“Kam shumë mall…” nga Arsen Gjyrezi

Time posted: Tuesday, December 2nd, 2014 2:42 pm

Share on Facebook411Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Arsen Gjyrezi

Do të iki jashtë shtetit për një kohë të pacaktuar. E di që dita kur do të largohem nga qyteti im do të më emocionojë shumë. Do të filloj një jetë ndryshe. Në shtëpi do të vij më rrallë, të afërmit do t’i shikoj më rrallë. Po ashtu miqtë e mi të dashur. Do ta kem shumë të vështirë atë jetë. Dhe ju me siguri do të pyesni. Kaq të vështirë do ta kesh? Kaq mall do kesh për prindërit? Jo! Nuk i trëmbem jetës. Por do ta kem të vështirë për diçka tjetër…Do të më marrë malli për një njeri, për një vajzë, që e dua pafund! Do ta dua gjersa të kem frymë…..

Tërë ditën e ndërtoj që të mundem ta takoj, t’i shikoj sytë. Kur nuk arrij, unë e kam përsëri pranë, në mendjen time, më shfaqet pamja e saj në çdo fletë libri, ia dëgjoj zërin e ngrohtë kudo. Kështu mezi pres ditën tjetër, sapo të mbaroj shkollën, të marr biçikletën për “ndonjë punë” dhe të dal e ta pres pas mësimit, në krye të rrugës së drejtë, ta dalloj që nga larg tek vjen me shoqet, e pastaj ta takoj sapo të ndahet nga ato. E të pyesim njëri-tjetrin se si ia kemi kaluar në shkollë, në shtëpi, pasdite, etj.etj.etj.

Ja pra si e ndërtoj unë ditën. Vetëm për të. Dhe mua më pëlqen shumë kjo jetë, më pëlqejnë shumë këto ditë. E ndjej veten më të lumturin në botë.

Por më duhet të nisem. Do të mërzitem shumë pa e parë. Megjithatë, unë do të mësohem. E mezi do të pres ditën për t’u kthyer në Shkodër, mezi do të pres ditën për t’u kthyer në shtëpi. E do të marr sërish biçikletën. E do të dal pasdite, në të errur dhe do të ndalem poshtë ballkonit të saj. Ajo me siguri do të jetë duke mësuar. Drita e dhomës bën që ta dalloj teksa ecën nëpër dhomë me libër në dorë. Do t’i fishkëllej dhe ajo do të dalë me nxitim në ballkon. Flokët e gjatë kaçurrela do të bien poshtë fytyrës, ndërsa përkulet në hekurat e ballkonit për të më folur. E do të flasim dhe do të pyesim njëri-tjetrin tërë gëzim. Drita e neonit në rrugë që ndezet e shuhet, do ta shqetësojë. Dhe ajo do të më thotë:
– Arsen, ik se do na shohin.
– Jo! Nuk iki! Kam shumë mall…

Fletë nga një fletore-ditar e një dashamirësi të jetës, dashamirësi të njerëzve, artit dhe gjallërisë humane, që jetoi shumë shkurt por intensivisht mjaftueshëm, për të lërë gjurmët e mira dhe thirrjen e përhershme të prindit, dhe atij vetë me ikjen e tij, që kujdesi për shpejtësinë në rrugë të ketë të njëjtën forcë si dëshira e madhe për jetën. Çdo ditë. Çdo minutë.

(In Memoriam)
Arsen Gjyrezi
13 Prill 1972- 3 Dhjetor 1994