Mes dy dashnish nga Rozafa Shpuza

Time posted: Thursday, November 13th, 2014 2:29 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
rozafa

Nga Rozafa Shpuza

Në pragmuzg, kur rrezet dembele po i aviteshin ngeshëm majës së Taraboshit tue i dhanë liqenit nji dritë bojëshegë që të lente pa frymë, qyteti i shtrimë poshtë bedenave të lashta më pëshpëriti lehtë, si me dashtë me m’thanë nji sekret.

Pëshpërima jehoi tue u përplasë ndër muret e rrënueme prej tufanit të moteve, u shumëfishue e u shpërba në hapësinën përtej themeleve të stërmundueme të kalasë.

– Ke me u endë mes dy dashnish…- mërmëriti zani i qytetit. Ktheva kryet me shpresë se gurt e moçëm kishin me ma diftu sekretin, por ata heshtnin të stivuem randë mbi njeni-tjetrin, pa dashtë me ia ditë për padurimin tem.

Nji tufë pëllumbash t’egër fluturuen sipër meje tue e dridhulatë ajrin e stërpikun me të verdhën e dillit, tashma n’arrati. Mora teposhtë kalasë nëpër kalldremin e limuem prej dalldisë së hapave të panjehun, që kishin shkelë mbi të, tue ndjekë me sy fluturimin tekanjoz të pëllumbave gri, që me gugatjen e tyne përsëritën: “…mes dy dashnish, …mes dy dashnish”.

Kalaja me dy porta të randa më përcolli tue më beku me tamlin e bardhë të Rozafës. Poshtë saj, Drini kapërthehej në rrjedhën e tërbueme prej dy urash që vareshin si diagonale mitike, por që kot rrekeshin me e ba zap.

Përballë, në nji dremitje marramendëse, përkundej Buna e përshkueme tërthor prej dy urash të tjera, që zgjateshin deri në rranzat e shkambinjve të dekoruem me degë sherbelash erëmirë. Diku përtej, në kambë të maleve që i rrinin si kunorë qytetit, rridhte zallit Kiri i kthjellët, që dukej sikur e ndalte turrin para urës së vjetër me harqe naziqe, kurse urën e re e përshkonte me mospërfillje, anipse kambët e saj të betonta i kishin ngushtu shtratin.

Teksa muzgu po i lente vendin mbramjes, nji freski e kandshme iu mbështoll si shall mëndafshi supeve elegante të qytetit, që kalamendej mes dashnisë së ujnave e të maleve.Era e veriut davariti shtëllungat e reve, që shpejtuen me u zhba, teksa hana derdhi magjinë e saj mbi pullazet kuqaloshe e rrugicat e ngushta.

Në kët’ qetësi t’lume, prej diku larg, ritmi marramendës i nji reze deret ma diftoi çka ishte stivue ndër sergjiat e moteve. Tak – tak, përsëritej pa u fashitë tingulli fillestar e jehona më pëshpëriste: “Ke me u endë mes të sotmes e të përtejmes, ku prehet gjysma jote; mes vendlindjes dhe qytetit ku jeton; mes dy brigjesh të krypuna të mikluem prej dufit të baticave e zbaticave; mes dashnive që hupe e atyne që gjete; mes fërfëllimave të brishta të shpirtit e ndjesive kalimtare; mes magjisë së netve me hanë e përrallës së netve me shi; mes puthjeve që shijove e atyne që dëshirove; mes miqve që të rrethojnë e atyne që të mungojnë; mes andrrave që realizove e atyne që mbeten ndër bebet e syve të kaltër; mes mirëseardhjeve e lamtumirave…” … fati jem ishte shkru ndër arkapijat e dyzueme të këtij qyteti fatlum.