Pakohja e gjithmonshme e lirikut tragjik Frederik Rreshpja – Nga Albert Vataj

Time posted: Tuesday, February 17th, 2015 2:09 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

1658376_10205740369219426_4855385555867905462_oPakohja e gjithmonshme e lirikut tragjik Frederik Rreshpja

Nga Albert Vataj

Sot mbushen 9 vite, që atë ditë të cergët shkurti të vitit 2006, ditë kur u këput të gjallët e lirikut tragjik Frederik Rreshpja. Në 66-vitet e jetës së tij, siç e pohuar më 1998-ën: “… kam qenë gjithmonë i braktisur. Kam kaluar nga një braktisje në tjetrën”. Në raste të tilla, thotë Ismail Kadare në një kapitull kushtuar Fredit në “Mëngjeset në Kafe Rostand”; mendimi i parë që të vjen lidhet me ndjesinë e fajit. Faji i vendit ku lindi, i vetë kohës, i një pjese të saj. Koha ka qenë jo e mëshirshme për Frederik Rreshpjen. Pasi ia mbylli herën e parë portat e saj, e sprapsi për herë të dytë, atëherë kur nuk pritej. Në poezinë e tij i kthehej e i rikthehej disa herë kohës. Jo për të marrë më të mirën, as për t’iu hakërryer: ç’ke që më spraps, por thjeshtë për t’i kushtuar një gjendje: marrëdhënien e tij me të” citon Kadare
Ky mishërim i së ithtës, i kujës dhe trishtimit, kjo gjënezë ndjeshmërie e formësuar nga tradita tragjike e kulturës botërore, nuk është i prirur shumë drejt së lehtës apo festives, megjithëse është i hapur ndaj mundësisë së kënaqësisë dhe misterit. Si mendje e formësuar nga mitet, nuk ka mënuar të mbrujë bashkësinë e tij ideale. Ai nget përnga terrenet e çaprazta duke dëshmuar shpirtin e vullnesës së drobitur. Ngulmon në paepjen e tij duke ndërruar më shpesh fushbetejat se sa kostumet. Prej zjarrit në shpuzë e përcëllon mishin, shpirtin e zhagit në vetmi si mbi zgarën e fatit të keq. Zoritet për gjithçka dhe askush nuk trandet ndërsa e trishta ku ka zgjedhur t’i mëkojë gjeninë e lirikut e kafshon ngadalë e papushim duke i’a shkoq dhëmbjet një e nga një e duke i lënë në shtatin e tij të drobitur plagët, plagët që e sëmbojnë po kaq sa dhe vargjet që i pikojnë si lot i njelmët në mishin e zhveshur prej mosbindjes për tu epur.
Ndësa sot në 9-vjetorin e ndarjes me poetin e ndërmendim në kujtime, ajo që rreket të mbushë këtë zgafellë të thellë të mungimit është vetmia, Zoti i tij tragjik. Është kjo fantazëm që tue na kujtu braktisjen, qaset të rrok një dhimbje që përtërihet prej zellit të modernitetit dhe shterrimit të shpirtit.
Fredi me mungimin e tij troket në portat e mbetura mbyllun; në zemrat e shkeluna prej zoritjes, hedh një çap të hutuem harrimi; në andjet e nderuna pezull, me një hukam të shterrun prej frymës që i’u këput këtu e 9 vite të shkuara, u ngrohë ftomën e ikjes; kushtron me kumbonën e përvajshme të Rrëmajve në çdo përvjetor e shterron në eshtnat e mpakuna hekash e mundimit. Prej ikjes vjen e ikjen na e kujton si shpagë të fatit që shkurem, shpresës që lëvduem e besimit që mëkuem. Vjen me ikjen e ikje na rrëfen si amshim.

Shkëndijat e përtëritjes së kujtesës që kryengrihet mbi harrimin:

Frederik Rreshpja për vete:
“Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. Gjithë ç’kam dashur, e kam humbur. Por “Le të pyesim, nëse ai luftoi para se bota ta mundte”-, thoshte Pol Eluar. Pra, çdo gjë e kam humbur në mënyrën më serioze dhe nuk ankohem nga fati im. Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shumë”

Hans Joachim Lanksch:
“Temat e tij janë humbja, dhimbja, vetmia, qi i derdh në vargje të nji individualiteti dhe bukurie prekëse”.

Moikom Zeqo thotë:
“Ai ndihej tragjikisht i vetmuar. Duket sikur arti i tij fshihet nën maskën e jetes së rëndë”

Robert Elsie :
“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“

Henri Izrael:
“… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“

Ivanov, kritik rus:
“… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë”

Leo dë Rua, kritik francez:
“… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit”

Mark Simoni:
“Tragjik në fat dhe lirik në shpirt, i pasur dhe i varfër njëkohësisht, virtuali i qiellit të shtatë dhe trupi i shtratit të ftohtë të një dhome të humbur, i vetmuar nga të gjithë dhe njëherësh mik i të gjithëve, i burgosur prej kujtimeve dhe brengave të veta dhe nga keqkuptimet e të tjerëve, mitik dhe mistik, Rreshpja është sa pagan po aq dhe apostull”

Shpëtim Kelmendi:
” Frederik Rreshpja është një formë e lirë e skandalit, si krimi a poezia: ai nuk është i privuar nga lulëzimi. Si njeri, është larg çdo lapidariteti, si poet një rreth i përsosur kthjelltësie, me një impuls të rrallë për të krijuar imazhe. Për ta riformuluar, poeti te Frederik Rreshpja është një ekzistencë e përsosur në trup të ronitur. Po a nuk është shkrimi shkatërrim i fizikes?”

Sadik Bejko:
“Kur shkruante, ai i mbyllte krejt portat e reales, si për të shkuar në anën tjetër të gjërave, vetëm atje në terrenet e tij. Dhe ishte aq i trishtuar, melankolik ne këtë mjegullnajë të fantastikes. Ama dinte ta shpjegonte qartë të errtën e së paarsyeshmes, të imagjinares. Ishte me dy këmbët i ngulur brenda kësaj bote. Fredi ishte për vdekjen e reales, më mirë do të thoshim për transmigrimin e reales në imagjinatë”.

Azem Qazimi:
“Talenti poetik është dëshmia më e drejtpërdrejtë e një krijuesi. Shekulli XXI në të cilin sapo kemi hyrë, për poetët është më fatkeq se shekulli XX-të. Jeta edhe mbijetesa janë bërë simbolet e ekzistencës së artistëve. Këto simbole apoteozetike e dobësojnë njeriun, aq më tepër poetin Frederik Rreshpja, i cili i shkruan veprat e veta me një kthjelltësi aq të veçantë, aq të qetë dhe aq olimpike, a thua se që me gjallje jeton në “arkadinë” e poetëve të përjetshëm”.

Astrit Cani:
Ai jetoi me mundime të mëdha, por me çfarë rezultatesh? Nuk mund të thuhet se ai shkoi një jetë fatkeqe, sepse fatkeqësia nuk është rezultati i asaj jete: rezultati është se vepra e tij do u falë njerëzve lumturi kudo e kurdo që të lexohet. Lexuesi do gjejë prore te ai mikun e përjetshëm. Është e çuditshme, më se e çuditshme: është mitike, qysh shpirti i tij, i ndodhur në një realitet të gjymtë e kthente gjithçka në dritë. Me sa duket ai,aq ngrihej përmbi kohërat e komunikonte lirisht me etërit e tij, patriarkët e poezisë shqipe: Bogdani, Fishta, Mjeda e Migjeni. Si Dante me Virgjilin.

… E do shumë të tjerë u lëshuen me amëlcim me e kujtu këtë vetmitar që parakaloi pahiri mespërmes harrimit.

Albert Vataj

Albert Vataj