

T’i thuash njëri tjetrit gjithnjë, gjithçka, edhe kur mund të duket e pakëndshme.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?

Besoj të kapërdish dhe të dish të bësh hapa prapa. Besoj, sepse vërtetimi është i vështirë dhe nuk ka përfunduar.

Frika juej e të kenunit prind?

Kur nuk e ndjen “hapësirën” midis brezave; kur e ke kuptuar, mbase është tepër vonë.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?

  1. Dashuria e parë e përfunduar keq, pas tepër vitesh.
  2. Shpëtimi i parë në det, në fillim të shërbimit në Rojet Bregdetare, që zgjati edhe 40 vjet të tjera.
  3. Një udhëtim në Sardenjë (ku më pas u martova) që duhej të zgjaste vetëm 15 ditë.
    Dhe siç e thamë në pikën “0”, më takon mundësia e katërt, pra: 4. Natyrisht misionet e mia në Shqipëri!

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?
1. Muzika.
2. Qetësia.
3. Bacardi Breezer me shije Ruby Grapefruit.

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?
1. Të veprosh rrëmbimthi; për shembull – në Internet – të shkruash vetvetiu atë që të kalon në mendje në atë çast, dhe – me një klik – të bësh dëme të pariparueshme; 2. Të flasësh tepër; 3. Të dëgjosh Gigi D’Alession.

Lufta e jetës tuej?

Kundër vetes time, por ka qenë një luftë e humbur që në fillim!

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë?

Në 60 vitet e mia të para vendimet e rëndësishme kanë qenë gati të gjitha të detyruara, ose të paktën të lidhura me gjykimin e shëndoshë. Pastaj, pas daljes në pension, në vend që të jepem pas kopshtarisë ose bricolage-it, ose të “mjaftohem” duke bërë “vetëm” gjyshin, kam vendosur t’i përkushtohem studimit të historisë shqiptare, pa përfytyruar aspak se ku do të më çonte kjo.

Arritja juej ma e madhe?

Flasim vetëm nga pikëpamja profesionale. Më 14 Maj të këtij viti, pasi kam studiuar historinë e Shkodrës për më shumë se dhjetë vjet, pa shkuar gati kurrë atje, kam prezantuar, më në fund, librin tim të fundit “Shpnésa e Schypeniis (Shqiptarë të Trieshtit)” (shqipëruar nga Albana Nexhipi, Botime Jozef, Durrës, 2015), që me të drejtë mund të titullohej “Shkodranë të Triestes”, në selinë e konsullatës italiane në Shkodër, një pallat ku ka ndodhur Historia, e ku kam qenë shumë herë me fantazi, me hulumtime dhe me shkrimet e mia.

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?

Paqe dhe një shpërndarje më të barabartë të pasurisë.

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?

Duhet të pranojmë se një lloj i caktuar përparimi (industrial, ekonomik, teknologjik) ka “prishur” fatkeqësisht njerëzit, dhe – prandaj – edhe dëshirat e tyre janë shpesh të shtrembëruara, ose të paktën larg vlerave universale të vendosura ndër shekuj. Ndoshta “kriza” ekonomike dhe luftat e shumta që e mundojnë botën (edhe shumë afër nesh) do t’i çojë sërish të dëshirojnë mbi të gjitha paqe dhe punë.

Çka ju ban krenar ma së shumti?

Përveç arritjeve familjare, nga fëmijët dhe nipërit, e konsideroj jetën time të ndarë në dy pjesë (sikur të ishin “dy jetë”): 40 vitet e para, në Rojen Bregdetare Italiane, dhe 12 të tjerat, në/për Shqipëri. Meqë jemi në PërShkodren, këtu do t’Ju përgjigjem vetëm rreth së dytës. Në Marsin e kaluar, në vetëm tre ditë, kam parë të dalin, nga makinat e Botimeve Jozef të Durrësit, kopjet e para të dy (them DY) librave të mi (përkatësisht librat e mi të dytë dhe të tretë mbi historinë shqiptare), prandaj kam menduar: “Je gati 71 vjeç, por nuk je ende i mbaruar!”.

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?

Ajo që nuk ka vajtur mbarë në martesën time, e cila megjithatë ende zgjat 43 vjet.

Mirnjohja juej ma e thellë?

114

10 tetor 1992

Këtu do të flas për jetën time të parë: Durrës, sot e 23 vite më parë, mëngjesin e 10 tetorit të vitit 1992 (në mbrëmje do të kthehesha në Itali, në fund të misionit tim të parë në Shqipëri). Marinarët (atëherë të gjithë me shërbim ushtarak të detyrueshëm) kishin shkruar, në një parrullë të sajuar nga një mbulesë tavoline prej letre, “Komandant Muner, do të mbetesh në zemrat tona”, dhe e kanë ngjitur në një “Konteiner” banimi të Kampit tonë Bazë (Grupi i 22-të Detar italian në Shqipëri), nga ana e jashtme, drejt rrugës; gjithë njerëzit që kanë kaluar nëpërmjet portit të Durrësit atë ditë, kanë mundur ta lexojnë. Kam pasur, në 40 vite, çmime të tjera të rëndësishme zyrtare dhe nderime, italiane dhe të huaja, për shërbimin tim, por ka qenë asgjë në krahasim me atë mbulesë letre, sepse ishte shkruar nga gjyqtarët më të rëndësishëm: Burrat që më ishin besuar.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?

Ditën e parë kur pata nderin të mirëpritem në mesin tuaj ju thashë që Shkodra është “qyteti im i shpirtit”! Por sot që shoh edhe emrat e lexoj intervistat e anëtarëve të tjerë, bashkëshoqërues në këtë nismë njohjeje të anasjelltë, ndihem akoma më i vetëdijshëm ndaj privilegjit dhe nderit të jem pjesë, në njëfarë mënyre, e këtij qyteti fisnik!

Si anëtar i huaj, pra “mysafir”, besoj të kem të drejtën e një përgjigjeje më shumë, për të falenderuar përzemërsisht Fioralba Dumën, të cilën me dashamirësi e kam zakon ta quaj “përkthyesja ime nr.3”, duke qenë dyfish gabim, edhe sepse ajo nuk është aspak “e imja”, edhe sepse numri 3, që i ka qëlluar vetëm sipas renditjes numerike, nuk ia jep hakun, sepse, qoftë edhe vetëm për gatishmërinë e saj, është absolutisht Numër Një! Faleminderit shumë Fioralba! Dhe një faleminderit të ngrohtë gjithë Grupit PerShkodren!