“TROKITJE KUJTIMESH” – nga Olta Dokle

Time posted: Monday, October 12th, 2015 12:23 pm

Share on Facebook136Tweet about this on TwitterShare on Google+0Pin on Pinterest0
Rozafa Shpuza

Rozafa Shpuza

“TROKITJE KUJTIMESH” – Ekspozite Fotografie – Rozafa Shpuza

Emni “Rozafë”, mban një qytet mbi ballë, thjeshtësisht, t’gjallë. Emni “Rozafë” i ka themelet, rranjë. Tingullin, kumbonë. Kumbon ky emën, pa rreshtë, në çdo gjurmë Shkodre, e shpërthen si sythi n’degë t’njomë me çdo shkodran që vatrën len, gjithmonë për me u rikthye. Kumbon për gjithkënd që e don Shkodrën me t’tanë ndërthurjen e saj, lashtësisht të hareshme.

Thonë, emni përcjellë e trashëgon. Unë them emnin e meriton. E Rozafa Shpuza, i shkon përtej e rrugëton përmbi… Dikund lexova, mjeshtërisht e kishte shkrue: “…fati jem ishte shkrue ndër arkapijat e dyzueme të këtij qyteti fatlum.”

Rozafa shkruen, ndërsa për qytetin e sajë, ajo qendis, me germa e fjalë të kullueme shqipe, thur vërtetësisht ngjyrat e truellit që e brumosi, me andje, përkushtim, e hera-herës edhe me shqetësimin e një qytetareje fisnike të mirëfilltë shkodrane. Ajo ka botë të madhe e shpirt të çiltër artisti dhe nuk mjaftohet me pendën e mprehtë e të begatë të letrave e poezive të saja… Rozafa po-ashtu, e mban qytetin e sajë përmbi bebe t’synit. Prej 6 vjetësh, objektivi i sajë fikson detaje të çmueme e të papërsëristshme, grimca tradite e kulture, relikte që flasin histori, prag m’prag, derë m’derë…

Dyert… Këtu ka me u ndalë artistja kët’ rradhë. Ka me na dhurue nurin e qytetit të sajë, nëpërmjet trokitjeve të tyne, sa të larmishme aq edhe fort të dashtuna. Ka me na servirë një kolazh emocionesh nostalgjike, aq sa vetiake edhe të ndërthuruna si një ylber i ngjyrave të kohës, e përtejmja e të cilit e tej-mbush ngacmimin e imagjinatës dhe e ngjizë me andrrën e kapërcimit. Një pasuri dokumentuese, që pa asnjë dyshim, ka me prekë çdo bashkë-qytetar të sajin e ka me ndjellë krenari të dlirë.

Për këto dyer drite, portën mikpritëse ka me e hapë Qendra Rinore “ARKA” – Shkodër, me 17 Tetor, ora 18:00, në bashkëpunim me “PerShkodren.com”, dhe nën mbikqyrjen e Drejtorit të Kulturës të qytetit të Shkodrës, Eugjen Gargjola. Ekspozita fotografike “Trokitje Kujtimesh” e artistes Rozafa Shpuza, premton mbresa të pa provueme ma parë.

Dy-tre fjalë për artisten.

Rozafa Shpuza leu në Shkodër në një prej familjeve qytetare ma në za, me tradita të spikatuna intelektuale dhe shoqnore. Mbasi mbaroi shkollën e mesme “Jordan Misja” 1982-1986, vazhdoi universitetin “Luigj Gurakuqi” në degën Gjuhë-Letërsi dhe e përfundoi atë me rezultate të shkëlqyeme në vitin 1990. Në vitet në vazhdim krahas punës dhe kontributeve të ndryshme, ka vazhdue me ndjekë kurse pas-universitare lidhun me profesionin por edhe pasionet e saja mbi artin e të shkruemunit dhe atë të fotografisë. Në vitin 2011 del në dritë, Libri i sajë i parë në prozë “Kohë ikonash”, një përmbledhje me “dromca letrare” siç ajo, jo rrallë shprehet, dhe në vitin 2013 botohet libri i sajë i dytë, një kurs vëllimi me poezi në gegnisht i titulluem “Anipse”. Botimet e Rozafa Shpuzës janë cilësue si pasuni letrare dhe janë vlerësue nga mjeshtra të letrave shqipe. Vitet e fundit ajo ka marrë pjesë në ekspozita dhe konkurse ndërkombëtare të ndryshme të artit të fotografisë si; “PreFoto” në Presheve; “FOKUS” në Fier; “Trashëgimia kulturore” dhe festivali i fotografisë artistike “PIMI” në, Kosovë. Krijimtaritë artistike, si në letra ashtu edhe në fotografi, Rozafa i publikon në blogun e sajë personal “Dromca…”, të cilin e pasuron rregullisht e pa kursim (http://rozafaweb.blogspot.com/2010/11/foto-nga-shkodra.html), e përveç kësaj ato gjehen edhe në forumin “Galaktika Poetike ATUNIS” (http://atunis.forumotion.com/n177-poezi-nga-rozafa-shpuza) si dhe në portalin “PerShkodren” (http://www.pershkodren.com/tag/rozafa-shpuza/) Aktualisht, Rozafa punon si redaktore letrare në Drejtorinë e Botimeve Parlamentare, pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Olta Dokle