Shkodra ma shumë se dashni, një vend ku njeriu prej ngado që të vijë ndihet mirë – nga Merita Smaja

Time posted: Saturday, November 29th, 2014 8:57 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
902241_454758054593467_677395835_o

Meirita Smaja

Më thanë të them diçka për këtë qytet… por a mundet njeriu me thanë diçka për një dashuni që të lidh fort e të ban me u ndie mirë. Ky qytet në të cilin unë tashma kam vjet që jetoj, asht dashni e gjallë, e kjo buron nga shpirtnat e qytetit e të njerëzve.

Dashni që të mbështjell e nuk të len me ike nëse ke ba vetëm njëherë të vetme dashni me të… E unë kam dëshirë me diftu si u njoha me shpirtin e këtij qytet pa qenë në këtë qytet: isha gjimnaziste në Peshkopi, e për fatin tim të mirë në atë qytet vijnë dy persona që lanë gjurmë tek unë, i madhi Zef Çoba dhe Mentor Jahja… ky i dyti ndoshta ngaqë nuk asht artist nuk njihet nga shumë vetë, por asht artist edhe pse asht inxhinier mekanik. E unë pata fatin ta kem mësues kujdestar që më jepte vizatim teknik dhe dituri makinash. Zef Çoba si mjeshtër i koreve dhe i organizimeve të mëdha artistike, na përfshiu në ansamblin e rrethit, ansambël që jo vetëm bani bujë për profesionalizmin por edhe pse ishin të tanë amatorë, fitoi edhe çmime. Mentori, vëllai i klarinetistit në za Namik Jahja, i binte kitarres e na jepte mesim… unë recitoja, këndoja baja sport. Pra, baja një jetë të gjallë dhe isha shumë e angazhueme… në një moment profesori im më thotë, ti do martohesh me shkodran, sepse me natyrën që ke vetëm me ne shkon… Unë qesha, e i thashë që më kanë thanë se shkodranët janë vagabonda. E në fakt kështu më patën thanë, ai dhe Zefi më thanë sërish se isha artiste e në Shkodër do të gjeja shpirtin e duhun për me ba artin tim.

Kaq ishte kjo bisedë, ma vone unë shkova në Akademi të Arteve e u njoha me një shkodran artist në shumë anë, muzikant, aktor, regjisor, skenograf… U dashunova me të e tek ai gjeta Shkodrën e u dashunova edhe me Shkodrën, në të unë gjeta shpirtin e thellë e të bukur që nuk humbet kurrë. Atë bukuri që vazhdoj ta shijoj edhe sot, e të zhytem ma thellë, pa pasë frikë se mund të mbytem, sepse asht një thellësi që të mbështjell me blunë e saj të thellësisë, por të lejon me marrë frymë si në sipërfaqe. Kushdo që mund të ketë një kontakt sado të vogël me këtë qytet e me njerëzit e tij mbetet pergjithmonë rob i tij, sepse ky qytet asht si sirenat që të magjepsin me zanin e tyne e ti nuk ke forcë t’u thuesh jo. E jo vetëm që u magjepsa, por tashma besoj se jam ba një robinë e bindun, me dashje, e kesaj magjie që quhet Shkodër dhe e këtyne njerëzve të jashtëzakonshëm që quhen shkodranë.