Interviste me Valbona Lisha

Time posted: Thursday, September 24th, 2015 4:24 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

12067301_10206890843162176_1475217023_nInterviste me Valbona Lisha

Shkolla juej fillore?

Kjo asht periudha kur për herë të parë përballesh me të panjoftunen, të pakten për disa orë në ditë e kjo mundet me kene një eksperience e frikshme për shumicën e 6/7 vjecarëve. Duhet te mesosh të krijosh marrëdhaniet e para me njerez që nuk janë familja jote, duhet te mësosh të kesh pika referimi. Mësuesja jeme e pare Violeta Ashiku dhe ma vonë mësuesja e klasës së dytë dhe të tretë Myzi Zmijani, kanë kenë pikat e mija të referimit. Këto mësuese, pedagoge të mirëfillta kanë pasë zotësine që nëpermjet relacionit mësues – nxanës me instalue në mue konfidencen që më ka shoqnu gjatë gjithë jetës, që më ka dhanë forcë me vazhdue me u perpjekë edhe atëhere kur betejat dukeshin të humbuna, ato më kanë ba me besue se çdo gja asht e mujtun. Që në atë moment andrrat fillojnë me lulzue të lira, edhe pse ndoshta shume të vogla ose shume te medhaja edhe pse ireale, ato janë shumë të randësishme. Personalisht më kanë ba nji fmijë të lumtun.

Kujtimi i preferuem i fëminisë?              

Mirësia në sytë e gjyshave të mi, buzqeshja e tyne e amël.

Shokët/shoqet tuej/a ma të mirë, e pse?            

Baba, miqësia me të më ka ba me kenë kjo që jam sot. Bashkëshorti, shoku jem ma i mirë, jeta me të asht nji aventurë pa fund. Dy shoqet e mija të fëminisë që i njofta në fushën e volejbollit,… sa herë që flas me to, edhe në ditën ma të keqe biseda kthehet në nji buzeqeshje e shpirti asht në paqe.

Kur kuptuet se nuk jeni ma një fëmi?   

Në momentin kur, mbasi ndigjova  “kumona të ndryshme” kuptova me dhimbje që asnji prej sugjerimeve nuk ishte i vlefshëm në zgjidhjen e problemit. Vendimi duhej të ishte krejt personal, dhe përgjegjësia për këtë vendim krejt e jemja.

E vecanta e viteve tueja të adoleshencës?         

Adoleshenca asht nji periudhë interesante. Të asht dhanë në dorë nji tablo e jetës reale nga familja dhe shoqnia,  e duhet me i dhanë ngjyrat tuja, në të njajtën kohë duke formue nji identitet tandin përsonal.  Dashnija  dhe vlersimi për familjen dhe qytetin e lindjes ka kenë gjithnji prioritet, kështu që mbrenda kornizave të tyne rebelizmi adoleshent u donte kthye në nji bindje koshiente para se të merrte jetë, u donte mbështetë në nji punë kolosale që të ishte i qëndrushëm.

Nuk mundem me lanë pa përmendë edhe debulesën që kam pasë për letersinë klasike. Më mrekullonte mënyra e përshkrimit të karatereve që i përkitshin grupimeve të ndryshme shoqnore dhe evolimi i tyne në rrethana specifike. Kjo letersi ka kenë pasioni dhe relaksimi jem përsonal, ku përpjekja me gjetë psetë e pafundme të adoleshencës u kthete në nji kënaqsi shpirtnore.

Tue e kthye kryet mbrapa në vite më duket sikur do ta kem pasë në mend reklamen e famshme të Nike “Yes I can”. Po, asht e mujtun me i përkitë nji familjeje me traditë të besimit mysliman e me marrë pjesë në sport. Po, asht e mujtun me kenë sportiste dhe studente e mirë, e në të njajtën kohë me marrë pjesë në shumicen e jetës sociale të shoqnisë gjimnaziste. Po, asht e mujtun me u shoqnue me djem e mos me u quejt e përdalun. Po, asht e mujtun me u vleresue për emnin që ke krijue për vedi pa u mshehë mbas emnit të familjes. Po, asht e mujtun me kenë nji vajzë e vlerësume prej shoqnisë krejt njisoj, e nganjiherë ma shumë se nji djalë. E kjo e fundit më bante me u ndi pernjimend mirë.

Sekreti i miqësisë së vërtetë?  

Miqësia  lind vetëm në liri, dhe ka nevojë për liri të vazhdueshme për me mbijetue. Ven re se shpesh ndodhesh, si pa dashje, në të njajtën kohe, në të njajtin vend, në të njajtin mendim. Ajo nuk ka jetë nëqoftëse asht e sforcueme, fillon e i mungon oksigjeni dhe në mos sot, nesër asht e destinueme me u shue. Miqsia kërkon kohë me e konfirmue vehten, kërkon ditë me diell e ditë me re,  e ato që munden me mbijetue janë miqësitë e vërteta.

Përbamësit kyç për forcimin e një familje?        

Instinktivisht me vjen me thane: shumë dashni. Por jo, duhet të pranoj se dashnija asht nji tërhjekje, fizike apo mendore që mund të shuhet shpejt ne qoftë se nuk i kushtohet perkujdesje dhe koha e duhun. Besimi, sakrifica, respekti dhe vleresimi reciprok janë elemntet kyç të cilët e mbajnë të ndezun zjermin e dashnisë fillestare, duke i shtue nji aleancë të pathyeshme si domosdoshmëri për t’i rezistue në kohë jetës reale.

Frika juej e të kenunit prind?    

Fmijët janë “thembra e Akilit” për nji nanë. Megjithatë, nuk di a mund ta përshkruej si frikë të kenunit prind. Jam edukue qysh heret mos me pasë frikë nga jeta. Proverbi “mundesh me kenë tue ecë rrugës e të bjen nji tjegull kresë” u përdorte shpesh në shpinë tonë. Kur ka ardhë koha dhe kam mendue me u ba prind, ma tepër se çdo gja, mbaj mend dëshiren e madhe  që une dhe bashkeshorti kishim me pasë nji krijesë të vogël që ishte vec e jona. Përpjekjeve të shoqnisë moderne me u mundu me llogaritë në imtësi kur vjen tek vendimi me u ba prind ose jo mund ti them se fmija asht mrekullia e kësaj bote, instinktin e të kenunit nanë mundem me e qujt instinktin ma human te njerëzimit. Sidoqoftë ekziston mundësia që, përveç përgjegjësisë së madhe që vjen me të kenunit prind, të ketë ekzistue edhe nji ndjenjë frike thellë në subkoshiencën teme. E në këte rast frika e vetme ka kenë: a do të jena në gjendje si prind t’i japim mundesinë fmijve tonë me u kompletue si qytetar me cilësi humane, të lirë e konfident.

Tri ngjarjet ma të randësishme formë-dhanëse të jetës tuej?   

Ikja nga Shkodra. Momenti kur u bana nane. Vdekja e babës.

Tri gjana pa të cilat nuk bani dot?            

Njerëzit, ku patjetër nji vend të veçante mban familja dhe miqt e mi.
Kujtimet, ato janë të shenjta. kto në formë fotosh, librash, reliktesh apo thjesht ngjarje të depozitueme në kujtesë.
Natyra e, në mungesë te saj, lulet janë nji domosdoshmeri.

Tri gjana që kurrë nuk duhen ba?            

Asnjëherë mos ndalo së ndjekuni andrrat, edhe në qoftë se nuk i arrin, ato jam e sigurt se në proces do të zbulosh të tjera pasione e andrra që do ta mbushin jetën me lumtuni.

Mos fillo luftë me botën para se të fitosh betejat me vehten. Mbas kësaj  ke me u ndi i fortë e gati me u përpjekë me këdo.

Mos thekso elementet negative të tjetrit, ajo asht gjaja ma e thjeshtë, mundoju me vu në pah vetite pozitive, ato ekzistojnë edhe në personin ma negativ, por asht mjeshtria jote me hedhë dritë mbi to. Në qoftë se marrim nji moment e ndalojmë me analizue vehten do të vërejmë se e mira dhe e keqja ekzistojnë në secilin prej nesh, por e randësishme asht se kujt guxojmë me i dhanë za.

Lufta e jetës tuej?          

Me kenë vetvetja, sado e pamujtun që kjo asht nganjiherë.

Vendimi ma i mirë që keni marë ndonjëherë? 

Megjithëse ishte e domosdoshme me i dalë kundër opinionit dhe familjes, megjithëse ishte shumë e frikshme, zgjodha “njeriun” e misheruar  në bashkeshortin tim të ardhshem, zgjodha nji shok jete, zgjodha atë që më vlerësonte për atë që isha, e në të njajten kohë respektonte karakterin dhe zgjedhjet e mija personale, e deri më sot nuk kam kenë e gabueme.

Arritja juej ma e madhe?            

Prumja në ketë jetë e dy fëmijve, tashma adult, kandveshtrimi i të cileve mbi jetën shpesh me fut në mendime, e më ban me kenë krenare.

Çka mendoni se bota ka nevojë ma së shumti sot?

Humanizëm. Mos t’harrojmë asnjëherë, me gjithë zhvillimin e teknologjisë dhe të mirave materiale, ndjenjat dhe formacionet sociale në të cilat jetojmë jane nder elementet kryesore qe dallojne njerezit nga kafshet.        

Çka besoni se njerëzit duan ma së shumti në jetë?        

Njerëzit dojnë me kenë të lumtun. Por lumturia ka nji formulë filozofike, ma shumë se çdo gja tjetër, ajo varet në perceptimin që na kena mbi jetën, mbi të mujtunen dhe të pamujtunen  dhe me rrugët që të çojnë te lumturia. E kjo formulë mundet me kenë krejt e ndryshme për sejcilin prej nesh. Por kam nji bindje të fortë se vetëm nji rrugë e vështire në të njajten kohë e drejtë në referencë me bindjet personale mbi drejtesine, e marrun drejt andrrave personale, mundet me ba të mujtun nji lumtuni të qëndrushme.

Çka ju ban krenar ma së shumti?             

Fakti që në çdo tavolinë miqësore, në të gjitha pikat e ndryshme gjeografike që fati me ka përcjellë, mundem me përfaqsue me dinjitet nji qytetare shkodrane me mendje të hapun që aspiron për të drejtat e grave dhe fëmijve, pa ndjenjë inferioriteti kundrejt askujt, që në të njajten kohë vlërëson kultura dhe përsonalitete me ngjyra të ndryshme që nuk janë në të gjitha rastet ato që unë preferoj.

Pendimi juej, ose ajo që do të kishit ndryshue në jetën tuej?   

Megjithëse e kushtëzume nga faktorë që nuk vareshin prej meje, do të dojsha me kenë prezent përkrah babës tem në vitin 1996, kur “E djathta e bashkume shkodrane” fitoi zgjedhjet lokale për bashkinë e Shkodrës.

Mirnjohja juej ma e thellë?       

Asht mirënjohja ndaj prindve që më rriten me shumë dashuni, që më mbajten larg së keqes që ato përjetuen, tue ruejt të paprekun fmininë teme. Larg prej traumave të pashmangshme të tmerrit komunist, ato më dhanë mundësinë me krijue një personalitet të pamvarun e të lirë nga paragjykimet.

Mesazhi juej për grupin PerShkodren?                

Kam kenë e ftume nga mikja jeme Rozafa, punën e së cilës ka kohë që e admiroj, me u ba pjesë e grupit PerShkodren. Kjo përkoi me nji periudhë të dhimshme personale, kishte pak muej që kisha humbë tim atë. Por ka kenë momenti që kam lexue nji reagim të Jetmirit mbi fjalen e lire, në të cilin me bani shume përshtypje kandvështrimi i tij, e kjo më krijoi kuriozitet për këtë grup. Kam pasë nji afrim me Shkodren dhe komunitetin shkodran që më ka mungue tash 25 vjet. Duke kenë se une e quj Shkodren si dashninë teme të parë, shof me andje se kjo asht e vërtete edhe për shumë bashkëqytetarë të mi.

Due me përfitue prej rastit me falenderue Jetmirin dhe stafin PerShkodren që na e bajnë të mujtun këtë komunitet virtual me antarë të cilët kanë nji nivel të admirueshëm në fusha të ndryshme. Zani i grupit PerShkodren asht nji za i qartë në favor të kultures dhe vlerave qytetare të Shkodres, e asht nji borxh që na i kena Shkodres tonë, me i dhanë jehonë tue ju bashku këtij zani. Na jena bijt e Shkodrës e ajo ka diftue ndër shekuj  se çdo gja asht e mujtun për ata që punojnë me Shkodren në zemër.