“Nji pjanoforte, simbol për qytetin e artit” – nga Markelian Kapidani

Time posted: Wednesday, January 13th, 2016 2:58 pm

Share on Facebook184Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

12546236_10207086121444938_1144801781_oHyrje

Ka rreth 25 vjet që Shkodra vuen në lidhje me muzikën e kultivueme! Kjo gja ngjet jo për mungesë artistash të cilët ky qytet i ka pasë dhe vazhdon ti ketë me bollek, por me sa duket për një indiferencë të përgjithshme nga ana e publikut në lidhje me muzikën istitucionale! Duket e pabesueshme që një qytet me tradita muzikore të padiskutueshme siç është Shkodra, të katandiset për me i kërkue ndihmë për nji pianoforte qytetarëve të cilët me siguri që pa pasur faj, në mënyrë indirekte do ndjehen të thirrun në kauzë mbasi ky problem ka të bajn direkt me jetën shoqërore që zhvillohet ose ma mirë që duhej të zhvillohej në këtë qytet. Duke pasë parasysh traditen muzikore të qytetit në fjalë, traditë e cila ka të bajn me vetë themelet e muzikës së kultivueme shqiptare, më lind spontanisht një mendim i ngatërruem dhe aspak i shndetshem:

“A thue dikurë, nën diktaturën e kuqe, bëhej më shumë për muzikën se sa aktualisht nën petkat e demokracis”?!

Sikur përgjigja t’ishte “PO”, atëherë duhet me i shpërvjelë mangët dhe me e korigjue sa ma shpejt këtë gabim trashanik, por sikur përgjigja t’ishte “JO”, atëher do thosha se jemi duke ja futë rrenë e kacarrenë mbasi sikur t’ishte kështu, muzikantat e Shkodrës s’do t’kishin pasë nevojë me arritë me formulue nji kërkesë të tillë siç asht kjo: “NJI PJANO PER QYTETIN E ARTIT”, mbasi do ta kishin pasë e stër-pasë Pianoforten me kohë e me vakt!

Përgjigjen e kësaj pyetje të garrametshme po ju a lë juve të dashtun lexues bashkë me këshillat apo sugjerimet e duhura.

Zhvillim

Një gjë veçse e kam krejt të kjartë:

Me sa di unë, aktualisht institucjonet e artit dhe kulturës në Shqipëri “zhgrrahen rrëshanë” mbasi tashma në sistemin e ekonomisë kapitaliste, nuk ka ma rrubinet fondevsh shtetërore, ndërkohë ndjehet mungesa e fondacioneve private që të sponsorizojnë privatisht teatrot apo trupat teatrale si dhe artistat në përgjithësi. Të ardhurat e teatreve janë tepër të vogla, pikë së parit për arsye të mos frekuentimit nga ana e qytetarëve dhe pikë së dyti për mungesë (më duket mua) projekt/planesh që ndërthurin Artin me Biznesin. Si rezultat, jeta artistike është e rreduktuar tej mase dhe artistat vuajn si zakonisht mes tyre. Pra duket krejt e kjartë mungesa e Biznesit artistik në vendin tonë, dhe kur them Biznes Artistik, nuk e kam fjalën për sponsorizimin e Festivalit të Këngës në Radjo Tirana apo të tjera spektakle të tilla, por për krijimin e agjencive të cilat të merren me shit-blerjen e spektakleve, koncerteve, konseguentalisht dhe artistave: Solista, Orkestra, Grupe muzikore, trupa baletit, aktorë … etj.

Kjo mungesë e madhe e biznesit të artit dhe muzikës së kultivuar në tregun shqiptar, simbas meje, krijon edhe problemin e mungesës së pianofortes koncertore në Teatrin Migjeni të Shkodrës.

Në këtë panoramë të trishtë, ku publikut i serviret përveç muzikës popullore si dhe spektakleve të bukurisë (shumica e të cilave shiten më teper per arsye “tjera” se sa per arsye artistike) dhe një numer i pallogaritshem muzike të pre-konfeksjonuar nëper studjo dixhitale me Kompjuter, të vetmet institucjone që arrijnë të ecin me këmbët e tyre janë stacjonet televizive si dhe dy orkestrat sinfonike: ajo e Teatrit të Operas dhe Baletit nê Tiranë dhe Orkestra e Radio-Televizionit Shqiptar.

Më vjen një çudi e madhe kur kujtoj se vetëm 30 vjet ma përpara ekzistonin realitete sinfonike në pothuajse të gjitha qytetet e mëdhaja të vendit … ndërsa sot …. … .. .

Po atëherë si ka mundësi që muzika të jetë katandisë kaq keq?

Përgjigja qëndron tek sistemi i ri ekonomik kapitalist i cili është i bazuar tek kërkesa dhe oferta si dhe tek “mungesa e dijes” (injoranca) e muzikantave në lidhje me biznesin! Ky është një fakt real i njohur botërisht mbasi shumica e muzikantave nuk dijnë me ba biznes, prandaj edhe kanë nevojë për manaxher.

Normalisht, kur në vend ka kërkesa për Art dhe muzikë të cilësisë së lartë, edhe oferta e gjen menjiherë tregun e vet, por kur kërkesat mungojnë, atëherë bahet fjalë për krizë! Në këtë rast, në Shqipëri, muzika Popullore (p.sh) është krejt në gjendje të mirë, ndërsa më lart … kemi të bajm me Krizë të tregut muzikorë. Nga ku kuptojmë se muzika e kultivuar ka probleme në ato raste kur publiku e ka veshin e ngrehun diku tjetër (per mos me thanë që asht SHURDH) karrshi muzikës së kultivueme. Nga ku rrjedh që: me siguri publiku e injoron një muzikë të tillë mbasi nuk e ka “kultivue” ndonjiherë këtë lloj muzike!!! Ndër kësi rastesh, FAJI ngelet jetim … dhe shkaqet janë të shumta:

Varfnia, injoranca, emigracioni … tek këto vargjet e Nolit përshkruhet mirë gjendja:

Anës detit i palarë, Anës dritës i paparë, Pranë sofrës i pangrënë, Pranë dijes i panxënë, Lakuriq dhe i dregosur, Trup e shpirt i sakatosur.

Episod

Në raste krizë, dhe konkretisht për muzikën, si n’shumicën e rasteve ekzistojnë dy rrugë konkrete për ta zgjidhë racionalisht problemin:

E para: – Me e mbajt muzikën gjallë me injeksjone kapitalesh (mbasi edhe muzikantat kanë nevojë për me hanger për t’jetue mbasi edhe ata e ndihmojn shoqërin me u naltue nga ana shpirtërore dhe intelektuale), në këtë rast lypen fonde të erogueme prej shtetit si dhe prej privatëve të cilët krijojnë fondacione për artin, muzikën apo agjenci teatrale dhe që kanë lidhje me bankat apo ku vetë bankat janë pjesë përbërëse të tyre … etj.

E dyta: – Me e “mbytë” muzikën duke i mbyllë institucjonet e saja mbasi ajo nuk është e nevojshme për një popull i cili e injoron atë! Maksimumi ngelet muzika popullore dhe kjo e fundit s’ka nevojë per tu kultivue mbasi bashkëkziston me etninë përkatëse së cilës ajo i referohet. —

Ekziston edhe nji rrugë e tretë: rruga e mosperfilljes dhe me sa m’duket mua, kjo është edhe rruga që shqiptarët po ndjekin aktualisht kundrejt muzikës së kultivuar dhe Artit në përgjithësi!

Është për të ardhë keq që Arti dhe Muzika e kultivueme kanë pësue këtë rrenim pikërisht “në periudhën e LIRISË”, në momentin e shumëpritun prej artistave shqiptarë. … dhe po ta mendojmê krejt serjozisht dhe pa paragjykime: S’KISHTE SE SI TË NDODHTE NDRYSHE!

S’kishte si të ndodhte ndryshe, mbasi në kohen e diktaturës Arti dhe Muzika ishin të kontrolluara dhe të sponsorizuara nga regjimi, ndërsa sot institucionet artistike gjenden në doren e një shteti i cili i gjendur i pa eksperiencë perballë situatave të reja të ekonomisë së tregut të lirë në fushën e biznesit artistik, është munduar ti vërë shtupa birave strukturale të krijuara përgjatë viteve të tranzicjonit por nuk ka bërë as edhe një përpjekje për të rimëkëmbur institucionet artistike të vendit. Gjithashtu sektori privat vazhdon të ngurrojë të investojë seriozisht në sektorin artistik. Kjo e fundit sepse afaristat shqiptarë pretendojnë një fitim sa më të shpejtë që të jetë e mundur, ndërkohë që fitimi mbas investimit në fushat e Artit është gjithnjë më afatgjatë.

Së fundmi, ky është stadi aktual i Artit shqiptar në përgjithësi ku nevoja e një grupi muzikantash që bëjnë kërkesë për nji pianoforte bëhet pretekst per ti thirrë mendjes dhe per të rreague.

“Një Pjano per qytetin e Artit”

Interlud

Popujt që e duan kulturën, normalisht që nuk do kishin pritë kaq gjatë … por ne shqiptarëve (tyj e thanë si nëpër dhambë) na falet ky gabim mbasi kemi pasë plot halle tjera dhe vazhdojmë të kemi probleme që akoma kërkojnë zgjidhje, dhe dihet që për shumicen e njerëzve: Muzika vjen mbas …

… Ma n’fund erdhi edhe koha për shqiptarët që ta konsiderojnë muzikën jo vetëm si element festiv apo argëtim masiv, por si një element të rëndësishëm i shoqërisë tonë e cila ka pretendimin të emancipohet në rrang të kombëve më të përparuara. Kështu, nji grup muzikantash shkodranë të mbështetun prej institucioneve të qytetit të shkodres janë angazhuar që ti japin Teatrit Migjeni të “qytetit të artit” një pianofortë.

Sa mirë … I lumtë mendja, gjithashtu i ftoj të gjithë ata që e kanë mundësinë dhe deshiren e mirë që ta mbështesin këtë nismë me rëndësi jetike për promovimin e muzikës cilësore në qytetin e Shkodrës, duke vue në qëndër të vëmendjes faktin se, sa ma shumë gjallëri dhe muzikë në jeten e qytetit, aq ma gaz e begati, turizëm e interes ka për t’pasë për qytetin.

Në vend të pasthanjes

“Muzika nuk dëgjohet vetëm me veshë por edhe me tru” – Kështu shprehet një grup shkencëtarësh të cilët gjatë eksperimenteve të ndryshme në fushën e neurologjisë zbuluan se në trurin e njeriut ekzistojnë një grup neuronesh që kanë lidhje të drejtperdrejtë me tingujt muzikorë. Akoma nuk dihet se këto qeliza lindin të tilla apo se neuronet fitojnë aftësinë muzikore nepermes edukimit. Një gjë është e sigurt: Muzika vazhdimisht e ka shoqëruar jeten e njeriut në aspektet e ndryshme të saj. Me kalimin e kohës, muzika ka ndërruar stil, ritem dhe  harmoni, por, sigurisht ka mbajtur të pandryshuar forcën e saj shprehëse dhe komunikuese. Muzika: art dhe shkencë, vallëzim dhe argëtim vazhdon të na shoqërojë nëpërmes kompozitorëve, instrumentistave, këngëtarëve të cilët e luajn atë mes notave, akordeve dhe ritmeve të komplikuara në një matematikë të tingujve e cila i prek fshehtaz ndjenjat tona.

Dëgjuesi preferon ta injorojë aspektin shkencor të muzikës mbasi ky aspekt i përket profesionistave. Spektatorit i ngelet kënaqsia e të dëgjuarit të muzikës dhe është kështu që duhet të jetë.

Prandaj

Muzika ka nevojë per JU dhe ju keni nevojë per ate … —

Markelian Kapidani