Interviste me Spartak Sokolin

Time posted: Thursday, September 24th, 2015 4:01 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

sPARTAKInterviste me Spartak Sokolin

Shkolla juej fillore?

Shkolla “Salo Halili”.
Shumë kujtime.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

Periudha e verës. At’her kur shkollat u mbyllshin e na si fëmijë kishim tân ditën në dispozicion me luejt nëpër lagje, tana ato lojna fëminijet që sot nuk i bajnë ma fëmijët e sotëm.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?            

Tani, Zimi, Endri, Genci…
M’ka qêllue me ndà gjanat e bukra dhe të tjerat që m’kanë ba ma të fortë!
Janë ato t’cilve në shumë raste i kena besu t’gjitha….

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

T’kênunit fëmijë âsht nji ndër gjanat ma të bukura. Âsht periudha kur ti andrron gjanat ma fantastike dhe dhe don me u bâ, pilot, futbollist, inxhinjer, doktor, e shumë të tjera. Familja jote mundohet me gjithçka me t’i realizù ato andrra, me aq sa mundet.
At’her kur ti e shef vedin si pjesë përbamëse e kontributit për familjen e kupton se nuk je ma fëmijë dhe që duhet me marrë përgjegjësitë mbi vedi!

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Adoleshenca ka kênë nji periudhë ku ne na u dote me impenju shumë për me pas ose realizu gjana që adoleshentët e sotëm i kanë “a portata di mano”.
Qoftë edhe nji mramje…., e cila u bante paradite me “batanije te penxherja”.
Ishin detaje që sot duken t’çuditshme që na emocjonojshin: Disco Ring diten e shtunde tek “Radio 2”, e ne na u dote me ik prej mësimit me u përditësu me muziken bashkëkohore.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Sinqeriteti.
Në momentin kur mungon ai, at’herë miqësia mundet me pësu “plasaritje”. Në shumicën e rasteve këto edhe shërohen, por lajnë gjurmë.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Familja, si baza e shoqnisë tonë duhet me pas dy përbamësa kyç, simas mêndimit têm:
– Harmonia;
– Mirëkuptimi.
Këto janë përbamësit që edhe në momente vështirësishë arrijnë me mbajtë të lidhun bërthamen e shoqnisë tonë, e cila dita ditës po lëkundet!

Frika juej e të kenunit prind?    

Nuk do ta konsiderojsha si frikë, porse ma shumë si sfidë. Âsht nji prej “ZANATEVE” ma të vështira që njeriu mundet me bá.
Shkodranët kanë shumë shprehje për këtë:
– Me çù nji fëmijë në kambë, si me çil nji pus me gjylpanë;
– Fëmit’ tuj u rritë, shtëpia tuj u shitë…, etj.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Gjatë periudhës së trazueme të vitit ’97 unë kam punue intensivisht si përkthyes me forcat shumëkombëshe (spanjisht). Ky ka kênë momenti kur un kam fillue me u impenjù direkt me gjuhët e huaja. Kriza kosovare ku unë u përfshiva në botën e shoqërisë civile, tek e cila mundohem të jap kontributin têm. Njohja me personin, me të cilën ndajmë “shortin” e përbashkët që Zoti na ka dhanë.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?            

Nuk mundem me thanë se kam gjana pa të cilat nuk baj dot, se masandej m’duhet me pranue që në njifarë mënyret jam “adicted”, porse mundem, po, me pranue se terminalet elektronik (cel, kompjuter), bashkë me kafen e nadjes 🙂 janë të nevojshëm për me mbajtë ritmin e ditëve që po jetojmë!

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?

Zoti na thotë që janë Shtatë… 😉

Lufta e jetës tuej?

Nji familje e lumtun.        

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Shum shokë e miq të mi janë largue prej Shkodret. Në shumë raste më âsht dhanë mundësia edhe mu, porse nuk e kam bà nji gja të tillë. Du me besue që ky vend (me kontributin e të gjithëve ne) mundet me ecë përpara, dhe me besue gjithashtu se ky ka kênë nji vendim i mirë!!!

Arritja juej ma e madhe?            

Familja ime.

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?         

Nji shoqni ma sociale, në respekt të asaj çka Zoti na ka falë, edhe pse unë jam i mendimit se ne na âsht dhanë në përdorim, dhe në nji moment do të na duhet me dhanë llogari nëse e kena ba mirë apo keq.

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?        

Mendoj se kjo varet nga se si e shohin njerëzit jetën.
Aktualisht mendoj se ka dy filozofi të përgjithshme për jetën, ajo amerikane: “Jetohet për të punuar” dhe ajo evropiane: “Punohet për të jetuar”.
Unë jam më shumë për këtë të dytën 😉

Çka ju ban krenar ma së shumti?

Ajo çka kam arritë deri tashti, me ndihmen dhe mbështetjen e familjes têmë!         

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Në jetën e secilit prej nesh, gjindemi shpesh përpara rrugësht të dyzueme dhe na duhet me marrë një vendim. Ka momente kur këto vendime, t’paktên në fëmijëri apo rini të hershme, merren apo influencohen shumë prej të tjerëve.
Unë nuk do ta konsideroja pendim, porse do të kisha preferue që shkollën e mesme ta kisha kryer në një shkollë të përgjithshme dhe jo profesionale.

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Prindërit, familja jêmê.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?                

Me kontribue gjithsecili me aq sa mundet, dhe prej ku mundet, për nji Shkodër edhe ma të mirë, tuj çue ma përpara atë çka ky vend përfaqëson!