Mendime mbi Festivalin 53 të këngës në R.T.Sh – nga Markelian Kapidani

Time posted: Sunday, January 4th, 2015 2:30 am

Share on Facebook1Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
28150_427636923987679_1948922682_n

Markelian Kapidani

Sa herë që kthej kryet mbrapa shoh si nëpër tym copat e të kaluemes time në R.T.Sh dhe Festivalin e Këngës si një rruspije e vjetër dhe e pispillosun që nuk i del as edhe njëherë boja! U banë plot 17 vjet që jetoj jashtë Shqipnisë, me tjera ritme, tjera pretendime dhe mbi të gjitha me tjera ide mbi muzikën. Kur isha në Shqipni në vjetët ’90, i vetmi eveniment i randësishem muzikor dukej se ishte Festivali i Radios. Festivali: Një “kryqëzim muzikor” ku kalojnë në paradë kangët e muzikës së lehtë Shqiptare!

Pavarësisht nga tradita relativisht e re e muzikës shqiptare të shkrueme në pentagram, (e përbame nga njena anë prej kangëve popullore dhe nga ana tjeter prej Akademisë së Arteve ku sektori i muzikës asht i ndërtuem simbas modelit të shkollës Ruse), Festivali i Këngës në R.T.Sh, pozicionohet si një Udhëkryq ku priten mes tyne dy rrugë: ajo e Kangës popullore tradicionale dhe ajo e muzikës së kultivueme. Ky pozicion atipik i Festivalit, ka ba të mundun që kanga e thjeshtë që parakalon tek ky udhëkryq imagjinar, të perpunohet nga profesionistat me prejardhje nga Akademia. Rezultati mbarimor asht një Festival I randësishem jo ma si festival I Muzikës së lehtë, por si Festivali I Këngës. Tek ky festival garojnë lloj-lloj materialesh muzikore: nga kanga me dy akorde deri tek kanga me idiomë muzikore të artikulueme me ndikime Punk, Rock, Rag, etj.

Wow! Dhe vërtet kështu është … në dukje ama, ndonëse kangët janë të shkrueme me koncept modern dhe të luejtuna cilësisht nga Orkestra, kangëtarët vazhdojnë të këndojnë o në stil Italo/Lirik, me nga tridhjetetre kile vibrato, ose këndojnë në stil Rus, tue ra shpesh në momente melo-dramatike që tingëllojnë bash kallpe. Ose përpiqen të kopjojnë stilin Amerikan të të kënduemi tue e shtrëmbnue kot gjuhën Shqipe me pasthirrma që nuk i takojnë kësaj gjuhe! E ja tek del qartë që në Festivalin e Këngës ka diçka që tingëllon Fallso. Po pse, mund të thoni ju të dashtun lexues? Kangëtarët që kënduen në Festival kanë pothuejse të gjithë za të mirë dhe shumica janë profesionista! Për t’u spjegue ma mirë, më duhet me ba do hapa mbrapa… Shumë hapa mbrapa… për me arritë te zanafilla e muzikës Pop. Do të mundohem me i ra sa ma shkurt: Para pak kohësh, tek muri im Facebook: https://www.facebook.com/artephonia kam shkrue mbi muziken Pop/Rock, shkrim të cilin mund ta konsultoni. Popi asht prodhim anglo-amerikan, i lidhun ngushtë mes traditës perëndimore dhe kulturës afro-amerikane. Kjo përziemje kulturore asht e përbame nga muzika e kultivueme afro-amerikane: Blues-i, Gospel dhe rudimentet fillestare të Rock-ut si dhe nga tradita evropiane e cila përveç formës muzikore Rondo, tipike per kangën Strofë/Refren, sjell edhe instrumentet e muzikës perëndimore: pianoforten, kitarrën, etj.

Gjithashtu edhe gjuha: anglishtja asht një element i randësishem i muzikës komerciale. Në këtë pikë s’duhet harrue që në Evropë ekzistojnë realitete muzikore-kanore si kanga napolitane, valtzeri musette, schlageri apo kanconeta mesdhetare, por muzika Pop, siç thashë, ka tingëllimin e veçantë që rrjedh nga përziemja që përmenda ma sipër. Kjo traditë asht baza e kangës Pop, dhe thoni ç’të doni por kjo traditë mungon pothuejse krejtësisht në Shqipni!

Tradita e kangës shqiptare për 80% asht një surrogat schlageri me nuanca të kangëve ruse e përzieme me kitarra elektrike e me sintetizator e me bateri… e nganjiherë me ndonjë nuancë bizantine e anadollake. Normalisht që gjatë këtyne viteve të fundit gjanat kanë ndryshue pozitivisht, por ka akoma shumë rrugë për të ba! Për ta vendosë Festivalin (bashkë me të, edhe kangën shqiptare) mbi baza të qendrueshme, lypet që ma përpara kangëtarët dhe krijuesit e kangëve të njihen me Jazz-in, me Soul-in, me Blues-in… jo vetëm me të ndieme apo me vesh, por nëpërmjet një edukimi shkollor i cili t’i japi mundësi të gjithëve me marrë njohunitë e duhuna mbi prodhimin e muzikës komerciale në 360 gradë. Per t’ia arritë kësaj, lypet krijimi i një shkolle Jazz e cila të vendosi themelet e një sistemi të ri për muzikën shqiptare.

Ne kemi Akademinë Klasike, por dijet e muzikës klasike nuk mjaftojnë per me spjegue se: si improvizohet mbi një melodi si këndohen notat blu si shoqnohet një melodi me kitarë në stilin Disko apo Bogaloo, Latin apo Swing… si përshtatet një kangë në stile të ndryshme si trajtohet ritmika në krijimin e një kange Ku qëndron dallimi mes gjuhës harmonike të një kange Pop dhe një kange Jazz …. e sa e sa gjana të tjera që nuk po rri me i permendë, për të cilat zakonisht, muzikanti klasik nuk din as se kah i bien me shtëpi. Tek ne, një shkollë e tillë mungon totalisht, dhe të gjithë ata që punojnë ose kanë punue materiale për festival, janë detyrue “me improvizue” në mënyrë autodidakte. Por mënyra autodidakte funksionon vetëm për pakicën. Per ata individë që kanë një marrsh ma tepër… ndërsa shumica mbarojnë studimet e nalta në Akademi dhe kujtojnë se janë gati për t;u marrë me Pop…

Rezultati:
– kangë të trajtueme vokalisht si me qenë muzikë lirike,
– mungesë pothuejse totale të Swing-ut (me pak përjashtime),
– mosekzistencë e notave blu! Tepër absurde një kangë Rock pa “Blue Notes”, vetem me ritem 4/4 e me bas: Dum-dum-dum-dum – Dum-dum-dum-dum…
– kulminacione e virtuozizma vokale pa lidhje, pa minimumin e konceptit.
— Megjithatë… festivali i këtij viti, nga ana organizative asht ma i miri në tanë historinë e R.T.Sh-së.
— I uroj stafit gjithë të mirat dhe shpresoj që edhe shqiptarëve, sa ma shpejt t’iu jepet mundësia me studjue perveç muzikës klasike edhe xhazin, i cili me teorinë e tij peërfshin mbrenda edhe muziken Pop/Rock. Por duhet me pasë kujdesin e të menduemit se klasikja asht premisë dhe themel, por jo dija e përfundme në ecunitë e muzikës.

— Markelian Kapidani —

P.S: – Së fundmi, po e mbyll duke pergëzue Jozefina Simonin për origjinalitetin e interpretimit të kangës së shkruar nga Bledar Sejko. Interpretim pa vokalica t’ekzagjerueme girgilacit, por me temperament “Soul”, ndjeshëm plot energji dhe ritëm.

– Urimet e mija fitueses së vendit të parë. Za i bukur, dhe i plotë. Kanga, mediokre.

– Kanga e Gjergj Lekës, emocionuese… me nji gjuhë harmonike të kërkuar, disa shkallë më lart se standardi i këngëve të festivalit. Teksti i fuqishëm. Nuk e di se sa asht per festival një këngë e tillë, mbasi asht e ngjyeme me nuanca patriotike… tjeter hesap ky.

Fundja, Festivali asht festë: Festa e Këngës, dhe nuk ka fort randësi se kush fiton garen. Randësi ka pjesëmarrja. Ia kalofshi mirë

— GËZUAR VITIN E RI 2015