Një ëndërr e bukur – nga Roberta Luku

Time posted: Friday, February 13th, 2015 2:55 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Një ëndërr e bukur

Natë. Ajo u zgjua e mbuluar nga djersët, e trembur nga makthi që kishte parë. Errësirë. Iu deshën disa sekonda që të kuptonte ku ishte. Po flinte në pjesën e sipërme të krevatit të marinarit. Ajri i ftohtë  i dhjetorit i futi drithërimat në trup. Nga dritarja e jetimores po hynte era dhe dukej se donte të përshëndeste një Erë tjetër. Batanija i kishte rënë poshtë në tokë dhe nuk mund të ulej nga shtrati i shkatërruar e i vogël pa e ndihmuar vajzat e tjera që jetonin aty. Gjumi i ishte larguar e tashmë e dinte si do të shkonte pjesa tjetër e natës. Do të nguliste sytë në tavanin e lagur e të dobësuar nga koha derisa lodhja ta mposhte dhe ajo të fitonte për të njëmijtën herë mbi pafundësinë e atyre çasteve. Fundja, nuk ishte nata e parë e tillë për të. Kishin kaluar aq shumë net aty saqë asaj i ishte krijuar ndjesia se jeta e saj kishte qenë ajo dhomë. E kufizuar nga të gjitha anët, e ftohtë e armiqësore. E pamundur kishte qenë për Erën të mësohej me zymtësinë e jetës së saj. Fati kishte qenë i pamëshirshëm.

Do të ishte histori klishe për ne të dëgjonim se nëna e saj e kishte braktisur te dera e jetimores dhe vetëm të qarat e saj do të mbushnin zbraztësinë e qiellit. Ndonjëherë edhe Era e përfytyronte historinë e saj ashtu. Sytë e saj të thellë blu dëshironin që të mos kishin parë ato që kishte parë. Do të donte që zemra e saj të kishte qenë e pandjeshme ndaj asaj që i kishte ndodhur…

Tik-tak, tik-tak. Ora e madhe në mur për të kishte ndalur, pikërisht në kohën kur sapo kishte mbushur pesë vjeç.

Ishte një mëngjes dhjetori. Bënte pak ftohtë. Erën e kishte zënë gripi dhe atë ditë nuk do të shkonte në kopsht. Do të shkonte me të ëmën në treg dhe sigurisht që Era do të merrte shpërblimin e saj, një kek të madh me çokollatë, prandaj mezi po priste të niseshin. Hipën në makinë dhe u nisën. Era rrihte duart me gëzim. Kur po kalonin në urën e vogël të qytetit, ekuilibri u prish, kontrolli humbi dhe jeta nuk do të ishte më si më parë… Ajo dhe e ëma gjendeshin nën ujë. Sekondat po kalonin. S’e kuptonte çfarë po ndodhte.

-Mami, – thërriste ajo, po e ëma nuk e dëgjonte. Ajo i veshi diçka të fryrë dhe e shtyu lart, në sipërfaqe. Në një çast iu shfaq si një sekuencë filmi trupi i pajetë i së ëmës që humbte në errësirë.             Tik-tak, tik-tak. Lotët rridhnin si pa e kuptuar. Pastaj jetimorja, kalimi i viteve dhe mungesa e prindërve që donin ta birësonin. Sigurisht, ajo e kuptonte fare mirë. Kush do të donte një fëmijë të atillë? Apo siç thoshin të rriturit, një fëmijë që kishte kaluar një traumë të rëndë? Shpresa e saj për familje kishte humbur përgjithmonë. Tashmë nuk e dinte më se çfarë e priste, apo nëse jeta do ta ndryshonte rrjedhën e saj.

Një dritë ia vrau sytë. Dielli kishte dalë dhe ishte më i shndritshëm. Ngrohtësia e tij e ripërtëriu dhe e çliroi nga mendimet e trishta. Dera ra. Po e kërkonte drejtoresha. I zbriti me nxitim shkallët dhe hapi derën. Aty ishin një burrë dhe një grua, që e ftuan të uleshin pranë saj dhe i vunë duart në supet e saj të brishtë. Ajo e kuptoi se çfarë po ndodhte. Në sytë e çiftit lexohej dashuria, lumturia, momentet e veçanta që ata do t’i dhuronin në vitet  në vazhdim. Sinjali i shumëpritur kishte ardhur. Dera e një bote të re ishte hapur për të përgjithmonë. Makthi ishte kthyer në ëndrrën  më të bukur të jetës së saj.