Jeta e muzikantit plot me sakrifica! – nga Markelian Kapidani

Time posted: Friday, September 18th, 2015 6:40 pm

Share on Facebook36Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

 

Markelian KapidaniJeta e muzikantit plot me sakrifica! – nga Markelian Kapidani

Duke dashtë me ja ba të qartë lexuesve, jetën e muzikantit, po mundohem ta spjegoj atë duke u nisë nga vetja.

Kur isha i vogël, më pelqente me u hallakatë rrugash! Kjo ndodhte sepse kohën ma të madhe e kalojsha duke studiue pianoforte ose duke u marrë me detyrat që na jepte shkolla. Me studiue nuk më pelqente, por isha i detyruem me u marrë me studime mbasi si peng të mos studimit, kisha ndrymjen në shtëpi, qështje kjo rreth së cilës babaj im nuk pranonte kompromise. Si rrjedhojë, sa herë që dilnja jashtë për të luajtur me fëmijët e tjerë, gati-gati sa harrojsha me u kthye në shtëpi! Shpesh, më rastiste me u harrue tyj luejtun … deri në atë pikë saqë prindërit e mij merakoseshin dhe dilnin të më kërkonin. Por verës ama, as që ja varsha pianofortes! Gjithë ditën e kalojsha duke luajtur me kushërijt e mi tek shtëpia e gjyshërve nga ana e nanës. Kështu, kaloj fëmijëria ime: mes studimeve të pianofortes, mësimeve të shkollës dhe kacavjerrjeve nëpër pemë apo hallakatjeve si gjysë rrugaç …

Sa isha i vogel, muzika mu dukte si diçka me detyrim, por sa ma shumë që rritesha, aq ma shumë ndjeja që ajo ishte diçka e cila më sensibilizonte dhe më hapte mendjen … dhe me kalimin e kohës do tu bante si një natyrë e dytë e imja pa të cilën do të ndihesha i mangët.

Vitet e adoleshencës i kalova rrumujshëm dhe me stres, mbasi koha kur isha adoleshent përkoi me vitet e fundit nën “diktaturën e proletariatit”, sistem totalitarist dhe agresiv, derivat i smundjes psicike të shoqërisë së asaj kohe. Gjatë adoleshencës u njoha me Muzikën Jazz e cila në atë kohë ishte e ndaluar! Kjo gjë më detyroi ta studioj atë në mënyrë autodidakte. Gjithashtu në atë kohë fillova të merrem me kompozicion.
Në vitin 1988 mbarova studimet e liceut në shkoder, ndërkohë kisha vendosë me vazhdue studimet e larta per kompozicjon.

Zgjidhja e kompozicionit ishte në nji farë mënyre e detyrueshme për mua mbasi në atë kohë nuk ishte e mundur me konkurrue per dy profile, gjë që deri pak kohë më parë ishte i mundur! Kështu, mes pjanofortes dhe kompozicjonit unë zgjodha këtë të fundit sepse mbas 12 vjetve pianoforte në liceun e Shkodres, ngeleshin vetem veprat e mëdhaja për tu studjue, ndërsa tekniken e instrumentit tashma e kisha përvetësue, ndërkohë që nga ana kompozitive – (teorike dhe praktike) kisha akoma gjëra për të mësue.

Vitet e Rinisë time janë të mbushura me andrra t’thyeme por edhe me realizime nga ana profesionale. Në Tiranë “klima muzikore” ishtë disi “ma e hapur”. Pikërisht në këtë periudhë lindën shthurjet e para të studentave kundra sistemit diktatorjal i cili ishte buzë greminës. Më pas Greva e Urisë, manifestimet në bulevard, përleshje me forcat e rendit etj. Gjatë kësaj kohe unë merresha kryesisht me studime por edhe punojsha si i jashtëm pranë TV.Sh-së. Mbas vitit 1992 shqipëria u gjend totalisht pre e rromujës si pasojë e konfuzjonit që mbretëronte në mendjen e shqiptarëve. Askush prej shqiptarëve nuk ishte në gjendje ta drejtonte me mençuri popullin e vet mbas 40 vjetëve Real-Socializëm! Intelektualët ishin të lodhun e të këputun nga e kaluara. Si pasojë, kabinen e drejtimit e moren sërish “Ata të tjerët”, veçse në këtë rast i perkisnin “palës tjeter”, në dukje kundershtare me atë të parën!

Kjo perjudhë është ajo e braktisjes në vetvete. Ishte koha që flisnim lirisht… veçse askush nuk na dëgjonte! Në pak kohë, Tirana, nga Kryeqytet u transformua në një pijetore gjigande ku njerëzit veçse pinin e pinin dhe prapë pinin pareshtur: “Konjak gardhi”, “Fërnet me bojë këpucësh”. Ushqimi mungonte, si rezultat edhe qent e rrugëve pak e nga pak filluan të zhdukeshin! Ca thoshnin që i përdornin për të ba Qofte “qebabë”. Kebab me mish qeni! Një rromujë e vertetë! Në këtë “pazar” me emrin Tiranë kalova rreth 9 vite. … Ndërkohë “pazari Tiranë” sa vinte e rritej. Gjatë këtyre viteve, kujtoj me hidhërim indiferencen e shtetit kundrejt rendit i cili në atë kohë ishte copa-copa. Në qytetin e studentit, përdhunimet ishin gja e zakonshme. Vjedhjet natën ishin të shpeshta. Banda të ndryshme vagabondash silleshin rrugëve. Në të tillë gjëndje, për tu mbrojtë, nuk kishte rrugë tjetër përveqse aleancës me “të fortit” e Tiranës”…

Gjatë kësaj periudhe, punoja në R.T.Sh tek redaksia e spektakleve. Merresha me festivalin e këngës. … … Dhe ja që erdhi momenti i dytë i rrumujës në të cilën “Ata” u kacafyten me “Ata të tjerët” për të rimarrë pushtetin! Ishte viti 1997. Nga ky moment, i zhgënjyer nga “Ata të tjerët”, vendosa të largohem pergjithmonë nga Shqipëria.

Vitet që ndjekin pas, janë vite përpjekjeje për të mbijetue në një shoqëri “të re” (në thojza) për të cilën nuk kisha dijenitë e duhura: Shoqëria Kapitaliste e cila të matë edhe qimen e flokut me para! Në prendim nuk ekzistojnë më “Mecenate” apo Patronë (si dikurë në kohen e aristokracisë për të cilën Mozarti luante në pianofortë). Borgjezia nuk e rruan aspak per Artin! Në shumë familje pasanikësh, fëmijët e tyre (sidomos femrat) merren me muziktë, por kurren e kurren si profesion kryesor. Fëmijët e familjeve të pasura janë: Bankjerë, Ekonomista, Politikanë … Artista?! Pffff … qesharake. Me art merren varfanjakët. Kjo gjë e ka fillin me ngjarjen e Iluminizmit Francez, nga i cili lind edhe figura e Artistit “Rebel” i cili është “shpirti i kundërshtimit” mbasi nuk i pëlqen klasa e re në fuqi: Borgjezia! Kështu, në një perëndim industrial, ku vlon puna dhe rreh zemra e industrisë e nuk ke kohë për me u mendue gjatë mbasi s’të len konkurrenca e pamëshirshme, artisti bëhet “Romantik” duke hedhur shikimin nga e kaluara. Por në rastin tim, e kaluara ishte edhe ma skifo se sa realiteti, kështu që ja rinisa prapë nga e para, duke punue si pianist, arranzhator, shoqërues etj.

Në mes të tjerave, një gja që kam fitue në perëndim pa dëshirë asht “Stresi”! Këtu n’prendim gjindja stresohen për gjithshka! Fillimisht nuk i kuptoja … dhe as sot nuk i kuptoj … por nga ana tjetër mësova që edhe unë të stresohem për çdo gja që bajsha, e sot po i paguej nga shëndeti konseguencat e këtij stresi!

Dhe ja ku arritem tek aktualja. Sot unë merrem me muziken teme e cila lyp rreth tre orë studim në ditë për të mbajtë muskulaturen e gishtërinjve dhe krahëve në formë dhe nën kontrollin e trurit. Mbasi Jazz-i është muzikë e cila lyp muzikantë të stervitur teknikisht, tre orë studim në ditë janë normalja. Do t’kishte kenë e mira që të mundnja të studjoja edhe ma shumë, por “mosha bën të veten” dhe mbas tre orëve studim, truri nuk arrin të koncentrojë vemendjen e duhur tek studimi. Si rezultat çdo kohë studimi pa vemendje është kohë e çuar dëm.

Mbas studimit të pianofortes, merrem me arranzhime ose me kompozime. Ky aktivitet më merr rreth dy – Tre orë. Gjatë ditës (mes pianofortes dhe kompozicionit) i konsumoj rreth 8 orë (fut mbrenda edhe ndonji pauzë të vogel në mes). Pra: Tetë orë muzikë. Tetë orë për të cilat nuk kam fitue as edhe nji qindarkë! Kësaj i thonë: “me mihë n’uj.”

Sakrificë e tmerrshme, kur mendon se e vetmja mënyrë për të pasë një fitim të sigurt është ajo e dhënjes mësim në ndonji institucion shkollor i cili të shpërblejë punën tande si mësues nëpërmjet një rroge mujore. Por shumica e muzikantave andrrojnë me kenë koncertista! Me ba koncerte neper botë. Por kjo gja normalisht, veç sakrificës së artistit per muziken, nuk sjell gja tjeter perveçse, mizantropis dhe vetmis, mbasi pagesa e koncerteve nuk arrin të shpërblejë mundin dhe djersen e derdhun, kohen e investuar tek muzika të cilën artisti ja heq jetës së përditshme dhe afeksjoneve të tija! Ja që muzika, nga burim mirësie, fisnikërim ndjenjash, mund të transformohet në një “kurthë të tmerrshme” nga e cila nuk ke tjeter shpëtim perveçse braktisjes së saj. Dhe në fakt, shumica e kolegëve të mij të cilët jetojnë në prendim, e kanë braktisë muzikën mbasi per ta është e pamundur të bashkëekzistojë sakrifica për muzikën me krijimin e familjes! Është e pamundur një gjë e tillë mbasi kushtet e jetës nuk e lejojnë. “Do punosh per të jetuar, përndryshe do sakrifikosh familjen për pasjonin e muzikës”. Të vetmit që mund të harmonizojnë jeten familjare me pasjonin e muzikës, janë ata përsona të cilët per rastësi të jetës së tyre, “fati” i ka hedhur në rrethana të favorshme, nga të cilat ato kanë ditur të perfitojnë. Sidoqoftë, edhe në të tilla raste, mos ti rrehet ndojkujt mendja që jetohet vetem me kompozicion ose vetem me koncerte. Pjesa dërrmuese e muzikantëve përfundojnë tek mësimdhënja dhe pak e kush aktivizohet me koncerte. Por edhe mësimdhënja i ka limitet e veta mbasi vendet per të dhanë mësim nuk janë të pafundme. Kështuqë ngelet mësimdhënja private. Zakonisht në të zezë.

Ekziston edhe një rrugë tjeter për të fituar parà nëpërmjet muzikës: “Rruga e Ahengut” e cila ka të bajnë me gjithë atë pjesë të muzikës e cila shërben vetëm e vetëm si argëtim. Pra: muzikë me përmbajtje të rëndomtë, me idiomë muzikore elementare, muzikë pa pretendime. Në këtë lëmsh muzikorë futet, folklori, muzika Popullore, “Pop Music”, muzika e vallëzimit si dhe kënga në përgjithësi. Por jo të gjithë muzikantat kan zë për të këndue! Kështu, ngelet aspekti i ekzekutimit në grupet e ndryshme të muzikës argëtuese. Por, jo gjith muzikantat janë të përshtatshëm ose i përshtaten zhanrit në fjalë! Shumë muzikanta e refuzojnë totalisht muzikën argëtuese mbasi me të drejtë ndjehen të nenvleftësuar kundrejt studimeve klasike dhe sakrificave që ata kanë bërë për tu ba muzikanta. Kjo gjë shpesh bëhet burim stresi per ata muzikantë të cilët në mungesë alternativash kanë pranuar të merren me një punë të tillë. Por ka raste që muzikanti bëhet i paskrupullt dhe nuk e vret mendjen por shikon vetem fitimin. Pikërisht ky është dhe Stereotipi i artistit sot në boten prendimore! Ndërkohë, ekziston një realitet i fshehur kundrejt publikut të gjërë në të cilin bubrrojnë përsonazhe me kapacitet artistik të lartë por që publiku injoron.

Nga gjithë ky parashtrim, aktualisht unë pozicionohem dikund anash, në kordinata të papercaktueshme, mbasi ti përcaktosh ata është teper e komplikuar!

Sidoqoftë, jam i kënaqur me faktin që “fati” më hodhi në rrethana të tilla të cilat më mundësojnë të merrem me muzikën time dhe në pjesen tjetër të kohës edhe me muzikën e të tjerëve. Kështu, përveç koncerteve jazz me kompozimet përsonale, merrem me arranzhime, kam edhe disa nxanës të cilëve i mësoj gjuhen time të improvizimit.

Tash që edhe shkrimit po i vjen fundi, dua t’ju vë në dijeni të mekanizmave të cilat shoqërojnë jeten e muzikantit si dhe pasojat e mundëshme të jetës si muzikant.

-Talenti: të ndihmon gjithkund, të ban me kenë përson interesant, por ai shndrit vetëm në nji zanat, kur ky zanat asht muzika, punët ngatërrohen krejt!

– Studimi: të jep mjetet e duhura per t’ja arritë qëllimit të paramenduar por të lodh mendërisht. Studimi ja “vjedh” kohën jetës së përditëshme me gjërat normale të jetës si shoqëria, defrimi, dashuria …

– Puna: të jep stabilitet ekonomik por me kalimin e kohës rrezikon të kthehet në monotoni per muzikantin dhe më vonë në mërzitje.
Si zakonisht, për tu marrë me muzikë lypet talenti (veshi per muzikë si dhe sensi ritmik) … por vetem me talent nuk bahesh muzikant i vërtetë. Maksimumi bahesh “Ahengxhi”… por edhe vetëm me studim e pa talent, nuk asht se bahen mbrekullira! Maksimumi bahesh nji “muzikëtarë” pa pretendime. Shumica e këtyre përsonave zakonisht përfundojnë të merret me ndonji zanat i cili nuk ka asnji lidhje direkte me muzikën. Ndërsa per tu ba muzikant në kuptimin e drejtë të fjalës, lypet që talenti të shfrytëzohet nepermes studimit të thellë …

Në këtë pikë koncentrohen dyshimet e mija mbasi nuk e di akoma se sa ja vlen me sakrifikue për me u ba me të vërtetë nji muzikant i mirë i cili sado me talent të jetë, ka për ta pasë tejet të vështirë me jetue me zanatin e muzikantit, në nji botë ku konsumizmi ka arritë majat, ku muzika tashma prodhohet si makaronat në fabrikë nëpërmes kompjuterit: me çmim të ulët, me cilësi medjokre e me shumicë.

Pjesa dërrmuese e muzikantave, edhe pse të aftë nga ana profesionale, kanë për ta pasë jetën me sakrifica mbasi ka per t’ju dashtë me studiue gjatë gjithë jetës për të mbajtë në formë muskulaturen e gishtërinjve, krahëve, korden zanore, frymen etj, në mënyrë të tillë që të jenë të gatshem me përballue koncerte me shumicë apo të marrin pjesë në konkurse për të punue ndër orkestrat e ndryshme.

Përndryshej, “hajt shndet” thuaji muzikës. Por edhe kjo gja është me dyshim, mbasi në boten prendimore Orkestrat sa vijnë e shperbahen per arsye ekonomike. Siç e thashë ma nalt: ka ikë koha e mecenatit. Tashma, kapitalizmi e drejton njerëzimin. Po nuk kje kompetitiv, e hëngre qafen e “strucit” … dhe askush s’e vret mendjen ma per ty. Pra, muzikantit në përgjithësi i duhet me ba kompromis pa kushte per me ba muziken që shitet, pamvarësisht se kjo muzikë mund të jetë e diskutueshme nga cilësia … Përndryshej “t’pret e mramja me kosë n’dorë.”

Tashma them se e keni kuptue mjaft mirë se çka don me thanë me kenë muzikant, aq ma teper sot …