Kujtimet e Luçes – nga Mirela Qyteza

Time posted: Tuesday, December 9th, 2014 5:55 pm

Share on Facebook2Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Mirela Qyteza

Mirela Qyteza

Kujtimet e Luçes

Mbasdite e g’jatë, qershori i ka hapë rrezet pash më pash si flokët e g’jatë të leshverdhës.
Kacuk në safallek të derës s’oborrit po digjte cigare mbas cigareje në shoqni me mendimet e kujtimet e nji rreshti të pafund, e sytë i mbante te nipat e vet tek luenin në rrugicë me pafajsinë e moshës.

Kërrysja e kurrizit ia kishte dorëzue me amanet shekullit të kaluem hijeshinë e vajzës së dikurshme, studentes së Salezianëve, që ia kishte hapë gjoksin e krenisë së të atit kur i kishte dorëzue diplomën me nota shkëlqyeshëm! Përpara e kishte halá shikimin e bekimin e rrudhave të t’et. Po Ndoci vëlla, çfarë qetësie kishte ndë fjalët e mendimet e tij, qysh se kishte ardhë herën e fundit me shokun e vet italian, mbasi me këta rezultate do e merrte pa frikë Luçen me vedi me studjue në Itali, sikur edhe vetë! E qè, fati zg’jatoi qylymin per Luçen, kur shoku i vet prej Italisë i dha me kuptue që ndjente diçka për Luçen!.. Ah sa i qetë ndihej tashma!..
– E pse po i bjen? A pse â ma i vogël se ti?.. – u shkëput nga mendimet Luçja,
– Hiqju more se po të kapi n’shkop!
– iu gërmush trimoshit qe kishte zg’jatë dorën drejt nipit, Luçianit të vogël.
“Heh shejtan fëmijë! – nëpërdhambte me vedi. I ishte ba ves me i mbrojtë edhe ma fort këta fëmijët e të voglit. Deri edhe nuseve tjera ia bante benë e s’i lente me çilë zâ për kët’ nusen e të voglit, tuj kenë se ishte muslimane.
– Njiqind herë ma e mirë se ju âsht, he hangshi vedin me fjalë!
– ia kthente e i mbyllte kunjat e fjalët e kunatave te tjera! “kunata – kujnata, kot s’kanë thanë!!” mërmëritte vetmevedi.
Thinjat sikur donin me shkarkue për vedi e ia përcjellnin kujtimet e të shkuemes neurozave e skalpi i kresë zhurmonte… Fytyrën ia mbuloi nji hije e madhe fort, e çoi kryet. Mbet’ e mpime dhe fryma iu ndal. Dekiku u ba gjysëshekullit… e perballë kishte Ndocin, të vëllanë, njashtu të ri siç kishte kenë kur vdiq prej bombardimeve në Itali. Sa deshti me thanë “Po pse tesh mor vëlla? Kam edhe do detyra tjera me mbyllë…”, kur nji zâ e shkundi: – Hè nanëdaje, si je? – Tyrrsh moj dhi, a ti kenke, a?!
– iu turr së mbesës kur qiti kryet e vet mbas hijes së madhe. E me ndihmën e të dyve, i prini nëpër rruginë e s’i futi te oda e miqve, por njaty te oda e zjermit.
– Humba njiherë krejt, kujtova se m’erdhi Ndoci me më marrë… kur pashë dhandrin e tande bijë – i kishte thanë Agës, se bijës Luçja tek thithte duhan.
– Eh jetë e dreqit, me t’u ngatërrue kohnat me sytë çilë…
– tundte kryet e s’iu besonte vedit ça kishte pa me sy! Jeta âsht nji borxh bijo`, e ‘deka – kapak florinit!
– tha e ndezi cigaren tjeter pa e fikë të parën, tamam si kohnat !