Shkodra, beh në ty, deng, djegun prej mallit e kallun prej dëshirimit me t’pa nga Albert Vataj

Time posted: Saturday, November 15th, 2014 2:27 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
10333681_10203852395141254_8016269376451804880_o

Nga Albert Vataj

S’mujta kurrqysh me i ba bisht nji ftese dashamirëse qi stafi “Për Shkodrën” m’bani me shkru do rreshta, ndoj përjetim, përsiatje, apo diçysh, ndoj regëtimë shpirtnore për Shkodrën. Lypa gajret ndoj’ ditë ngase isha i pamundun, e po m’trazon jo pak pamjaftueshmënia e kohës për me ba gjanat qysh duhen. E gjeta kohën e u ula, me i than vedit e me e da me ju, për sa ma poshtë m’kandet me kumtu:

Tue le n’Shkodër e vetëm tue marr prej saj, m’bahet se nuk mund t’sos gjithçkah njaty. Për ma tepër kur ndojherë na lypet me e hedh krahve njiket fakt, për me u mrojt prej ndoj’ cingëritje dashakeqe dasish krahinore e diferencimesh kulturale, mes vedi. Nuk m’ka qëllu me u struk ndoj’ herë e s’po ma k’anda me e ba, tue e përdor shkodranin, as si parzmore e as si çomangë. Gjithëkjo asht’ ep n’mu s’pari e s’mbramiherë si një përgjegjësi për me ken’ e me dëshmu, njeriun e mirë, qytetarin e botës, vullnetmirin për me e pranu tjetrin, t’u mos e krekos edhe aq garderobën e tangërdhekut.

Gegnishtja, këndimi i zanit të zemrës dhe besa e lidhun n’te

Përmbi krejt, gegnishtja, gjuha qi ka ba me këndu dishepujt e këtij qyteti e me t’cillët krenohet krejkush asht jo veç shkodran, m’ka udhheq në nji përpjekje ngadhnjyese me kumtu e kungu kësisoj, pa u drasht se tue shkru gegnisht ke me ken i përjashtum, i kqyrun vrant e i metun mbas dyerve t’mylluna, me shpresën se ka me ken dikush dashamir me t’fut mren. M’bahet mos me e majt veç për vedi, por me e nda me krejt ju, nji përbetim qi nji grup djelmoshash kena pas ba diku në motin 1991. Jena lidh n’nji bes, që sekush prej nesh me lëvru gegnishten, njat gjuhë që kanë ba me këndu zanat e malit, e dallndyshet me shku n’fluturim. Kurrnjeni nër ne, nuk i ka ra mohit këtij betimi. Sekush atje ku asht tue jetu e kumtu ka mujt me ba diqysh, me e shkru këtë gjuhë të Perëndisë, qi kjo melodi t’vazhdojë me u këndu e kjo rrufe me shkrepti.

Shkodër loce, andë marroke

Shkodra, tanaheret m’ka befasu me qensin e vet t’fytyrshme, kandashumë e ojnake. Gjithkahja e ksaj nahije ka diçka ndryshe me than edhe pse për shum’kand ajo nuk qaset me ngucat ndoj’ ndjesi të allasojtë. Por mundet me ta mylmy nejen. Si e vagullt ndër kujtime mue më vjen kotherja e bukës, përsipri e dorovitun me sheqer, e duert e lveshkuna prej plakjet që zgjat atë ditë e sot, të dadës, njati kurmi qi tret e prehet n’Shtoj. Njata sy qi t’ledhin e buzë qi s’din me t’lshu puthjesh, kurrkund tjetër kso’ jete nuk kam me i provu, si ndër njato njerëz, qi zorshëm e kapërdijnë jetën, por ankimesh kurrë nuk e kanë dhanë shpirtin. Me pakicë kanë pas gjithmonë e kurrë gja s’u ka mungu, sofra e ndeja, shtroja e mloja, hokat e gazi, trimnia e nami. Janë kollonis me njata qi ka fal Zoti, me çka natyra u ka fal e zemra u ka mylmy. Tuj ken t’pasun në shpirt kanë bind botën me pasuninë e tyne, gjithqysh e gjithkah.

Anipse kajher mundet me i yrysh n’teprim, prap i ka hije qe besa. I tumiret kur shtatit ia beh e qehra ia lmon si gjinjt e drandofilles, rrezja e diellit, nadjeve kur si djers kokrron vesa mbi shermashek e lulebore. Masanej, pozitat e saj t’patëdyta natyrore e gjeografike, meten ata qi e ledhin me pekule e trandin ndër trazime t’andshme e dëshirime qi plasin gazmimit si shegë devedishe.

Pa u drasht munesh me e than e me mrojt, se tue e pa Zoti, s’ka pas se si me e godit ma përsmarit, me e end n’bash t’qefit, veç njashtu qysh e njohim e përdëllehena prej saj.

Kiri nga njana anë, qi xen e turret plot dogoni përposhtë, kur dimni majat zbardh e prrojet i lshon vërtik, me tërsëllimë. Maranaj, Cukali e Taraboshi e fillërojnë tue ia lshu kreninë e hijeshinë, mrrylin e kandën. Për me njom buzt’ e syt’ në vërshimin e Bunës e Liqenit, n’njata syprina ku koloviten plot solemnitet varkat e peshkatarëve e hija e purpurt e diellit, qi n’flak ia ngjyn gjuhën perëndimi.

Rrugt’ e shëtitoret, që shtriqen nën blitë e rënkojnë nën hapat e hekave të njerzis’, robve qi shkojnë e vijnë mbi ta, tue mërmërit a fishkllu ndoj melodi gazmore. E mramjeve qi i lëbyrin dritat e arta në shëtitjen qi valzon me pëshpërimat e bisedimeve e hokave, për me i lan venin nji nate, ku t’lehuna qensh zhubrosin syprinën e tendosun të heshtjes. Kumbanjelat e minaret, qiellin e mrrijnë me zanin e devocionit e thirrjen e bekimit T’enzot. Besimtarët që kridhen në gjunj, tue lyp falje e shugurim për shpirtin. Për mos me lan pa mrri dora-doraz, tue u heq rrëshqan, për me e cek n’kreshtën e këtij qyteti, ku nji nan mitike mëkon prej gjinit t’saj t’murum, jetën dhe qëndresën, e djepin përkund, djepin e kulturës, memuarin e kujtesë. E përposht lshohena plot pezëm e kreni, tue kumtue t’shkuemen e të tashmen e këtij qyteti, prej kur bisha e Bosforit u lshue n’te si e babzitun e sandejmi Romës e krishtnimit iu dridhen leqet e kamve. Atëditë e sot, ngadhnjyen këto bedena, ngulmuan këto zemra, qëndroi i paepur ky qyte. Edhe sot bash njaj, njashtu, qysh e kanë përshkru rrin tue prit e përcjell, zemërbardhë e buz’mjaltë, krejtken vjen e ikën pa ia kthye shpinën.

Lidhun me rrathë t’shtërngimit të s’shkumes

Nëpër mundësitë të mvetësume ngutaz, si nër gjendje t’mbarsuna mujshëm prej andjes, pareshtun lyp, qi përmes përsiatjeve t’kalluna mallimesh, me mujt me e vizatu atë që m’përshkon si një prekje e beftë, si një kafshim malli. Asht ky kaplim ndjesor, njaj qi m’zatet sa herë lshohem rrugicave, e me sy rrok krejtkah pamja m’lejon me e përla, Shkodrën. Mundet mos me ken njaq e bukur, sa me u marros, si mas nji luleje, por me kurrgja tjetër nuk e ndrroj. Çmos kan pa njikta sy e përplot bukuri e kanë plasë njiket zemër, por Shkodrën s’kan mujt me mrri kurrnjena prej andjeve dhe k’andave qi n’përfytyrime e shpengime kanë ardh rrebshëm, tue xan vend n’mu.

Kur sod, njatoherë, plot and’ lshohem nëpër Shkodër, puhizshëm praroj kurmin e saj legjendar, si me ken tuj prek shtatin e falun murimit, të Rozafës. E tani, n’nji gjëndje plotnie dhe boshi përshkohem e me frym nuk ngihem tue pa qiellin e saj, bukurue prej nji bluje, vjedhun penelatave të piktorëve. Tue ec kuturu e kokulun, si tuj dasht me gjet diçka t’humbun. Gjegjem tue kërkue kujtimin e mbram q’i m’ngucat atypari; me përgju hapat e metun nëpër ato shëtije, ndoj lojë marroke rinie, a njat puthje t’vjedhun gji nji avllie t’stolisun prej myshqeve e njomun lagshtit të shiut.

Trokun e rand të zemrës e ndigjoj tue tubue potershëm n’krahnor e buzët mi eshk një dëshirim malli që më rrok sakaq. Nezem prej k’andjet, me e tret vedin n’gji t’ktij dekiku pror, ktij çasti qi mrrin apogjeun e tan gjendjeve që n’trazim e lumnim kan rreshk shpirtin tem, qi vuen prej galdimit.

Fikun mallit, lshohem tue lyp pak dritë kujtimesh, me u pa mesvedi

Eci pa ndrru fjal’ me ken, as nadjeve idilike njat vakth qi liqeni i magjeps e as akshamit kur e purpurta i lshohet si një mantel i kuq, krejtkah syni rrok me shikim. Përlahem sysh me krejtkend, njoft e panjoft e ata s’mlan pa m’cyt me fjalët e tyne që i mylmen kanda me kuvendu, me u falmeshnetë mesvedi.

Kësisoj, grishun prej kujtimesh e rënduem prej mallit, i kapun përdore porsi fëmija, rend’ t’ue ia rrëfy vedit t’shkumen. N’do prej tyne tue u kuq marret si xanun n’faj e n’do tjera i piklluem. Tue ndjek hapat, mundem me xan gjithnji e ma shum shkreptima të vagullta, qi janë struk fundi meje, e me mujt me i rijetu hovshëm e turraz, tue marrë me huj t’ngutshëm për mos me lan kurrrgja borxh ksaj yshtje.

Kur ikja u lshue n’mu si nevojë

Edhe për mu, e zorshme e përplot trazim, si tan ikjet ka ken yshtja në nevojën për me ba prookupi e me gjet diqysh ndoj rrugë të jetës. Si tash, n’përzimllek m’kujtohet, e nëpër nji za t’thekshëm metun përmas, mundem me tjerr njat shkreptim ndamjet, si krijesa qi dahet prej nans, me ik tue këput kordonin ombilikal. Që atmot, kur i kisha kthy shpinën prindve, kujtimeve dhe vendlindjes e po ikja i ngarkuem me të paktat gjana, ku barrën ma t’rand e përbanin librat, pasunia jeme vetanake, e shtrenjtë dhe e shenjtë, Shkodra nuk ishte kaq larg, distancë t’cilën kisha nevojë me e fashit pajada. Anipse, përgjatë krejt këtyne viteve nuk m’ka mungu motivimi për me e vizitu. Megjithëse i ngarkuem gjithher’ me peshën e nji angazhimi familjar dhe farefisnor, vaki. apo shyqyre. Gjithqysh kam mujt me e gjet vedin nëpër k’to rrugë, i kredhun n’hutime e pse jo, i ul me ndoj mik t’vjetër t’metun këndej pari, me u dhan n’ndoj kuvendim qi t’rrugton përnga njato gjana qi na lidhin me te. Por prap më asht dasht me ik e me e lan atë e nji pjes bajagi t’mir t’vedit, me u largu me kryet metun kthye mbas.