Kush asht Paçalin Pavaci?

Time posted: Tuesday, September 8th, 2015 1:46 pm

Share on Facebook283Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Pac

Paçalin Pavaci

  1. Kush asht Paçalin Pavaci? Nji biografi artistike e shkurtë e vetvetes

Tham ta filloj me ardhjen teme në Itali, me 15 dhetor 1992, me Orkestren e Dhomës të Akademisë së Arteve, nën drejtimin e Ibrahim Madhit. (Atëhere në Shqipni sapo kisha fitue konkursin në Orkestren e Radiotelevizionit, sapo kisha fillue me dhanë mësim muzikë dhome në Akademi dhe kisha ma se 1 vit që luaja në kuartet me intrumentiste dhe shokë e miq të shkelqyem, si: Franc Shestani, Vangjel Nina e Indrit Hafizi.

Mbaj mend që u çojshim shumë heret për me studjue. Punojshim në orkestra e studjoshim shumë kuartet. Kanë kenë momente të jashtëzakonshme miqësiet, studimit dhe ballafaqimit. Kena ba disa koncerte ndër qytete të ndryshme të Shqipnisë, që patën sukses. Po u pregatitshim për disa konkurse në Itali dhe Francë. Na erdhi edhe nji ftesë nga Mstislav Rostropovitch, por as Ambasada Italiane, as Ambasada Franceze nuk na dha vizat. Ishim të dezilizionuem, por vazhdoshim me studjue fort…

Shkuem në Greqi, mbaruem koncertet dhe e vendosëm me ndej dhe me e provue fatin atje. Atëher unë isha i dashunuem me nji vajzë shkodrane. Mbas 2 javëve i “tradhëtova” shokët e kuartetit. Me ju thanë të drejten nuk më pelqente ideja me ndejë në Greqi. Si duket edhe dashnia bani edhe ma tepër me u kthye në Shqipni. Këtë “tradhëtim” të miqeve dhe shokëve e kam mbajtë peng për të pakten 5-6 vjet në Itali… (Me falni për zgjatjen, por kanë pasë dhe kanë shumë randësi ato vjet studimit dhe miqësijet me miqt e mi të kuartetit…)

Mbasi mbaruem koncertet në Veri të Italisë, unë u drejtova drejt Civitavecchias, afër Romës. Me mu në tren ishte Ibrahim Madhi, që tanë rrugën, prej Milanos dhe deri në Romë, u mundue me ma mbushë mendjen me ndejë në Itali. E vendosa me ndejë, sepse edhe nji mik italian më kishte premtue ndihmë, por kur shkova ne Civitavecchia, përfundova me fjetë në nji barkë, sepse gruja e tij nuk e donte shqiptarin në shpi… Nejse. Ishte dimën (kam kalue Kshnellat dhe Vitin e Ri n’atë barkë) dhe lagështina m’u fut deri në palcë. Barka ishte kaq e vogël sa nuk mujsha me u çue në kambë… Mbas disa ditësh pata fatin me njoftë Padre Linon, nji prift Rumun që bashkë me mikun e tij Padre Gjorgjon kishin ba 24 ditë me ikë prej Rumaniet në vitet ‘70 nëpermjet kufijve të ndryshëm të Evropes Lindore, të ndihmuem nga Arqipeshkvi i Krakovias, Karol Wojtyla (ma mrapa, Papa Giovanni Paolo II)…

Padre Lino me ftoi diten e parë për drekë, mbasi kisha lujt diçka në violinë për te dhe murgeshat e Caritas në Civitavecchia. Mbas drekës kena folë për 6 orë, e mbas bisedës më ftoi me ndenjë në nji shpi të kishës bashkë me 2 djem te tjerë Rumunë. Ndër të tjera më tha se, edhe po të mos kisha ndër mend me ndenjë shumë në Itali, duhet ta shfytezosha këtë rast për me hekë atë etjen dhe uri të madhe që kisha për artin dhe kulturen. Më vuni në dispozicion bibloteken, diskografinë dhe diapozitivat e të gjithë muzeve me të randesishëm në botë. Aty m’u shfaq dëshira e pasioni për artet figurative. (Sot, mbas gati 23 vjetësh, ato muze që kisha pa në diapozitiva kam pasë fatin t’i vizitoj).

Pra, isha komplet i zhytun në art, në tanë aspektet e tij… Mbas 2 ditëve kena shku tek murgeshat e Caritas në Romë, kur pashë edhe Kishen e Sh’Pjetrit dhe muzetë e Vatikanit për herë të parë, kam qa si fëmija, nuk m’u besonte se une isha aty. Ishte nji emocion i papërshkrueshëm… Mbasi lujta muzikë për murgeshat, superiorja më dha nji zarf (prifti me kishte porosite që të mos refuzoja ne qofte se do te më jepnin diçka, meqenëse unë, me krenarinë teme të shqiptarit, nuk pranosha kurrgja) që kishte mbrendë 500.000 lireta. Jam ndi njeriu ma i pasun në botë… Ditën tjetër u ktheva në Romë dhe shkova te dyqani i muzikës Ricordi, dhe ato pare siç i kisha, i harxhova për partitura muziket për violine… Padre Lino me kishte thanë se aqkohë sa të rrija te ai, nuk do të baja asnji punë tjetër, veç të studiojaja. E kam mbytë vedin tue studjue deri edhe 10 orë në ditë. 3-4 herë në javë lujsha në kishë, në meshat që urdhenonte Don Lino. Kam lujt gjithçka, ishte mirë për mue se kisha gjithemonë publik… Ky ka kenë fillimi i karrieres teme si violinist.

Si për çdo mërgimtar fillimi ka kenë bajagi i vështirë, sidomos për 5-6 vjetet e parë. Kam jetu si klandestin gati për 3 vjet. Dokumentet e para kanë kenë si Collaboratore domestico, shërbyes… Fillova të baj ndonji audicion, kur i fitojsha…

Pata fatin e madh me njoftë gruen teme të ardhshme, Carmen Santoro. Dikush mundet me mendue se në këtë moment unë i zgjidha tana problemet, mund t’u martojsha e të kisha dokumente italiane, kështu që mund të baja tana audicjonet në orkestrat ma të randësishme. Por jo, me krenarinë teme të shqiptarit, dojsha me kenë komplet zot shpijet, edhe nga ana financiare… Carmen atëhere jepte mësim në nji shkollë të mesme, muzikante e jashtezakonshme, por nuk kishte karrieren që ka sot. Ajo e ka prejardhjen prej nji familje shumë të thjeshtë, jo e pasun… Fillueme me studjue e me ba koncerte bashkë, kena luejt gati tanë repertorin ma të rendesishem për violinë e piano… Nji ndër koncertet ishte për dirigjentin e madh Carlo Maria Giulini, i cili pa tek unë nji spale, Koncert master të ardhshëm. Këtu m’u fut krymi për këtë rrol kaq të bukur dhe me përgjegjësi kaq të madhe… U martume në 1999, e që prej asaj dite karriera e jone ka kenë gjithëmonë në rritje, njeni nji krah e tjetri në krahun tjetër, sikur i bashkume forcat bashkë… Kena ma se 10 vjet që nuk mundena me ba muzike me grun teme për shkak te aktivitetit tone komplet të ndryshem dhe në vende te ndryshme. Carmen asht profesoreshë në Royal College në Londer, Chef du Chant ne Opernhaus në Zurich, Vocal Coach ne Teatrin Bolshoi te Moskës, përgjegjëse artistike e Akademisë së Kantos në Martina Franca, përgjegjëse artistike e të gjithë produksioneve muzikore te Festivalit Valle D’Itria, profesoreshe ne Konservatorin në Parma, Italian Coach në festivale të ndryshme nëper botë…etj., etj. Ajo asht asistente e muzikantave të shquar si Alberto Zedda e Fabio Luisi. Boll fola për grun teme… :))

Në Itali kam studjue me profesora të shquem, si: Norbert Brainin, violina e parë e kuartetit Amadeus, me George Munch, student shembullor i Szeringut, me Anthony Marëood për Bach dhe repertorin për violine solo, me Lavard Skau Larsen për repertorin mozartian. Për rolin e violinës së parë kam studjue me Emanuel Borok, spala e Boston Symphony e Dallas Symphony, me Rajmondo Matacena, spala e Teatrit Regio ne Torino dhe Scala ne Milano.

Kam fillu karrierën teme në orkester duke luejt në rresht, tutti. Orkestra e parë, ma e vlefshme, mbas eksperiencave të vogla në disa orkestra të vogla në Jug të Italisë, ishte ajo në Savona, VP të Italisë. Me thirri shoku, miku i jem i voglisë, Rrok Jakaj. Në ketë orkestër ishin shumë instrumentiste harkut shqiptar, miq dhe shokë, si Demiri, Lushi, Valbona, Sokoli, Iliri, Edvini, Gilda, Besniku…etj. Harqet shqipëtare sapo kishin fillue me ba nji figurë shumë të mirë në Itali dhe vende të tjera, demostrim i shkollës së mirë qe kishim ba në Shqipni. Meritë shumë e madhe ka pasë edhe Rrokut qe na mbledhte të tanve… Nuk e di nga me ja fillue me fole për Rrokun, asht nji boshllek shumë i madh që edhe pse kanë kalue ma se 10 vjet, nuk mbushet. 30 vjet bashkë, në shkollë, në punë, në Shqipni dhe në Itali, gjithëmonë të pandamë qysh kur ishim 6 vjeç. Ishim dy karaktere te ndryshem, por na mbate dashnia dhe respekti që kishim per njeni-tjetrin. Bashkë u kompletoshim. Më mungon jasht maset… Në vitin 2014, për 10- vjetorin e vdekjes, lujta Koncertin e Alban Bergut “Në memorie të nji engjelli”, ja kisha premtuë vëllezënve të Rrokut dhe vedit…

Kam vazhdue me luejt në orkestra të vogla e mesatare, fillova me ba, në shumë prej tyne, spalen e violinave të dyta ose asistent i spales së violinave të para… Fillova me mujt me demostrue që kisha te dhana me ba spalen… Shumë dirigjenta fillune me më mbështetë…. Fillova me kuptue se kjo ishte rruga dhe zanati që dojsha me ba… Kështu lindi ne mue pasioni dhe dashnia e madhe me ba violinën e parë, koncertmaster, por duke mos lan kurre aktivitet e tjera, solistike, muzikë dhome dhe mesimdhenie… Fillova të marrë pjesë në sezone dhe festivale me randësi si: Rossini Opera Festival, Macerata Opera, Snow&Symphony në Saint Moritz, Festival della Valle d’Itria, etj. Pata fatin disa herë me punue me spala shumë të zot, që i kisha në krah. Jam mundue gjithëmone me marrë e me kopjue çdo gja të mire që kishin. Ishte eksperiencë e madhe, isha i etun me ditë sa ma tepër për sa i përket orkestrës, çdo aspekt, jo veç muzikor…

Nji studim të madh bana tue ndjekë, me anë të vidiove, spalat e famshme, të së kalumes, si Shwalbe, Dicterow, Krebers, Spierer, Kuchl… po edhe të sotëm, si: Nikolich, Baumstein, Stabraëa, Ashkenazy…

Nga viti 1999 deri me 2006, për 4-5 muaj në vit isha i ftume në Universitetin Showa në Tokyo, Japoni. Isha profesori ma i ri i atij Universitetit. Pata fatin e madh me bashkepunue me instrumentistë të shquem, si: Jean Claude Gerard, Daniele Formisano, Mie Kobayashi, Hirofumi Kano…etj. Shpeshherë drejtoria e Universitetit më dërgonte në qytete të ndryshme të Japonisë për me ba propaganden e Universitetit. Ndër vite pata fatin e madh të luej edhe në Teatrin Kombetar të Tokios 4 opera si spala. Mbaj mend nji herë, po basha spalen në Santory Hall, në Tokyo, po lujshim Messiah të Händelit. Mbasi u fut kori dhe orkestra, u futa edhe unë në skenë, përshëndeta publikun përpara dhe mbas orkestres (Santory Hall asht nji ndër sallat ma të medha në botë, asht si nji stadium i vogël, publik rreth e rrotull, ma tepër se 2000 vende)… mbaruem pjesën e parë, dalim, dhe unë drejtohem drejt dhomës teme, më ndjekin perkthyesja dhe sekretari i jem, të dy japonezë, që kisha në periudhen kur isha atje… E shoh sekretarin pak të shqetësuem, edhe pse japonezet i mbulojnë bajagi emocionet, u dukte që kishte diçka. E pyes përkthyesen, dhe me thotë, mbas nja 1000 të kërkume të falunit, që unë, në momentin kur po përshendesja publikum dhe po akordosha orkestrën kisha humb 12 seconda… Nuk m’u besonte, çdo gja ishte e kronometrume… Preçizion japonez!!! :)) Universiteti më jepte nji violinë Stradivari të vitit 1734, për gjithë ato muaj që ndenja atje (ishte nji emocion i jashtëzakonshëm, tue mendue që në vitet e studimit në Shkoder shpeshherë përdorsha telat të marrun nga kavot e telefonisë që m’i binte baba…)

Sikur mos të mjaftonte, pata fatin e madh të luej edhe me nji hark që kishte kenë i violinistit të madh rus Leonid Kogan, violinistit tem ma të preferume edhe sot… Imagjinojeni edhe vetë emocionin… Harrova me thanë që violina Stradivari kishte kenë perpara e Georg Kulenkamff, violinist i madh austriak i fillimit të shekullit 20, e tesh asht pronë e Universitetit.

Nga viti 2003-2010 jam marrë me studimin dhe promovimin e muzikës kontemporane dhe të avaguardies. Kam bashkëpunue me kompozitorë të njohun, si Steve Reich, Yehudy Wyner, Erel Paz, Fabio Vacchi….etj, duke ba shumë koncerte si brenda dhe jashtë Italisë.

Nga viti 2006 deri në 2015 kam kenë spala 100% e Teatrit Petruzzelli në Bari për repertorin sinfonik, operistik dhe baletet… Kam bashkëpunue me artistë, si: Maisky, Barshai, Oren, Reck, Neuhold, Lupo, Ferro, Shmidt. Kam kenë spala e parë qi mori pjesë në rihapjen e Teatrit Petruzzelli në tetor 2009, mbas ristrukturimit të tij, mbas djegjes në vitin 1991. Nji teater i mrekullueshëm me nji histori te pasun artistike. Një ndër ma të medhenjt në Itali dhe me të bukrit… Përveç shumë veprave të shumta luajta aty për herë të parë komplet Unazen e Nibelungeve të Wagnerit, nji arritje e madhe për nji spale.

Ndër vite, përveç shumë veprave sinfonike dhe baleteve, repertori i im si spala asht i pasun edhe me 60 opera lirike të kompozitorve të ndryshëm… Ndër vite kam luejt në salla dhe teatro të randësishëm nëpër botë, si: Kennedy Center në Washington, Santory Hall, Bunka Kaikan, National Theatre në Tokyo, Osaka Hall, Minato Mirai në Yokohama, Parco della Musica ne Romë, Festival Hall e Barbican Hall në Londër, Auditorio Paganini në Parma, Herkulen Saal në Munich, Auditorio Nacional në Madrid, Salla G. Verdi në Milano, Lingotto në Torino, në disa salla në Kinë, etj., etj., në Teatrot në Genova, Venezia, Parma, Piacenza, Modena, Pesaro, Reggio Emilia, Ascoli, Ancona etj., etj.

Gjatë viteve kam mbajtë shumë kurse përfeksionimit, masterclass, si: në shkolla të ndryshme në Japoni, National Academy në Kanada, Scuola di Alto Perfezionamento di Saluzzo, Academia Musicae në Vicenza, Sebino Summer Class & Festival etj., jam gjithmonë i hapun, edhe pse jam shumë i zanë me aktivitetin tem, të ndjek me leksione private studentet e ri që dojnë të thellohen në studimin e tyne.

11998079_10207423314811489_1291221511_n

me Lorin Maazel

Kam disa vjet që jam i ftuem në Amerike, në Festivalin e themeluar nga Lorin Maazel dhe gruaja e tij Dietlinde, në Castleton, Virginia. Kur më thirri për herë të parë, ka kenë nji emocion i papërshkrueshëm. 3 ditë përpara kësaj ftese, sapo kisha mbarue nji produksion me të. Më thirri nga Parisi, unë isha në shpinë teme në Parma, fjalët e para kan kenë: “a ke mujt me mbijetue edhe me mungesen teme?” Gjujt e mi po me dridheshin, e njofta zanin në telefon, por nuk m’u besonte… Lorin Maazel, përsonalisht me therret mue. I përgjigjem: “Maestro Maazel, e pabesueshme, po marrë nji karrige e po ulem, se po më dridhen kambët”. Ai qeshte në anën tjetër të telefonit e më thotë se a kisha dëshirë me shkue në Amerikë me ba spalen në Festivalin e tij… Unë po floturosha nga gezimi. Ishte vlerësimi ma i madh që po i bahej punës teme… (Kam pasë fatin me njoftë Maestron për herë të parë në vitin 2002 kur po punojsha me Orkestren Filarmonike A.Toscanini, duke ba shumë tournée bashkë në shumë vende të botës, në sallat dhe teatrot ma të njohun në botë… po ashtu me ketë orkestër kam punue edhe me dirigjenta të tjerë të shquem, si: Pretre, Termirkanov, Rostropovitch, Plasson…etj. Jam mundue nga të gjithë me mesue diçka të re).

Vitin e parë bamë 3 opera dhe 4 koncerte sinfonike, u kënaqa. Ai e njifte mirë punën teme, por më kishte pa tue punue me orkestra profesioniste, këtu në Festival ishin tanë të ri shume të zotë, që Maestroja i kishte zgjedhë përsonalisht, shumica nuk kishte ba akoma asnji opera ose nuk i kishin ra akoma në orkestër. Kisha me ba nji punë të madhe, por me ndihmonte fakti se kisha nji entuziazëm të jashtezakonshëm dhe nji kënaqësi të pamasë me ba muzikë me Maestron.

Rraporti jonë përditë bahej ma i konsoliduem. Kena folë shumë. Me ka qellue shpesh edhe me gatue për të, e çmote kuzhinën teme. Duke kenë edhe ai violinist, shumë herë diskutoshim për harkatat ose gishtat që do tue përdorëshin në momente të ndryshme muzikale, aq sa nji ditë me tha që kur të delsha në pension, duhet të shkruja nji libër mbi harkatat dhe gishtat për pasazhet e ndryshme muzikore. Ka kenë nji ballafaqim i jashtëzakonshëm. Bame edhe audizione për tanë orkestren, 6 orë unë e Maestro në komision, fantastike ka kenë me i nda gjykimet bashkë. Më la komplet Carta Bianca për vendimin e instrumentistave në legjio të ndryshme.

Festivali shkoi shumë mirë, Maestroja ishte shumë i kënaqun me mue, dhe nuk lete vend dhe njiri pa më livdue. Unë isha shumë i lumtun. Natën e fundit me ftoi në shpinë e tij (unë kur shkoj atje çdo vit rrij në nji ndër vilat e tij) për darkë veç me familjen e tij (kisha shkue edhe herë të tjera, por me persona të ndryshëm, muzikanta). Në fund, kur u përqafume me tha: “Kurrë në jetën teme nuk i kam mbetë borxh kërkujt, ty të jam shumë borxhli. Do të ndihena shumë shpejt”. Unë mbeta pa fjalë, emocionet më tradhetune, qava pak. Në fakt, Maestroja më thirri fill për nji produksion (Boheme) në Oman, në Teatrin e ri, i vetmi teatër operash në atë zonë, shumë modern, po ashtu me rrekomandoi në Philharmonia Orchestra në Londer, nji ndër ma të mirat në botë, ku për 3 vjet kam ba shumë produksione si në Angli ashtu dhe në tournée. Po ashtu, më ftoi prap e prap në Festivalin e tij. Qysh atëherë unë jam pikë referimit për Festivalin, ku zgjedhi harqet e orkestres, baj masteclass, orchestral coaching.

Vitin që shkoi, me 13 korrik 2014, Maestro Maazel na la. Ishte nji dhimbje jashtëzakonisht e madhe. Unë kam kenë përsoni i fundit, mbas familjes së tij, që ka takue e ka hangër me te.  Në Memorialin e vdekjes familja më nderoj me kërkesen që të mbaja nji fjalim të shkurtër dhe të luaja diçka, luajta Meditation “Thais” e Massenet, (atë pjesë që Maestroja kishte dëshirë të lunte për herë të fundit, pak ditë përpara i kisha pregatitë violinën dhe donte me i ra kësaj pjese)… Deri nji javë para vdekjes ndoqi të gjitha provat e Festivalit, tue më dhanë nji përgjegjësi shumë të madhe edhe në zgjedhjen e dirigjentave. Kishte shumë besim tek unë.

Sot ky besim vazhdon me gruan e tij, Dietlinde Turban-Maazel, drejtore artistike e këtij Festivali, e cila me ka ofrue nji kontratë 5-vjeçare (me nji vize punet A1), tue më dhanë edhe mundësinë me punue edhe në istituzione të tjera të Shteteve të Bashkueme të Amerikës.

Në ketë Festival kam pasë mundësinë me njoftë dhe me bashkëpunue, si me Joseph Alessi, Eugene Levinson, James Morris, Neil Shicoff, Stanford Olsen, Denise Graves, Dimitri Berlinsky, Brian Dickie, Nancy Gustafson, Donald Runnicles, etj. Jam unë që baj zgjedhjen, me anë të audicioneve on-line, të harqeve për orkestren e Festivalit. Baj pjesë edhe e Komitetit Artistik të Festivalit.

Ndër vite kam pasë fatin e madh me bashkëpunue me dirigjentë dhe instrumentistë shumë të njohun, përveç atyne që kam shkrue ma siper, si: Fabio Luisi, Vladimir Ashkenazy, Lior Shambadal, Zoltan Pesko, Anton Nanut, Jonathan Not, Bruno Bartoletti, Asher Fish, Donato Renzetti, Ralf Weikert, John Neschling, Simonide Braconi, Avi Avital, Enrico Bronzi, Roberto Abbado, Christof Hartmann, Andrea Oliva, Andrea Zoni, etj.

Në shtator të këtij viti do të filloj si spala në Sivilja, Real Orquesta Sinfonica de Sevilla ne Spanje (dirigjenti i njohun John Axelrod, që asht drejtor artistik dhe muzikor i kësaj orkestre më ka thirrë  të jem spala e kësaj orkestret). Programi i parë ka me kenë me Sheherazade të Korsakovit. Me këtë orkestër jam i detyruem me ba të pakten 14 jave punë, meqenëse asht edhe spala tjetër. Kam me luejt edhe si solist në Maj të 2016-ës. Po ashtu jam profesor i ftuem në Fondacionin Barenboim and Said, po në Sivilje. Unë jam po ashtu, spala e parë e ftume në Madrid, Orquesta Nacional de España, me të cilën kam punue disa herë, me të cilën do te hapi sezonin e ri 2015-2016 me Sinfoninë e dytë te Mahlerit. Dirigjent do të jete drejtori i tyne stabel dhe muzikor, David Afkham.

Mbas nji leje të jashtëzakonshme që mora nga Orkestra e Seviljes, në dhetor dhe janar 2016 kam me kenë spala në Belgike, me Flemish Opera (që vjet fitune në Londer çmimin prestigjoz Internacional Opera Aëard 2014, ku edhe gruaja ime mori çmim këtë vit) për nji oper dhe 2 programe sinfonike. Do të vazhdoj bashkëpunimet me Philharmonia Orchestra në Londer, me Orquesta de Castlla y Leon ne Valladolid, me Orkestren Filarmonike A.Toscanini në Parma….etj Po ashtu, kam disa projekte me disa Universitete në Shtetet e Bashkume.

Kjo asht pak a shumë biografia jeme artistike në keta gati 23 vjet që kam lanë Shqipninë.

  1. Cili asht ndryshimi ndërmjet Paçit përpara ikjes nga Shqipëria dhe Paçit sot?

Në thelb si njiri tham që nuk kam ndryshue aspak, mundohem me mbajtë gjithmonë ato vlera që kisha kur isha në Shqipni. Kuptohet, jeta ban punën e vet, tham që jam rritë në tana drejtimet. Ndryshimi asht jashtëzakonisht i madh nga ana profesionale, tue e mendue se kur isha 10-12 vjeç kanë dashtë me ja mbushe mendjen babës tem që të me hekshin prej vjolinet, sepse dikush thote që nuk basha për atë zanat.

Me ju thanë të drejten, ndoshta kanë pase edhe të drejte, nuk studjojsha, nuk kisha absolutisht dëshirë të bahesha violinist. Por, sidomos kambngulja e babës tem, Bep Pavaci, (baba donte që i biri te ishte violinist profesionist, meqenëse ai dhe gjyshi jem kanë kenë kangëtare amatorë). Baba jem fitoi bashkë me ndihmën në fillim te Zysh Nuçit (Marie Laca) dhe sidomos te Zysh Dorit (Dorotea Miloti, që e kujtoj me shumë mall dhe jashtezakonisht shumë mirënjohje për tanë që ka ba për mue, për mësimin, për zemren e gjanë (mbaj mend që kur po pregatitesha për konkursin në Akademi, me tha që unë nuk kam ça me të dhane ma, dhe më dergoj në fillim te Bardha Denizi e mandej për nji vit rresht tek profesori i dashtun Shkodran Bujar Sykja. E falenderoj shumë Dorin për tanë luftën e madhe që ka ba për mue, që të vazhdojsha studimin si violinist).

Kjo asht e kalumja e paharrueshme. Sot, mjafton me kujtue që per 6-7 vjet kam kenë violina e parë spale, ndër ma të preferumt e të madhit Lorin Maazel, që me ftoi edhe në festivalin e tij, në Amerikë, sot unë jam si pikë referimit e këtij festivali; spala e ftume për 3 vjet në Londer me Philharmonia Orchestra, ndër 10 orkestrat ma të mira në botë; në dhjetor 2014 kam kenë i ftume, në mes te 28 spalave të ftueme nga gjithë bota, në New York të baj audicionin për spala në Teatrin e Operas, Metropolitan; profesori me i ri i ftuem në Universitetin Shoëa në Tokyo, Japoni, për 7 vjet; kam lujt në 26 vende të ndryshme të botes; kam punue në 7 vende të botes, me institucionet e këtyne vendeve; në shtator 2015 filloj si spala në Siviglia, Spanje, me Orkestren Sinfonike të Siviglias etj., etj. Kam punue e studjue jashtëzakonisht shumë për me arrite me ba diçka, por në të njajtën kohë e quaj vedin me fat. Mundohem me marrë gjithmonë çdo gja të mirë që asht në çdo vend dhe çdo institucion ku shkoj, jo veç për sa i përket artit po edhe zakoneve të ndryshme, kuzhinave të ndryshme, traditave të ndryshme, kulturave të ndryshme. Jam shumë i hapun për çdo gja të re, tham që asht nji pasuni e madhe.

  1. Si ka ken për nji Shqipëtar me ardhë ne Itali në ato vite?

Tham se si për tanë emigrantët ardhja në Itali në fillim të viteve 90, ka ken shumë e vështirë, ishim thjesht të papranum. Ishim të etiketuem, shqiptarë = bota e tretë e pa zhvillueme. Mbaj mend që në fillim nuk kishte rast ose ambjent ku nuk e ndisha vedin të përbuzun o të përulun. Nji herë nji zonjë me tha a ka pula në Shqipni, a keni vë?… dhe nji tjetër, ku asht Shqipnia, në Afrikë? Kuptohet injorancë, por jo vetem,… italianët sikur e kishin harrue historine e tyne si imigranta. E njifsha gjuhën Italiane shumë mirë që në fillim, po ashtu njifsha edhe Anglishten… Bana nji gabim nji herë në një shtëpi, në vend që me than il sale, thashe, la sale, gati më mbyten për gabimin e madh, “të jashtëzakonshëm” që kisha ba… Sot asht ndryshe, shumë shqipëtarë në fusha të ndryshme kanë demostrue dhe demostrojne vlerat e tyne me punën e tyne të madhe. Shumë artista e muzikanta kanë xan vende me prestizh në institucione të ndryshme në botë ose bajnë pjesë e sezoneve të teatrove me randësi në botë. Kështu që bota ka fillue me na pa me nji sy komplet tjetër… Nji muzikant ose nji artist çfarë do pasaportet dhe kombësijet të ketë, për mendimin tem asht qytetar i botës, siç asht vete arti që nuk ka kombësi.

  1. Cili asht për ty definicioni i suksesit.

Suksesi asht për mue vlerësimi i profilit të nalt të profesionalitetit tem, gjithëmone dhe ma tepër prej përsonave që janë pjesë e jetës muzikore ndërkombëtare, prej një instrumentistit deri tek dirigjenti apo drejtori artistik.  Suksesi për mue asht edhe sfidë dhe përgjegjësi e madhe.

  1. Si njeri i cili e ka provue dhe e provon shijen e suksesit tashma rregullisht, a mundesh me na e përshkrue çka i merr, pra çka kërkon suksesi prej individid, dhe çka suksesi i nep atij individ?

Me ju than të drejtën nuk kam mendue asnjëherë e as mendoj të baj nji diçka për me pas sukses. Për me mendu për suksesin duhet me ken tip ambicioz, unë nuk jam, prandaj vuj ma pak. Ambicjoni i jem ka ken dhe asht me u ba nji artist i mirë. Çdo gja e kam ba dhe e baj thjesht për dashninë që kam për artin. Për sa i përket kërkesës se suksesit ndaj individit, tham qe kur futesh në disa ingranazhe te zanatit tem duhet të mendosh që atë që baj duhet të pëlqehet. Mbas nji suksesi asht gjithëmonë nji punë jashtëzakonisht e madhe. Për sa më përket, nuk mbaj mend që ta kem lan studimin gjate një vitit ma tepër se 4-5 ditë, edhe këtë e kam ba në periudhën e verës, për pushime, për me ba që të pushoshin krahët edhe mendja. Me ju than të drejtën e ndi vedin shumë në faj ba mas me studjue përditë, të pakten 2-3 ore në ditë. Studimi asht sakrificë e madhe, ndoshta ndonjëherë të ban me kenë asocial, kur të tjeret mbledhen, ti je aty i mbyllun në dhomë duke luftue që ti zgjidhish të gjitha problemet teknike e muzikore, dhe jo vetem, studimi asht edhe ballafaqim me të tjerët, me ato që bajnë zanatin tand.

Nji ndër sukseset ma të medha për mue asht se çka i len ti brezave ma të ri, me eksperiencen dhe bagazhin tand të akomuluem në vite. Se mos gabohem o Oistrakh o Heifetz ka than që asnjiherë nuk duhet me e mendue suksesin nga sasia e duartrokitjeve. Oistrakh thotë se: na nuk duhet të demostrojmë sa të zot jena, por sa dashni kena me e ba ketë zanat. Për sa i përket se çka i nep, tham se i jep shumë, por i merr edhe shumë. I jep mundësinë me pas t’bajnë me instrumentiste dhe muzikanta gjithëmonë dhe ma të mirë, me lujte me ajkën e muzikës klasike sot, por i merr edhe shumë energji, duke pase parasysh që kërkesa rritet gjithëmone edhe ma tepër. Unë kam nji shprehjen teme, që sa ma nelt të njitesh, aq ma pak oksigjen ke, ajri rrallohet.

  1. Tuj kene se ti tashma ke jetue pak a shumë njaq vjet në Itali sa edhe në Shipni, cila asht marrëdhania yte, ndjesia yte për këta dy vende?

Shqipnia më ka dhanë formimin, shkollën dhe edukimin. Në Shqipni janë rranjët dhe themelet e mija. Shqipnia më ka dhanë miq e shokë që edhe sot e kësaj dite janë të pazëvendësushëm. Me ka dhanë randësine që kanë vlerat në jete, që përpiqem t’i ruej gjithëmonë.

Italia më ka pasunue me artin dhe kulturën, më ka heke etjen dhe urinë për ato. Italia me ka ba me dashtë edhe ma tepër të bukuren. E kam shfrytëzue deri ne maksimum faktin që jetoj në vendin ma te bukur në botë, për natyrën, artin dhe kulturën (70% e pasunisë artistike botnore gjendet në Itali…) Në Itali, po ashtu edhe në vende të tjera, jam tue u mundue me realizue ato andrrat që kam ba e kam pasë në Shqipni.

  1. Si ndjehesh kur vjen në Shkodër?

Kam jashtëzakonisht shumë mall për Shkodren. Me vjen keq veç për nji gja, që nuk mundem me shkue ma shpesh, për arsye të aktivitetit tem, por mundohem me pasë gjithëmone informacione mbi te rejat që ndodhin në Shkodër. Në ketë moment te karrierës teme e ndij të domosdoshme me i dhan diçka Shkodrës nga ana artistike prej tanë eksperiencës teme ndërkombëtare të akumulume në këto gati 23 vjet. E shpresoj që nji ditë t’i realizoj, por për ketë shpresoj që dikush në Shkodër të më ndihmojë me organizimin.

  1. A ke deshirë me i thanë diçka Shkodrës e Shkodranve?

Unë jam shumë krenar që jam Shqipëtar dhe jam shumë i nderuem me kenë Shkodran. Me kenë Shkodran asht përgjegjësi e madhe. Shkodra asht mbajt gjithmonë si djepi i kulturës. Por nuk mund të ecet me të kalumen, kërkush nuk të pyet si ke kenë, por si je. Shkodra ka nji potencial shumë të madh si artistik, ashtu dhe turistik. Shkodra ka nji pozicion strategjik të jashtëzakonshëm. Gjithsecili prej nesh duhet me u mundue me ba diçka. Duhet me i bashkue forcat brenda Shkodrës, dhe me u hapë nga ana ndërkombëtare. Për mendimin tem duhet me mbështetë shumë artistat që janë jashtë. Kena fatin e madh me pasë në vende të ndryshme të botes artista të mrekullueshem. Secili prej tyne, jam shumë i bindun, që do të jepte nji kontribut të jashtëzakonshëm, me tanë eksperiencën e tyne ndërkombëtare të shumëllojtë. Shkodra meriton maksimumin, kjo mund të arrihet me bashkëpunimet ndërkombëtare, duke ftue jo vetem artistat e mëdhenj shkodranë, por edhe shqiptarë të tjerë dhe të huaj. Duhet me luftue kundër nji mentalitetit nji fije local e provincial. Artistave te ri dhe studenteve muzikantë ju këshilloj me studjue shumë dhe gjithëmonë. Puna e madhe vlerësohet gjithmonë dhe arritjet vijnë gjithëmone me punë të madhe. Mos me u kenaqë me pak. Për me pase ma arritje dhe me kenë kompetitiv duhet me u ballafaque me nivele të nalta të botes. Studjoni, studjoni, studjoni!!!

  1. Cila asht detyra dhe përgjegjësia yte si violinë e parë spala? Kush asht ai?

Shumëkush mendon se spala, o concertmaster, o leader, o concertino asht veç ai që akordon orkestrën, duke e marrë nji note ‘La’ nga oboe e parë dhe duke ja percjellë te gjithe orkestrës. Kjo asht shumë pak, asht shumë e shumë ma i nderlikuem. Rroli i tij asht shumë kyç. Nëpërmjet tij vendosen të gjitha artikulimet në orkestër. I vetmi që mund të kundërshtojnë spalen asht dirigjenti. Spala duhet me kenë diplomat, me i kërkue gjanat me force, por në të njajten kohë edhe shumë xhentil. Kuptohet në rradhë të parë duhet me pasë nji njohuni të jashtëzakonshme nga ana teknike dhe muzikore, duhet me e njoftë instrumentin shumë mirë e jo vetëm. Duhet me pase nji njohuni të pasun për sa i përket stileve të ndryshme të periudhave të ndryshme të muzikës. Spala asht unaza që lidh orkestren me dirigjentin. Asht ai që ka lidhjen drejt për drejt me drejtimin artistik.

Nji spale e mirë ban që niveli i komplet i nji orkestres të rritet. Nji marrëdhanie e mirë midis spales dhe dirigjentit ban që të krijohet nji klime shumë e mirë punet ne orkester, dhe rezultatet mund te jenë të jashtëzakonshme. Jo veç ana profesionale, por edhe energjija pozitive e nji spales ndikon ne rizultatin e mirë te nji produksioni. Spala asht krahu djathte i dirigjentit. Nji ndër aftësite e tij duhet me kenë ajo që të mund të udhëheqë të gjithë orkestren me violinë në dorë ose pa te, kuptohet kur asht mungesa e nji dirigjentit. Ai asht titullari i ekzekutimeve të solove të ndryshme të repertorit sinfonik ose operistik.

  1. Cilat janë pasjonet e tjera?

Kudo ku shkoj nëper botë, mundohem me vizitue muzetë dhe ndërtesat historike. Vazhdoj tue e pasunue gjithëmone koleksionin e pullave te postës që kam fillue qysh 5 vjeç. Kam nji koleksion prej 130 lloje të ndryshme kaktusesh dhe succulentes. Jam shumë i apasjonuem për kuzhinat e ndryshme. Kudo ku shkoj du me provue e me shijue prodhimet dhe kuzhinat e vendit ku shkoj. Më pëlqen me gatue për të tjeret, miqt dhe shokët, jo vetem kuzhinë mesdhetare dhe europjane, por edhe aziatike.