Interviste me Rozafa Shpuzen

Time posted: Thursday, September 17th, 2015 5:02 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Rozafa Shpuza

Interviste me Rozafa Shpuzen

Shkolla juej fillore?

Shkolla ushtrimore ishte si nji projekt bashkëngjitun shkollës së mesme “Shejnaze Juka”. Mbaj mend se jena shpërngulë disa herë, si duket prej mungesës së ambienteve: prej shkollës “7 Nandori”, te Pedagogjikja e prej aty te nji aneks i shkollës “11 Janari”, që dikur kishte kenë kuvend jezuit. Kjo gja, në fakt, më ka argtue pa masë. Mesuesja e parë ka kenë Neta Cepi e, mund ta tham me bindje, se asht nji prej shtyllave ma të forta në edukimin tem.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

O sa shumë kujtime ka fëminia jeme… E si mundem me veçue ndonji e me thanë se asht ma i preferuemi?! Po mirë, po e ndaj njenin: Notimi në Drin, që të dukej vedi notarja ma e mirë e botës prejse rrjedha të shtynte me forcë, porse duhej me u kthye në kambë e shputat të copëtoheshin prej guralecëve.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?

Unë po i quej miq se më vjen ma mbarë. Ndoshta jam pak e tërhekun si tip e më duhet me përdorë shumë filtra për me i besue dikujt miqësinë. Por asht koha filtra ma e mirë për me vërtetue se cilët janë miqt e vërtetë. Ka ditë me diell e me shi në jetën e njeriut, ka inate e mërina, ka zgjedhje të drejta apo të gabueme e nji mik i mirë asht aty për më të pranue asht si je.            

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

Kurrë nuk kam ditë me e nda me thikë këtë gja. Kajherë më duket se fëminia më tërhekë për flokësh e më ban harrakaten e dikurshme. Më pëlqen me pasë shpirtin e pastër të nji fëmije e me ba do veprime pa e vra shumë mendjen për moralizma të rritunish, prandaj po i përgjigjem pyetjes suej tue thanë se brenda meje ka prore diçka fëminore…

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Adoleshenca jeme: ditare me iniciale që sot s’di me deshifrue; hobe të çueme dam prej censures kumuniste; ndjesi të shtypuna me dhambë se për kohën ishin të ndalueme; studim cfilitës e frikë se mundet edhe mos të dalë shkolla e naltë…

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Edhe pse e takon mbas shumë kohësh, biseda me të rrjedh natyrshëm si me pas kenë gjithmonë bashkë… Po u arrit kjo gja, ky asht sekreti ma i madh i miqësisë. Mandej, sa shumë të asht dashtë me arritë deri këtu, nuk kishin me mjaftue as dhjetë intervista me ta diftue.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Nuk di. Nuk ka formula. As unë s’jam aq e zonja me dalë në përfundime të tilla. Dashni, besim, mirëkuptim kaq tham se mjafton…

Frika juej e të kenunit prind?    

Frika ishte gjatë shtatzanisë, njimijë pikpyetje; frika ishte kur lindi, se shumë gjana nuk i dija; frika asht sot që duhet me u përballë me huqet e adoleshencës… Jam për edukim spartan e në marrëdhaniet me tim bir kam synue drejt respektimit të lirisë, dëshirave dhe diskutimit të problemeve, pa pasë tabu’.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Mundem me veçue:
1.Jeta në Fushë- Arrëz si mësuese letërsie.
2. Udhëtimi në Danimarkë për nji specializim më 1994, ku për herë të parë u përballa me atë që na ishte muhue prej diktaturës.
3. Ardhja në jetë e Gerit.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?

Nqs s’e tham atë që mendoj; nëse nuk shkruej apo fotografoj; nëse jam larg njerëzve të dashtun për nji kohë të gjatë.               

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?            

Nuk di me ju diftue. Sejcili mundet me thanë kjo s’duhet ba, apo kjo tjetra nuk duhet, e sejcili mundet me pasë të drejtë. Unë po tham se nuk duhet me vra, me vjedhë, me dalë nga vetja…

Lufta e jetës tuej?          

Tanë jeta asht luftë. Përditë luftoj me lodhjen, me barrierat që më pengojnë me realizue dëshirat, me injorancën, me fodullekun, me mungesën e ligjit, me humbjet… Luftoj papra’ e kur të tham se lufta jeme mbaroi, ta dish se nuk jam mirë…

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Me ikë prej Shkodrës. Qe vendim që më ka dhimbtë fort, por kurrë s’do të mbërrija me shkrue apo me fotografue nqs s’do ta kisha mall për Shkodrën.

Arritja juej ma e madhe?            

Përditë synoj me arritë diçka. Arritja ma e madhe ndoshta ka me ndodhë nesër…

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?         

Bota ka nevojë për paqe.

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?        

Dëshirat e njerzve janë të ndyshme. Dikujt mund t’i duket çmenduri dëshira e tjetrit, dikujt e pamujtun. Jeta ka labirinthet e veta, e varet në cilin prej tyne të ka drejtue fati. Ba me ju thanë se dëshira jeme asht me shetitë botën me nji makinë-kamper, me aparat në qafë, a kishit me m’besue?

Çka ju ban krenar ma së shumti?

Krenare më ban emni jem…

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Pendesa, pendesa, pendesa… më mblojnë natën si jorgan e më zblojnë ditën me fillue rishtas… Duhet me gabue e mandej me u pendue, kur nuk të ka ecë si e andrroje… E pra, unë nuk mund të jetoj pa gabue e pa u pendue. Jam nji lamsh që tirret e çtirret pa kurrfarë rregullit…

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Mirënjohje kam për çdokend që më ka dhanë mirësi e dashni… Mirnjohjen ma të thellë e kam për prindët e mi e ky pohim s’ka nevojë për asnji spjegim tjetër.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?

Mos rreshtni së ndërtuemi ura komunikimi! Arti e kultura kanë nevojë me u përkrahë e promovue, ndaj ju vazhdoni prore me sfidue injorancën e me ju çilë deren vlerave të qytetit tonë të dashtun, Shkodrës…