Shkodra si vetëdije – nga Sait Saiti

Time posted: Thursday, December 4th, 2014 2:20 pm

Share on Facebook0Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0

Asht e veçantë sesi vetdija e Shkodrës më ka ardhë, ia mveshi krejtësisht pasqyrës ma të parë të dashnisë që më ka përshkue. Siç mund të jetë shumëkush nga një pikë historiko-kohore e mbrapa, rastisa me kenë i shpërlamë nga pjesa ma e madhe e shtresëzimeve që përcaktojnë të kenit shkodran, autentik. Prejardhje, vendlindje dhe e foluna e nji gjuhe tue kenë pakehiç i vetëdijshëm rreth saj… shtoji kësaj arnimin fragmentar që ky si identitet pësoi nga shumë faktorë. Me sa ve roe shkodrania e sodit mban në vete larminë e gjithnduershme që ky shekull i mbivendosi tanësisë së trashëgimisë në rrafsh zakonesh e mendësie, por pa shestim…

Më pat rastisë në Padova tue ba harxhet, e prej gjysës amnore të prejardhjes ’eme thashë “harrueme vezët” dhe zani pranë meje më tha “voet!”, intonacioni përçonte urdhnim, i pakuptueshëm për mue… përsëritëm nja dy-tri herë kyt dikotomi vezë-voe derisa i shtangun e i trandun kuptova se mbrenda meje voeja kishte kalue një dimnim të gjatë.

Plasaritja e lëvozhgës së vetëdijes përmes gjuhës ishte shkundëse, gja që çoi drejt leximeve të çrregullta prej të kenit unshëm për gjana me thalb n’atë pjesë tonën para se fija të këputej – me parandjenjën se do t’i risistemoja përgjatë kohës. Shkodra përpara qe një mjegull me silueta të përhimta hem të qarta e hem jo – ça nuk ban degërmia e kohës!… sythi i asaj çka kje ishte dikah. Asht nji premisë e bukur shumëçka ky qytet nxjerr, ngaqë pikëpremje e përhershme siç asht përban në vetvedi lugun ku dikohet shumëçka prej gjithkah… pasqyrimi i asaj që asht kenë gjendet përherë në kyt që asht, i përthyem, i përdredhun e i larmishëm sidozot ka kenë e do jetë përherë.

Ça e ban Shkodrën me kenë e tillë?