Interviste me Rauf Xhyherin

Time posted: Thursday, September 17th, 2015 4:55 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

RaufInterviste me Rauf Xhyheri

Shkolla juej fillore?

Shkolla ime fillore ka kene “Vojo Kushi” E kam fillue ne vitin 1953. Tashti kjo ndertese nuk ekziston. Ne teritorin e saj u ndertue Hotel Rozafa. Mesuesja ime e pare, ka qene Vangjeli Shoshi, me vone sipas klasave, mesuese me mbiemer Shala, ne klasen e trete Vasfija dhe ne klasen e katert shume e talentuemja zonjushe Gita. I kujtoj shoket e bankes te klases se pare. Ne klase kam patun Kolec Traboinin. Me Kolen kam mbarue edhe Shkollen e mesme. Kolecin e mbaj mend te vogel, si nje top futbolli, me ecje kryenalte, qe e manisfeston edhe sot. Genet e malesorit i trashigon ne perfeksion, pervec gegnishtes, qe me duket e ka “harrue”.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

Ne fminine time i ruej si relike disa kujtime, qe ndoshta kane kene shtysa per nje adolishence me shume ngjyra dhe ne vecanti jo rastesore. Ne moshen 3 vjec, kam fillue me shkue ne Kopshtin Ditor (viti 1949-1950) i cili ishte ne shtepine e Boricve, dikur afer me Bajen e Vogel. Edukatore ka qene Vehibe Hoxha. Parruca ne ato vite, ishte qyteti im. Lagje me shume histori. Ne moshen 8 vjecare, kam frekuentue Shtepine i Pionierit. Shkojshe dite per dite, ndonse pak larg, nga Parruca ne Gjuadol. Kam marre pjese ne melodramen “Miqte e Pyllit” me tekst te Gjosha Qarkagjise dhe kompozitor Tonin Harapi. Une isha veshe si lepur, dhe mbaj mend se kori kendonte “ O Yll ku je, ku na ke tretun, ……….etj, E nana yte me lot ne sy, vajton per ty. Ne moshen 11 vjecare, te Bibloteka e qytetit, kam marre disinktivin “Miqte e Librit “ nga Teufik Gjyli, me recensionin e librit,”Udhet e Velanit”. Ne at salle magjepse per ne, Mesuesi Teufik Gjyli na lexonte pjese nga Aventurat e Tom Soyerit, Hekelber Finit, dhe na bante te jetonin ne boten e andrave te feminise. Pasi mbarova klasen e 6 te shkolles “7 Nendori” Zdrale, klasen e 7 e kam ba tek Gjimnazi i Shkodres dhe vitin tjeter, fillova Gjimnazin.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?            

Shoku im ma mire, ne femini, ne rini dhe tani qe po shkruej, asht Qazim Kurti. Jemi rrite bashke. Edhe sot kur flitet per te, motrat e mija me pyesin. E ke takue Qazim Shpirtin. Ne shkollen fillore dhe shtatvjecare, Tasim Saracin, Mamir Vasilin dhe vllaznit binjake, Gani dhe Fejzi Lahi. Ne shkollen e Mesme dhe tashti , Bajram Kruja dhe Ymer Kacerja. Nuk jemi nda asnjehere. Bajrami, kishte nje za te mrekullueshem, dhe kujtoj me nostalgji kur lendonte Modugnon “Un, uomo in frak, “, Ymeri, me dhunti te vecanta ne kaligrafi. Cek Gargjola, se bashku me te ndjerin Paulin Selimi dhe Fric Fistanin, kemi nda diskutime shume here te rezikshme. Ceku, ishte absolut ne historine e kangetarve te huaj, bile edhe gjate viteve te universitetit, kur mblidheshim tek kafja Flora (jashte saj) ishte i padiskutueshem ne kujtesen e melodive te kangeve, kangetarve dhe viteve kur ishte lancue ajo kange. Nuk mund te la pa permende, Nexhat Grezden dhe Agim Hallunin, shoke universiteti. Kolege, e tash kur vij ne Shkoder, bahemi tre Musketjeret Pa tjeter, nje shok dhe mik i imi ka qene dhe mbetet Ymer Bala, Kemi kaluie bashke 3 vite ne Shtepine e Pionierit, vitet 57-60. Kam vazhdue miqesine e shoqerine ne universitet. Kur Ymeri mori dipllomen jena mbledhe shume shkodrane, dhe dikush nga ne i ka dhane nje tube me lule. Ne vajza, shoqja ime e ngushte, qe ne femini e deri sa pati jeten, ka qene Valdet Meta.

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

Kur rrijshe perballe pasqyres, tue krehe floket, bile edhe i lyejshe me brilantine. Xhirot ne Pijace, te shtunden e te dielen. Bisedat deri vone me shoket ne krye te rrugices.

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Ne adolishence, mbeten kujtimet ma te bukura.Kujtoj, mbramjet ne klubin e Xhemes, ish Klubi Herojt e Vigut. Aty jane ba bisedat e para imtime per simpatite dhe dashurite e para virtuale. Jane ndigjue kanget italiane te kendueme nga Vitor Jubani dhe Bert Shala, diku ne nje qoshe te salles. Sanremon e kam ndjeke te shpia e Bajram Krujes, dhe kam ndjere keqardhje kur nuk fitoj kanga “Libero” Ne parruce, zakonisht mbasi mbaronin pashket ose Bajrami, bahej nje lloja kampionati ne pikjen e vezeve. Per aq sa mbaj mend, kampion i pervitshem ishte Tenori i Talentuem Hysen Kocija, qe thirrej Cen voeja, Adolishenca ime asht e lidhun me Parrucen. Jam rrite dhe kam ndryshue me ndryshimin e saj. Parruca e Hasan Kamberit, furrtarit me kambe kepuce 51, qe mbante dimen vere nalla. Vllaznit Hasa, arkaxhij, Perime shites, Visho Barbullushi, Kafe e Pijetore, Shaban Ura, Mejhanja e Katrines (qe une e kam shume per zemer dhe shpesh vecoj per te vargje ne poezite e mija, Qeleshe punues, Grezdet, Kafja e Licit, Berberhana, Hyse Bordollaku e Isa Berberi, Parruca me tri truma. Parruca me rruge blijsh, me Prefekture, avokate, me Gjimnaz e Pedagogjike. Eh sa shume ka me fole per parrucen.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Miqesia e vertete; Pa interesa, e lidhun qe ne femini, ,ciltersia,besnikria.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Harmonia, e verteta dhe pergjegjesia.

Frika juej e të kenunit prind?    

Me ka shoqerue vazhdimisht. Tash jam gjysh, e ndjej te njeten frike per mbesat, si per femijet e mij.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Ne vitin 1964, kam marre maturen. Tek hekrat e oborrit te Gjimnazit, kena kene tue pi cigare me Bajram Krujen. Na ka gjete baba, dhe e kena trete cigaren. Nuk na tha gja. Nxorri 20 leke, dhe me tha blej nji pakete partizan. Ne vitin 1970, isha ne pune dhe me takon Ymer Bala, athere aktor ne Teatrin Migjeni. Vihej ne skene nje drame (ndoshta nuk e kujtoj mire titullin e drames) “Djemte e nanes Karar”. Meqenese nga shtati dhe paraqitja e jashteme ishim me Ymerin si dy vllezer, Ymeri i tha regjizorit se e gjej une vllaun. Me kujtohet se gjeta aktoret duke ba provat dhe me dhane edhe mue libretin. At dite ndejta, por ne nesre shkova te Ymeri dhe i kerkova falje se nuk mund te vazhdoj rolin. Ne ate kohe punojshe si llogaritar ne NTLAP. Ne vitin 1982, ne nje fshat te Dukagjinit, me ka lane mbrese vdekja e nje nuse lehone. Ne dhomen me oxhak, po fikej dalngadale e semura, ndersa ne kthinen tjeter, gjyshja e foshnjes perkunde djepin. Jashte ne oborr burri, pinte cigare. Kur lindi dielli, shpirtin e saj e kishte marre qielli. Ishte pranvere, kishin cele vjollcat e para.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?

Familjen, shoqerine dhe vrapimin e perditshem.  

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?

Mos me vra. Mos me rrejte, me i ra ne qafe dikujt pa te drejte.

Lufta e jetës tuej?

Lufta. Mendoj se pyetjes duhet ti hiqesh fjala ”lufte” (sugjerim). Ne jete kam luftue me perkushtimin ndaj punes, me profesionin tim, ekonomist. Kam punue per 18 vjesht rresht pa ndryshue, tavolinen, karriken, dhomen (kur futesh tek Bashkia, dera e pare ne krah te djathte kur merr shkallen per mu ngjite ne katin e dyte, dhe stufen ku thekej buka. Ne kete vend pune, kam njohe Shkodren dhe shkodranet. Kafen e kam pi tek Kafja Rinia, me shoket, Fatmir Hoti, Luigj Tarri, Naz Behri, Qemal Dekovi, pa mungue asnji dite, pa tjeter me fernet.               

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Ne jete merren shume vendime ne kohe te ndryshme. Ndoshta, (nuk jam gabim) koha percakton edhe vendimin. Do vecoja, kur e vrava friken.

Arritja juej ma e madhe?            

Deri tash kam arrite dicka, por nuk mund te thuhet e madhe.

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?

Dashuni dhe vetem dashuni.

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?        

Duan ate qe s’e kane.

Çka ju ban krenar ma së shumti?             

Prindit. Familja ime. Parardhesit e mij.

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Jam pendue? Pa dyshim, por jo ne ate mase qe do me kishin ndryshue jeten.

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Per familjen, prinderit. Mirenjohja me e thelle, per gruen time, per gjithe jeten qe kemi kalue bashke tash 47 vjet dhe shpresojme edhe ma tej.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?                

Asht nji dritare e shejte, nji nane e mire qe na ka mbledhe dhe nuk merzitet aspak nga ne, qe shkruejme nganjihere edhe vjersha ne shkop. Une nuk gjej fjale te tjera pervec falenderimit nga zemra, pune te mbare dhe suksese te matejshme “PerShkodren”.