Oclectic Art nga Olta Dokle – Nje Art Ndryshe

Time posted: Thursday, May 22nd, 2014 12:38 am

Share on Facebook45Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Nje Ekspozite ndryshe…nga Olta Dokle

Poster
Po vjen qershori, qershori i qershijave përmbi tortë…
Fillon i freskët, me puhizë arti e jehonë feste, e kulmon me Ekspozitën kontemporane “OCLECTIC”, të cilën Olta Dokle e sjell me shumë andje, për herë t’parë në Shkodër,
nga Nju Jorku i përtej oqeanit.

Krejt origjinale, një art ndryshe, Mixed Media (Teknike Mikse) mbi qelq të ricikluem, që premton me na miklue e intrigue shqisat dhe shpirtin.

Ju mirëpresim në Bar ALKORD prej datës 7-14 qershor, në Djepin e Artit, që ta shijojmë e mbështesim s’bashkut!

Për ma shumë detaje klikoni linkun e maposhtëm…
http://goo.gl/Sc32Ys

Biografi e shkurtër artistike…

Që në vogëli ajo impresionohej nga germat, dritat, ngjyrat, format, lëvizjet dhe motivet e gjalla. Mahnitshëm ajo filloi të shkruajë, të lexojë dhe të vizatojë qysh kur ishte 3 vjeçe. Lindur dhe rritur në Shqipëri në një familje artistësh të mirënjohur, ajo thithi ajrin kristal të mbarsur me art e muzikë, gjë që ushqeu dhe frymëzoi pareshtur talentin e saj artistik. Si një hobi, ajo kultivoi për një kohë të gjatë interesin e saj ndaj arteve pamore, duke e mbajtur atë mënjanë për vite me radhë, për të ndjekur një karrierë të suksesshme në drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Olta Dokle, jeton në Nju Jork që nga viti 2006, kur rendi për të ndjekur dashurinë e saj të parë Sot ajo është një grua dhe nënë e lumtur. E kënaqur me vijimësinë profesionale, vazhdimisht ka ndjerë nevojën për të ndjekur pasionin e vërtetë, i cili sa vinte e rritej, për të zënë një vend tejet të rëndësishëm në jetën e saj përtej oqeanit. Kështu, një ditë, shkundi nga pluhurat penelat dhe telajon e saj, u regjistrua në disa kurse pasuniversitare të artit pamor duke e përqafuar rishtaz atë me më shumë pasion.

Gjatë viteve të fundit ajo ka punuar për rritjen e personalitetit të saj artistik duke zbuluar mundësi të pafundme të të shprehurit estetik.

Olta zbulohet artistikisht në vizatim, pikturë, arte dekorative dhe aplikative. Interesi i saj në dizenjo dhe materiale nga më të ndryshmit e kanë mundësuar atë të mishërojë vizionet e saj, duke manipuluar me ngjyra, struktura, tekstura, cilësi dhe intensitete të shumëllojshme, por në një tërësi të ekuilibruar. Veprat e saj janë intuitive, spontane dhe emocionale, shpesh të prirura drejt një fantazie ëndërrimtare. Ajo sjell një përzierje të guximshme stilesh dhe fikson një udhëtim të brendshëm nëpërmjet ekspresionit të saj të prekshëm shumëngjyrësh, figurativisht apo në mënyrë abstrakte. Arti i saj rrjedh nga brenda-jashtë, duke lejuar ndërgjegjësimin e momentit të informojë procesin krijues.

Synimi i artistes është të frymëzojë zemrën dhe shpirtin vëzhgues, duke mbjellë ndjesi paqeje, hareje dhe bukurie të sofistikuar.

109

Dy fjalë nga artistja…

Gjithnjë nxitem drejt frymëzimit artistik, në çdo gjë që më bjen ndër duar apo më zbret ndër sy. Thjesht nuk mund të bëj ndryshe… Admiroj ngjyrat dhe akcentet e guximshme, teksa pareshtur kërkoj ekuilibrin midis tyre. Arti dhe e bukura janë buka dhe uji i shpirtit tim… Kreativiteti është fryma që unë marr e jap nëpërmjet syve e duarve të mija… dhe është privilegj ta kultivoj e ta shpërndaj këtë ajër që më përmbush si qenie.

Kur krijoj i lë instinktet e mia të më çojnë në hapin e ardhshëm e t’ma sugjerojnë edhe atë pas tij, pa e ditur se si do të përfundojë një krijim, pa pasur një skicë të paramenduar. Është një udhëtim i vogël, i paparashikueshëm, një moment sfide në kohë, një eksplorim pafund i rrjedhës sime vizuale, shpesh duke simetrizuar asimetriken.

Do të thosha: “Nuk mund ta dish se me çfarë e ku do të dal, por dije se gjithmonë do të surprizoj këndshëm…

Unë besoj se të gjitha format e artit vijnë nga diku thellë në shpirti dhe pasqyrojnë ndjenjat e shtriqura aty… E nëse arti im të prek, ndjell emocione pozitive brenda teje, apo thjesht nëse t’i përkëdhelë sytë, pikërisht atëherë unë ndjehem vërtet e bekuar.”
Për Oclectic…

Oclectic është qoshja e shpirtit tim artistik, është vatra e imagjinatës sime, është punishtja e ylbereve të mendjes sime. Oclectic jam unë, thjesht dhe lakuriq.

Oclectic nuk është vetëm një emër artistik, është një hapësire ndjesish, që përmban varietet krijimtarie në kohë, stil dhe dimension.

Vetë emri “Oclectic” lindi krejt natyrshëm si në zhgjëndërr, duke personalizuar me një germë të vetme të emrit tim “O”, fjalën “Eclectic”… Ky zhanër vjen nga lëvizja artistike “Eclecticism” e shekullit të 19-të dhe përfaqëson prurjen e një varieteti stilistikash dhe ndikimesh artistike e historiko-etnike të kombinuara për të krijuar një të vetme të re, dhe karakterizohet nga mungesa e një stili të vetëm orientues apo pikë-nisës.

Nuk e ndoqa këtë zhanër, por e gjeta veten në paqe aty krej befas, ku natyrshëm, pa trokitur kisha hyrë. Notoj në këtë zhanër si në ujërat e mija, ndoshta pasi edhe natyra dhe brumi im janë eklektike në përmbajtje dhe shprehi.

…Kështu lindi Oclectic, si një burim që gërsheton modestisht shumë rryma, por që ndërton në aspirim një ujëvarë më vete, kontemporane e të pangjashme.

136

Procesi i krijimit…

Art dekorativ / aplikativ në qelq të ricikluar
(“Mixed Media & Vitrazh”)

Të gjitha punimet artistike “Oclectic” të kësaj kategorie janë të punuara me dorë, duke përdorur si kanavacë sipërfaqe qelqi, shishe, kavanozë apo të tjera enë xhami të ricikluara, të mbledhura e të seleksionuara në kohë, në lloje, madhësi dhe forma nga më të ndryshmet.

Puna fillon me pastrimin e enës brenda dhe jashtë dhe vazhdon me përgatitjen e sipërfaqes, në varësi të materialeve që do të përdoren, për të siguruar ngjitjen e duhur e, si rrjedhim, qëndrueshmëri dhe jetëgjatësi. Këtu vijon transformimi i tyre artistik, për t’u bërë kështu pjesë e një koleksioni të larmishëm e unik të botës Oclectic.

Procesi krijues, i cili konsiston në të pikturuar “Vitrazh” dhe teknika mikse “Mixed Media”, zhvillohet me përdorimin e një game të gjerë materialesh, si: bojëra qelqi vitrazh (të sheshta dhe 3D), enamel, letër organike, si: bambuje ose orizi, gurë xhami apo rëre dhe mermeri, si dhe ornamente të ricikluara nga bizhuteri dhe aksesore të vjetra (vintage) nga më të ndryshmet. Çdo punim vishet në përfundim me disa shtresa rrezistente llaku me lustër për të vulosur sipërfaqen e punuar, duke akcentuar edhe më shumë detajet dhe ngjyrat e përdorura, dhe duke ruajtur gjithashtu ndjesinë e qelqit.

Ndërsa dallimet e materialeve të përdorura thurin forma interesante negative, të krijuara mes tyre, ato të gjitha bashkë bëhen pjesë e së njëjtës përvojë artistike që do të eksternalizohet më pas për t’u perceptuar si e gjallë. Gërshetimi në tërësi i paletës së ngjyrave të përdorura, me forma ëndërrimtare dhe modele alegro, krijojnë linja gjestesh dhe kontrast. Kur drita godet dhe depërton në transparencën e qelqit për t’u absorbuar më pas nëpërmjet artit të aplikuar në sipërfaqe, si rrezatuese, apo e shpërndarë, ajo ngjall esencë, emocion dhe mbresë. Punët artistike “Oclectic” nuk janë të ngurta, ato frymëzojnë dhe motivojnë, zbukurojnë, ëmbëlsojnë e ngrohin, krijojnë atmosferë dhe kënaqin syrin.

Çdo copëz arti “Oclectic” është një e vetme, delikate, e papërsëristshme, e emërtuar, e nënshkruar, me numër dhe datë. Ashtu si gjurmët e gishtërinjve, nuk i gjen dot dy njësoj, por gjithsesi ato mund të dublikohen apo riprodhohen (gjithmonë me ndryshime të vogla) sipas kërkesës.

Për ta mbyllur, materialet e përdorura janë eko-miqësore, jo-toksike e, mbi të gjitha, janë të punuara me dorë, me shumë pasion e dashuri!

108

Punime të personalizuara (me porosi)

Punimet “Oclectic” të porositura enkas mund të jenë dhurata mahnitëse për festa, përvjetorë e jubile, për raste, ditë të shënuara e njerëz të veçantë. Apo, krejt thjesht, si diçka dekorative e përshtatshme për të zbukuruar ambientin tuaj. Sipas kërkesës, ornamente personale, dizenjo specifike e deri imazhe që mbartin vlerë të veçantë për ju apo për personin që do t’ia dhuroni, mund të inkorporohen në punim, duke i dhënë kështu ndjesi të ngrohtë emocionale punimit artistik.

“Oclectic” mund të ngrijë artistikisht një kujtim të dashur apo një moment të rëndësishëm të jetës suaj, duke shndërruar në një vepërz arti shishen e shampanjës të hapur për martesën tuaj apo përvjetorin e parë, atë shishen e verës që ju pat dhuruar një mik special, kavanozin e parë të puresë së foshnjës suaj, vazon e luleve të para për festën e nënës… Idetë janë pa kufi, duke i shtuar më pas zgjedhje të pafundme në ngjyra, dizenjo, motive, simbolika, shenja, fjalë, data, apo çfarëdo preference tjetër, duke e kthyer atë kujtim apo moment të shënuar tuajin në një histori të bukur për t’u parë e lexuar me sy e zemër.

Sigurisht, çdo ide tjetër që ju lind dhe nuk e shihni të jetë e renditur këtu, do të jetë e mirëpritur
dhe do t’i jepet jetë.

Ndjehuni më se të lirë të bëni porosi të tilla apo pyetje, duke shkruar në oclectic@gmail.com. Me dashamirësi do të bashkëbisedohet mbi çdo detaj, për të arritur vizionin tuaj të dëshiruar nëpërmjet artit Oclectic.

*Përafërsisht 10 ditë janë të nevojshme për përfundimin e një punimi artistik të personalizuar.

142

Përkujdesje

Punët artistike “Oclectic” në qelq janë eko-miqësore, të punuara me dorë, me kujdes dhe vëmendje të theksuar ndaj cilësisë, të arrira me qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e tyre në mendje. Megjithatë, si çdo vepër arti, ato duhet të trajtohen me kujdes. Ndaj duhen mbajtur larg rrezeve të drejtpërdrejta të diellit për të shmangur venitjen e ngjyrave, duhen pastruar nga pluhuri, duke përdorur një leckë të butë, të thatë ose pak të lagur, përmbi sipërfaqet e tyre të jashtme.

Krejt natyrshëm ju mund të ktheni në përdorim një copëz arti Oclectic, duke ndezur brenda saj një qiri, duke e mbushur me ujë si vazo, si damixhanë me pije, apo ndonjë përdorim tjetër. Jeni të këshilluar të mos i bëni larje në makinë larëse apo me temperaturë të lartë, me detergjente të ashpra ose të tjerë pastrues me bazë tretëse.

Trajtojini mirë dhe një jetë të tërë ato do të jenë stoli për sytë tuaja!

113