Problematikat!? – nga Markelian Kapidani

Time posted: Monday, January 5th, 2015 2:52 pm

Share on Facebook74Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

PhotoFunia-4e1e6c7_o

“Cilat jane disa nga problematikat ne lidhje me Muziken ne qytetin e Shkodres? Dhe si mund te rregullohen ato?” – Stafi PerShkdoren

Problematikat!?

Shqipnia në përgjithësi e Shkodra në veçanti, kanë nevojë urgjente për rinovimin e institucioneve. Por kujdes: Kur them rinovim, nuk nënkuptoj transformim! Institucionet e muzikës në Shkodër kanë një bazë të mirë të trashëgueme, por kjo gja nuk mjafton per me iu gjegjë të gjitha kërkesave bashkëkohore.

Guri themelor asht Shkolla e Muzikës, mbas kësaj vjen Akademia… Kjo vlen për ata që merren me muzikën e traditës klasike e cila identifikohet me muzikën e krijueme nga kompozitorët e zonës evropiane, kryesisht qendroret e cila përkon me Francën, Austrinë, Gjermaninë dhe Rusinë (zona e Moskës). Në programin shkollor muzikor shqiptar bajnë po ashtu pjesë kompozitorët e muzikës klasike shqiptare.

Sistemi i Shkollës së Muzikës shkodrane ka dy pikëmbështetje:

1) E para vjen nëpërmjet muzikantëve që janë mbrujtë në ambientet e kolegjit jezuit. Shumë prej kompozitorëve sinfonista shkodranë, kanë dalë prej ambienteve të kësaj shkolle.

2) E dyta ka ndjekë modelin e shkollës ruse. Element i vlefshëm prejse sistemi i shkollës sovjetike – propagandën mënjanë – ka dhanë shembuj potenciali të dukshëm nëpërmjet artistëve të shumtë që kanë dalë prej auditorëve të saj. Ky sistem asht pru prej shqiptarëve që ndoqën studimet në Moskë.

Meqë muzika asht ma e gjanë se këto dy pikëmbështetje, asht e vështirë të kaplohet tanësisht prej vetëm këtyne dyjave. Sot në Shqipni mungon një shkollë e cila mund të drejtojë ato artistë të cilët shfaqin primje drejt muzikës së improvizueme!!! Një shkollë per ato muzikantë që përvojën e tyne muzikore nuk ia besojnë vetëm partiturës… por ma së pari spontanitetit dhe kapacitetit të krijimit në moment. Për ta shkoklue le ta parashtrojmë më këtë alegori:

Shumëkujt ia kande me shkrue poezi ashtu siç shumë prej nesh dimë me radhitë ndër gërma një letër a histori. Por me shkrue një poezi asht disi ma e vështirë: dikush përdor rimë e dikush asonancën/zanorësinë, kush rropatet me hekzametrin e kush luen harushë me vargun e lirë, etj. Dikush shkruen bukur e dikush jo. Krejt mirë deri këtu…
Asht edhe pala e atyne që nuk shkruejnë, të cilët sajojnë në vend. Këtij soji i mjafton një Temë, një shtysë që e përftojnë si impuls nistor, shllim të cilin e trajtojnë me fjalë. Nisin me radhitë strofa njena mbas tjetrës në mënyrë krejt natyrore! Normalisht që vargje të tilla janë poezi, por përveç poezisë, kanë një tjetër qëllim: me krijue atmosferë direkte e cila ka të bajnë jo vetëm me gjendjen që krijuesi përjeton me veten, por edhe me ndigjuesin i cili gjendet i përfshimë në këtë trajtësim të jashtëzuem t’asaj bisedë që krijuesi ka me veten dhe e quejmë performancë. Le ta quejmë performancën & ekzibicionin tash e mbrapa thjesht lojë.

Loja e improvizuesit mbështetet te kapaciteti që individi/poeti ka, për të kombinue në vend fjalë dhe shprehje nëpërmjet ritmit të vargut, rimës etj. Tingëllon si aksiomë e vendosun me marrëveshje të heshtun: sa ma i kulturuem poeti, aq ma i ndërlikuem vargu i tij; ose e anasjellta!!! Këto poezi pa paramendim e të sajueme në vend emnohen në traditën italiane si poesia estemporanea (poezia jashtëkohore). Në rrethanat shqiptare trajta vendore asht bejta. Trajta të tilla kanë shoqnue njerëzinë e këtij kontinent të paktën qysh në kohët homerike. Dora-dorës poetët mbivendosnin sajesat ndër poemat homerike e vargevijë mjeshtëria në këtë hulli shkoi deri aty saqë gjatë periudhës së 1600ës, në rrethet shoqnore fiorentine kishte improvizatorë aq të aftë të cilët ishin ne gjendje me sajue jo vetëm me rimë por edhe me palindroma!

Shfaqje të tilla shoqnoheshin me muzikë, e cila ka lidhje të motmotshme me poezinë dhe artet tjera klasike. T’i kthehemi muzikës: një muzikant i cili improvizon, asht i aftë me krijue muzikë, pa e shkrue ma parë. Pa e lexue kund nëpër pentagram, por tue e krijue atë në moment ndoshta tue u bazue tek një temë a motiv muzikor i marrun kithtazi. Ky pra asht Jazz.
Meqë spjegimi i zanafillës të Jazz-it në mënyrën sesi njihet botnisht do ta tjerrte tejmase shkrimin, na mjafton me përcjellë se krijimi i muzikës me të tillë koncept në Shqipni asht krejt veresije! Të vetmen trajtë improvizimi me të cilën kemi afri asht gazali (ġazal).

Por kjo formë improvizimi muzikor asht e kursyeme nga rrafshi i idiomës muzikore të kandvështrimit momental të të nënshkruemit. Zakonisht improvizimet e tilla janë të kufizueme mbrenda nji e/o maksimumi dy akordesh. Meqë kaq i thjeshtë e zanafillor dikush mund ta gjykojë edhe bajat. Po t’i rrimë krahasimtarisë me poezinë, na kujtohen prap bejtet.
Ndërsa me sajue me një gjuhë muzikore t’artikulueme ma me stërhollim ndërlikon si rrjedhojë thjeshtësinë parake.

Së pari muzikantit i duhet me zotnue një teknikë të naltë të instrumentit apo zanit të vet. Teknikë  e cila përkon me teknikën e Muzikës Klasike.

Së dyti lypet që muzikanti të këtë jo vetem njohuni mbi stilet e ndryshme muzikore, por t’i ketë përvetësue në mënyrë të tillë që me mujtë të krijojnë muzikën e tij në vend, në cilindo stil. Për t’ia arritë kësaj, muzikantit i duhet me dijtë një tanësi ritmesh, akordesh dhe copa frazash muzikore përmes të cilave muzikanti të krijojë muzikë. Tanë kjo dituni rreth muzikës s’improvizueme sot asht krejt e vdekun, nëse e marrim për të mirëqenë sikur ka gjallue ndonjëherë.

Mungesa e një shkolle të tillë ka lidhje direkte me çedukimin e brezave të rinj. Një shkollë e tillë do t’ishte me interes për të gjithë ata muzikantë që e duen muzikën por që nuk dëshirojnë të ngelen thjesht ushtruesa të muzikës së tjerakujt. Gjykojmë me qenë e mirëmendueme trajtimi i mangësisë së kësaj shkolle që me e rigjallnue hallkën e mungueme të oralitetit të kultivuem i cili ngelet ende i arnuem, por duhet futë në hulli në mënyrë të qenësishme.