Kush âsht Arjanit Balca?

Time posted: Thursday, December 4th, 2014 2:46 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

10723263_10152792200304507_587932855_nKush âsht Arjanit Balca?

Kjo âsht nji pyetje që ja bâj vedit shpesh. Dhe arsyea âsht se përgjigja e saktë mendoj se gjindet matán vetëdijes.  Kjo në fakt âsht njì ndër katër-pêsë pyetjet mâ të vjetra dhe mâ të papërgjigjuna prej njerëzimit. Kush jam? Pse jam? Çka jam… etj, etj. Po e lâmë me kaq filozofínë. Për mè e bâ të mujtun njì përgjigje, do ta ndryshoja pak pyetjen, tue thânë: Kush âsht Arjanit Balca në kontekstin e revistës “PerShkodren”?

Unë jam shkodrân. Ky pohim, në dukje i lakuriqtë, nuk âsht mburrje e paskrupullt. Asht shprehje e mirnjohjes tême për fatin e rrállë e të rândë. Gjithkûnd kû kam kên nëpër botë, sa kam thânë diçka, më âsht drejtue pyetja “prej kah je?”. Pra, âsht theksi, fizionomia, lëvizjet, toni i zânit e shumë gjâna të  tjera që diftojnë qart se unë vì prej dikâh. N’rastin têm, e vetmja copë e ktíj planeti, kû të tâna karakteristikat që përmênda mâ nalt e përjashtójnë plotësisht mundësín e pyetjes “prej kah je”, âsht Shkodra. Në arkivat e bashkísë së Shkodërs gjîndet njì dokument me êmnat e disa familjeve të cilat, në kohen kur âsht shkrue dokumenti, konsideroheshin familje qytetare shkodrane. Aty gjîndet edhe êmni i familjes së nanës tême. Dokumenti âsht shkrue në vitin 1737. Ndersa baba jem, i mâdhi Lec Balca, âsht ndër të paktit njerëz në Shkodër, i cili nuk kâ nevójë për prezantim. Kontributi i tij në jeten artistike të qytetit tonë dhe shkalla e náltë e humanizmit dhe e qytetnimit bâni t’mûjtun që në vitin 2011 me mârrë titullin “Falnderja e Qytetit”. Unë do ta quejshe “Falnderja e Rastësísë”. Asaj rastesi aq të rrállë e cila bjen nder ne krijesa të tilla. Krijesa të pavetëdishme për hijen  gjigante t’mirësísë e dinjitetit, që ata lëshójn rreth vedit.

Unë jam rrít nen at’ hije.

Kam studjue muzikë në Shkollën Prenk Jakova për 12 vjet deri në mbarimin e shkollës së mesme. Në vitin 1987, ja mrrîjta me shkue për studime në Institutin e Nâlt të Arteve (sot Akademia e  Arteve). Ishin vitet mâ t’bukura të jetes teme. Isha relativisht i lirë dhe kuptojshe relativisht pak. Mrekulli! Në Korrik të vitit 1992, kam mârrë pjés në koncertin e parë Jazz në historín e Shqipnís, báshk me Markeljan Kapedanin, Lek Spatharin e Arjan Qehanë. Disa muej mâ mbrapa, tanë u shperndâme nëpër botë, siç thót Markeljani, si dromcat. (Marku besoj e ka pás fjalën për dromcat e realitetit shqiptar qì po shkyhej prej cubave të ri).

Pra unë kam íkë prej Shqipniet vetëm pak muej mbasi qi u bâna 25 vjeç. U pat bâ fést e mâdhe. Fotografín e asaj datëlindje e kam edhe sot te kryet e shtratit. E kam quejt “darka jême e fundit”. Natyrisht, unë vazhdoj me hangër dárk pernátë edhe sot, mbas 22 vjetve. Por jo at lloj darket… N’at fotografi dalloj n’vedvédi njì naivitet të tejskajshëm, të destinuem me u keqpërdorë prej disave. Shof njì besim n’humanizem që shpejt do t’shperthiqej nën kambët e perbîndshave të realitetit shqiptár. Shof  dëshiren për me u rrók me jeten. Me jeten shqiptare, gjysa iriq e gjysa ushûjzë. Njêna ta nxjêrr gjakun sa hér e rrók fort e sinqerisht, e tjetra e thíthë langun e kuq për me i dhânë mandej ngjyrën karakteristike politikave të neo-komunizmit. Si gjithshka tjetër, edhe dija e pjekunija kanë çmimin e vet. Çmimi jem ishte shumë i shtrêjtë. Ndoshta unë pata shumë me dhânë e, n’fakt, tepër m’u muer. Kështu po thónë ata që më njohin hóll.

Por jam krenar. Jam krenar se kam mrrîjt sot me i mbledh tâna copat e shkyeme nepër rrugat e botës e me i qépë s’bashkut me do fije t’mshehuna thêll në pâvetëdije. Fije që vazhdójnë me ekzistue edhe pak mbasi zemra âsht ndálë.  Fijet që m’kan qép me Shkodren…

Sot jetoj në Kanada. Punoj si Këshilltar Punësimi për emigrantat, të cilët kanë nevójë për kët lloj shërbimi. Ndërmjet gjânave të reja të mesueme ndër vite, mè dhe pá detyrim, ênde nxjêrrin krye do dëshira t’hershme që i pata xânë para do vitesh gadi tuj u fíkë. Prap vazhdoj me bâ muzikë me njì grup t’vogel miqsh e dashamìrsh. Prap shkoj me luejt fupboll, të pakten njì hér në javë. Prap lexoj e shkruej për vendin tem. Prap s’mûndem me e pâ nji hartë a nji glob pa ja ngúlë sytë asaj Shqipnî.  E prap përmallohem…

Si filloi PerShkodren?

PerShkodren filloi me njì telefonát që mora disa vjet mâ pár prej mikut tem, Jetmir Troshani. Jetmiri kishte idénë e mrekullueshme për me krijue njì faqe internetit dedikue qytetit tonë.  Gjithsecila ide kâ historínë dhe arsyenat e veta. Jetmiri e unë kishim diskutue me orë të tâna për Shkodren, situatën e saj në atmosferën anarshiste të periudhës së neo-komunizmit, braktisja e detyrueme e qytetit prej familjeve qindravjeçare shkodrane, mardhânjet e qytetit me banorët e ri, dhe dâmet ktastrofike shpirtnore, psikilogjike e materiale që i janë  shkaktue qytetit veçanarisht në 70 vjetet e fundit.  Jeti kishte deshiren, bile nevojen, jo vetem me e analizue e kritikue gjêndjen e dhimbshme të qytetit, por edhe me bâ diçka për me e permiresue sado pak at’ gjêndje.

Kjo ishte pra balta, ngopun me kalpsiqet e shekujve në të cilen Jetmiri do t’mbillte me idénë e tij at’ karajfil, që mâ vonë do t’binte ndashni me nji lulebórë, e báshkë, mbas do netsh t’epshme, do t’na dhurojshin PerShkodren.

Faqja Pershkodren u aktivizue për hérë të pár në vitin 2007.  Mâ vonë, me iniciativen e Jetit,  ajo kaloi në Facebook. Sot, popullariteti gjithnjì në rritje i PerShkodren, postimet e shumta, diskutimet, opinjonet, pra vét pasunîja e shumëllojshmenîa e saj, dikton nevojen për krijimin e revistes me të njêjtin titull.

Çka bjen të vacantë PerShkodren?

Për me ju përgjígj qârt kësaj pyetjeje ka me m’u dashtë me mârrë si shembull njì eksperiment socio-psikologik që kam pasë rastin me e pâ para do kohëve.  Drejtursit e eksperimentit kishin krijue gjashtë grupe me individë, të cilët vijshin prej  t’njajtit qytet, por kishin interesa, moshë, profesione e t’kalueme të ndryshme.  Sejcilit group i ishte dhânë njì projekt për realizimin e të cilit nevoitej që të gjithë anëtárt e grupit të punojshin e jetojshin s’bashkut për njì periudhë kohet të caktueme.  Vetem tri prej  gjashtë grupeve i’ ishte diftue se kû kishin me shkue të mirat financiare dhe intelektuale që do të gjeneronte përfundimi me sukses i projektit. Grupi i parë, do të sponsorizonte njì organizátë bâmirësiet. I dyti, njì laborator që kërkon për kura kundër sëmundjeve vdekjeprûese, të cilat prekin edhe fëmîjt. E i treti, do të kontribonte në hapjen e njì muzeumit me objekte e fakte, të cilat vërtetojshin në mënyrë të pakundërshtueshme se qyteti i tyne ishte edhe mâ i lâsht se ç’ishte mendue deri n’at kohë. Tre grupet tjera nuk kishin asnji informacion rreth dobísë së përfundimit me sukses të projektit të tyne.

Natyrisht, ndërmjet anëtarve të të gjitha grupeve pati mosmarrveshtje, zemërime, inate përsonale e akuza. Si rrjedhójë, vetëm trè grupet që e dijshin arsyen e përfundimit me sukses të projektit mrrîjtne me e përfundue atè ashtû, siç kërkohej, studijuesit konkludójn se arsyeja âsht se të pasunit e njì qellimit të përbashkët, i cili harkon përmbî interesat, në ket rast të vogla, personale, bân t’mûjtun bashkpunimin me sukses të individvè edhe kur ata funksiomojnë në nivele mendore e shpirtnore  të ndryshme, besojnë (ose jo) në fé t’ndryshme, e kanë preferenca intime gjithâshtû të ndryshme.

I dréjtë kishte me kenë argumenti: “në fund të fundit, individi kërkon me kên mirë per vedi, përpara se me kontribue në të mirën kolektive”. Por âsht gjithashtu i dréjtë argumenti tjetër: “të kenunit pjesë e njì grupit të suksesshem, parashtorn kushtet për suksesin përsonal të anëtárve të grupit”. Kjo balancë, pra balânca individ-komunitet përkûndrejt  komunitet-individ,  âsht mrrîjt mâ mirë se kërkûnd tjetër në vendet Skandinave.  E sikurse na të tânë duhet me e dîjt, Skandinavët përbâjn sot pjesën mâ të qytetnueme të popullsísë botnore.

Radiografia e shoqnîs shqiptare të 24 vjetve t’fûndit mundet me u interpretue nëpermjet tri inicialeve, V-V-E (Vjedhje-Vrasje-Emigracion). Tue dashtë me ndêj mrênda subjektit, po përqëndrohemi te (E-ja) emigracioni. Çka âsht emigracioni? Emigracioni âsht kalimi i individid nga njì grup njerëzish të cilin ai/ajo e konsideron të pasuksesshëm te njì grup tjetër mâ të suksesshëm. Karakteristika e kombeve të suksesshme âsht aftësia që, në momente kyqe të historís, me luftue kolektivisht për interesa mâ të nâlta se ato përsonale. Por edhe në kohë paqet, pjestarët e atyne që na po i quejm “kombe të suksessheme” konkurójn me të gjitha mënyrat, prej mâ t’ultat e deri te mâ pak t’ultat. Por kur vjen fjala per vêndin e vet, qytetin e vet e disa gjâna të tjera të t’njêtes râdësi, ata bâhen njì dhe vetëm njì. E mandej vjen suksesi i të tânë kombit. E mandej pretendimi kombit me kên dikushi ndër kojshi e mâ gjânë.

Kurse na… Çka mûndena me thânë rreth këtij subjekti? Gjithshka që mûndena me thânë me t’mâdhe rreth hitorís sonë jânë njâta 25 vjet kur sundoi Gjergj Kastrioti. Pjesa tjetër, mbizotnohet prej vllavrasjes, e t’kthyemit në sherbyesit e t’huejit në dam të bashkatdhetarve. Rrjedhoja? Dy fakte tragjike:

1) Kambëngûlja  jonë e pâshembullt për me kên vêndi mâ i vorfen n’Europë.
2) Përthithja e vazhdueshme territoriale e “atdheut të shqipeve vetengrânëse”.

Njì Iliri që shtrihej prej detit Egjé e deri në detin Adriatik e Jon âsht sot veç njì rryp i dhîmbshëm toket i rrethuem me vedvedi.  Perveç periudhës së Kastriotit, sa ushtri të hueja jânë përpjek me u fút n’Shqipnî e kan dështue? Asnjì.

Thelbi i kësaj tragjdie qëndron në faktin që krejt inteligjenca, fantasia e forca jonë fizike e shpirtnore si komb, mrrîjn kulmin e vet vetëm kur vjen pûna me luftue  kûndrejt njêni- tjetrit. Për shêmbull:  Ç’ka âsht gjakmârrja? Akti vampiresk i pimjes së gjakut ndërmjet njerëzish me gjak të njajtë. Gjakmârrja, hakmârrja, e ajo që tash po i thonë “larje hesapesh”, janë kumonat gjigânde që bijn pâ dâ nder vésht t’ona tashmâ t’shurdhueme. Kuazimondot e Europës mbetme, shurdha, naiv, t’shemtuem e lypsa t’përbuzun. E na rrah Europa para godinash t’përbmbîndshme ku u vendos copëtimi jonë mâ i fûndit, e na rrahim njêni-tjetrin. Pamvarësisht se sa doemosdoshmërisht e urgjentisht e ka kërkue situata, na s’jena bâ kurr Njì, e natyrish, kurr Dikushi.

Kjo âsht pikerisht e veçanta që bjen PerShkodren. PerShkodren bjen njì koncept të ri në mardhâniet ndërshqipëtare, ndërshkodrâne. PerShkodren bjen Shkodren si strehen e përbashkët që lexuesat e saj kan me e ndá paqësisht (kshtû Jetmiri e ûn shpresojm) me njêni- tjetrin. PerShkodren âsht shkrue rreth Shkoders, t’nderuem lexues, e jo rreth jush. Prandaj le’ t’mos e mârrim personalisht ndoj fjali (me t’cilen mund te mos dakordohena) që bashkeqytetari, bashkëlexuesi i jonë e shkruen rreth qytetit që n’a takon të tânve. Shkodra âsht e jona e na jena t’sajt. Shkodra quhet qytet sepse shumica e banorëve të saj kan pas kên qytetar. Qytetar don me thânë: “Njeri në gjendje me komunikue, bashkejetue e bashkepunue paqësisht edhe me përsona të ndryshem prej kalibrit të tij”. E tham ktè sepse në veren e vitit 2014, në faqen e Facebook me te njejtin êmen, janë bâ komente të cilat fillojshin prej mosdakordimit, te fymjet e drejtperdrejta, te sulmet e hapuna personale e familiare, e deri te ekstaza e fanatizmit fetar që shkumonte prej gojeve të disa banoreve të qytetit tonë. U desht do kohë për me e shtupue t’vjelltin që u hodh permbi PerShkodren. Por i pashtupuem mbet turpi n’ftyrat e atyne që e vûnè fénë permbî Shkodren.

“Nuk ka fé pa atdhé” tha Fishta i shkrete, por jo gjithkush e ndjeu.

Me fól drejtë duhen mênd.  Me dijt me ndî drejt duhen edhe mâ shumë mend.

A asht Shkodra âshtu si e dëshiron ti?

Mjerisht jo. Në njênen anë, Shkodra s’mundet gjithsesi me kên ashtû si e dishroj ûn. Po spjegohem. Kur e don dikend fort, për shemull Shkodren, (Shkodra për mue âsht dikush e jo diçka) njáq fort sa të duhet me i kërkue vazhdimisht ndihmë pjekunísë e arsyetimin të torturuem ndër vjet për me shmângë obsesimin, atëhér asnjì naltësi që ajo kênje, (e n’ket rast Shkodra) mundet me mrrîjt nuk âsht e mjaftueshme për me t’kënaq plotësisht.

Por realiteti âsht se rrugat e qytetit tonë janë të mbushuna me njerëz  t’papunë, pa edukim ose me diploma t’verteta, pa asnjì plan, asnjì shprésë për t’ardhmen e, rrjedhimisht, asnjì gjâ t’mâdhe për me húpë. Jeta e tyne âsht ndër sendet mâ të lira që mund të gjinden sot n’Shkoder. Njerezit vrasin e vriten për njì krenari imagjinare. E pushtetarët? Ata meritójnë vetëm pès shkronjat e para të titullit t’vet.

Shkodra âsht sot njì dhé i mjellun me t’keq. E e keqja po rritet. E dheu s’po e ka mâ eren e saj. Heren e fundit që isha n’Shkodër, deshta me e mârrë me vedi pak dhé prej truellit nën t’cilin kam me fjet s’fundit, … por s’dijta ku me e ngúl lopaten që m’a pat lânë baba…

A âsht Shkodra kryeqyteti i Gegnís Shqipetare?

Le t’bâjm njì pyetje të anasjêllt. Në kjóft se Shkodra nuk âsht kryeqyteti i Gegnís, atëhér cili qytet âsht? Ktû gjithkush hésht, dhe me arsye.  Kam respekt të madh për qytetet tona të lashta e historín e tynè. Por dij që, në të gjitha vendet apo krahinat e botës gjindet gjithmón njì qytet i cili, si rrjedhójë e kushteve hitorike, gjeo-politike, klimaterike, antropologjike etj, dallohet per njí zhvillim mâ të náltë kulturor, intelektual e shpirtnor se qytetet tjera perreth. E n’rastin tonë ky qytet âsht Shkodra. Ka njì arsye pse çdo bishë e huej a vêndase që ka sundue Shqipnínë âsht përpjék mâ shumë se gjithshka tjetër me thye shpirtin e Shkodërs. Sunduesat injoratë frigesohen s’tepërmit kur nuk e kuptojnë, e rrjedhimisht nënshtrojn plotësisht t’sunduemin. (Sundimi Britanik ban përjashtim. E për kte sot bota flet gjuhen e tyne e mendon si ata). Shkodra âsht e nderlikueme deri n’padeshifrim. Shkodra âsht ai qytet i gegnìs prej kû dolne mendjet mâ të ndrituna, por edhe idiotat mâ t’medhenj, bashkpunimet mâ t’frytshme, por edhe konfliktet mâ t’ashpra, patriotët mâ t’fláktë, por edhe trathtarët mâ t’përzhitun, e dashnít mâ depresive, e intrigat, xhelozít e thashethêmet mâ t’perbindshme. Vetem Shkodra, ndër të gjitha qytetet e gegnís, permbân në vedvédi kompleksitetin e krahasueshem me atë të disa qyteteve 2000- vjeçare t’Europës.

Oh Shkodra, kryeqyteti ênde me dy krena… mâ i aferti por edhe mâ i largëti me kontinentin të cilit i përket.